Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Mitet që rrëzoi historia e ‘’McGonigal’

Shkruar nga Ervis Iljazaj
EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Mitet që rrëzoi historia e

Ervis Iljazaj

Sipas Partisë Demokratik në gjyqin që po zhvillohet në ShBA për rastin e ish agjentit të FBI-së McGonigal, është vendosur se Lulzim Basha dhe Partia Demokratike nuk kanë kryer shkelje ligji dhe nuk kanë ndikim të parave ruse në të. Një histori e cila kundërshtarët e kësaj partie, të brendshëm e të jashtëm, kanë pompuar në mediat shqiptare për vite me radhë. Por përtej kësaj, historia McGonigal ka rrëzuar disa mite për politikën shqiptare.

Nëse ka një rast kur vlen shprehja se “’në politikë asgjë nuk është ashtu siç duket’’, është rasti i shumë përfolur i akuzës kundër ish-zyrtarit të FBI-së, McGonigal. Pa hyrë në debatin juridik apo penal të kësaj historie, e cila është  në duart e sigurta të drejtësisë amerikane, dhe për të cilën ka nisur dhe një hetim nga SPAK, mund të thuhet se në aspektin politik këtu në Shqipëri, kjo ngjarje ka rrëzuar disa legjenda urbane mbi të cilat është ngritur i gjithë diskursi publik në vitet e fundit.

Së pari, ky hetim na tregon dhe hedh poshtë idenë se Edi Rama është i preferuari i amerikanëve në Shqipëri, apo se ata nëpërmjet selisë diplomatike këtu kanë favorizuar qeverinë e tij kundër opozitës shqiptare. Shtetet e Bashkuara nuk janë as me Edi Ramën as me opozitën; ata thjesht janë me Shqipërinë dhe kjo nuk kërkon ndonjë sforco intelektuale për ta kuptuar pavarësisht se shumë zëra publik në mënyrë absurde dhe idioteske, për interesa politike, kanë baltosur shpesh ambasadorët amerikanë në Shqipëri, duke i konsideruar të njëanshme apo në disa raste edhe të blerë. ShBA mban marrëdhëniet me shtetin shqiptar dhe jo me persona të caktuar dhe, natyrisht, me qeverinë e momentit që përfaqëson atë.

Faktet tregojnë se Qeveria e Ramës edhe nëse ka marrë ndonjë favor politik nga Amerika e paska bërë me takime informale dhe të padeklaruara. Duhet të kuptojmë se me të gjitha gjasat Rama nuk është zgjidhja e marrëdhënieve me ShBA-të, por problemi, i cili nuk do të zgjidhet përderisa në krahun tjetër qëndron kjo opozitë që kemi. Megjithatë ky është një diskutim tjetër.

Së dyti, se Lulzim Basha dhe grupi anti-Berishë në PD janë pengje të Edi Ramës ashtu sikurse akuzohen dhe trumbetohet prej kohësh nga Sali Berisha. Nëse historia e lobimit për të nxitur hetimin e parave ruse është e vërtetë, atëherë kjo tregon se Rama paska përdorur çdo mjet për të shkatërruar politikisht kundërshtarin e tij Basha. Mirëpo, nëse do ta kishte peng nuk do të ishte nevoja t’i sillte vetes siklete të tilla. Edhe kjo historia e pengut është një legjendë urbane që është përdorur politikisht dhe për fat të keq shumë njerëz që mendojnë në mënyrë të cekët e kanë besuar dhe kjo gjë ka ngjitur në një pjesë të opinionit publik.

Së treti, ka një tentativë për t’i paraqitur institucionet amerikane në opinionin publik si të korruptueshme ku mund të lobohet për çdo gjë për interesa politike. Një tentativë për ta paraqitur në sytë e opinionit publik shqiptar si të përdhosura, pasi kjo i vlen gjithë kastës politike, duke qenë se ShBA-të kanë qenë një pikë reference për ecurinë dhe progresin e demokracisë shqiptare dhe fjala e saj është më e besueshmja për shqiptarët. Kjo legjendë ka arritur deri aty sa trumbetohet fort, se mund të korruptohen edhe drejtues të Departamentit të Shtetit, madje edhe vetë Sekretari i Shtetit Blinken për shpalljen e non-grata-s. Historia e hetimit të ish-zyrtarit të FBI-së tregon krejtësisht të kundërtën. Tregon faktin se atje institucionet funksionojnë. Se në ShBA drejtësia heton njerëz me pushtet. Ajo është një drejtësi që heton edhe presidentin në detyrë, ashtu sikurse e ka treguar historia e atij vendi. Dhe, nëse ka korruptime për shpallje non-grata, duhet të rrimë të qetë, sepse drejtësia amerikane, do ta nxjerrë në dritë një gjë të tillë.

Së katërti, kjo histori rrëzon legjendën se një pjesë e kastës politike shqiptare është Euroatlantike dhe një pjesë jo. Në fakt i gjithë sistemi 30-vjeçar politik shqiptar nuk ka vizione, nuk ka ideale të cilat i ndjek politikisht, por thjesht e përdor amerikanizmin e saj për interesa politike. Nëse do të ishte për ata, as nuk do ta dëshironin përfaqësinë perëndimore diplomatike në Tiranë, sepse mentaliteti i tyre është totalisht lindor dhe, s’ka asnjë lidhje me parimet e demokracisë perëndimore. Mirëpo, kjo gjë as ka ndodhur e as nuk do të ndodhë, pasi është populli shqiptar ai që ka mbajtur dhe do të mbajë marrëdhëniet me perëndimin dhe jo politikanët e tyre.

Për të gjitha këto arsye, historia e hetimit të ish-zyrtarit të FBI-së ka nxjerrë në dritë fytyrën e vërtetë të politikës shqiptare. Sigurisht, për ata që duan të kuptojnë dhe të reflektojnë. Ndërsa për ata që e ndjekin politikën si tifozë dhe jo si qytetarë është një diskutim tjetër. Edhe kësaj here, ShBA-të dhe institucionet e saj, i bënë një të mirë shoqërisë shqiptare, si shumë të tjera në këto 30 vite.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH