Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Kandidimi i Belerit për eurodeputet, shenjë e qartë e asaj që përfaqëson

Shkruar nga Ervis Iljazaj

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Kandidimi i Belerit për eurodeputet,

Fredi Beleri do të kandidojë për eurodeputet në Greqi në zgjedhjet që do të zhvillohen për Parlamentin Europian së shpejti. Beleri do të jetë kandidat i partisë në pushtet Demokracia e Re, udhëhequr nga Mitsotakis. Nuk kuptohet se çfarë mesazhi do të japë Kryeministri i Greqisë me kandidimin e Belerit. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një person i cili ka një proces penal në zhvillim e sipër. Ndoshta nacionaizmi vazhdon ende të luajë ende një rol të rëndësishëm për Greqinë. Dhe me këtë kandidim Mitsotakis do të marrë votat e nacionalistëve grekë, duke kandiduar një person si Beleri që me shumë mundësi e kosinderojnë si një grek që po përndiqet padrejtësisht në shtetin fqinj Shqipërinë.

Kandidimi i tij në Greqi tregon qartë se çfarë përfaqësonte Beleri në Shqipëri. Beleri përfaqësonte kandidatin e Greqisë në Himarë. Fakti që e kandidojnë në zgjedhjet e Parlamentit Europian në Greqi tregon qartë se Beleri kandidonte në Himarë jo si kandidat i opozitës, por si kandidat i Greqisë. Edhe në një nga ato pak bashki që fitoi koalicioni ‘’Bashke Fitojmë’’ në zgjedhjet lokale të 14 majit, arriti ta bënte me një kandidat pro grek si asnjëherë më parë.

Asnjëherë më parë, opozita shqiptare nuk ka kandiduar në ato zona një kandidat kaq të diskutueshëm dhe që ngjall kaq shumë debate. Por kësaj here ja doli të fitojë pikërisht me një të tillë. Me një kandidat që mbështetej fort nga shteti fqinj grek. Problemi i Belerit nuk ishte fakti që është minoritar, por fakti që ishte qartësisht një kandidat i Greqisë në Himarë. Dhe këtë kandidim opozita shqiptare ja ofroi Himarës me duart e veta. Kjo është ndoshta ‘’arritja’’ më e madhe e opozitës shqiptare në zgjedhjet e 14 majit.

Aq e vërtetë është kjo saqë gjatë procesit gjyqësor të Belerit më shumë është mbrotjur nga Greqia si grek se sa nga opozita si kandidati i saj. Ndërhyrja e shtetit fqinj grek në këtë proces gjyqësor është i paprecedent dhe përbën sigurisht një problem në marrëdhëniet midis dy shteteve. Kurrë më parë zyrtarë të lartë të shtetit grek nuk i kanë bërë presion haptazi gjykatave shqiptare duke ndërhyrë në sovranitetin e një shteti tjetër.

Kandidimi i tij për eurodeputet në Greqi tregon qartë se përse Beleri u mbrojt aq fort nga shteti grek. Për arsyen e thjeshtë, sepse ishte kandidati i Greqisë në Himarë. Në të kundërtën shteti ynë fqinj nuk do të interesohej aq shumë. Greqia nuk mbrojti liritë dhe të drejta themelore të njeriut, në rastin e Belerit. Nuk stopoi procesin e hapjes së kapitujve në procesin e integrimit të Shqipërisë me justifikim se drejtësia në Shqipëri nuk funksionon. Greqia pengoi këtë proces vetëm për faktin se kandidati i saj nuk po hynte dot në zyrën e Bashkisë Himarë. Nëse Greqia do ta ngrinte zërin më parë për problemet e Shqipërisë në BE, kjo do të ishte e mirëpritur dhe do të ndihmonte edhe vendin tonë. Fakti që e bëri vetëm në rastin Beleri tregon qartë se çfarë ky i fundit përfaqësonte dhe cila ishte në të vërtet kauza dhe interesi i Greqisë në këtë histori.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH