Nga Fatbardh Rustemi
Dikur, kur binte Shi me Diell, thoshin se martoheshin arixheshkat, ndërsa në Shi me Baltë, lerosur e djallosur, si: vrasësit gjakftohtë me makinë luksoze dhe “Priftrinj të heshtur që luten në zot”, nuk i shpëtojnë përlyerjes. Mall realitet gri a një qytet në smog. “Një qytet i tërë nën këtë shi balte,/Mu kur mendonte se s`kishte më baltë,/Të gjithë bërë pis nga koka në këmbë/ Shikojnë të çuditur kush i ndyn nga lart.” Që ky qytet rrezikon të bëhet i pajetueshëm shkaku duhet kërkuar tek baltosja, që vjen nga lart. “Mëhalla ime është një çmendinë e vërtetë/Ku të gjallët flasin me ata që kanë ikur./Këta që kanë mbetur nuk kanë më jetë,/As ndonjë histori për t`u ditur.” (Në qytetin tim, Lushnje, ka patur dy fabrika tullash, e vjetra e diktaturës dhe e reja e demokracisë, të dyja përfunduan në skrap. Me sa duket, lënda e parë, balta, i duhej politikës, në origjinë të së cilës është shtëpia prej balte e partisë.)
Përgjatë leximit të librit poetik të Meros, mu kujtua ky episod i rrëfyer prej tij, kohë më parë: “Një djalë i vetëm nga vendlindja ime pati një goditje cerebrale. Familjarët e tij nuk njihnin asnjë dhe më kërkojnë t`i ndihmoja. Mjeku më tha se nëse për dy orë nuk i bëjmë ndërhyrje, me aparatin të cilin e ka vetëm Spitali Amerikan, ai do të vdesë...I thashë ta çojë tek Spitali Amerikan se do flas unë me ta, pa e ditur fare sa kushton. Më pas mora vesh çmimin që tani e dimë të gjithë, që ishte shokues. Nuk u thashë gjë familjarëve, por mu desh të bëja disa kontrata afatgjatë me spitalin, për shlyerjen e tij.” Këtë mund ta bëjë vetëm një poet, thashë me vete, pa e ditur që gazetari i mirënjohur shkruante dhe poezi. Nëse në këtë ese u krijohet përshtypjen, sikur po dua ta pastroj autorin nga balta e hedhur nga lart, e pranoj si tendencë dhe do ndjehem i komplementuar, sikurse ata që pastrojnë oxhakët nga bloza e ligësive. Energjia pozitive, sikurse e thotë dhe ky varg i poetit: “T'i bëja ato të ndiheshin të bukura pa shkak”, i duhet realiteti tonë të helmatisur.
Në parathënie të librit “Viti `97”, jo pa jehonë, gazetari Baze shkruan: “Brenda këtij rrëfimi mos prisni ndonjë gjyq, pasi unë dëshmoj për veten time dhe jo për të tjerët. Megjithëse nuk jam fajtor, unë jam pjesë e përgjegjësisë në shumë nga këto histori, për aq përgjegjësi sa mund të ketë një gazetar dhe mik i afërt, në disa çaste dhe i vetmi, i njeriut që i kishte-dhe që iu shkërrmoqën sakaq-të gjitha pushtetet në këtë vend.... Në këtë vështrim, mund të quhet një kontribut gazetaresk i vonuar, për të kompesuar të gjitha borxhet që i kam profesionit nga koha kur kaloja me lehtësi nga gazetar në protagonist të nxitjes dhe zhvillimit të shumë prej ngjarjeve që po i kushtojnë ende Shqipërisë.” Poeti, sikurse zbulon faje a mëkate tek të tjerët, nuk ia fsheh ato as vetes, shprehur kaq bukur në vargjet e poezisë “Atdheut”: “Të duash Atdheun duhet të jesh burrë/Që gëlltit lotët para të vërtetave”? Kush prej fajtorëve të “Vitit të mbrapshtë të `97-ës” i ka pranuar fajet, se lot s`ndodh të shihni në fytyrat e tyre? Nuk është rastësi, që, ndjesa ndodh tek një poet. “Ndonëse i mënjanuar, Lasgush Poradeci, e quante veten njeriu kryesor i Shqipërisë, pra, përgjegjës për gjithçka që ndodhte në vend.”-shkruan Kadare për poetin, që e llogarisnin tek të vdekurit. Këto ndjenja sovrane për veten e manifestojnë vetëm ata me vetëdijë të lartë për rolin që i caktojnë vetes në fatet e Atdheut. Detyra jepet, ndërsa misioni një marrveshje me veten. (Lexoni monografinë “Rebeli” të Ilir Ikonomit, fragmentin e mospranimit të Nolit në Atdhe nga qeveria e kohës, kur, falë rolit të tij kyç: Shqipëria u njoh në Lidhjen e Kombeve. I vetëm bëri më shumë nga një qeveri e tërë. “Zotërit e tyre u trembën nga drita elektrike se mos zhdukte dritën e pishtarit.”-shkruhet në gazetën “Dielli” për Nolin. Pavarësisht ngjyrës ua kemi parë hajrin pishtarëve.)
Ata që kanë shkruar më shumë për Atdheun janë Rilindasit, të cilët e idealizuan, atëherë kur na e kishin zaptuar vatanin. Kur e bëmë tonin, aq sa na e lejuan ndërkombëtarët, i ra shenjtëria: ngaqë shkëlqimin po e pretendonte Kurora Mbretërore dhe poetëve u bëhej thirrje për gazmendje. Në socializëm Atdheu i fitoreve u vu në qendër të artit, duke u perceptuar si një kështjellë të pamposhtur, madje si i vetmi në botë, ku ia vlente të jetoje, pavarësisht se borsalino e udhëheqësit po përngjante me kurorën hyjnore të ikonave. Në demokraci imazhi i atdheut ra për tokë, “si një lis i rrëzuem përdhe”, ku gjithkush u turr ta plaçkiste dhe politikanët për hir të pushteti gati e hodhën në greminë. Pikërisht për këtë Atdhe shkruan Mero Baze, me vargje disi “vetëvrasëse” për poetin, por që në fakt, kanë efekt të kundërt: “Mos e lini Atdheun ta vizatojnë poetët/Ata s`kanë mëshirë për të”, kur të pamëshirshmit ai i ka denoncuar në publicistikën e tij, sikurse dhe në librin “Viti `97”. Lë rast të keqkuptohet, sikurse heq çdo dyshim në vargjet që pasojnë: “Dikush e do të bukur, shtatëlartë,/Tjetri një hero që armiqtë përzë.” Sikurse: një tjetër e do si kalë të drobitur, që tërheq karron e halleve, dhe një tjetër: fisnikë, të ndershëm, të mençur, dikush partizan që të ketë vrarë gjermanë e ballistë, një tjetër mercenar e të mos ketë qenë komunist. (“Shqipëria u bë, por jo ashtu siç e desha unë.”-do shkruaj një patriot në murin e shtëpisë. Ndoshta dhe Noli do shkruante të njëjtën gjë.) Atdheu ka vend për të gjithë, por, secili e do për vete. Dashuria ndaj Atdhet, sado të madhe që ta kesh, nuk funksionon: nëse nuk do tjetrin, pavarësisht se s`ndan të njëjta mendime me të. Ndaj: “Ta duash është heroizëm i vërtetë,/Ata duan një atdhe që s`është i yni.”-ngaqë mbi flamurin kombëtar shpesh vihet ai partiak, ngaqë hija e etërve ndikon tek të gjallët, kështu që Atdheu i poetëve nuk përkon me interesat e secilit veç e veç. (Plejada e poetëve nuk është sh.p.k) “Të duash këtë Atdhe është torturë,/Duhet të duash njerëz që s`janë heronj”, sikurse: “S`ka më shkrimtarë që vriten për fjalën.” Dozat e ironisë kalojnë në sarkazëm, kur shkruan se në vend të Sekretarit të Parë është “Vëllai i madh”, “big brother-i” që di gjithçka. Dhe në fund shtron pyetjen hamletiane: “E vramë ne atë, apo ai na ka vrarë?”, duke na kujtuar këngën e kapedanëve të novelës së Kadaresë “Viti i mbrapshtë”: “Për Xhenet u nisëm, sosëm në Xhehnem/Shqipëri moj kuçkë ç’na bërë verem!” Dihet që vrasësit e Atdheut janë tradhëtarët, ndërsa viktima apostujt e tij. Atdheu duke qenë shtëpia jonë e përbashkët, duhet të jetë një vend i jetueshëm për të gjithë, si për atë që jeton në vila luksoze dhe atë tjetrin në një apartament të thjeshtë, ku diferencimi shoqëror të mos kthehet në një hendek, që përfundon në llogore.
Poeti shpesh u bie këmbanave të mallit, ku e para është nëna, e cila, në pritje të djalit: ruan verigen e rrushit nga zogjtë. Vargje si këto, sikurse çasti i ndarjes me nënën, hasen rrallë: “Ah, sikur të isha nën kapakët e syve,/Të shihja ç`ia mbante gjallë dritën që s`e fikte.” Nga një “ah” si ky krijohet këmbana e mallit. Edhe tek poezia “I gënjeva djemtë” për vendlindjen nga frika mos e humbnin nga tmerri, duke u folur për një lumë që kurrë s`turbullohej, shfaq pendesën: “Gënjeva djemtë të mos ndihesha i mundur/Nga një fëmijëri që nuk e pata vetë.” Këto poezi, shto dhe ato për babanë, pavarësisht se i përkasin rrethit familjar, realisht e familjarizojnë lexuesin me autorin e librit, duke e zgjeruar rrethin e interesimit, ngaqë gjejnë aty veten. I mësuar të vëzhgojë, të shoh përtej fakteve, të ngrihet mbi të rëndomtën, sikurse shkruan për urën e Peshtanit, madje dhe një kontributor i saj, mesazhi i tretur në vargje përcillet si një komunikim shpirtëror: “Kur s`kish urë njerëzit s`e kishin frikë lumin,/Por bregun e panjohur dhe shtëpitë përballë./Ndaj duhet bërë kjo urë, të ndalet ai makth/...Nga e panjohura që përtej urës të pret”, si kusar, po shtoj unë. Edhe pse bota i ka shtuar mjetet e komunikimit, paradoksalisht: të vetmuarit shtohen, ku dashurive toksore po e zbehet tërheqja emocionale dhe për kompesim, po flirtojnë me universin. “Ata që ikën s`kish gjë për të lënë,/Ata që mbetën kanë frikë Lirinë.”-shkruan tek poezia “Zbrasja e burgut”. Për çudi zbrasja e burgjeve u shoqërua me zbarsjen e fshatrave, me braktisjen e vendlindjes dhe atdheut.
Për të kuptuar se si kanë ndryshuar kohërat, mjafton të krahasojmë filmin e kinostudjos “I teti në bronx”, dëshmori i kthyer në fshat si bust me poezinë e Meros kushtuar poetit Xhagjika i pushkatuar në diktaturë: “E prura mbi një gur në shtëpinë e tij,/Te lëmi që i feksi në mend para plumbit.../ E solla këtu, larg vrasësve të tij/Sido që s`i njoh vrasësit e vërtetë./Le të jetë larg vrasësve të rinj/Që vrasin fjalën të mos ketë poetë.” (Vetëm në art gjen vrasës pa pagesë, të tillë që vrasin fjalën, si e si të mos ketë poet.) Mero Baze nuk mjaftohet vetëm duke i ngritur bustin, a duke i kushtuar poezi, por ai investigon dhe dosjen e Trifon Xhagjikës, duke hedhur dritë në natyrën e sinqertë të poetit. “Nga i gjithë grupi, Trifon Xhagjika ishte pro-Perëndimor, kurse pjesa tjetër pro-Ruse. Kjo ka qenë vijë ndarëse mes tyre deri në fund...Ndërkohë dy kokat kryesore të grupit, Vangjel Lesho dhe Fadil Kokomani, edhe pse i kanë premtuar atij, se do të arratiseshin bashkë, dy herë që tentuan të arratisen, përfshi dhe herën që u arrestuan, nuk e morën atë me vete.” Poeti u shit, duke u besuar. Edhe poezia kushtuar Sokol Olldashit të duket si një vazhdim i asaj për Trifon Xhagjikën: “Shpikëm ikjen tënde, kur të kishim zbuar/...Shpikim sherre që me ty s`i kemi bërë,/Shpikim vese që ndoshta nuk i kishe.../Trëmbemi të themi vërtetë si ishe,/Trembemi të themi ç`ishe vërtetë?” Nga se vjen kjo trembje? Ngaqë ka vrasës të rinj, që vrasin fjalën, që të mos ketë poet.
Edhe cikli i poezive erotike i shton ngjyra portretit të autorit, ku ndjenjat e sinqerta shprehen me inteligjencë, dallueshëm kjo tek poezia “Makthi i dashurisë së fundit”: “Druaj se s`kam ç`të të jap ty,/Fjalët i kam mbaruar me vajza të tjera.../Disa i përdora të ndihesha i fortë/Kur dikush që e doja ishte larg” apo vargjet: “Unë nuk të shoh, se të fsheh gjithkund, /Ti nuk më sheh, se më merr me vete”, ndërsa ne i shohim të gjitha, sepse autori si në publicistikë dhe në poezi është i qartë. Beteja e “dritës elektrike” me “pishtarin” apo “bishtukun” është e pranishme më së shumti në art. Nëse do t`i jepnim një pamje vizuale poezisë së tij, do na e bënin të dukshme vargje e poezisë “Kulpra”. (Kulpra, është një bimë përdredhëse, kacavjerrëse, e njohur si bimë e çuditshme që largon toksinat dhe dhimbjet, për të cilën ka disa epitete, si gjilpëra e djallit të mallkuar, streha e një virgjëreshe, etj.) “Përdredhur pas pemëve të larta buzë greminës,/Si gjarpër i frikshëm që s`dihet se ç`gjah kërkon/Askush s`ia merr vesh këtë rritje tinëz/Veç meje që me absurditetin e saj më mundon./Rritet natën, kur asnjëri s`ia heton ëndrrën,/Me shpresën se majën një ditë e mbërrin,/Dashurohet e dashurohet me të pamundurën/Përbuz gjithkënd që gjeti dashurinë.” Vargje të tilla, zakonisht komenti i prish. Gjithsesi ky tinzarllëk i ngjitjes për të kapur majat, kacavjerrur pas të tjerëve, na sjell në mend sa e sa nga ata, që i kemi parë poshtë vetes veç kur na janë shfaqur në krye. Kjo rritje tinëz s`mund t`i shpëtojë syrit të mprehtë të gazetarit dhe kur qëllon të jetë dhe poet e bën të dallueshëm dhe për të tjerët.
Gjeologu Baze në vend të zbulonte pasuritë e vendit, sikurse ia diktonte profesioni i hershëm, zbulon thesaret e veta, si në publicistikë dhe në poezi. (Italianët gjetën një mënyrë praktike në zbulimin e pasurive minerare. Ata u jepni barinjëve gurë mineralësh dhe u thoshin, nëse gjenin një të ngjashëm, t`i informonin. Inxhinieri i gjeologjisë ka në libër disa poezi kushtuar minatorëve: “Shpateve ku jeta rrugën ka harruar”, duke mos rresht së ofruari gurë të çmuar, falë talentit të tij.) Nëse kariera e gjeologut nis nga minatorët kjo e shkrimtarit, publicistit përfundon tek bukinisti, të cilit i kushton dhe atij një poezi, jo pa nëntekst. Fundja, i njeh misteret e nëntokës apo botës së nëndheshme. Bukinisti: “Di për qytetin më shumë se çdo polic/Më shumë se çdo historian a gazetar./E di saktësisht se kush ka vdekur këtë javë/Apo kush apartament të ri ka marrë.../Di sa lexojnë drejtorët, ministrat, deputetët/Sheh se si gratë rrallojnë librat në shtëpi”, por më shumë e trishtojnë librat, që autori ka thënë me dedikim. Shiu i poezive, a do e pastrojë baltën e hedhur ndaj gazetarit? Tek disa autorë, libri, veç të tjerave: shërben dhe si një katarsis. Unë kam bindjen se një libër i mirë, bindshëm në lartësinë e nivelit të tij, kuron dhe imazhin e autorit. Ky libër u jep një shans dhe baltosësve...