Opinion

Përse Trump po ndryshon qëndrim mbi Ukrainën?

Shkruar nga Liberale

Përse Trump po ndryshon qëndrim mbi Ukrainën?

Nga Federico Rampini

Sot Joe Biden nënshkruan ligjin e sapo votuar nga Kongresi, që  rifinancon ndihmat amerikane tre Vendeve: Ukrainës, Izraelit, Taivanit. Më nevojtari hëpërhë është Ukraina, në vështirësi të mëdha përballë përparimit rus dhe në mungesë të gjithshkaje: municione, pjesë këmbimi, armë të çdo lloji. Kjo mbështetje amerikane është me muaj e vonuar, sepse mbahej peng nga Kongresi nga qëndresa e partisë republikane.

Përse këto qëndresa u ndërprenë menjëherë? Përse Speaker of the House, pra kryetari I Dhomës, Mike Xhonson, republikan, ka zbllokuar paketën e ndihmave e ka pranuar një kompromis me demokratët

Mbrapaskenat e këtij sqarimi janë të rëndësishme, edhe sepse japin ndonjë element për të parashikuar se çfarë politike të jashtëme do të bëjë Amerika  mbas 5 nëndorit, nëse do të fitonte Donald Trumpi.

Shpjegimi i parë për kthesën e Xhonson-it  e përmbledh kështu: klasa drejtuese është ende. Kryetari i dhomës së deputetëve i është nënështruar një rrethimi të pandërprerë nga ana e drejtuesve ushtarakë e shërbimeve të fshehta. Nga drejtuesit e Pentagonit tek CIA, tek të tjerat agjensi të inteligjencës, ka patur një punë sistematike informimi, bindjeje e trysnie kundrejt tij: i kanë shpjeguar se si e përse  ajo ndihmë duhej t’i jepej Ukrainës, çfarë do të ndodhte sikur të mos ishin ato ndihma, cilat do të kishin qenë ato pasojat ogurzeza të një fitoreje përfundimtare të Putinit në sigurinë e vetë Shteteve të Bashkuara, veç atyre të gjithë aleatëve evropianë.

Klasa drejtuese ushtarake, e inteligjencës  e e politikës së jashtëme, është më e shumta dypartiake ose e pavarur. Ka lidhje të fuqishme e historike me bazën republikane ku gjinden pellgje të rekrutimit tradicional të forcave t’armatosura. Shkurt Xhonsoni  u gjend përballë një zjarri pengues të fuqishëm, i është vënë në dorë një arsenal argumentësh kaqë të efektëshëm në dobi të Ukrainës, që e ka bindur. Përballë një trysnie kaq të efektëshme Xhonsoni madje  ka vënë në llogari edhe mundësinë e mosbesimit të parlamentarëve të tij të krahut vetëpërjashtues, ka pranuar të kalonte ligjin me ndihmesën përcaktuese të demokratëve.  

Po problemi Trump? Ish presidenti kishte penguar ndihmat Ukrainës duke kalëruar rrymën vetëpërjashtuese të opinionit publik. Edhe kur ishte në Shtëpinë e Bardhë – pra para mësyemjes ruse të 2022 – ai kishte shprehur mosbesim e rezerva në drejtim të çështjes ukrainase. Por nëse Trumpi do të kishte dashur t’a pengonte haptas Xhonsonin , do të mund të nxiste ndërmjet besnikëve të tij një kryengritje shumë më të gjërë se ajo që u bë, deri në dorëheqjen  e Speaker of the Hous. Dje ish presidenti madje e ka mbrojtur duke e përcaktuar si një “njeri të mirë që po zotohet në maksimum” dhe, madje duke i vënë gishtin Evropës që simbas Trumpit “për Ukrainën duhet të bëjë më shumë”.

Xhonsoni ka patur dinakërinë të vizitonte ish presidentin në vënd qëndrimin e tij të Mar-a-Lagos në Florida e arriti të ketë  një lloj asnjanësie të heshtur mbi vendimin që do të votohej në Dhomën e deputetëve. Me afrimin e zgjedhjeve Trumpi duket se është bërë më pak armik i Kievit.

Nga rrethi i ish presidentit kanë filtruar shpjegime të ndryshme në mediat amerikane. Nga një anë edhe Trumpi i është nënështruar trysnisë së klasës drejtuese ushtarake – së  cilës ai gjithmonë i ka blatuar respekt e vlerësim – që i ka sqaruar dëmet e një fitoreje ruse. Klasa drejtuese ushtarake dhe e inteligjencës i kanë shpjeguar gjithashtu se nëse Ukraina qëndron, do t’i takojë pikërisht Trumpit, (në rast të rizgjedhjes së tij në 5 nëndor) të bëhet ndërmjetës mes Putinit e Zelenskit për një pushim zjarri madje edhe për marrëveshje paqeje. Kjo e miklon Trumpin, i parasheh një rol “historik”, e në të njëjtën kohë e bën të detyrueshëm një zgjatje të qëndresës ukrainase.

Së fundi dikush i ka shkrepur në mëndje Trumpit mundësinë që ndihmat bujare e të çmueshme amerikane Kievit në t’ardhmen mund të shndërrohen në hua. Ukraina megjithë shkatërrimet e luftës mbetet një vend i pasur në rezerva natyrore. Mbasi  të pushojë lufta  e të fillojë rindërtimi mund të paguajë ata që e kanë mbështetur. Një Trump i rizgjedhur në Shtëpinë e Bardhë do të mund të kalonte nga praktika e dhuratave n’atë të borxheve, duke kënaqur bazën e tij zgjedhore që pret ndërlidhje me parullën Amerika First: para së gjithash interesat amerikane.

Trumpi do të kishte përfituar  nga shërbimi i një miku e shemëri të tij, senatorit  republikan Lindsey Graham, që në një vizitë të fundit në Kiev i ka parashtruar idenë e borxheve Zelenskit që e ka gjetur me vënd.

Të gjitha këto çojnë në një përfundim: kanë filluar manevrat e mëdha ndërmjet republikanëve tradicionalë për të siguruar që një Trump II të mos jetë skajshmërisht shkatërrues i rendit botëror, sigurisë së Perëndimit, mbrojtjes së aleatëve. Në të njëjtën kohë një Trump II, në ndryshim nga Bideni do të ofronte një hapje të shpejtë  të bisedimeve me Putinin.

Janë elementë për t’u mbajtur para sysh, që kanë tërhequr vëmëndjen e gjithë kryeqyteteve të botës, ndërmjet qeverive mike dhe armike që kërkojnë të shtihen mbi skenarët e mbas 5 nëndorit.

“Corriere della Sera”, 23 prill 2024 E përktheu Eugjen Merlika

Poll
SHQIPENGLISH