Preç Zogaj
Tre vjet më parë disa miq të poezisë, autorë, përkthyes, studius dhe promovues të spikatur të saj, brenda dhe jashtë vendit, i propozuan Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit (QKLL) dhe përmes saj, Ministrisë së Kulturës krijimin e “Poetit laureat”.
Drejtoresha, Alda Bardhylli e priti propozimin me entuziazëm dhe iu vu punës për të startuar pa vonesë me laureatin e parë. Me mendimin se dispozitat e plota të statusit dhe aspektet proceduriale të përzgjedhjes së tij do të përcaktoheshin në mënyrë përfundimtare në vijim.
QKLL e konsideroi çmim, një ngatërresë e madhe që në krye të herës, që nuk u korrigjua. Ndërkohë, zonja Bardhyli ngriti një juri të kryesuar nga Besnik Mustafaj, poet dhe shkrimtar me një karrierë letrare të gjatë e të suksesshme, përkthyes dhe pjesëmarrës aktiv në diskutimet dhe debatet për letërsinë, sa herë janë bërë.
Në juri bënin pjesë dy pedagogë të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, pranë Universitetit të Tiranës, Viola Isufi, autore e disa studimeve për letërsinë dhe Agron Gjekmarkaj ( nuk ishte zgjedhur deputet në atë kohë), doktoruar në Universitetin “La Sapienca” të Romës, autor i shumë artikujve për poezinë dhe prozën shqipe. Një anëtar tjetër i jurisë ishte Agim Baçi, firmën e të cilit mbajnë dhjetëra shkrime të llojit book review në mediat më përhapje të gjerë në publik, ku ai ka ekspozuar dijet dhe shijet e tij letrare.
Në inercinë e dhënies së çmimeve letrare vjetore, por mendoj edhe nën ndikimin e vetvetishëm të konkurrencës në programet e sotme televizive të llojit të reality show, puna e asaj jurie startoi me nominimin dhe publikimin në formën e një polifotoje të një numri të madh autorësh. Gjë që nuk e kishim parë të praktikohej gjëkundi në nominimet për një titull apo emërtesë karriere, siç është Poeti Laureat.
Historia e letërsisë tregon se çdo vend ka në çdo dekadë poetë të mirë e shumë të mirë. Si në një maratonë të pambaruar zgjedhja bie mbi ata që kanë bërë rrugë të gjatë, kanë mbërritur apo po mbërrijnë, teksa janë afirmuar si të suksesshëm në rrafshet ku realizohet njeriu i letrave si krijues, si esesit, si person publik. Autorët e tjerë janë në udhë ndërkohë.
Zgjedhja e jurisë para tre vjetësh ra mbi një poet që i përmbushte në perfeksion cilësitë e laureatit: Rudolf Marku, një autor që e mishëron si pakkush historinë e poezisë moderne shqipe gjatë katër-pesë dekadave të fundit. Origjinalen dhe të përkthyerën. Shpallja e Rudolfit i eklipsoi shqetësimet e zbatimit të një procedure si për një çmim të zakonshëm vjetor.
Mendohej se pas startimit me laureatin e parë, Qendra e Librit dhe Ministria e Kulturës kishin gjithë kohën e duhur në dispozicion për të formuar një procedure dhe një praktike adekuate për të ardhmen, duke përshtatur një model të mirë nga një vend që e jep ketë titull.
Një model nga më të vjetrit është ai anglez. Laureatin e emëron Mbreti për një afat që shpesh zgjat për disa vite. Nga Anglia mund të merret shembulli i ruajtjes së një standardi të lartë në përzgjedhje. Në aspektet e tjera modeli i saj nuk i shkon vendit tonë.
Modeli më i përshtatshëm për ne mendoj se është ai amerikan. Në SHBA emërimi ( jo çmimi) “Poet laureat” mbështetet mbi një akt ligjor të Kongresit Amerikan. Vendimi është ekskluzivitet i Drejtorit të Bibliotekës së Kongresit. Të cilin e emëron vetë Presidenti i SHBA. Ai është një njohës i thellë i letërsisë amerikane dhe botërore, një ekspert i nivelit të lartë. Para se të vendosë, Drejtori konsultohet me kritikë e studiues të shquar të poezisë, me poetët e mëparshëm laureatë, me poetë të tjerë të njohur në vend, duke e marrë të mirëqenë diktonin se poetët i shpallin pikësëpari poetët. Por në fund është ai që merr përgjegjësinë të emërojë laureatin e radhës. Përzgjedhja e “Poetit laureat” të SHBA-ve është një ndër detyrat kryesore të Drejtorit dhe Bibliotekës së Kongresit me shartet e një Katedraleje të letrave. Laurimi është një stafetë që kalon nëpër majat e artit të poezisë.
Në edicionin e dytë të emërimit të “Poetit Laureat” në Shqipëri procedura e ndjekur nga QKLL është njëlloj si e para tre vjetësh, duke e konsideruar e trajtuar sërish si një çmim letrar. E reja në edicionin e dytë, mjerisht, është një kthim evident prapa sa i takon cilësisë së jurisë. Besnik Mustafaj e pason në rolin e kryetarit Sibel Halimi nga Kosova, një grua sigurisht e respektuar në Kosovë, zëdhënëse e LDK-së, aktiviste për të drejtat e grave, autore e tre-katër librave me poezi, por një emër i panjohur në botën letrare të Shqipërisë.
Në Shqipëri dhe ma merr mendja edhe në Kosovë ka qindra autorë që kanë botuar mbi pesë-gjashtë vëllime secili. Klubet letrare në dy anët e kufirit reklamojnë në rrjete, në garë me shoqi-shoqin, një evidencë autorësh që e kalon numrin njëmijë, shumica amatorë të apasionuar apo të keqkuptuar me atë se çfarë është poezia, por që nuk prishin asnjë punë sa kohë që kënaqin dëshirat e tyre për të shkruar vargje.
Gjithmonë, por sidomos në ditët tona, botimi në vetvete nuk thotë asgjë. Është cilësia e poezisë, jehona e saj, janë të rejat që sjell autori në panoramën dhe historinë e poezisë së vendit, është pritja nga poetët dhe kritika, përkthimi në gjuhë të huaj nga botues që operojnë në treg, pra është një tërësi treguesish që e pohojnë poetin si të tillë.
Poezia është një sintezë e arteve, ajo do të mbetet gjithmonë një thirrje mistike e muzave- vetë Borhes, një mjeshtër i poezisë dhe ndoshta njohësi më i madh i saj, jetonte në pasigurinë e të qenit poet. Kaq lart e mbante dhe kaq shumë e çmonte poetin.
Ja pse “togën” e kryetarit apo anëtarit të jurisë për çdo çmim kombëtar apo emërim që ka lidhje me poezinë nuk mund ta veshë kushdo. Aq më pak kur është fjala për një emërim karriere si e Poetit Laureat. Nuk mjafton të jesh lexues i poezisë, nuk mjafton të jesh një autor çfarëdo, as një kritik çfarëdo. Steka e përzgjedhjes së jurisë në këtë rast duhet të jetë në majë; të përzgjedhurit, veç talentit të spikatur dhe veprës së tyre si autorë, eseistë dhe kritikë letrarë, duhet të zotërojnë njohjen e thellë të historisë së letërsisë shqipe dhe asaj botërore, në veçanti të panoramës letrare të pesëdhjetë vjetëve të fundit në vend. Mund të qëllojë të jetë ndonjë në moshë të re, por duhet të ketë vezulluar si një Artur Rembo (në ketë rast vështirë se do t’i shkonte ndërmend të bëhej anëtar i ndonjë jurie) dhe kryesorja ta ketë demostruar me shkrime, reçensa, ese apo studime kompetencën në gjykimin dhe vlerësimin e prurjeve shumëvjeçare në letërsinë e vendit. Me përjashtim të Rudol Markut që është automatikisht anëtar jurie si laureati në fuqi, tre anëtarët e tjetër nga Shqipëria as e lëvrojnë, as e studiojnë poezinë. Asnjërit prej tyre, as kryetares nga Kosova, nuk u njihen dëshmi të shkruara e të botuara ku të demostrojnë kompetencën e tyre si njohës të poezisë.
Mund të ishin fare mirë në juri të tjera, fjala vjen në jurinë e përkthimeve nga letërsia bashkëkohore ku spikat prej vitesh (A. Dudaj), në jurinë e prozës ( Y.Aliçkaj), por në këtë të poetit laureat janë mish i huaj, siç do të isha unë mish i huaj në një juri për baletmaestron më të mirë, ku edhe pse me pëlqen baleti nuk do të merrja pjesë po të lajthisnin të më ftonin.
Një juri me pesë anëtarë e mban një dashamirës jo ekspert të poezisë, mund të mbajë edhe dy, por katër janë shumë. Këta mund të mos e kenë ditur për njëri-tjetrin para se të bënin mbledhjen e parë. Por Alda Bardhyli që i ka emëruar e ka ditur dhe ka qenë e vetëdijshme që po ngre një juri plotësisht të shbalancuar sa i takon raportit ekspertë-dashamirës. Kjo është t’i biesh në qafë poezisë edhe në një konkurs të thjeshtë në nivel komune. Pale për emërimin e poetit laureat që përfaqëson e duhet të përfaqësojë kuintesencën e poezisë bashkëkohore.
Shqipëria ka poetë, eseistë, kritikë, studiues të denjë për të emëruar poetin Laureat, kompetentë për nxjerrjen e produksionit letrar nga gjendja rifugio dhe vendosjen e hierarkisë së vlerave. Edhe Kosova ka autorë dhe studiues të këtij niveli. Nuk mund ta di a janë thirrur të jenë në juri. Ka që nuk pranojnë. (Një temë me vete kjo pse nuk pranojnë, qe e kthen topin sërish te institucionet e kulturës dhe librit). Por jam i bindur se ka që do ta pranonin. Një juri me pesë anëtarë ku ka vetëm një ekspert të fushës e kompromenton vetvetiu dhe tingëllon si parodizim i titullit. Edhe sikur nën një trysni rrethanash apo nga rastësia zgjedhja të bjerë mbi një emër që e meriton të jetë.
Por rastësia apo konjuktura nuk ngushëllojnë asnjë garë apo promovim në fushën e artit. Me mençurinë që u është përcjellë shekujve, grekët e vjetër të letrave, artit dhe filozofisë, e kishin formuluar si parim atë se duhet të na gjykojnë të ngjashmit tanë.
Ministria e Kulturës nuk mund të rrijë duarjashtë për faktin e përmendur herë pas here se Ministria Margariti nuk është e fushës së letrave. Ndodh që Ministri i Kulturës të jetë i specializuar në një lëmë tjetër, sikurse ai i Shëndetësisë, e tjerë. Ky nuk është një problem. Por zonja Margariti dhe institucioni i saj janë përgjegjës të drejtpërdrejtë për politikat kulturore në vend, për funksionimin e institucioneve që varen prej tyre, për efikasitetin dhe impaktin e parave që jep buxheti për librin: a përdoren në shërbim të cilësisë, që është politika e vetme në fushën e letërsisë dhe arteve, apo i kontribuojnë keqkuptimit letrar dhe konformizmin të përmbysur si dukuri retrograde të letërsisë së sotme.
Në lidhje me Poetin Laureat, Ministria e Kulturës duhet të vendosë për dy gjëra: E para, a duhet mbajtur apo jo ky emërim? Është e vërtetë se shumica e vendeve të Europës nuk e kanë. Ka vende si Italia që e kanë patur por nuk e kanë vazhduar. Edhe Shqipëria mund të vazhdonte të mos e kishte. Poezia ka jetuar e do të jetojë pa të.
Ideja e propozuesve tre vjet më parë merrte parasysh faktin se në traditën tonë poetët janë identifikuar me figurën e demiurgëve të gjuhës së kultivuar, të alfabetit, të ndërgjegjes kombëtare dhe asaj estetike. Poeti Laureat do të ishte një homazh dhe një gur më shumë në murin e kësaj tradite të bukur.
Në rrafshin e dobisë konkrete, me Poetin Luareat politika kulturore do të kishte në shërbim të saj një institucion të veçantë dedikuar përhapjes së poezisë dhe leximit, krijimit të një mjedisi të munguar prej disa vitesh ku të diskutohet për poezinë, për tendencat, për librat më të mirë.
Përveç këtyre, Poeti Laureat ia vlen të mbahet edhe në kontekstin e kursit të keqkuptimit, tjetërsimit dhe banalizmit ekstrem të letërsisë dhe artistikes në kohën tonë, ku rëndom poezia konfondohet me bejten dhe vjershërimin, muzika me tallavanë, humori me gallatën e tjerë. Është mirë që politika kulturore të ketë kudo ambasadorët apo farën e saj, që mbajnë kuptimin dhe identitetin e letërsisë dhe arteve.
Ministria Margariti nuk duhet të lejojë që një ngjarje e këtij klasi të banalizohet e provincializohet. Në qoftë se nuk e bëjmë dot si bota e përparuar, më mirë të mos e mbajmë. Por nëse vendos ta mbajmë -dhe për këtë mund të konsultohet me njohësit dhe ekspertët më të mirë të fushës që ka vendi- ajo duhet të rishikojë procedurën e emërimit dhe të përcaktojë statusin e Poetit Laureat. Nuk ka nevojë për shpikje.
Modeli amerikan i ka zgjidhur të gjitha. Ai model mund të përshtatet. Poeti Laureat është emërim, jo çmim. Kjo hollësi sqaron kuptimin e këtij nderimi dhe funksioni letrar. Thamë më lart se Poeti Laureat mbështet në një ligj të Kongresit. Nuk e di a mund të përfshihet në ligjin tonë për Kulturën. Një gjë është e qartë: eventit që SHBA e mbështet në një ligj, nuk mund ti përgjigjemi me një rregullore të prodhuar nga QKLL. Në dispozitat e reja, Drejtuesit të QKLL i caktohet si detyrë të shpallë Poetin Laureat. Ai ose ajo konsultohen me kritikë dhe poetë të shquar, por në fund t’i dalë zot vetë, t’i vere gishtin vetë siç thotë shprehja, të mos nxjerrë kandidatë pa i pyetur autorët, të mos publikojë polifoto të tyre pa lejen e tyre, duke i ekspozuar si tabelë qitje, a thua se kanë bërë ndonjë faj, ndaj një skote tutkunësh, inatçorësh dhe të ligjsh që përgjojnë si kandra në rrjete dhe hidhen në sulm kundër fotove të poetëve si gadistët e kuq të Revulucionit Kulturor kinez dikur.
Në SHBA emërimi i poetit laureat ekuivalenton kompetencën e Drejtorit të Librarisë për ta merituar postin. Kështu duhet bërë edhe në Shqipëri. Në të kundërtën, nëse Ministria e Kulturës nuk gjen dot një drejtor që e merr vetë këtë përgjegjësi, emërimi i Poetit Laureat mund t’i kalohet një institucioni tjetër të kulturës me një traditë më të konsoliduar të drejtimit nga personalitete të kulturës dhe librit, siç është Biblioteka Kombëtare. Kështu siç është nuk mund të lihet./Gazeta Liberale