“Verdha e Gjalpit” – Ngjyra e Re që po Pushton Modën
Nga pasarelat e Parisit deri në raftet e dyqaneve të përditshme, një ngjyrë e butë, e ndritshme dhe elegante po dominon sezonin pranverë/verë 2025: verdha e gjalpit. E përshkruar si e ngrohtë, optimiste dhe neutrale e re, kjo nuancë po shfaqet gjithkund – në manikyr, veshje, çanta dhe bizhuteri.
Në dyqanin e njohur londinez Selfridges, ngjyra ka pushtuar koleksionet, duke përfshirë çantën “fortune croissant” nga Lemaire dhe pulovrat prej kaşmiri nga Khaite. Laurie Field, menaxhere e blerjeve, thotë se verdha e gjalpit është "e lehtë për t’u veshur, e përshtatshme për çdo ton lëkure dhe kombinon shkëlqyeshëm me klasikët si xhinsi blu dhe e zeza".
Edhe gjigandi i modës së përditshme Uniqlo, nën drejtimin e dizajneres Clare Waight Keller (ish-Givenchy dhe Chloé), ka sjellë këtë ngjyrë në bluza polo, xhaketa UV dhe rroba të brendshme me stil. Sipas Keller, puna në Uniqlo ka hapur dyert për eksplorimin e teknologjisë së re të tekstileve dhe materialeve, ku ngjyra luan një rol qendror.
Në skenën e haute couture, stilistja australiane Tamara Ralph e vlerëson verdhën e gjalpit si "një ngjyrë që sjell gëzim, por me një elegancë të heshtur". Fustanet e saj me pupla struci dhe taffeta të lehta të kësaj ngjyre janë veshur nga emra të mëdhenj si Bella Hadid dhe Priyanka Chopra.
Ngjyra është gjithashtu duke u përdorur në bizhuteri artistike. Stilistja Cora Sheibani po eksperimenton me citrine dhe gurë të rrallë si Sphalerite – që ka pamje si dielli – për të krijuar vepra unike me tone të verdha të ngrohta.
Një valë në vend të një rryme të qetë
Ndryshe nga mënyra tradicionale e përhapjes së trendeve nga sfilatat tek rruga, verdha e gjalpit po përhapet me ritëm të shpejtë. Sipas ekspertëve të industrisë, ngjyra është përzgjedhur dhe planifikuar që më shumë se tre vjet më parë nga prodhuesit e stofrave dhe ngjyrave në panaire si Première Vision në Paris.
Fuqinë e trendit e përforcojnë edhe personazhet e famshëm. Aktori Timothée Chalamet shkëlqeu në një kostum të verdhë gjalpë në Oscar, i ndjekur nga ikonat e stilit si Rihanna, Sabrina Carpenter dhe Hailey Bieber.
E thjeshtë për t’u përqafuar, por me ndikim të madh vizual, kjo ngjyrë është një mënyrë e lehtë për të larguar bezhën dhe të futur ngjyrën në përditshmëri. Një mënyrë elegante për të thënë “po” ndryshimit – si një rreze dielli në garderobë.