Në historinë e botimeve shqipe janë të rralla botimet e letrave të gjata të dashurisë. Ato pothuajse mungojnë. Por në rastin e Paplekës ajo nuk është një letër personale, por një letër e kthyer në vepër letrare e cila prej më shumë se një dekade është në librari duke pritur gjykimin e lexuesit dhe kritikës.
Do doja t’i nisja këto rreshta me fjalët “mon amour”, që dikur ishin gëzimi i shpirtit tim por dora s’më bindet. U bë një vit që kur nuk jemi bashkë e mua herë më duket sikur ka rrjedhur një kohë shekullore mes nesh e herë të tjera sikur kjo ka ndodhur dje. Ndaj kur takova rastësisht shoqen tënde e më tregoi për dramën që po përjeton ti, ndjenjat e mia nga një gjendje e fjetur, u zgjuan, u lëvizën e mi trazuan kujtimet. Dhe ja përse të shkruaj; që ti hedh ato në letër, si të thuash të çlirohem sa të mundem prej tyre, në këtë muzg të hirtë që derdh pikëllime dhe iluzione me ngjyrën e tij...
Feride Papleka e nis kështu historinë në 128 fq; e novelës “Letër dashurie”, botimet Argeta-LMG (2007). Një histori dashurie që ashtu si gjithë dashuritë është një lëmim i kujtesës. Një ikje që për vite me radhë kishte mbetur e tillë, duke krijuar një ndjenjë fajësie, duke u shfajësuar përmes shkrimit. Në historinë e botimeve shqipe janë të rralla botimet e letrave të gjata të dashurisë. Ato pothuajse mungojnë. Por në rastin e Paplekës ajo nuk është një letër personale, por një letër e kthyer në vepër letrare e cila prej më shumë se një dekade është në librari duke pritur gjykimin e lexuesit dhe kritikës. Një letër që të përfshin e bëhet menjëherë historia jote e dashurisë, ndoshta se të tregon se historitë e dashurisë pavarësisht kohës e vendit ku ndodhin, ato janë të gjitha njësoj. I njëjti padurim hyn në trupin e çdokujt dhe e njëjta pritje.
Në këtë letër Papleka është përpjekur të përmbledh gjykimet e një të dashuruari që e ka humbur dashurinë. Aty është zemra, shpirti dhe uni i fyer i atij që duke folur do të shpërndajë pak vetminë. Mendimet e tij ndonjëherë bëhen si një re e zezë e ftohtë që ia zë diellin. Duke shkruar ai kupton se sa e vakët është tashmë shija për jetën.”Zëri im nuk është më ai që mban mend ti, plot emocione, por i shuar, pa ngjyrim. Të tillë të bën humbja e dashurisë. Tek unë është forcuar vetëdija e atij që ka dashuruar me tërë qenien e tij. Dashuria për mua nuk qe një ngjarje kalimtare. Ajo qe tërë jeta. Më ngushëllon fakti që vuajtja ime është e pranishme te shumë të tjerë në këtë bote”, shkruan personazhi i saj në këtë libër.
Autorja nuk ka zgjedhur një grua për të shkruar një letër por një burrë. Personazhi i saj është një burrë e kjo e bën disi të pazakontë këtë histori. Një burrë që kujton, që qan, që harrohet e që dëshiron. Një burrë që flet hapur e nuk ka droje të pranojë se ikja e një dashurie e ka lënduar. “Braktisja që më bëre ti do të mbetet një enigmë e madhe për mua..”, shkruan ai.
Ndaj kjo letër i ngjan një diagrame shpirtërore me ngritje dhe ulje. “Kur ike ti m’u duk sikur edhe drita u shua, sikur po jetoja humbjen time më të madhe morale dhe u tjetërsova. Unë ende e shoh njeriun e dyfishtë ose edhe njeriun e trefishtë te një person i vetëm. Tek unë pikëllimet nga jeta kishin krijuar një lloj trishtimi që e kisha personal e kur ndodhi ky aksident e shumëfishoi atë. Katastrova u mishërua në qenien time me një zhurmë shumë të thellë. Unë fillova të zhvlerësoja jetën time. Shihja zanafillën si turbullohej dhe botën që më shembej para syve...”.
Kjo letër ka vetëm dashuri e aspak zemërim paçka se është një letër e trishtuar dashurie. Pascal-i filozofi francez në librin “Mendime” thoshte se zemra ka ca arsye që vetë arsyeja nuk i njeh.
“Sa herë mendoj për atë fillim më kaplon një nostalgji e thellë që është si një dehje që vjen pa u kuptuar por në mënyrë të pakthyeshme. Sepse kujtoj rinjohjen tonë që erdhi si një akt i madh ngazëllimi. E mban mënd sa i hutuar isha e stë shihja dot kur e lamë të takoheshim për herë të parë, sado që të kisha para syve? Ti u afrove fytyrëqeshur dhe vetëm u ndale përballë të pashë. Ç’domethënie metafizike kanë ritakime të tilla! Është e pashpjegueshme. Atë ditë në mëngjes unë kisha një gëzim të thellë, pa ndonjë arsye konkrete. Dhe ai çast i shkurtër kur ti u shfaqe në derë i dha formë gëzimit tim. Por gëzimet e mëdha përherë paskan karakter mashtrues”.
Kjo letër e gjatë dhe e shkruar plot finesë nga Feride Papleka ka arsyet që çdo lexues i gjen.
Feride Papleka është autore e disa librave me poezi dhe prozë. Vec kësaj ajo ka përkthyer e vepra nga F.Dolto, O.Wilde, Spinoza, A.Gide, Proust Borghes, etj./Gazeta Liberale