Opinion

DORËSHKRIM/ 21 janari 2011 - Komisioni hetimor në boshllëk, asnjë provë për “puçin”, Berisha thërret trillimin për të mbuluar të vërtetën

Shkruar nga Liberale

DORËSHKRIM/ 21 janari 2011 - Komisioni hetimor në boshllëk,

Marrë nga libri “Në kërkim të zgjedhjeve të humbura”, i Preç Zogaj, botim i UET Press 2012

(Vijon nga numri i djeshëm)

Marrja në mbrojtje si në kohë lufte e gardistëve të akuzuar kërkonte doemos një justifikim të jashtëzakonshëm, që s’kishte gjasa t’i bindte ndërkombëtarët, por së paku do të fashiste një farësoj habinë e tyre të madhe.
Ky është momenti kur Sali Berisha prodhon lëndën e një kryevepre konkuruese me romanin e Dino Buzatit “Shkretëtira e tartarëve”, por më të avancuar në pikpamje të larmisë së flaterive dhe
dendësisë së humorit të zi.
Në 23 janar, ditë e dielë, në një sallë gjysëm të zbrazur, në mbarim të një dite që zoti e kishte caktuar për të pushuar, Kuvendi, më saktë deputetët e shumicës, u mblodhen në një seancë të jashtëzakonshme dhe votuan ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për hetimin e “puçit të 21 janarit”.
Kishin nxjerrë përfundimin pa e nisur akoma hetimin.
Në seancën sureale të asaj të diele, kryeministri deklaroi nga tribuna e Kuvendit: “Të dhënat i kishim të plota se do të përdornin ekzploziv, se do të përdornin gurë, se do të përdorinin hunjë dhe se do të merrnin kryeministrinë, parlamentin, TVSH-në dhe disa ministri të rëndësishme”. Në gojën e tij si furrë, fjala “hunj” tingëllonte si emri i ndonjë arme shfarosëse të sofistikuar, të cilën deputetët e tallur dhe militantët gallofë duhej ta dëgjonin me gojë hapur.

Ditët e postvrasjeve, që kalendari qeveritar ngulmonte t’i shënonte si ditët e postpuçit, do të ishin gjithnjë e me të ethshme në komunimin publik të kryeministrit. Në datën 24 janar, gjatë një takimi me trupa të Gardës, ai tha: “Një grusht shteti mund të ketë tre të vrarë, mund të ketë tridhjetë, edhe treqind, por një gjë është e sigurt që grushti i shtetit nuk lejohet kurrë te ketë sukses”. Një ditë më pas, gjatë një takimi me ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes “rrëfeu” para tyre se grupet e sulmit të opozitës ishin “paisur me armë jo pak të sofistikuara të grupeve terroriste dhe këto janë mbi të dhëna të sigurta, lloje të ndryshme pistoletash dhe autobombash”. Ata, grupet e sulmit, “ishin stervitur javë përpara me grupe, me plane shumë të hollësishme sulmi dhe komande”.

Vazhdoi kështu ta shtonte dozën dhe ta pasuronte me elemente të rinj fanitjen e tij të grushtit të shtetit. Ndoshta kishte filluar ta besonte edhe vetë ngapak, duke gjetur gradualisht njëfare qetësie në justifikimin kështu të vrasjes se qyterarëve, pse jo një lloj këndellje në kandisjen e të qënit i sulmuar dhe fitimtar ndaj një puçi kaq të sofistikuar që vetëm ai kishte mundur ta pikaste, zbërthente,
prapësonte dhe shpartallonte. Duke lënë disa viktima në bulevard, por kësaj nuk ke çfarë t’i bësh, kush ha bukë do të bëje thërrime, mund të vriten edhe tridhjetë, edhe treqind!
Në mbledhjen e qeverisë të datës 26 maj caktoi një shpërblim për çdo qytetar që do të dërgonte informacione për demostratën. Kishte thenë se zotëronte nga burime të sigurta informacione dhe të dhëna të gjithanshme për grushtin e
shtetit. Me shpërblimin që vuri e paditi bosh kacekun e fakteve.

Me 28 janar do të vinte “goditja e madhe” gjatë një konference shtypi:
“Disponohen të dhëna të plota për sasitë e eksplozivit, tritolit dhe kallashnikovëve, më te cilët do të organizohej sulmi final për të hyrë në ndërtesë. Disponohen të dhëna të plota mbi armët e sofistikuara, mbi çadrat-pistoleta, stilolapsat-pistoleta, thikat me helm që do të përdoreshin në stade të caktuara të këtij grushti shteti. Disponohen të dhëna së grupe të caktuara, gjer në dhjetë grupe pesëshe u stërviten ditë të tëra në zona të ndryshme. Disponohen të dhëna se ky puç u financua së paku me 2 milion dollarë në gjithë përgatitjet”.

Të githa këto “zbulime” të përditësuara do t’i sistemonte për t’i paraqitur në një formë të përmbledhur në “dëshminë” finale që do të jepte me 31 janar para komisionit hetimor parlamentar të ngritur prej tij me deputetë të partisë së tij.
“Ky ishte një puç i përgatitur me shumë kujdes, me financim të madh, me mjete të veçanta. …U mblodhën për t’u shpërndarë nga baronët e krimit të organizuar në krye të PS-së rreth 2 milion euro. Janë shpërndarë 1.3 milion dhe të tjerat janë në rezervë, apo kanë përfunduar në xhepat e tyre, sepse bashibozukët atë ditë u kthyen e po vidhnin protestuesit në mënyrën më çnjerëzore. Me këto
para janë siguruar ngarkesat e tritolit, janë siguruar armët e veçanta, kallashnikovët. Në mediat e këtij vendi janë transmetuar thirrjet që vinin nga kullat binjake nga drejtuesit e tyre: përpara, hyni, çani portën. Por sot disponojmë dokumente të pakundërshtueshme se deputetët kryesorë të kësaj partie kërkonin me çdo kusht, urdhëronin me telefon nga lokalet e Fidelit: përpara, ecni, mos kini frikë, të shtënat janë me fishekë manovre, ju do fitoni dhe gjenerali tjetër që pyeste t’u çojmë tani kallashët apo më vonë. Tek Tajvani, një makinë e veçantë ishte e mbushur me tritol, në kallëpe 400 gramëshe, të cilat u shpërndanë dhe i hodhën në mënyrë të përsëritur kundër Gardës dhe Policisë së Shtetit. Makinat me kallashnikovë ishin afër. Por natyrisht, pjesa më kriminale e kësaj ngjarjeje ishte në bunkerin e Fidelit. Aty, Edvin Kristaq Rama me puçistin Ruçi, Gjinushi, me bllokmenë të tjerë, por dhe eksponentë të mafias që ka, të dy dulakët, me pasardhës të bllokut, me të ashtuquajturit gazetarë, të cilët do të botonin në faqet e zeza të tyre njoftimin se Berisha u arratis, kërkoi strehim
në ambasadën serbe. Të gjithë ishin në komandë. Që të gjithë janë të dokumentuar. Në komandë ishin edhe ata deputetë të PS-së që rrethuan me zjarr kryeministrinë dhe i prinë zjarrit. Keni bërë një akt shumë të përgjegjshëm”, iu drejtua Berisha Komisionit. “Kërkuat tabulatet. Tek Shekspiri thuhet drama është gracka, ku shpirti i mbretit kapet si laraska. Tabulatet u bënë edhe gracka, ku shpirti i puçistëve kapet e bie si laraska. Në ato kontakte janë të gjitha lidhjet e tyre me krimin, në ato kontakte qëndrojnë të gjitha lidhjet e tyre me puçin. Të jeni të sigurt se përveç atyre ka dokumente të shumta, të cilat Kryeministri i vendit do t’i dorëzojë të gjithë në këtë komision, por edhe në institucionet përkatëse. Pra, zoti kryetar, kemi të bëjmë me një puç të paralajmëruar. Por puçi nuk ndalonte, humbën një betejë, me turp, me bisht ndër shalë dhe sërish besuan se nuk kishin humbur. Në qoftë se e keni konstatuar atë natë, kreu i puçit Edvin Kristaq Rama ka dalë tre herë në media, përfshirë edhe orën 01.00 të natës. Në orën e fundit, ky puçist do t’u deklaronte shqiptarëve se do të protestojmë nesër kundër horrave të Gardës, e cila ka vite që mbron Edvin Kristaq Ramën dhe e mbron me eficencë të plotë. Këtë do ta deklaronte në orën 01.00. Pas kësaj ore, pasi unë e kam zakon të fle vonë, dhe vetëm brenda tre katër orëve, pas shpalljes së kësaj proteste që do të mbahej, një faktor tjetër politik i këtij puçi, siç do faktohej, Prokurorja e Përgjithshme do të vendoste arrestimin e të gjithë zinxhirit të komandës së Gardës, në mënyrë që puçistët të demonstronin
lirshëm kundër horrave të Gardës e të pushtonin institucionet. Ministri më informon herët e më thotë se na ka ndodhur kjo gjë. Por unë kisha informacion edhe për stadin B dhe për stadin C të puçit, ndaj nuk isha aspak i papërgatitur….”.

Anëtarët komisionit dëgjonin në heshtje, duke mbajtur herë-pas-herë shënime. E dinin se Berisha nuk po u fliste atyre, por popullit. Ata kishin qenë me qindra here në këtë rol kukullash në mbledhjet e grupit parlamentar dhe në aula të tjera. Nuk u bëntë përshtypje. Por zakonin e prishi deputeti Dashamir Sulaj, jurist në profesion. Zoti Sulaj i drejtoi kryeministrit një pyetje të tillë: Kur mendoni, zoti kryemnistër t’ia vini në dispozicion këtij komisioni faktet dhe provat tuaja për akuzat që bëtë?
Berisha u befasua, u gëlltit, pastaj nënqeshi kot: Shiko, tha. Është detyra e këtij komisioni të nderuar t’i mbedhë një për një një provat e shumta e të pakundërshtueshme …po, po.
Berisha nuk kishte prova. Ky ishte zbulimi i parë dhe i fundit i komisionit hetimor.

Shumë demostrues qenë keqtrajtuar e rrahur nga policia, duke u kërkuar të pranonin se kishin marrë para dhe detyra sulmi nga opozita. Asnjë dëshmi e tillë nuk u dha, asnjë armë nuk e gjet, asnjë çadër pistoletë, asnjë thikë me hem, asgjë. Qeveria dhe policia e shtetit, si vegël e saj, nuk i kërkuan fare provat e shpallura duke e ditur se nuk kishte. Kishte vetëm fjalë, fjalë, fjalë, trillim, trillim, trillim, fjalë dhe fjalë përsëri; një fantazi e terë, një stuhi fjalësh boshe që do të gumëzhinin, zhurmonin e shurdhonin dimrin e Shqipërisë, pastaj do të të zhdukeshin si t’i kishte përpirë dheu, të dhunuara patjetër në shenjtërinë që zanafilla i ka dhënë fjalës.

Me marrjen e “dëshmisë” së kryeministrit praktikisht komisioni hetimor e pushoi veprimtarinë e vet. Presidenti Bamir Topi refuzoi të paraqitej, por tha se mund t’u përgjigjej pyetjeve në zyrën e tij. Askush nuk shkoi për ta pyetur në zyrë për një arsye të thjeshtë: kishin dashur ta poshtëronin, jo ta pyesnin. Ina Rama u paraqit para komisionit formalisht, sa për të respektuar ligjin, por deklaroi se nuk do t’i përgjigjej asnjë pyetjeje që kishte lidhjen me çështjen në hetim. Me të mbaruar fjalën e saj, kryeprokurorja u ngrit nga vendi dhe u largua.

Më herët, me ndërhyrjen e ambasadorit amerikan në Tiranë, ishin hequr nga lista berishiane e personave për t’u hetuar gazetarët Mero Baze, Andi Bushati, Sokol Balla dhe Filip Çakulli. Dy të parët e kishin ndjekur demostratën nga një kafene e kullave binjake. Balla nuk kishte qenë me ta, kurse Çakulli s’kishte qenë fare në Tiranë atë ditë. Kishte shkuar në Fier për të marrë pjesë në një varrim.
Berisha i kishte parë e bërë bashkë me sytë e mendjes këta të katër, teksa po kërkonte ushqim të zgjedhur për komisionin e tij hetimor, të cilin e kishte konceptuar edhe si ingranazhin e kthimit të restove. Inatin më të madh e kishte me Mero Bazen, por për të maskuar tendenciozitetin kishte
futur në listë edhe tre të tjerët. Të cilët i kishte kundërshtarë gjithashtu.

Me t’i përfshirë në listën e golpistëve, Berisha reklamoi me të madhe se komisioni do të hetonte tabulatet komunikimit të gazetarëve me celular gjatë demostratës.
Kështu i kthente një resto Mero Bazes, i cili kishte shkruar shpesh për tabulatet e bisedave telefonike të djalit të tij me pronarin e fabrikës së Gërdecit, Mihal Delijorgji, menjëherë pas shpërthimit të kësaj fabrike. Tabulate ke dashur? Ja ku po t’i tregon komisioni im tabulatet!

Nga ana tjetër, me djallëzinë e tij të këndshme në këtë rast, u kishte “dhënë një punë” diplomatëve të shquar në Tiranë. Ambasadori amerikan Arviu, që kishte parë t’i shkëmbeheshin para syve si në një natë të errët me stuhi dhe vetëtima shpirtrat e vendit të panjohur të shqiponjave, u tendos si një tel sapo dalloj dhe veçoj elementin e parë të qartë nga ai mishmash: inkriminimin e gazetarëve opozitarë nga qeveria. Jo, jo, jo! Ky është teprim, kjo është e papranueshme. Zoti kryeministër, ne e kuptojmë gjendjen tuaj, por hapur e themi, si miqtë tuaj më të mirë, se zgjerimi i listës së personave nën hetim me emrat e katër gazetarëve opozitarë nuk është pritur mirë, madje ka ngjallur shqetësime në vendin tim…

Berisha do ta gëzonte zotin Arvizu me përjashtimin e gazetarëve nga hetimi parlamentar. Në të nëjtën ditë do ta mrekullonte me pranimin e një sugjerimi
tjetër, akoma më të fortë. Në përgjigje të vendimit të Opozitës së Bashkuar për të thirrur një protestë-homazh në bulevardin “Dëshmorët e kombit” në datë 28 janar, Berisha kishte paralajmëruar thirrjen në Tiranë të një tubimi të mbështetësve të qeverisë. Me shqetesimin dhe frikën se mos lideret gjaknxehtë të Tiranës po shtynin drejt konfrontimeve civile në shkallë të gjerë, ambasadori

Arvizu nxitoi të takonte kryeministrin dhe menjëherë pas tij kreun e opozitës, duke u kërkuar të dyve të njëjtën gjë: anullimin e tubimeve dhe vendosjen e një moratoriumi disa mujor për të gjitha llojet e protestave, derisa të qetësoheshin gjakrat. Berisha pranoi, për çfarë mori nga ambasadori vlerësimin publik “burrë shteti”. Pas Ilir Metës, që kishte marrë në vitin 2000 vlerësimin “burrë shteti dhe i zgjuar”, Berisha ishte i dyti kryeministër shqiptar që merrte këtë vlerësim nga zyrtarë të SHBA-ve.

Mbrëmjen kur Opozita e Bashkuar do të mblidhej për të saktësuar detajet e protestës-homazh, ambasadori Arviu u takua sërish me Ramën në zyrën e këtij të fundit në bashkinë e Tiranës. Rama nuk u tërhoq nga mbajtja e protëstës homazh për të vrarët. Atëherë dolën fjalë se ishte përgatitur një atentat kundër tij. Policia arrestoi dy persona nga Mati, që ishin interceptuar duke shkëmbyer mesazhe telefonike atentatorësh. Nuk u kuptua kurrë qartë sa inskenim dhe sa vërtetësi kishte në ravgimin e dy matianëve për të vrarë shefin e opozitës dhe çfarë lidhjeje kishte reagimi i tyre me demostratën e 21 janarit.

Gjithsesi, nën masa të shtuara sigurie, i rrethuaj nga një skuadër rojesh që vëzhgonin rrugët, pemët dhe çatitë nga të katër anët, Edi Rama i priu paraditën e së premtes së njëzet e tetë janarit protestës së heshtur të homazhit për të vrarët e një jave më parë. Lumi i stërmadh i njerëzve me lule në duar e lot në sy përparoi ngadalë në bulevardin “Dëshmorët e kombit” në tingujt funebër të “Rekuiem”-it të Mozartit, që e bënin akoma më prekese atmosferën e asaj dite.

Portretet e tre të vrarëve, të Ziverit, Hekuranit dhe Faikut, ishin vendosur njëri përbri tjetrit në një panel të ngritur në mes të bulavardit para kryeministrisë. Vështronin prej larg sikur kishin vite që i kishim lënë atje dhe po shkonin më në fund t’i tërhiqnim solemnisht nga fusha e kobit. Aleks Nika nuk ishte me ta atë ditë. Ishte akoma gjallë Aleksi. Por do të ndërronte jetë dy javë më vonë në një spital të Stambollit dhe portreti i tij do të bashkohej me tre shokët e tij të përjetësisë në homazhe të tjera.

Poll
SHQIPENGLISH