Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Aleatët e Partisë Demokratike duhet të ndiqnin shembullin e Agron Dukës

Shkruar nga Liberale

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Aleatët e Partisë Demokratike duhet

Ervis Iljazaj

Partia Demokratike ka dorëzuar koalicionin e saj me një listë të gjatë partish politike. Shumë prejt tyre janë parti që në tre apo katër zgjdhjet e fundit kanë qenë në listën e e saj dhe shumë prej drejtuesve të tyre janë zgjedhur deputetë nën hijen e kësaj partie. Sigurisht ato kanë votuesit e tyre, por ende nuk dihet se çfarë vlere elektorale kanë sepse janë zgjedhur nën logon e PD-së. Drejtuesit e këtyre partive politike janë emra tashmë të vjetër të politikës shqiptare, dhe në këtë kuptim nuk ofrojnë asgjë të re për votuesit shqitparë. Partia Demokratike me numrin e deputetëve që i ka ofruar atyre është treguar zemer-gjerë.

Nga një parti e cila që ka 3 mandate në opozitë dhe kërkon të bëjë rotacionin në zgjdhjet e 11 majit, priteshin në fakt aleanca të reja dhe emra të rinj, dhe jo emra që kanë qëndruar në jetën politike shqiptare për një kohë të gjatë.
Më së paku, drejtuesit e këtyre partive do të duheshin të ndiqnin shembulin e Agron Dukës i cili nuk do të jetë më kandidat për deputet edhe pse do të vazhdojë të jetë në aleancë me PD në këto zgjedhje.

Është absurde që në Shqipëri nuk largohet askush nga politika. Është ndoshta vend unik në botë që klasa politike është e njëjtë prej 30 vitesh. Sigurisht ka patur prurje të reja, por elita ka mbetur po e njëjtë. Kryetarë që drejtojnë partitë politike prej 30 vitesh janë kthyer në një normë në politikën shqiptare. Shumë prej tyre mund të quhen parti-njeri. Aq shumë gjatë kanë në politikë dhe në drejtimin e partive sa që më shumë gjasa këto parti me largimin e kryetarëve të tyre, vështirë se do të mund të mbijetojnë. Sepse fati i këtyre partive është i lidhur ngushtë me fatin e personave të caktuar. Nga partitë tradicionale shqiptare të tranzicionit, e vetmja që e ka kaluar sprovën e liderit është Partia Socialiste. E cila pas Fatos Nanos zgjodhi si kryetar Edi Ramën dhe përsëri fitoi pushtetin. Jo vetëm kaq, por në drejtimin e tij ka tre mandate që qeveris Shqipërinë. Ndërsa nga qeverisja e Ramës, me aq shumë sa e ka personalizuar pushtetin, nuk dihet se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e Partisë Socialiste kur të largohet.

Mos shkulja nga pushteti dhe nga politika është një karakteristikë tipike shqiptare që nuk gjendet në asnjë vend tjetër në rajon, në Europë jo se jo. Në të gjitha vendet ish-komuniste të Lindjes, sot nuk ekziston asnjë parti politike e cila ka qenë protagonise në vitet 90 kur është bërë ndryshimi i regjimeve. Politikanë as që bëhet fjalë se mund të jetë ndonjë protagonist akoma i atyre viteve. Ndërsa në Shqipëri, që nga viti ‘90 kemi pothuajse të njëjtat parti dhe të njëjtët protagonistë.

Jo më kot vende demokratike kanë kufizime mandatesh. Pikërisht për këtë arsye, për të rinovuar klasën politike dhe drejtuesit e një vendi. Të jesh në elitën drejtuese të vendit për gati dy apo tre dekada, është një kohë e mjaftueshme për të dhënë kontribut në vendin tënd. Nuk kuptohet se çfarë nuk kanë patur mundësi të bëjnë për Shqipërinë në 34 vite që kërkojnë ende pushtet. Shumë politikanë shqiptarë kanë patur të gjitha mundësitë dhe kohën e mjaftueshme për të dhënë idetë e tyre, për të qeverisur Shqipërinë apo për shënuar historinë e saj në këtë tranzicion. Shoqëria shqiptare ka ndryshuar, kohët janë të tjera, çështjet dhe problematikat gjithashtu. Vetëm se shumë prej politikanëve tanë ngjajnë si qenie parahistorike, të cilët s’kanë asnjë lidhje me realitetet dhe sfidat e reja të shqiptarëve.

Çdo gjë e ka një fund në jetë, ashtu sikurse duhet ta ketë edhe në politikë. Problemi qëndron se shumë politikanë shqiptarë nuk kanë ndonjë profesion dhe nuk dinë se me çfarë të merren nëse largohen nga politika.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH