Aktualitet

Marijuana (i)legal

Shkruar nga Liberale
Marijuana (i)legal

A duhet legalizuar prodhimi i kanabisit mjekësor siç lajmëroi kryeministri apo frika nga trafiku i 2016-ës është racional? Përfitimet ekonomike përballë rreziqeve të një procesi delikat që pa mbikëqyrjen serioze të  institucioneve mund të sjell pasoja te rënda.

Pesë vite nga debati i fundit për legalizimin e prodhimit të kanabisit mjekësor, debati u rikthye në fundjavë nga kryeministri Rama, i cili e renditi këtë iniciativë së bashku me amnistinë fiskale në proces konsultimi dhe hartimi me ekspertë të huaj. Rama nuk përmendi Bashkimin Europian si pjesë e këshillimeve , por  përgjigja e shpejtë nga zyra e Sorecës në Tiranë që përjashtonte ekspertët e vet nga konsultimet me qeverinë, dukej më shumë si kundërshtim në bllok për idenë. Opozita e kundërshtoi po atë ditë nismën nëpërmjet kryetarit të PD, Basha dhe kryetares se LSI kryetares së LSI, Monika Kryemadhi.

Debati që pritet të hapet për legalizimin e prodhimit të kanabisit mjekësor ka të bëjë me përfitimet financiare nga një anë dhe nga ana tjetër me rreziqet që rrjedhin nga degjenerimi i tij si trafik drogë ku dhe përfotimet janë më të mëdha. Shembujt në botë janë të shumtë, që nga disa shtete të Amerikës ku kanabisi mjekësor është i legalizuar jo vetëm për prodhim por dhe për shitje deri në Maqedoninë e Veriut fqinje. Bashkimi i amnistisë fiskale dhe legalizimit të kanabisit mjekësor tregon nevojën për fonde të arkës së shtetit, kur dihet situata financiare e dobët pas goditjes së tërmetit të nëntorit dhe epidemisë së COVID-19.

Një pikë tjetër e rëndësishme në këtë debat do të jetë edhe mesazhi që i jepet publikut dhe kryesisht grupeve të narko-trafikut kur dihet se çfarë ndodhi në 2016 dhe se çfarë shkalle arriti kultivimi dhe trafikimi i canabisit që prej atij viti. Por nëse ideja e kryeministrit gjen implementim serioz me ligje të reja, kritere të forta për dhënien e licencave, mbikëqyrjen serioze të procesit të prodhimit kuptohet që procesi do të sillte përfitim ekonomik. Siç kuptohet që e kundërta e tyre, dhënia e licensave të njerëzit e afërt, shfrytëzimi i tyre për të mbjelle hashash për trafik do të ishte me pasoja më të rënda se 2016-ta

Historia e kultivimit të kanabisit në vendin tonë është pothuaj 25 vjeçare dhe një mesazh për legalizimin e marijuanës mjekësore nuk është e sigurt si do të tretej.

Rama  

Kryeministri Edi Rama u shpreh të premten se pas një viti punë për pak kohë do të jetë gati drafti për ligjërimin e prodhimit të hashashit për arsye mjekësore, sikur e kanë disa vende në botë, mes tyre fqinji jonë, Maqedonia. Drafti, tha Rama është konsultuar me ekspertët e huaj.

Gjatë konferencës për Ditën e Europës në krah të ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, ai u shpreh se pas një viti punë për pak kohë do të jetë gati drafti për ligjërimin e prodhimit të hashashit për arsye mjekësore, sikur e kanë disa vende në botë, mes tyre fqinji jonë, Maqedonia. Drafti, tha Rama është konsultuar me ekspertët e huaj. "Kemi një vit që punojmë, edhe pak edhe do të jetë gati, asnjëherë nuk bëjmë punë pa u konsultuar me ekspertë vendas dhe të huaj, jemi konsultuar me ekspertë të huaj, por gjëja kryesore që ne bëjmë dhe që na ka dalë ndihmë e madhe është konsultimi me të tjerët.

BE

Por disa orë pas deklaratës së kryeministrit shqiptar, delegacioni i BE-së në Tiranë në një postim në rrjetet sociale deklaroi se nuk kanë qenë të përfshirë në hartimin ose konsultimin e draft raporteve në lidhje me planet për kultivimin dhe legalizimin e kanabisit në Shqipëri për qëllime mjekësore.

"Pas kërkesave të disa mediave, ne duam të sqarojmë se Komisioni Evropian dhe Delegacioni i BE nuk kanë qenë të përfshirë në përgatitjen, hartimin ose konsultimin e draft raporteve në lidhje me planet për kultivimin dhe legalizimin e kanabisit në Shqipëri për qëllime mjekësore", tha delegacioni.

Opozita

Ndërkohë po gjatë të premtes, kjo çështje u komentua edhe nga lideri demokrat Lulzim Basha.

"Kërkoi legalizimin e kanabisit dhe ka nisur procesin e kanabisit në të gjithë vendin. Partnerët janë të informuar shumë mirë", tha Basha.

Ndërsa Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi e ka cilësuar vendimin për legalizimin e kanabisit mjekësor si një "karrem" të kryeministri Edi Rama për zgjedhje e ardhshme, teksa vlerësuar Bashkimin Europian për distancimin. "Bravo Bashkimi Europian,  për distancimin e qartë nga fushata dizinformuese e Edi Rama  në keqpërdorimin e imazhit të BE për të justifikuar rikanabizimin e vendit për efekt elektoral", shkruan Kryemadhi.

Ndërkohë ish deputeti Tritan Shehu e  ka quajtur idenë si “Kanabisi “mjekësor”, gjethja e “fikut” për “Republikën e Kanabisit!” “Kryeministri duhet të na thotë kush janë “specialistët” e huaj me cilin është këshilluar, që siç duket i përputhen interesat (se ata këtu i dimë se kush janë). E dëgjuam këtë “përkufizim” me 2015 nga po “specialistë”, perfundimin e pamë të gjithë: kanabizimi i vendit, forcimi ekstrem i krimit, kriminalizimi i institucioneve e përfshirja e plotë e tyre, trafiqe, terrorizimi i fshatarëve, me masakrimin e procesit të votimit me 2017!”-shprehej Shehu.  Sipas tij  duhet të kemi të qartë se përdorimi mjekësor i kanabisit është eksperimental, psh Italia e bën vetëm për kërkim shkencor në sasi shumë të vogla, të deleguar ushtrisë e pa asnjë peshë ekonomike.

Ekspertët

Ish-drejtuesi i policisë, Arben Hajdarmataj, shprehet se nuk është koha dhe kushtet që Shqipëria të legalizojë kanabisin për shkak të angazhimit të policisë për pandeminë.

“Ne jemi në një situatë pandemie ku policia e shtetit nuk është në efiçencën e saj maksimale. Hajdarmataj shprehet se ushtrimi i kultivimit të kanabisit nga disa individë mund ti hapë rrugë trafikimit të paligjshëm duke shfrytëzuar licencat e tyre. U krijohet mundësi disa njerëzve për tu licencuar, për të kryer këtë lloj aktiviteti.”, thotë ai.

Eksperti e sheh me shqetësim rikthimin e kultivimit të kanabisit duke kujtuar vitin 2016 ku Shqipëria u kanabizua.

“Hapet një shteg që realisht ti kthehemi vitit 2016.”

Ndër të tjera Hajdarmataj shprehet se idea e hedhur nga Rama në këtë kohë bëhet për të testuar reagimin publik si dhe për të tërhequr vëmendjen nga problemet e pandemisë. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH