Opinion

FJALIMI/ “Doctor Honoris Causa” nga UET, gjenerali Christopher G. Cavoli: Ju përgëzoj për punën shembullore që bëni në këtë universitet

Shkruar nga Liberale

FJALIMI/ “Doctor Honoris Causa” nga UET, gjenerali Christopher G.

Kryeministër Rama, ministra, anëtarë të qeverisë, të nderuar të ftuar,

President i universitetit, drejtues të Senatit Akademik dhe fakulteteve,

Miku im i mirë, shefi i Mbrojtjes, gjeneralë, admiralë, zonja dhe zotërinj,

Ju falenderoj shumë që më dhatë mundësinë të jem sot këtu. Jam vërtetë i nderuar.

Përpara se të filloj, do të doja të thosha se Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë një marrëdhënie shumë të veçantë, një marrëdhënie shumë të ngushtë që i ka rrënjët jo vetëm në konsideratat strategjike të ndërsjella, por edhe në vlerat reciproke. Nuk ka shembull më të mirë të kësaj miqësie sesa unë dhe Kristaqi, duke qenë shokë klase përpara më shumë se 25 viteve dhe sot jemi në të njëjtën sallë. Sa ngjarje e veçantë t’ju shoh juve këtu!

Dua të falënderoj universitetin, presidentin Xhepa, rektoren profesor Kruja dhe mikun tim të dashur profesor Xharro, për këtë ftesë për të folur këtu. Ju përgëzoj për punën shembullore që bëni në këtë universitet në promovimin e angazhimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Ju po avanconi edukimin në ndjekjen e një bote më paqësore dhe të begatë dhe kjo është diçka që na duhet sot. Jam i përulur që marr këtë titull nderi dhe jam mirënjohës për vlerësimin.

Megjithatë, duhet të them që nuk e pranoj për veten, por e pranoj në emër të burrave dhe grave të guximshme të Aleancës së Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut. Ata mbajnë mbi supe flamurin e kombit të tyre, por e dinë se janë pjesë e diçkaje edhe më të madhe se kaq. Ata janë pjesë e aleancës më të suksesshme në historinë e botës sonë.

Unë kam pasur fatin t'i shërbej vendit tim me një uniformë të ushtrisë amerikane për më shumë se 37 vjet dhe jam i privilegjuar sot të drejtoj pjesëtarët e shërbimit nga të 32 aleatët tanë. Kështu që unë e pranoj këtë në emër dhe falenderim ndaj atyre që i shërbejnë Aleancës, atyre që qëndrojnë në mbrojtje të afro 1 miliard qytetarëve që jetojnë në të gjithë territorin e NATO-s.

Siç e dini, ne po përballemi me kohë shumë historike. Lufta në Ukrainë po ndryshon botën tonë në mënyrë dramatike, jo vetëm këtu në Evropë, por globalisht. Europa po ndryshon qartë para syve tanë, duke u kthyer në një kohë ku përdorimi i armëve është edhe një herë i mundur. Ajo po kthehet në një pikë ku përdorimi i fuqisë ushtarake për të zgjidhur çështjet politike nuk është më një tabu. Kjo tabu është shkatërruar nga Federata Ruse në pushtimin e saj brutal, të paligjshëm dhe të pajustifikuar të Ukrainës. Kjo ngjarje po na shtyn ne, aleancën e NATO-s, të bëjmë ndryshime të rëndësishme në mënyrën se si operojmë, si mbrohemi dhe si sigurojmë paqen në këtë botë gjithnjë e më të paqëndrueshme.

Ne jemi duke rigjallëruar sistemin tonë të mbrojtjes kolektive për botën moderne. Ne po shndërrohemi nga një organizatë e optimizuar për operacione më të vogla në një organizatë të ndërtuar qëllimisht për mbrojtje territoriale në shkallë të gjerë. Ne kemi zhvilluar plane për të mbrojtur çdo metër katror të kësaj Aleance.

Kombet po i përdorin me padurim burimet e planeve dhe shumë prej tyre kanë kushtuar tashmë të gjithë inventarin e tyre ushtarak. Ne po i ushtrojmë këto plane në çdo shkallë dhe po trajnojmë për të përmirësuar procedurat dhe praktikën tonë. Strukturat tona ushtarake tani janë më të forta, ato janë më të përgjegjshme, më të gatshme për të mbrojtur Aleancën tonë sesa kanë qenë në shumë dekada.

Por çfarë është vërtet e jashtëzakonshme gjatë kësaj periudhe ndryshimesh të përhapura? Më e jashtëzakonshmja është ajo që shohim te të gjithë anëtarët e NATO-s, uniteteti.

Sikundër u njoftua gjatë samitit të Uashingtonit këtë verë, shumica e buxhetit të NATO-s shpenzohet për mbrojtje, për shembull: 23 anëtarë të NATO-s po shpenzojnë tani 2% të tyre të GDP-së në mbrojtje. Kjo nuk krahasohet me tre, por me 10 vjet më parë. Sot kemi prova të qarta të bashkëpunimit midis të gjithë anëtarëve të NATO-s për të ruajtur vlerat e përbashkëta. Kjo nuk është një qasje nga lart-poshtë, nuk është lidershipi i Brukselit, por vendet po punojnë brenda Aleancës për të fituar aftësi të reja.

Grupe kombesh po punojnë së bashku brenda Aleancës për të ndërtuar aftësitë kryesore mbrojtëse. Ata po krijojnë korridore lëvizshmërie si korridori tetë në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ata po zhvillojnë dhe investojnë kolektivisht në platforma të reja të mbrojtjes ajrore dhe shumë iniciativa të tjera të tilla për të rritur sigurinë tonë. Ne jemi dëshmitarë të një lidershipi të jashtëzakonshëm nga kombe të veçanta. Vetëm shikoni këtu në Shqipëri. Këtë pranverë Shqipëria hapi një bazë të re ajrore në Kuçovë duke ofruar infrastrukturë kritike për kombet tona dhe operacionet ajrore të NATO-s

Në shkurt, kryeministri Rama bashkë-organizoi Samitin e Evropës Juglindore të Ukrainës me Presidentin Zelensky dhe demonstroi një përkushtim jo vetëm ndaj stabilitetit rajonal, por ndaj çështjeve më të gjera të sigurisë. Këta shembuj na kujtojnë se çdo vend në Aleancë luan një rol jetik në mbrojtjen tonë kolektive. Mes gjithë këtyre transformimeve, një gjë mbetet e qëndrueshme, përkushtimi i NATO-s ndaj Ballkanit. Ajo mbetet e palëkundur. Misionin tonë paqeruajtës KFOR e kemi mbajtur që nga viti 1995 në Kosovë, por edhe vitin e kaluar kemi rritur ndjeshëm praninë e NATO-s atje. Zyra jonë e ndërlidhjes ushtarake e NATO-s në Beograd u hap në vitin 2006 dhe është një rrugë aktive për të lehtësuar dialogun strategjik.

Bosnja dhe Hercegovina është anëtare e vlerësuar e partneritetit të NATO-s për paqen dhe unë do të jem me fat të shoh të gjithë shefat e tyre të mbrojtjes këtu në Tiranë, e cila ka qenë mjaft e gatshme për të pritur konferencën tonë këtë vit. Faleminderit për këtë!

Epo, edhe pse bota ndryshon, Ballkani mbetet një rajon me rëndësi kritike për ne, për sigurinë tonë. Pjesa më e madhe e historisë së Evropës është formuar nga ngjarjet këtu. Ashtu si mosmarrëveshja mund të vijë nga jashtë, ashtu edhe stabiliteti mund të vijë nga jashtë. Kjo është arsyeja pse ne duhet të vazhdojmë t'i gjejmë këto mundësi për të forcuar marrëdhëniet si këto midis atyre që ndajnë të njëjtat vlera, si: sundimi i ligjit, qeverisja demokratike, mbrojtja e të drejtave të njeriut. Ata që janë të gatshëm të qëndrojnë përkrah njëri-tjetrit për të mbrojtur ato vlera nuk mund të dështojnë kurrë.

Ndërsa NATO përballet me një botë në ndryshim, ne mbetemi të bashkuar në përshtatjen me realitetin e ri dhe gjithashtu duke u mbajtur në vlerat tona konstante dhe të qëndrueshme. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj sigurisë, prosperitetit këtu në të gjithë Evropën dhe në botë. Faleminderit, dhe faleminderit Shqipëri për angazhimin për këtë të ardhme.

Faleminderit profesor dhe president Xhepa për këtë çmim të mrekullueshëm!

Është me të vërtetë një kënaqësi që e marr atë. Faleminderit kryeministër Rama që gjetët kohë nga orari juaj i çmuar për ta kaluar me ne.

Zoti e bekoftë aleancën tonë! Zoti e bekoftë Shqipërinë!

 

* Fjalimi i plotë i gjeneralit Christopher G. Cavoli, komandant Suprem i NATO-s dhe Forcave Amerikane në Europë, pas dhënies së titullit "Doctor Honoris Causa" në Universitetin Europian të Tiranës.

Poll
SHQIPENGLISH