Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Apelit për Kreshnik Budllën, i njohur edhe si Kreshnik Farruku, duke vendosur që ai të qëndrojë në arrest shtëpie. Budlla ishte arrestuar më herët për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të kokainës, por ka arritur të shmangë burgun, duke pretenduar se komunikimet në aplikacionin e koduar SKY ECC nuk ishin të tijat, por të vëllait.
Kush është Kreshnik Budlla?
Kreshnik Budlla është një emër i njohur për autoritetet e drejtësisë në disa shtete europiane. Ai ka përdorur mbi 10 identitete të ndryshme për të shmangur ndjekjen penale dhe është lidhur me aktivitetin e trafikut të drogës në Spanjë, Itali dhe Holandë.
Në maj 2010, ai u arrestua në Barcelonë së bashku me shtatë anëtarë të tjerë të bandës, me 20 kg kokainë, që po përpiqeshin ta transportonin drejt Italisë. Pas këtij arrestimi, drejtimin e grupit e mori vëllai i tij, Erniu, i cili u arrestua në 2012. Ndërkohë, vetë Budlla arriti të arratisej nga burgu në vitin 2014 dhe u kap sërish në vitin 2019.
Ai është hetuar edhe për një vrasje në Spanjë në vitin 2010, ku fillimisht u dyshua si autor, por më pas hetimet zbuluan se ngjarja ishte organizuar nga Devi Kasmi, i cili u vra në një atentat në Tiranë në vitin 2018.
Budlla është përballur edhe me atentate, ku më i rëndësishmi ndodhi në vitin 2015 në zonën e "Don Boskos", Tiranë, ku u plagos edhe një kalimtare. Dyshohet se shkaku ishte prishja e pazareve të drogës.
Ndërkohë, në vitin 2012, Gjykata e Durrësit vendosi sekuestro për pasuritë e tij, që kapnin vlerën e 1 milion eurove. Sipas Prokurorisë, këto prona ishin në emër të babait dhe vëllait të tij dhe përfshinin një pronë në Gjirin e Lalzit me vlerë 920 mijë euro dhe një llogari bankare me rreth 6.2 milionë lekë.
Arrestimi i fundit
Në janar të vitit 2025, Kreshnik Budlla u arrestua në Manzë të Durrësit, ndërsa ishte nën masën e arrestit shtëpiak, e vendosur nga Gjykata e Durrësit. SPAK kishte kërkuar masën e arrestit me burg, por ai arriti ta zbusë këtë vendim, duke bindur gjykatën se provat e siguruara përmes aplikacionit SKY ECC nuk ishin të tijat.