Superiorja zhvilloi dy ndeshjet e fundit të javës së 16-të. Barazim 1-1 në “Arenën e Demave” ndërmjet Partizanit dhe Egnatias. Takimi nisi me mjaft intensitet, teska Cara “flirtoi” me golin që në minutën e gjashtë, por portieri i mohoi festën. Të kuqtë realizuan pas 33 minutash lojë, Mba ndëshkoi kundërshtarin me një goditje tokazi, në brendësi të zonës, duke mos i dhënë asnjë mundësi “gardianit” Dobjani.
Kampionët e Shqipërisë u futën në pjesën e dytë me shumë dëshirë. Ujka provoi me një goditje nga distanca në të 62-tën, por Qirko në vendin dhe kohën e duhur, i tha jo. Rrogozhinasit ia dolën që të vendosin ekuilibrat me një eurogol të Bakajokos në minutat e fundit.
Partizani pavarësisht barazimit kryeson kampionatin ndërsa Egnatia është në vendin e 3-të.
Trajneri Ernest Gjoka debuton me barazim në stolin e Skënderbeun, me ndeshjen e luajtur në Korçë ndaj Tiranës që përfundoi në barazim pa gola. Me këtë rezultat, korçarët renditen në vendin e nëntë, ndërsa bardheblutë e Maganit në vendin e shtatë.
Trajneri i Tiranës, Gugash Magani foli pas barazimit pa gola ndaj Skënderbeut:
“Në fakt për pozitat që janë dy skuadrat ne nuk na bëri punë kjo pikë. Tirana është skuadra kampion për barazime, me sistemin 3 pikë kjo të penalizon. Kemi bërë ndeshje të mirë në përgjithësi. Në pjesën e parë ishim më mirë ne me raste dhe lojë. Me pak kujdes mund të ndëshkonim kundërshtarin. Kishim përballë skuadër që pat ndryshuar trajnerin dhe në këto raste risku është pozitiv sepse lojtarët janë më të motivuar. Do ta quaj rezultat pozitiv. Porosia e skuadrës ka qenë nga humbja e penalltisë me Partizanin, që të futemi gjithçka për gjithçka, të marrim fitoren ose humbjen. Kështu si ka shkuar renditja, më mirë se për barazimin. Mos harrojmë që sot kishim mungesë të rëndësishme si ishte Dembele, por Mici ka bërë ndeshje të mirë.
Nuk e thashë është dramë barazimi. Pa mohuar meritat e Skënderbeut që kam shumë respekt, këtu ka qytetari dhe luhet futboll. Nëse do kishim fituar sot, do thoja kemi marrë 6 pikë, pavarësisht çfarë objektivash ka Tirana. Jemi në vështirësi”,- tha Magani.