Letërsi

Në Bibliotekën e Pëllumb Kullës

Shkruar nga Liberale
Në Bibliotekën e Pëllumb Kullës

Biblioteka krijuese e Pëllumb Kullës meriton një bibliografi më vete. Dhjetëra skeçe, komedi, tregime, monologë, skica e thërrime, drama, romane apo publicistikë që shënojnë historinë e  satirës, letërsisë, apo dramaturgjisë shqipe, në më shumë se gjysmë shekulli. Janë dhjetëra botime të cilat bashkë me vlerat që përcjellin tregojnë nga ana tjetër dhe vetë kohën.

Kulla është padyshim Mark Tueni i letrave shqipe, i cili me ndjeshmërinë e stilit arriti ta shndërronte tragjizmin në humor, e në të njëjtën kohë të dokumentonte në dhjetëra vepra, evolimin e shoqërisë shqiptare përmes fabulave të marra nga jeta.

Duket se pasioni për shkrimin ka qenë aty bashkë me pasionin e madh për skenën. Dy pasione që kanë bashkëjetuar me njëri-tjetrin të cilët i kanë dhënë sot bibliotekës shqipe një pasuri të vyer veprash si në komedi apo dramaturgji ashtu edhe në letërsi e publicistikë.

Në morinë e këtyre veprave një vend të veçantë zë dhe vëllimet me reflektime mbi teatrin “Teatri kjo lojë magjepsëse”. Historia e dramaturgjisë shqiptare nuk ka pasur një reflektim kaq të thellë nga personalitet i saj mbi skenën, personazhet, ndjesinë e shkrimit, dhe gjithçka tjetër që përbën atë që quhet magjia e krijimit. Kulla analizon tashmë nën petkun e kritikut vetë Kullën dhe krijimtarinë e tij, duke u ndalur tek vepra të veçanta, dialogë, monologë, skica, intervista apo shënime.

Gjithçka që ka shoqëruar jetën e tij skenike vjen përmes rrëfimeve të ndjera e plot stil, të cilat krijojnë në një farë mënyre dhe panoramën e artit shqiptar. Ai analizon aktorë me të cilët ka punuar, miq që vijnë nën një tjetër optikë, shumë profesionale, siç është rasti i Skënder Sallakut apo Leka Bungos. Ai e quan teatrin një lojë magjepsëse pasi ashtu e ka përftuar gjithnjë këtë ndjesi të jashtëzakonshme nga e cila vazhdon të jetë i përfshirë. Interesante dhe me vlerë janë dhe letërkëmbimet e tij me personazhe të njohur të skenës kulturore e politike shqiptarë gjatë kohës së qëndrimit në Nju Jork. Kulla ka arritur ta kthejë qëndrimin e tij jashtë Shqipërisë në një përvojë të vyer shkrimi. Nuk mungojnë dhe copëza kujtimesh që në jetën e një artisti gjatë gjithnjë të bukura, dhe tregojnë optikën ndryshe të një kohe....

"Kështu jetoi mjeshtri Kulla mes turmës së personazheve të tij. Mes tyre nuk pat vend për heronjtë e pjellë nga ideologjia. Pëllumb Kullën e thërriste fari i tij në bregdetin e shkretë të asaj kohe dhe ai gjithnjë shkonte drejt atij fari me talentin e tij të madh e me barrën që mbante në laboratorin krijues, me studimet e kërkimet në të gjitha gjuhët e huaja që zotëronte”, shkruan Maku Pone për të. Ai për dy dekada me radhë ka pasur faton ta kundronte nga afër në përpjekjet në kërkimet, në eksperimentet e tij, në teatrin Bylis të Fierit.

“E kam parë këtë njeri të vuajë e të ngazëllejë. E kam parë të luftojë me të keqen e kohës, të mos epet dhe të triumfojë. Shpëtuar pa u djegur në vitin 1995 dolën në dritë ca lista , hartuar në kohërat më të errëtat diktatoriale. Ato lista kishin emra njerëzish të planifikuar për pushkatim, në rastin e një krize të mundshme të pushtetit popullor. Ishin 132 veta në listat e Fierit... dhe emri i Pëllumb Kullës figuronte në listat e vdekjes me numrin 32. Këto kundërthënie kaq flagrante nuk i shihje dot atëherë. Unë atëherë po shihja tjetër gjë. Unë shihja shkrimtarin regjisor...", shkruan Pone.

Të gjithë kanë historinë e tyre me komunizmin, por Kulla arriti ta shndërronte historinë e tij në një histori shkrimi e suksesi, që sot numëron dhjetëra tituj librash që përbëjnë historinë tonë krenare të satirës në vend. Kulla është mjeshtri i madh i kësaj historie.

Libra nga Kulla

Lipe Shtogu në listë

Skeçe e komedi me një veprim (1980)

 

Shoku Niqifor

Komedi (1980)

 

Portrete pa makijazh

(Komedi me një veprim, skeçe (1984)

 

Po martojmë Malon 1986

Këshilla për fëmijë nga 5-55 vjeç

Tregime (1989)

 

Si qeshnim nën diktaturë

Esse (2002)

 

Rrëfenja nga Amerika

Roman(2003)

Lejlekët nuk vijnë më

Roman (2005)

 

Pushtimi i Amerikës

Tregime të zgjedhura (2005)

 

Rrëmbimi i nuses në Nju Jork

(tregime dhe novela 2012)

 

Jo të gjithë të vdekurit prehen në paqe

Jetëshkrimi i një familjeje (2012)

 

Luftë pa fund

(Publicistikë 2013)

 

Teatri kjo lojë magjepsëse 2015

Vdekja e Enver Hoxhës 2013/Gazeta Liberale

[gallery columns="1" size="full" ids="1117831,1117832,1117830,1117833,1117827,1117828,1117829"]

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH