Ish-presidenti Bamir Topi është pyetur për një revoltë të paprecedent dhe me ofendime nga më të paimagjinueshmet që ka nisur në rrjetet sociale që pas incidentit të ndodhur në Big Brother mes Jozit dhe Gjestit.
I pyetur nga moderatori Milaim Zeka, se përse shqiptarët janë kaq të zellshëm të protestojnë për këtë shuplakë në një “reality show” dhe të injorojnë problematika të mëdha të tjera që i prekin ata në jetën reale, Topi hodhi dyshime edhe te përfshirja e shërbimeve të huaja sekrete.
Ai tha se në kohët e sotme, një pjesë e madhe e luftës është përqëndruar te inteligjenca apo teknologjia. Ai ngriti dyshime se shumë nga profilet që komentojnë duke i fryrë përçarjes mes shqiptarëve në rrjetet sociale janë profile të dyshimta.
Topi tha se një shoqëri e nivelit të mesëm nuk do e shfaqte kurrë një sjellje të tillë, por theksoi nivelin e dobët kulturor të shoqërisë tonë, veçanërisht te brezi i ri.
“Unë nuk dëshiroj të futem në trajtimin e nivelit kulturor në shoqëri dhe specifikisht te brezi i ri. Edhe në portale, duket sikur janë shumë, por janë në fakt pak njerëz me emra të çuditshëm, dhe profesionstë. Niveli i shoqërisë është i rëndë, dhe kam bindjen se niveli i mesëm nuk do i frynte kësaj përçarjeje. Por janë falanga, janë falanga që paguhen nga kjo punë. Janë shërbime sekrete. Sot lufta bëhet në inteligjencë. Për turpin e tyre, kemi parë edhe shqiptarë, që flasin shqip, në këto shërbime sekrete”, tha Bamir Topi në emisionin “Zona Zero”.