Pas atentatit në fshatin Larushk, të Fushë-Krujës, ku humbi jetën Ramazan Sino si dhe u plagosën 2 fëmijët e Gentian Bejtjas, mësohet se RENEA dhe FNSH kanë zbarkuar mëngjesin e sotëm në zonën e Tapizës dhe Niklës.
Në operacionin në fjalë kanë marrë pjesë 2 furgonë të FNSH dhe 2 të RENEA. Sipas informacioneve paraprake raportohet se janë shoqëruar disa persona.
Aksioni ka nisur rreth orës 6 të mëngjesit. Kujtojmë se në kuadër të hetimeve për ngjarjen e rëndë u arrestua mbrëmjen e të enjtes Valter Bami, të cilit policia tha se i janë gjetur gjurmë baruti në duar, por që ka mohuar të ketë lidhje me atentatin.
Sipas policisë Bami dyshohet të jetë i përfshirë në atentatin e ndodhur në fshatin Larushkë, Krujë.
Gjatë marrjes në pyetje në Drejtorinë e Vendore të Policisë së Tiranës, Bami është shprehur se kur ka ndodhur ngjarja ai po qëndronte në shtëpi, duke mbajtur të njëjtin qëndrim si të seancës së parë të marrjes në pyetje pak orë pas ngjarjes.