1

Paradoksi i terrorizmit

               Publikuar në : 08:47 - 21/01/20 Robert Skidelsky

Robert Skidelsky

Nuk pati asnjë përfitim politik pas sulmit të terrorizues që ndodhi në nëntor në London Bridge, në të cilin Usman Khan goditi me thikë dy persona para se të qëllohej për vdekje nga policia. Në veçanti, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, bëri thirrje për dënime më të gjata me burg dde jo lirim të parakohshëm për terroristët e dënuar.

Në dy dekadat që kanë kaluar që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara, terrorizmi është bërë paniku moral tipik në botën perëndimore. Frika se terroristët fshihen në çdo cep, duke thurur komplote për të shkatërruar qytetërimin perëndimor, është përdorur nga qeveritë e njëpasnjëshme britanike dhe amerikane për të futur ligje më të rrepta për dënime dhe fuqi shumë më të gjera mbikëqyrëse, si dhe natyrisht për të zhvilluar luftë.

Në fakt, terrorizmi në Europën Perëndimore ka qenë në rënie që nga fundi i viteve 1970. Sipas Bazës së të Dhënave Globale të Terrorizmit (GTD), në Europën Perëndimore ka pasur 996 vdekje nga terrorizmi midis viteve 2000 dhe 2017, krahasuar me 1,833 vdekje në periudhën 17-vjeçare nga viti 1987 deri në vitin 2004, dhe 4,351 midis vitit 1970 (kur fillojnë të dhënat e GTD) dhe vitit 1987. Amnezia historike ka shkatërruar gjithnjë e më shumë kujtesën e terrorizmit në Europë: banda Baader-Meinhof në Gjermani, Brigadat e Kuqe në Itali, IRA në Mbretërinë e Bashkuar, terrorizmin bask dhe katalanas në Spanjë dhe terrorizmin kosovar në ish-Jugosllavi .

Situata është qartazi ndryshe në Shtetet e Bashkuara – jo vetëm sepse të dhënat janë shtrembëruar masivisht nga sulmet e 11 shtatorit, në të cilat vdiqën 2,996 persona. Por edhe nëse e shpërfillim këtë anomali, është e qartë se, që nga viti 2012m vdekjet nga terrorizmi në Amerikë janë rritur në mënyrë të vazhdueshme, duke e ndryshuar trendin e mëparshëm. Megjithatë, një pjesë e madhe e këtij “terrorizmi” është thjesht pasojë qarkullimit të madh të armëve në duart e civilëve.
Për të qenë të sigurt, terrorizmi islamik është një kërcënim i vërtetë, kryesisht në Lindjen e Mesme. Por duhen theksuar dy pika. Së pari, terrorizmi islamik – si kriza e refugjatëve – ishte kryesisht rezultat i përpjekjeve të Perëndimit, qofshin ato të fshehta apo të dukshme, për të arritur “ndryshimin e regjimit”. Së dyti, Europa është shumë më e sigurt sesa ka qenë dikur, pjesërisht për shkak të ndikimit të Bashkimit Europian mbi sjelljen e qeverive, dhe pjesërisht për shkak të teknologjisë së përmirësuar anti-terroriste.

Megjithatë, ndërsa numri i vdekjeve nga terrorizmi bie (të paktën në Europë), alarmi për të rritet, duke u ofruar qeverive një justifikim për të prezantuar masa më të shumta sigurie. Ky fenomen, ku reagimi ynë kolektiv ndaj një problemi social intensifikohet pasi vetë problemi zvogëlohet, njihet si “efekti Tocqueville.” Në librin e tij të vitit 1840 Demokracia në Amerikë, Alexis de Tocqueville vuri në dukje se, “është e natyrshme që dashuria për barazinë duhet të rritet vazhdimisht së bashku me vetë barazinë dhe se ajo duhet të rritet nga ajo me të cilën ushqehet”.

Për më tepër, ekziston një fenomen i lidhur që mund ta quajmë efekti Baader-Meinhof: pasi ju tërheq vëmendjen diçka, ju filloni ta shikoni atë gjatë gjithë kohës. Këto dy efekte shpjegojnë se si vlerësimet tona subjektive të rrezikut janë larguar shumë nga rreziqet aktuale me të cilat përballemi.
Në fakt, Perëndimi është bërë qytetërimi më ngurrues pëe t’u përballur me rreziqe në histori. Vetë fjala vjen nga Latinishtja risicum, e cila në Mesjetë përdorej vetëm në kontekste shumë specifike, që zakonisht lidhej me tregtinë detare. Në gjykatat e qyteteve-shtete italiane të shekullit të XVI, rischio i referohej jetëve dhe karrierave të oborrtarëve dhe princërve, dhe rreziqet e tyre të tjera. Por fjala nuk përdorej shpesh. Ishte shumë më e zakonshme që sukseset ose dështoimet t’i atribuoheshin një burimi të jashtëm: fatit ose fortuna. Fati ishte avatar i paparashikueshmërisë. Homologu i ti njerëzor ishte maturia, ose virtyti Makiavelian.

Në periudhën e hershme moderne, natyra vepronte mbi njerëzit, përgjigjja e vetme racionale e të cilëve ishte të zgjidhnin midis pritshmërive të arsyeshme. Ligjërimi modern i rrezikut filloi të lulëzonte vetëm me revolucionin shkencor. Njerëzimi modern vepron mbi dhe kontrollon botën natyrore, dhe për këtë arsye llogarit shkallën e rrezikut që ajo paraqet. Si rezultat, nuk është e nevojshme që tragjedia të jetë një tipar normal i jetës.
Sociologu gjerman Niklas Luhmann argumentoi se, sapo u pa që veprimet individuale kishin pasoja të llogaritshme, të parashikueshme dhe të shmangshme, nuk kishte më shpresë për ta rikthyer përsëri atë gjendjen para-moderne të paditurisë, ku rrjedhja e ngjarjeve i lihej në dorë fatit. Siç e tha Luhmann, “Porta drejt parajsës mbetet e mbyllur nga termi rrezik.”

Edhe ekonomistët besojnë se i gjithë rreziku është i matshëm dhe për këtë arsye i kontrollueshëm. Në këtë drejtim, ata janë në një mendje me ata që na thonë se rreziqet e sigurisë mund të minimizohen duke zgjeruar fuqitë e mbikëqyrjes dhe duke forcuar teknikat me të cilat mbledhim informacione rreth kërcënimeve të mundshme të terrorizmit. Një rrezik është edhe shkalla në të cilën ngjarjet e ardhshme janë të pasigurta, dhe – siç shkroi Claude Shannon, themeluesi i teorisë së informacionit – “informacioni është zgjidhja e pasigurisë”.

Të qenit më i sigurt ka një përfitim të qartë, por kjo vjen me çmimin e një ndërhyrje të pashembullt në jetën tonë private. E drejta jonë për privatësinë e informacionit, tani e garantuar me Rregulloren e Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave, është gjithnjë e më shumë në konflikt në mënyrë të drejtpërdrejtë me kërkesën tonë për siguri. Pajisjet e kudopranishme që shohin, dëgjojnë, lexojnë dhe regjistrojnë sjelljen tonë prodhojnë një mori të dhënash nga të cilat mund të bëhen konkluzione, parashikime dhe rekomandime në lidhje me veprimet tona të së kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes. Përballë shprehje “dija është pushtet”, e drejta për privatësi venitet.

Për më të tepër, ka një konflikt midis sigurisë dhe mirëqenies. Të jesh plotësisht i sigurt nënkupton të eliminosh virtytet dhe maturinë. Ajo qenie njerëzore që është totalisht i sigurt është një njeri i vogël.
Për të dyja këto arsye, ne duhet t’u përmbahemi fakteve dhe të mos u japim qeverive mjetet që ata kërkojnë gjithnjë e më shumë për të fituar “betejën” kundër terrorizmit, krimit, ose ndonjë fatkeqësie tjetër teknikisht të shmangshme me të cilën na përball jeta. Nevojitet një përgjigje e matur. Dhe kur bëhet fjalë për kaosin dhe rrëmujën e historisë njerëzore, duhet të kujtojmë vëzhgimin e Heraklitit se “një rrufë e ndryshon krejtësisht rrjedhën e gjërave”.

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back