Ervis Iljazaj
Nëse prokuroria pret 24 masa shtrënguese si arrest me burg, arrest shtëpie apo detyrim paraqitjeje për 24 pjestarë të një universiteti, është normale që rektori i tij të kërkojë të mbrojë insitucionin, aq më tepër kur bëhet fjalë për një institucion arsimor që presupozohet për nga natyra të jetë etik në punën e tij, sepse aty punojnë njërëz që edukojnë brezat e rinj të një shoqërie. Në këtë kuptim, Rektori i Universiteti Bujqsor kishte të gjithë të drejtën dhe detyrim për të thën fjalën e tij dhe për të mbrojtur universitetin e tij.
Problemi qëndron te mënyra dhe vendi në të cilin e bëri këtë gjë. Pamjet e sotme ku një rektor universiteti raportonte përpara Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, padyshim që janë pamje jo normale dhe absurde. Rektorët mund dhe duhet të raportojnë përpara Kuvendit që është një organ kushtetutes, dhe jo përpara grupeve partiake. Nëse Rektori i UBT-së do ta bënte mbrojtjen e universitetit të tij përpara Komisonit Parlamentar të Arsimit nuk do të kishte asgjë të keqe. Përkundrazi, do të ishte shenjë e seriozitetit dhe përgjegjshmërie.
Fakti që këtë gjë e bëri përpara Partisë Socialiste, më shumë se sa i doli në mbrojtje Universiteti dhe kolegëve të tij, u përdor nga pushteti me qëllim kritikën e tij ndaj SPAK. Një politikë dhe një praktikë tashmë është kthyer në zakon nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste. Duket sikur çdo i akuzuar nga SPAK, nga radhët e pushtetit, merret në mbrojte nga ky grup parlamentar, duke e kthyer akuzën apo dhe mbrojtjen në një gjyq publik.
Prandaj raportimi i rektorit përpara grupit parlamentar të Partisë Socialiste nuk e ndihmon aspak në misionin e tij për t’i dalë në mbrojtje institucionin që ai drejton. Një rektor nuk ka asnjë raport institucional me një grup parlamentar dhe s’ka pse jep llogari apo mbrohet përpara tij. Maksimumi mund të kishte një raportim përpara Ministrisë së Arsimit, apo dhe Kryeministrit për gjendjen kritike juridike të Universitetit, me të cilët ka një raport qeverisjeje të përbashkët. Por me grupin parlamentar të një partie politike një rektor universiteti që zgjidhet me votë dhe dekretohet nga Presidenti i Republikës nuk ka asnjë lidhje.
Nëse e bën atëherë qartësisht po përdoret nga pushteti për lojërat e tij politiike dhe kjo nuk është aspak e hijshme dhe serioze. Përtej rasteve të tjera, tashmë në serinë e njerëzve që pushteti po përdor për të kritikuar SPAK u fut edhe një rektor. Kryeministri i Shqipërisë sot me të drejtë u shpreh na duhet të kemi një drejtësi europiane dhe jo ruse, mirëpo pamjet e raportimit të rektorit përpara grupit parlamentar ishin tipike ruse dhe aspak europiane.
Nuk kam ndërmend aspak të futem në përmbajtje të çështjes dhe as dua të gjykoj nëse ata persona janë të fajshëm apo apo të pafajshëm, aq më tepër kur bëhet fjalë për kolegët e mi. Madje, personalisht mendoj se akuza ndaj procedurave administrative në një universitet, kur bëhet fjalë për staf adminsitrativ, nuk do të thotë aspak që prek dhe reputacionin akademik.
Por ama, pamjet e sotme të Rektorit të Universitetit Bujqësor padyshim që janë pamje që s’kanë asnjë idhje me drejtësinë , me arsimin dhe as me demokracinë.