Nga Xhezair Zaganjori
Me 19 Dhjetor 2024, në Alte Aula (Salla e Vjetër) të Universitetit të mirënjohur të Heidelbergut, krijuar në vitin 1386 me urdhër dhe porosi të veçantë të Papës së Romës Urbani VI, rreth 250 të ftuar nga Gjermania dhe vënde të ndryshme të Botës, festuan përmes një ceremonie të vecantë 100 vjetorin e themelimit të Institutit Max-Planck për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Kushtetuese. Madhështinë e godines së vjetër të Universitetit të vendosur thuajse në qendër të qytetit, ja shton edhe Kështjella e famshme e Heidelbergut që ndodhet pranë saj, ndërtuar që në fillim të shekullit teë13-të, ndërsa në krahun tjetër, Ura e Lashtë me kalldrëm mbi lumin Neckar, e më tej “Rruga e Filozofëve” që ka shërbyer në shekuj për shëtitje si dhe për debate e diskutime miqësore mes mendimtarëve më në zë që kanë jetuar e punuar aty, mes të cilëve mund të përmënden Georg W. Hegel, Max Weber, Karl Jaspers, Heinrich Rickert, Eduard Zeller, Otto von Girke, Georg Jellinek, Gustav Radbruch, e të tjerë. Vetë Universiteti i Heidelbergut që gjithnjë ka qënë dhe mbetet mes universiteteve që qëndrojnë në majë të reputacionit akademik në nivel botëror, ka sot rreth 32 mijë studentë.
Në vite, nga stafi dhe bashkëpunëtorët akedemikë të tij janë laureuar me Cmimin Nobël 57 persona. Emrat dhe portretet e një pjese të mirë të tyre ndodhen pikërisht në Alte Aula. Mes tyre mund të përmënden kimisti Robert Bunsen, fizikanti Hermann von Helmholz, mjeku Albrecht Kossel, e të tjere. Instituti Max-Planck për të Drejtën Ndërkombëtare e Kushtetuese ka një bashkëpunim të ngushtë me Universitetin e Heidelbergut. Pedagogë të shumtë të këtij Universiteti bëjnë kërkime në Institut, ashtu si edhe punonjës të shumtë të Institutit japim mësim në fakultete të ndryshme të këtij Universiteti.
Mes të ftuarve në ceremoni ishin edhe drejtues të institucioneve të rëndësishme Gjermane dhe Europiane. Përvec mikpritësve, dy drejtorëve të Institutit, Prof. Anne Peters dhe Prof. Armin von Bogdandy, mund të përmënden edhe Stephan Harbarth, President i Gjykatës Kushtetuese Gjermane, Koen Lenaerts, President i Gjykatës Europiane të Drejtësisë, Patrick Kramer, President i Shoqatës Max Planck, Petra Olschowski, Ministre e landit për Ekonominë dhe Kërkimin Shkencor, Fraucke Melchior, Rektore e Universitetit të Heidelbergut, e të tjerë. Të gjithë përshëndetën, duke vlerësuar punën e shkëlqyer të Institutit gjatë një shekulli të tërë, dhe uruan që kjo performancë ta shoqërojë sërish atë atë edhe në vitet në vijim. Zoti Harbarth vuri ne dukje ndër të tjera se garantimi gjithnjë i pranisë ex officio të Presidentit të Gjykatës Kushtetuese edhe në Këshillin Drejtues të Institutit, është një vlerë e shtuar edhe për vetë Gjykatën Kushtetuese, pasi i krijon mundësinë të dy institucioneve të konsultohen e ndihmojnë njëritjetrin vazhdimisht në trajtimin e cështjeve më të mprehta teorike e praktike që kanë të bëjnë me zhvillimet në të drejtën ndërkombëtare e kushtetuese. Ai shtoi se në këtë drejtim “..unë dhe paraardhësit e kolegët e mi e kemi thënë dhe e themi me plot gojë se puna juaj ka qënë gjithnjë frymëzim për ne, vecanërisht në trajtimin e cështjeve të vështira e sensitive….”. Të njëjtën gjë theksoi edhe zoti Lenaerts. Ai tha se Gjykata Europiane e Drejtësisë e konsideron “..nder dhe privilegj të bashkëpunojë e shpesh edhe të citojë në vendimet e saj kontributet shkencore të Institutit që kanë të bëjnë me të drejtën e Bashkimit Europian dhe të drejtën kushtetuese të shteteve anëtare..”...”
Instituti për të Drejtën Ndërkombëtare e Kushtetuese është krijuar me 19 Dhjetor 1924, duke marrë fillimisht emrin e Perandorit apo Kaizerit gjerman Wilhelmi i II-të. Pra quhej Instituti Kaizer Wilhelm për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Kushtetuese, i cili vepronte në kuadër të Shoqatës Kaizer Wilhelm. Kjo shoqatë e themeluar në vitin 1911 nga Kaizeri gjerman duhej të funksiononte si një organizatë jo qeveritare, duke patur si synim kryesor krijimin e instituteve që do të merreshin me cështje të kërkimit shkencor bashkëkohor në fusha të ndryshme të jetës ekonomike e shoqërore. Dy parimet kryesore që do të udhëhiqnin punën e këtyre instituteve ishin: a) Percaktimi vetë i fushave kryesore të kërkimit dhe garantimi i lirisë akademike të cdo punonjësi; dhe b) Krijimi i kushteve sa më të mira të punës dhe dhënia e pagave dinjitoze. Këto kritere e bënë tepër joshëse angazhimin në institutet e para të krijuara kryesisht në fushën e mjeksisë, fizikës, kimisë e biologjisë. Vecanërisht me interes e pa këtë angazhim gjenerata e re e shkencëtarëve që punonin kryesisht në universitete, shumë prej të cilëve jo vetëm do të drejtonin punën e këtyre qëndrave të reja, por edhe vetë do të avanconin mjaft shpejt, duke fituar edhe Cmimin Nobel.
I tillë ishte rasti i kimistëve Peter Debye dhe Fritz Haber, fizikantëve Walter Bothe, Max Planck, Albert Einstein, e të tjerë. Pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1948, shoqatës gjermane të kërkimit shkencor do ti hiqej emri i ish Kaizerit gjerman dhe do ti jepej ai i fizikantit të shquar Max Planck, i cili sic theksuam më sipër, në vitin 1918 kishte marrë Cmimin Nobel në fizikë. Pra sot ajo quhet Shoqata Max Planck. Brënda saj aktualisht veprojne 84 institute të kërkimit shkencor në fusha të ndryshme të shkencave. Përvec instituteve, Shoqata Max Planck ka edhe rreth 20 qendra të kërkimit e bashkëpunimit shkencor në universitete të njohura të ShBA, Britanisë, Izraelit, Akademinë e Shkencave të Kinës, e të tjerë. Duhet ritheksuar gjithashtu se thuajse në cdo fushë të jetës, institutet dhe qëndrat në fjalë bëjnë kërkime te avancuara në cështje të tilla të mprehta si lufta kundër epidemive dhe kancerit; vendosja e pasqyrave gjigande të teleskopit në hapsirën kozmike për studimin e ndryshimeve të klimës; avancimin e studimeve për grumbullimin dhe shfrytëzimin e energjisë së rinovueshme dhe asaj me fusion, zhvillimin e nano - bioteknologjisë, e të tjerë. Vitin që kaloi, Shoqata Max Planck kishte një buxhet të përgjithshëm prej 2,2 miliardë euro.
Sic kemi përmëndur, Instituti Kaizer Wilhelm për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Kushtetuese u krijua me 19 Dhjetor të vitit 1924, duke u vendosur menjëherë në Berlin. Drejtor i saj u bë Prof. Viktor Bruns, jurist i njohur dhe profesor i të drejtës ndërkombëtare. U mendua që Instituti të fokusohej njëkohësisht si në të drejtën ndërkombëtare ashtu edhe në të drejtën kushtetuese, pasi pavarësisht dallimeve që kanë mes tyre në planin teorik, praktikisht të dyja kanë të bëjnë me thelbin e sovranitetit shtetëror. Njëra me sovranitetin e jashtëm, ndërsa tjetra me sovranitetin e brëndshëm. Megjithatë, është pikërisht kushtetuta ajo që përcakton vendin dhe rolin e të drejtës ndërkombëtare në rendin e brëndshëm ligjor të cdo shteti të vecantë. Duhet theksuar gjithashtu se “ngutja” për krijimin e këtij Instituti në vitin 1924 nxitej prej paraqitjes ekstremisht të dobët të ekipit të juristëve gjermanë që shoqëronin delegacionin zyrtar në Konferencën e Paqes (Versajes) pas Luftës së Parë Botërore. Aq më tepër që fuqitë e Antantës, si fuqi fituese, jo vetëm që tregonin me gisht dhe bënin fajtore vetëm Gjermaninë për pasojat e mëdha e të rënda njerëzore e materiale, por i imponuan njëkohësisht edhe detyra të shumta e pagesa pa fund, pa llogaritur nevojën e rimëkëmbjes e zhvillimit ekonomik e shoqëror të saj.
Përvec sa më sipër, Ministrisë së Jashtme gjermane i vinin kërkesa të shumta nga shtete të ndryshme europiane e më gjërë lidhur me dëmshpërblimin që kërkohej për ngjarje e zhvillime të ndryshme të Luftës së Parë Botërore. Sejcili rast kërkonte njohje, analizë e ekspertizë të vecantë. Kështu për shëmbull, Greqia kërkonte 500 milion Marka dëmshpërblim, me argumentin se megjithëse kishte deklaruar që në fillim të luftës neutralitetin e saj, nëndetëset gjermane kishin goditur e fundosur në Mesdhe disa anije greke. Në këto kushte u mendua që përmes këtij Instituti fillimisht të grumbulloheshin sa më shumë materiale brënda e jashtë Rajhut gjerman, si dhe vendime gjyqsore të gjykatave e arbitrazheve ndërkombëtare, literaturë e traktate ndërkombëtare dypalëshe e shumëpalëshe, të nevojshme për trajtimin e cështjeve praktike e urgjente me të cilat përballej në këtë kohë Gjermania. Me pas të kalohej gradualisht me rritjen e profesionalizmit dhe zhvillimin e doktrinës juridike në këto fusha. Në këtë drejtim një ndihmë të jashtëzakonshme do të ofronte edhe një botim i vecantë shkencor dhe periodik i Institutit, me titull “Revistë për të Drejtën Ndërkombëtare e Kushtetuese”. Paralelisht me këtë, Instituti mori nismën e rëndësishme për të krijuar një fond të vecantë në Bibliotekën e tij, me titull Fontes Juris Gentium, përmes të cilit do të grumbulloheshin e sistemoheshin vendimet më të rëndësishme të gjykatave e arbitrazheve ndërkombëtare, si dhe ato të gjykatave më të larta kombëtare të shteteve te ndryshme, në të cilat trajtohen cështje të së drejtës ndërkombëtare. Këto objektiva do të arriheshin shpejt, gjë që e bënë Institutin mjaft popullor në Gjermani dhe shumë të njohur e të respektuar në Europë e më gjërë. Kjo situatë do të vazhdonte deri në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, kohë në të cilën praktikisht puna e tij do të pezullohej. Me mbarimin e kësaj lufte, për shkak të bombardimit dhe shkatërrimit tërësisht të Berlinit, u vendos që selia e Institutit Kaizer Wilhelm për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Kushtetuese të zhvendosej në qytetin universitar të Heidelbergut, i cili nuk u bombardua gjate luftes, ndaj aty ishte vendosur edhe Komanda e Trupave Amerikane, si pjesë e Forcave Aleate. Ndërkaq, sic kemi përmëndur më sipër, në vitin 1948, Shoqata Kaizer Wilhelm mori emrin Max Planck, dhe për këtë arësye, edhe institutet kërkimore të krijuara brënda saj morën këtë emër.
Që nga kjo kohë, përvec detyrës kryesore për të ndihmuar e mbështetur në tërësi riangazhimin e shumëpritur të Gjermanisë Federale në bashkësinë ndërkombëtare, një nga kollonat kryesore të punës së Institutit Max Planck per te Drejten Nderkombetare e Kushtetuese u bënë edhe cështjet e integrimit europian. Kështu, duke komentuar në revistën e Institutit nënshkrimin ne Paris me 19 Mars 1951 të Traktatit të Komunitetit Europian të Qymyrit e Celikut nga ana e Kancelarit gjerman Konrad Adenauer dhe Ministrit të Jashtëm francez Robert Schman, Drejtori i ri i Institutit Max Planck, Prof. Hermann Mosler, do të theksonte ndër të tjera idenë revolucionare për kohën se tashmë “ …. E drejta europiane duhet të shihet e vlerësohet edhe si një rend i ri juridik në të drejtën kushtetuese gjermane, pasi vullneti politik i Adenauerit dhe Shumanit për një bashkëpunim tipik federal jo vetëm që nuk është një paradoks juridik, por paraqitet qartësisht si rruga më e mirë dhe më e sigurtë për një të ardhme të përbashkët…”. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë mund të garantohej një paqe e qëndrueshme në Europë, pasi hapsira e re që do të kishte e Drejta Komunitare në të drejtën e brëndshme të shteteve anëtare do të krijonte kushte reale për të shmangur konfliktet e shumta mes tyre, ashtu sic kishte ndodhur në periudhën ndërmjet dy lufrave botërore. Dhe kjo do të realizohej përmes dy elementëve kryesorë: a) Garantimin e pavarësisë së organeve vendimmarrëse, vecanërisht të Autoritetit të Lartë (me vonë Komisioni) dhe Gjykatës së Komunitetit, si dhe b)Zbatimin e detyrueshëm të vendimeve të këtyre organeve në rendin e brendshëm ligjor të shteteve anëtare, si në sektorin publik, ashtu edhe në ate privat. Duket qartë se deklarime të tilla në vitin 1951 ishin jo vetëm një largim i dukshëm nga dogma tradicionale mbi të drejtën shtetërore, por do të shërbenin më pas edhe për interpretimin e zbatimin e të drejtës europiane. Këtë qëndrim do të mbante më vonë edhe një prej miqve e bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Institutit Max Planck, Walter Hallstein, profesor i së drejtes dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Adenauerit, i cili në vitet 1958- 1967 do të ishte President i Komisionit të Komunitetit Ekonomik Europian.
Ai ishte perkrahes i flakte i idesë mbi krijimin progresiv të Europës Federale, duke e konsideruar sovranitetin e shteteve anëtare si një “doktrinë të së djeshmes”. Pikërisht ky konceptim i ri do ti krijonte mundësinë Gjykatës Europiane të Drejtësisë që bazuar në interpretimin teleologjik, të jepte vendime tepër të rëndësishme që do të shërbenin si gur themeli për jurisprudencën e saj. Mes tyre mund të përmënden cështjet Van Gend en Loos, Costa kunder Enel, Simmenthal, Factortame, e të tjerë, përmes të cilëve, ndër të tjera, flitet qartësisht për përparësinë dhe efektin e drejtpërdrejtë të së drejtës europiane në raport me të drejtën e brëndshme, si mënyra e vetme për të cuar përpara angazhimet e rëndësishme të ndërmarra me vullnet të lirë nga shtetet anëtare.
Sidoqoftë, duhet theksuar se që me krijimin e tij në vitin 1924 e deri tani, Instituti Max Planck për të Drejtën Ndërkombëtare e Kushtetuese ka patur thuajse gjithnjë në fokus temën qëndrore të konceptimit e zbatimit të së drejtës nderkombëtare jo vetëm thjeshtë si një degë e së drejtës, por shumë më tepër se kaq, trajtimin e saj si një rend juridik i vecantë dhe i domosdoshem në raportet mes shteteve. Në fakt kjo ka qenë në thelb edhe vetë ideja qëndrore e programit me katërmbëdhjetë pika, paraqitur nga Presidenti amerikan Woodrow Wilson në vigjilje të përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Sipas tij, edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, ashtu si në rendin e brëndshëm të shteteve sovrane, duhet të mbisundojnë parimet themelore të shtetit të së drejtës, pasi vetëm kështu mund të garantohen paqja, siguria dhe drejtësia në planin global. Pra, pa i ndarë cështjet ndërkombëtare në bazë të interesave të shteteve të mëdha e të vogla, Pikerisht mbi këtë bazë ai mbrojti në mënyre shembullore ne Konferencen e Paqes edhe cështjen shqiptare.
Ky konceptim i ri ka qënë dhe mbetet orientimi kryesor në punën e Institutit, gjë që shfaqet qartësisht jo vetëm përmes botimeve, projekteve, ekspertizave, raporteve e angazhimeve të shumta në fushën e të drejtës kushtetuese dhe të drejtës ndërkombëtare bashkëkohore, por edhe në takimet e rregullta të cdo të hëne pasdreke, ku i gjithë stafi akademik, të vjetër e të rinj, nën “regjinë” e drejtorëve të Institutit ( që gjithnjë janë dy ose tre), me orë të tëra paraqesin, raportojnë e diskutojnë sëbashku mbi zhvillimet më të fundit në fushat e mësipërme, si dhe mbi vendimmarrjen e mekanizmave të ndryshëm kombëtarë e ndërkombëtarë mbi këto cështje, ku vend të vecantë zënë vendimet e gjykatave ndërkombëtare. Kjo metodë pune jo vetëm që është mjaft produktive, por edhe forcon lidhjet mes kolegëve si dhe largon emocionet e të rinjve dhe mysafirëve të shumtë nga vënde të ndryshme të botës që bëjnë kerkime shkencore në këtë Institut. Duhet vënë në dukje me këtë rast se Biblioteka e Institutit është mjaft e pasur, shumë e organizuar e ndoshta edhe unike në botë. Ajo ka mbi 700 mijë botime, si dhe rafte të shumte, të cilët po të viheshin në vijë të drejtë do të arrinin një gjatësi prej 43 kilometër, pavaresisht se vitet e fundit shumica e dokumentacionit eshte dixhitalizuar. Nga botimet me të rëndësishme të vetë Institutit, krahas librave të vecantë që vijnë si rezultat i punës në grup apo punës individuale në fusha të tilla të rëndësishme si e drejta ndërkombëtare humanitare, e drejta europiane, e drejta e detit, e drejta diplomatike, e drejta e traktateve, e drejta penale ndërkombëtare, e të tjerë, mund të përmënden vecanërisht botimet e tre Enciklopedive të së Drejtës Ndërkombëtare. Dy të parat nën drejtimin e Prof.Rudolf Bernhard, ndërsa e treta nën drejtimin e Prof. Rudiger Wolfrum.
Nuk është rastësi që shumë nga bashkëpunëtorët dhe punonjësit e Institutit, në periudha të ndryshme, kanë kryer edhe detyrën e gjyqtareve ndërkombëtarë. Si të tillë mund të përmënden: Viktor Bruns në Gjykatën Permanente të Drejtësisë Ndërkombëtare (Gjykata e Lidhjes së Kombeve); Hermann Mosler, Carl-August Fleischauer, Bruno Sima dhe Georg Nolte (tani) në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë; Rudiger Wolfrum (anëtar e Kryetar) në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtën e Detit; Rudolf Bernhard (anëtar e kryetar), Helmut Steinberger, Angelika Nussberger dhe Anja Seibert-Fohr, në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut; Jochen Frowein (anëtar e z/v President) në Komisionin e të Drejtave të Njeriut; e të tjerë.
Punonjës e bashkepunëtorë të Institutit kanë dhënë kontribut me vlerë edhe në të ashtuquajturën diplomaci shkencore, duke marrë pjesë aktive në shumë prej tryezave e konferencave diplomatike për hartimin e dokumenteve të tillë të rëndësishëm si: Konventa e Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike, Konventa e Vjenës mbi Marrëdhëniet Konsullore, Konventa e Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve, Tre Konventat e OKB-së mbi të Drejtën e Detit, Statutin e Romës për Gjykatën Penale Ndërkombëtare, Kartën Europiane të të Drejtave Themelore, hartimin e Komentarit të Kartës së OKB-së si dhe të Statutit dhe Rregullores së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e të tjerë. Shpeshherë këto kontribute ndërthuren edhe me angazhimin e një pjese të mirë të tyre në detyrën e anëtarit të Këshillit të të Drejtës Ndërkombëtare pranë Ministrisë së Jashtme gjermane (Beirat-Auswaertiges Amt). Megjithëse rreth 50 vite më parë, ndër të tjera në këtë drejtim mund të përmëndet pjesëmarja aktive e Prof. Frowein në bisedimet zyrtare dhe përfundimin e të ashtuquajturave Marrëveshje Lindore (Ostvertraege), që ndërmorri në fillim të viteve 70’ Kancelari gjerman Willy Brand në kuadër të të ashtuquajturës Ost Politik, e cila synonte c’tendosjen e marrëdhënieve, bashkëpunimin dhe afrimin diplomatik të Gjermanisë Federale me Gjermaninë Demokratike dhe vëndet e tjera të Lindjes, vecanërisht me Bashkimin Sovjetik dhe Poloninë. Mund të përmëndet gjithashtu edhe përzgjedhja nga BE e Prof.Frowein në vitin 2000 në Grupin e “Tre të Zgjuarve”, qe sëbashku me ish-Presidentin finlandez Matti Ahtisari dhe ish -Ministrin e Jashtëm spanjoll Marcelino Oreja, të vlerësonin masat që mund të merreshin ndaj Austrisë për shkak të cënimit ose jo “…të vlerave të përbashkëta europiane..” si rezultat i përfshirjes në koalicionin qeverisës të një force politike të ekstremit të djathtë..
Një angazhim tjetër i rëndësishëm i drejtuesve, punonjësve apo bashkëpunëtorëve të Institutit Max Planck ka qënë dhe mbetet edhe përgatitja e ekspertizave apo edhe përfaqësimi zyrtar, në rolin e agjentit shtetëror, për cështje të rëndësishme gjyqsore në gykatat ndërkombëtare apo Gjykatën Kushtetuese gjermane. Mes tyre mund të vecoheshin përfaqesimet në Gjykatën Kushtetuese gjermane për cështje tepër të rëndësishme, si a) Pjesëmarrja e Gjermanise (Bundeswerit gjerman) në operacionet ndërkombëtare me karakter ushtarak, që konkretisht në atë kohë ( viti 1994) bëhej fjalë për Bosnjen ( përfaqesimi nga Prof.Frowein); b)Ndarja e pushteteve dhe raportet kushtetuese mes Pushtetit Legjislativ dhe Pushtetit Ekzekutiv gjatë ushtrimit të kompetencave në marrëdhëniet me jashtë, vecanërisht në kuader të vendimmarrjes mbi thellimin e proceseve integruese ne BE (ne vitin 1996, përfaqësimi nga Prof. Rudiger Wolfrum), e të tjerë.
Ndihma dhe bashkëpunimi me Institutin Max Planck për të Drejtën Ndërkombëtare e Kushtetuese janë ndjerë edhe në Shqipëri e Kosovë. Përvec mundësisë së kërkimit akademik dhe pjesëmarrjes në tryeza e konferenca të ndryshme shkencore brënda e jashtë vëndit, mund të përmendej vecanerisht ndihma e dhënë me literaturë shkencore për Gjykatën Kushtetuese në trajtimin e cështjes së Marrëveshjes mbi Ndarjen e Hapsirave Detare me Greqinë. Megjithatë, angazhimi më i madh ka qënë në cështjen e Kosovës. Në vitin 1998, me porosi të Presidentit Rugova, ka ardhur disa herë në Institutin e Heidelbergut zoti Fehmi Agani, për të diskutuar lidhur me statusin dhe perspektivat e pavaresise së Kosovës. Bisedimet zhvilloheshin në një rreth të ngushtë, nën drejtimin e ish Drejtorit të Institutit, Prof. Jochen Frowein. Një vit më vonë do të ishte pikërisht Prof. Frowein që përmes Ambasadës Gjermane në Shkup do të dërgonte një letër të vecantë për tu lexuar në varrimin e këtij atdhetari të shquar, vrarë mizorisht nga forcat ushtarake serbe në fillim të Majit 1999. Profesor Frowein do të ishte si këshilltar i jashtëm i delegacionit zyrtar të Kosovës edhe në Konferencën e Rambujesë. Në vijim, Ai do të ishte gjithashtu ndër të paktët akademike që u prononcuan hapur në shtypin e shkruar dhe television në mbështetje të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë në vitin 1999, pa rezolutë të Këshillit të Sigurimit.
Ndër të tjera, në gazetën e mirënjohur Neuen Zurischer Zeitung ai do të shkruante se “… nga viti 1945, e drejta ndërkombëtare është zhvilluar shumë… Si e tillë ajo nuk mbron më vetëm sovranitetin e shtetit, por edhe të drejtat individuale nga shkeljet masive e sistematike të të drejtave të njeriut…Ndaj, ndërhyrja humanitare duhet të konsiderohet sot edhe si një karakteristikë kushtetuese e sistemit juridik universal…”. Sidoqoftë, mbrojtjen më spektakolare të Kosovës Prof.Frowein e ka bërë zyrtarisht në vitin 2010 në gjykimin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë të përputhshmërisë së shpalljes së pavarësisë së saj, me të drejten ndërkombëtare. Në këtë gjykim ai përfaqësonte Shqipërinë. Eshtë lehtësisht e provueshme se vendimi përfundimtar i kësaj Gjykate ka në ration e tij pikërisht tezat dhe idetë qëndrore të elabotruara qartësisht në këtë proces nga Prof. Frowein.
E drejta ndërkombëtare përballet sot me sfida të shumta. Numri i shteteve sovrane ka arritur ne rreth 200 dhe popullsia e botes është trefishuar, krahasuar me 70 vjet më parë. Aktualisht ajo është 8,2 miliardë banorë. Ndërkaq ka mijëra organizata ndërkombëtare, sipërmarrje transnacionale, procese integruese e globalizuese, zhvillime marramendëse të teknologjisë së informacionit dhe inteligjencës artificiale, forcim e zgjerim të organizatave kriminale e grupeve terroriste,,e të tjerë. Në këto kushte, jane shtuar edhe problemet dhe konfliktet, te cilat shpesh jo vetëm që kalojnë në përdorimin e forcës, por rrezikojnë edhe zgjerimin e pakontrolluar, de facto apo de jure, të palëve në mosmarrëveshje. Në raste të caktuara kërcënimet shkojne deri në përdorimin e armëve të shfarosjes në masë. Probleme madhore e tepër urgjente ka edhe me cështjet e ambientit e ndryshimit të klimës, me shkeljet flagrante të të drejtave themelore të individit, si dhe me kaosin, dhunën dhe mjerimin që ekziston në rajone të ndryshme të Botës.
Të gjitha këto kërkojnë trajtim e vëmëndje të shtuar nga e drejta ndërkombëtare e kushtetuese. Ashtu sic u shpreh në ceremonine e muajit që kaloi ne Heidelberg teoricieni i shquar finlandez i të drejtës ndërkombëtare, Prof. Martti Koskenniemi, edhe ky i angazhuar me cështjen e Kosovës në Hagë 15 vjet më parë, objektiv kryesor duhet të jetë puna për krijimin real të Shoqërisë Ndërkombëtare, gjë që mund të bëhet hap pas hapi vetëm përmes vullnetit te mire e angazhimit serioz të të gjithe aktorëve të rëndësishëm, pa përjashtim. Ndaj padyshim që edhe Instituti Max Planck për të Drejtën Ndërkombëtare e Kushtetuese do të dijë të merret në vijimësi me këto cështje edhe vitet e ardhshme.