Kursi i këmbimit 110 lekë mund të jetë ekuilibri i ri në tregun valutor, pas zhvlerësimit disamujor të Euros. Forcimi i lehtë i euros këtë fund-gushti është i zakonshëm për këtë periudhë dhe pritej që para se të vinte vjeshta monedha europiane të forcohej.
Edhe pse pati një rënie të lehtë në orët e fundit, ku sipas Bankës s Shqipërisë u këmbye me 109.67, Euro prej disa ditësh është duke fituar terren ndaj lekut. Kryetari i Shoqatës së Agjencive të Këmbimit Valutor Dritan Vakaj parashikon gjithashtu vijim të paqëndrueshmërive në tregun e këmbimit valutor. “Vjeshta është relativisht e pritshme që të kemi një farë forcimi të euros. Kjo si pasojë e rritjes së konsumit dhe ndryshimit të dinamikave të brendshme në kërkesë dhe ofertë”, tha ai për A2CNN.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se monedha europiane gushtin e vitit të shkuar u këmbye mesatarisht me 116.97 lekë nga 106.14 lekë që u këmbye këtë muaj duke humbur 10.83 pikë. Për agjentët të këmbimit valutor, kursi i këmbimit gjatë 2022 është një “e shkuar, gati e pamundur për t’u përsëritur”.
“Do të ishte një anomali e tregut pasi nuk do të arrihej të shpjegohej dhe njëherazi do të godiste rëndë ekonominë e vendit.” Banka e Shqipërisë ka dalë dy herë në tregun valutor këtë muaj duke blerë mbi 20 milionë euro me qëllim rikthimin e ekuilibrave në kursin e këmbimit, por për Vakajn këto politika nuk kanë efekte afatgjata.
“Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë kanë efekte shumë të ulëta dhe afatmesme. Kursi i këmbimit përcaktohet nga besimi në tregje.” Bashkë me euron, për shkak të metodologjisë së përllogaritjes së kursit të këmbimit edhe valutat e tjera kryesore në vend si dollari apo paundi janë rritur lehtë javën e fundit duke u këmbyer mesatarisht për 100 dhe 125 lekë”.