Shpata e Damokleut
Të gjitha shfaqjet e revolucionit kulturor (lexo antikulturor) kinez u
importuan në Shqipëri për kënaqësinë e thellë të atij që zbulon se ka nëpër
duar një drogë kolektive. Makbethi kishte vrarë gjumin e vet, Enver Hoxha
do të vriste gjumin e të tjerëve. Në fillim të viteve ‘70 ai drejtoi mërinë e
tij kundër Festivalit XI të Këngës në Radio. Me pretekstin se i ishte lënë
shteg borgjezimit të muzikës se realizmit socialist, shkarkoi, përjashtoi nga
partia dhe arrestoi dy anëtarë të Komitetit Qendror, Fadil Paçramin dhe
Todi Lubonjën.
Mbas tyre, duke u ngjitur me lart në hierarkinë e aparatit të propagandës,
ishte Ramiz Alia, që drejtonte sektorin ideologjik të partisë. Shpëtoi për një
qime; u fol në sajë të ndërhyrjes së të shoqes së Hoxhës, Nexhmijes. Në
qe kjo një e mirë për popullin shqiptar, do të mund të thuhet vetëm në të
ardhmen. Fakti është se më vonë, ndër ditët tona, do të ishte Ramiz Alia në
krye të partisë kur do të verifikoheshin manifestimet në sheshet e qyteteve
dhe do të zinte fill lëvizja e studentëve për demokraci.
Ekonomia nuk po e kapte veten. Për të mos pranuar se kjo gjë ishte e
lidhur me efektet dëmsjellëse të regjimit, edhe në këtë rast u gjend kush
duhet të shkonte për dhjamë qeni. U takoi Abdyl Këllezit, anëtar i Byrosë
Politike, nënkryeministër dhe ministër i financave; Koço Theodhosit, anëtar i Komitetit Qendror dhe ministër i Industrisë e Minierave dhe shumë drejtuesve të tjerë të institucioneve ekonomike. Edhe ushtria nuk ishte më një garanci për klasën drejtuese. Ishin shumë, pak si tepër, ata oficerë që kishin studiuar nëpër shkollat dhe akademitë ushtarake të BRSS -se.
Prandaj edhe në radhët e ushtrisë ra sëpata e diktaturës se proletariatit, dhe u ekzekutuan Beqir Balluku, anëtar i Byrosë Politike, nënkryeministër dhe ministër i Mbrojtjes, gjenerali Petrit Dume, anëtar i Komitetit Qendror, zëvendësministër i Mbrojtjes, gjenerali Hito Çako, drejtor i Drejtorisë Politike të ushtrisë, si dhe u arrestuan dhjetëra gjeneralë e oficerë të tjerë. Këto masa drastike u paraqitën si një përgjigje e Partisë ndaj komplotit të organizuar nga armiqtë e socializmit në lëmin e kulturës, të ekonomisë dhe ushtrisë.
Për njëfarë kohë Enver Hoxha nuk do ta ndjente më instinktin e hakmarrjes.
Në të gjitha sferat e sektorët e jetës politike dhe shoqërore, duke përjashtuar anëtarët e Byrosë Politike, shkoi me tej nivelimi i vlerave. Të gjithë duhej të bënin një muaj punë fizike me një pagë që të mos e rëndonte më shtetin por që, në teori, të ishte e lidhur me aftësinë prodhuese. Kjo gjë, u tha, bëhej për të mos i humbur lidhjet me klasën punëtore. Kallot e duarve, qofshin ato në duart e një ministri apo të një violinisti, do t’i shërbenin çështjes së socializmit. Nuk kishte rëndësi që ky muaj u kthye në një periudhë pushimesh suplementare në kurriz të ndërmarrjeve dhe të kooperativave bujqësore, të cilat paguanin për një punë që nuk kryhej.
Në vitin 1966 Fronti Demokratik (në të vërtetë Komiteti Qendror i PPSH - së) u drejtoi një thirrje kuadrove shtetërore për të lënë qytetin “vullnetarisht” dhe për të shkuar në fshatra, ku do të kontribuonin për zhvillimin e tyre. Mbas periudhës se parë fillestare vullnetare (natyrisht që të gjithë e ngritën dorën në shenjë miratimi), qe partia ajo që caktonte kush duhej të linte qytetin dhe, në shumë raste, bashkë me familjen. Kjo qe një mënyrë tjetër për të larguar nga vendet me përgjegjësi të gjithë ata që kishin prirje të mendonin më tepër nga ç’lejohej.
Lufta kundër burokratizmit, kësaj sëmundjeje të Shqipërisë, njohu disa faza. Por gjithmonë mbas çdo vale “reformash”, aparati administrativ rritej edhe më shumë. Këto spastrime, edhe pse hera-herë nuk kishin karakter politik (edhe pse të parët për t’u larguar do të ishin ata që kishin ndonjë “njollë në biografi”) kishin për qëllim ta bënin më të zhdërvjellët administratën shtetërore por kjo fryhej përsëri, në emër të një shpërndarjeje më të mençur të përgjegjësive. Nuk ishte pra pasojë e vullnetit për të shëruar një organizëm të sëmurë.
Qëllimi i vërtetë i këtyre “reformave” ishte të mbahej gjallë pasiguria. Qarkullimi i kuadrove mund të prekte këdo. Shpata e Damokleut kishte gjetur vend tek arsenalet e Hoxhës. Partia, zyrtarisht, shqetësohej dhe bënte punën e saj për të shmangur borgjezimin e nëpunësve të shtetit.
*Shkëputur nga “Shqipëria, ankthi dhe ëndrra”, me autor Amik Kasoruho, botuar në 2012-ën nga shtëpia botuese UETPRESS