Aktualitet

Milan Kundera vdiq

Shkruar nga Liberale
Milan Kundera vdiq

Milan Kundera, shkrimtari më i famshëm çek i gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë, vdiq të martën. Ai ishte autor i romaneve si  “Lehtësia e Padurueshme e Qenies” dhe “Libri i të Qeshurës dhe Harresës”. Vdekja e tij u lajmërua në televizionin publik çek. Shkrimtari ishte i sëmurë prej disa kohësh, tha një zëdhënës i Gallimard, botuesi i tij francez. Kundera jetonte në Francë që nga viti 1975, ku u zhvendos për shkak të mosmarrëveshjeve të tij me Partinë Komuniste Çekosllovake, veçanërisht për shkak të kritikave të tij ndaj pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë në vitin 1968.

Në vitin 1979, atij iu hoq shtetësia dhe vetëm në vitin 2019 iu rikthye nga qeveria e Republikës Çeke.

Kundera është autor i dhjetë romaneve, nga të cilët gjashtë ishin në çekisht dhe katër në frëngjisht. I pari, “Shakaja”, i botuar në vitin 1967 dhe u ndalua në Çekosllovaki pas përfundimit të “Pranverës së Pragës”, periudhë në të cilën udhëheqësi politik Aleksandër Dubçek ishte përpjekur të reformonte regjimin komunist nga brenda përmes të ashtuquajturës “Socializmi me fytyrë njerëzore”.

Një përvojë e tillë përfundoi me mbërritjen në Pragë të tankeve të Bashkimit Sovjetik, të cilët kishin vendosur të shuanin çdo lloj rebelimi kundër komunizmit në vendet e Europës Lindore që ishin atëherë nën ndikimin e tij. Protagonisti kryesor i romanit “Shakaja”, përjashtohet nga Partia Komuniste pasi shkruan me shaka një mesazh kritik ndaj regjimit në një kartolinë.

Libri që ndikoi për heqjen e shtetësisë së Milan Kunderës ishte “Libri i të Qeshurës dhe Harresës”, një roman që në brumin e tij kishte kritikën ndaj regjimit. Në vitin 1981, shkrimtarit iu dha shtetësia franceze.

Romani “Lehtësia e Padurueshme e Qenies” u shkrua fillimisht në çekisht, por u botua për herë të parë në Francë në vitin 1984, i cili konsiderohet deri më tani si romani i tij më i famshëm.

Ngjarjet e këtij romani janë të vendosura në Pragën e vitit 1968, ku tregohet historia e katër personazheve, dy burra dhe dy gra. Vetëm në vitin 2006, Kundera autorizoi botimin e tij në Republikën Çeke.

Fabula e këtij romani u bë edhe film në vitin 1988 me regji të amerikanit Philip Kaufman. Në film Daniel Day-Lewis luan Tomasin, një mjek që nuk mund të ushtrojë më profesionin e tij, pasi kritikon regjimin komunist; tre protagonistët e tjerë të filmit luhen nga Juliette Bionche, Lena Olin dhe Derek de Lint.

Vitet e fundit Kundera vendosi të kishte një jetë krejtësisht private, larg medias dhe prozhektorëve. Ai fliste shumë rrallë me gazetarët, me besimin se shkrimtarët duhet të flasin përmes veprave të tyre. Ai kthehej herë pas here në Republikën Çeke dhe në nëntor të vitit 2018, kryeministri i atëhershëm çek Andrej Babis tha se e kishte takuar atë dhe gruan e tij në Paris për t’i ofruar atij kthimin në shtëpi dhe një propozim të tillë shkrimtari e kishte pranuar.

Emri i Kunderës është përmendur me vite të tëra si një kandidat i mundshëm për çmimin Nobel./Liberale.al/

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH