Aranit Muraçi
Për Shqipërinë Europiane 2030, objektiv i vendosur nga kryeministri Edi Rama para se t’i besohej më 11 maj 2025 një mandat i katërt dhe historik, që shqiptarët e mbetur ta shohin të ardhmen e tyre në atdhe, dhe të ikurit, pse jo edhe të rikthehen për të jetuar në vendin e tyre, në vend të kërkimit për fuqi punëtore nga vende të botës së tretë, veçohen pesë prioritete kyçe në ekonomi:
E para, biznesi ka nevojë për një frymëmarrje të re. Veçanërisht pas situatës së rëndë që la pandemia dhe kriza e çmimeve. Një amnisti gjithpërfshirëse, për ta çliruar sipërmarrjen nga makthi i gjobave (në formë gjobvënie në disa raste, në mungesë ryshfeti) dhe borxheve të akumuluara ndër vite, për një fillim të ri më premtues do të ishte hapi i parë. Çdo qeveri për një vizion dhe zhvillim të ri zakonisht e nis mandatin me amnisti. Sa më e gjerë dhe sa më i çliruar të jetë biznesi më shumë shanse do të rriten që të përmbushen vetë objektivat prioritarë të qeverisë që janë punësimi, rritja e pagave, e prodhimit, e persepktivës për të jetuar në Shqipëri. Zbatimi i rregulloreve më të rrepta për të forcuar garën është detyrë e mëtejshme.
E dyta, mbetet rritja reale e pagave dhe e pensioneve. Nëse në mandatin e kaluar është mundësuar rritja e pagave në sektorin publik, duke qenë se nuk është vendimarrje e saj, qeverisë i mbetet të gjejë mekanizmat që e njëjta gjë të ndodhë edhe në sektorin privat. Vetëm konkurueshmëria mes dy sektorëve, vlera e punës dhe produktiviteti janë bazamenti ku duhet të mbështetet e ardhmja. Zhdukja e informalitetit pavarësisht se mund të ketë ndikim negativ për disa biznese në një të ardhme afatshkurtër do të shpëtojë përfundimisht sistemin e pensioneve në një plan afatgjatë dhe po ashtu vetë punonjësit nga stresi dhe pasiguria mbi të ardhmen.
E treta, rikthimi i aftësive në tregun e punës. Garat me konkurse që zhvillohen pasi është përcaktuar fituesi, sikurse tenderët pa garë nuk bëjnë gjë tjetër veçse ndërtojnë një administratë ‘parazite’ dhe zhvillojnë sipërmarrës që nuk ndërtojnë biznes por “vajtojnë” rënien, pas mbarimit të fondeve. Në mandatin e saj të katërt qeveria e drejtuar nga kryeministri Edi Rama ka shansin historik për të ndërtuar një raport tjetër me tregun, përsa i përket garës së ndershme dhe meritokracisë.
E katërta, arsimi dhe përkujdesja sociale. Arsimi në të gjithë hallkat e tij ka nevojë për një reformë, ndoshta të thellë. Për këtë kërkon edhe më tepër investime. Arsimit veç investimit që kërkon i ka munguar nga të gjitha qeverisjet e kaluara një plan afatgjat zhvillimi. Pas 10 vitesh kur supozohet se Shqipëria do të mund të bëhet anëtare e BE-së, sukses do të ishte që të diplomuarit të jenë në përputhje me kërkesat e tregut të punës dhe me aftësi mbi mesataren e vendeve të rajonit. E njëjta gjë vlen edhe për sektorin shëndetësor dhe reformimin që kërkohet.
E pesta, identifikimi i sektorëve prioritarë të ekonomisë. E pozicionuar mes Greqisë dhe Kroacisë në Ballkan dhe në lindje të Italisë, Shqipërisë i mjafton të bëhet një “nxënëse” e mirë e BE-së, duke mësuar nga fqinjët, për të zhvilluar sektorët e saj prioritarë të ekonomisë si turizmi dhe bujqësia. Pa zhvilluar këto dy sektorë, Shqipëria edhe nëse do të anëtarësohet në BE, nuk do ndërtojë dot kurrë një ekonomi të begatë. Nëse ka patur sukses në mandatin e fundit në fushën e turizmit, sfidë për mandatin e ardhshëm do të jetë bujqësia.
Si konkluzion, rikthimi i vlerave në treg. Është posaçërisht detyrë e qeverive të majta të ndërhyjnë për të normalizuar tregun kur një i tillë “çmendet”, dhe ku spikasin e promovohen antivlerat. Si shembull vlen tregu muzikor. Pasojat katastrofike të lënies së tregut në rënie “të lirë” me idenë se tregu vetë është rregullator janë të njohura ndërkombëtarisht.
Shqipëria Europiane nuk kërkon “shpikje” . As ndonjë përpjekje për të vendosur vendin tonë në një territor më të përshtatshëm gjeografikisht nga aty ku e ka krijuar Zoti. Shqipëria Europiane kërkon mendësi si ajo Europës, ligje dhe rregulla që respektohen dhe zbatohen njësoj nga të gjithë.