Nga Dr. Stephanie Schwandner-Sievers
Me këtë vëllim, intelektuali publik dhe gazetari i mirënjohur kosovar, Migjen Kelmendi, prezenton shkrimet e tij të përzgjedhura që kanë të bëjnë me luftën e vitit 1999, shtetndërtimin dhe identitetin e shtetit të Kosovës. Ky ‘manual për përdorimin e shtetit qytetar’ përbën një apel për një shtet-komb laik bazuar në vlerat qytetare dhe, si i tillë, pjesë e Europës bashkëkohore.
“Sekularizmi” këtu nuk i referohet vetëm besimeve themelore, por qëndron në kontrast me përcaktimin etnik te një shteti-komb, i ndërtuar mbi atë që sociologu britanik Anthony Smith shpjegoi si nacionalizëm i rrënjosur në “fenë politike”. Kjo nuk duhet të ngatërrohet me propozimin e Pashko Vasës të vitit 1878 që, “Mos shikoni kisha e xhamia, Feja e shqiptarit asht shqiptaria!” – një direktivë pragmatike, ideologjike që synon kapërcimin e diversitetit fetar dhe ndërtimin e legjitimitetit të përcaktuar etnikisht për një shtet-komb të ardhshëm, asokohe ende në zhvillim. Sipas Smith, nacionalizmi si një ‘fe politike’ mbështetet në mite dhe heronj që mund të justifikojnë të drejtat etnikisht përjashtuese dhe të propagandojnë vlerat militante, duke na bërë të kuptojmë kështu, se ka një kontrast të plotë me perëndimin e pas Luftës së Dytë Botërore, duke përfshirë ideologjinë dhe idealet e vlerat liberale integrative europiane të nacionalizmit qytetar dhe paqes.
Natyrisht, edhe shtetet-kombe të fuqishme bashkëkohore perëndimore kanë pasur gjithmonë ritualet dhe mitet e tyre të shenjta – jo më pak siç ilustrohet nga kurorëzimi i stilit britanik i mbretit Charles i III-të pikërisht në kohën e shkrimit (megjithëse bëjnë përpjekje të mëdha për të mos e bërë të duket si atavizëm nga historia e gjatë e kaluar, dhe për t’u lidhur me aspiratat inkluduese, multietnike të nacionalizmit bashkëkohor qytetar të Britanisë së Madhe).
Demokracitë moderne, liberale dhe përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara dhe Francës në dokumentet e tyre themelore të shekullit të 18-të, bazoheshin në idealet nacionaliste qytetare, në ritualet e shenjta që i përkasin identitetit kombëtar - p.sh. rreth flamurit kombëtar - e cila mund gjendet edhe këtu. Europa mësoi për rreziqet që lindin nga nacionalizmi si fe politike nga rasti gjerman. Konstruktet romantike Herderiane të identitetit kombëtar të vendit në shekullin e 19-të dhe roli i tyre si themelues i legjitimitetit dhe identitetit shtetëror pati një ndikim të thellë dhe të zgjatur ne mit-historitë dhe në konstrukcionet e identitetit kombëtar, duke përfshi edhe historiografinë, në Europën Juglindore. Në mënyrë tipike, këto konstrukte përfshijnë mitet e primordializmit, të vazhdimësisë etno-kombëtare që nga kohërat e lashta (shumë përpara ekzistencës së shtetit-komb si sistem rendi gjeopolitik) dhe të unitetit kulturor dhe atij gjuhësor.
Në rastin e Gjermanisë naziste, studiues të tillë si Kurlander ilustruan ekseset e një sistemi të tillë besimi. Analiza e tij kritike e panteonit të dikurshëm romantik, të heronjve dhe miteve të Gjermanisë, siç propagandohej në mënyrë specifike nga nazistët, duke përfshirë paganizmin ario-gjerman dhe një magjepsje me praktikat okulte, zbulon se si fetë zëvendësuese mund të veprojnë si pararendëse ideologjike ndaj dhunës, madje edhe vrasjes - në rastin në fjalë të organizuar në një shkallë masive. Në SHBA sot, skajet ezoterike të shoqërisë si ‘QAnon’, të lidhura me ideologjinë e krahut të djathtë dhe dhunën që vjen nga armëmbajtja, shfaqin sisteme të ngjashme besimi shqetësues. Për Gjermaninë, ishte pikërisht heqja dorë nga përgjegjësia për Holokaustin pas Luftës së Dytë Botërore, ajo që, siç sugjeroi dikur historiani Hoepken, i dha fund çdo konstrukti romantik, etno-kombëtar, miti-historik të identitetit të saj shtetëror dhe një zhvendosje në shekullin e 21-të tek idealet liberale-integruese të shtetësisë të bazuara në qytetarinë multikulturore dhe multietnike si premtimi i vetëm për paqe të qëndrueshme.
Shkrimet e zgjedhura të Kelmendit të paraqitura në këtë vëllim përbëjnë një dokumentim historik të procesit ideologjik të shtet-ndërtimit të Kosovës të pasluftës nën tutelën ndërkombëtare deri në shpalljen e pavarësisë së vendit në vitin 2008. Ato gjurmojnë e paraqesin në mënyrë kritike ‘fenë politike’ të Kosovës të asaj kohe përmes mënyrave në të cilat ata sfiduan ideologjinë kryesore militante, heronjtë etno-nacionalistë dhe konstruktet e miteve përjashtuese. Ata gjithashtu në mënyrë kritike, dhe pa dyshim në mënyrë të guximshme për atë kohë, identifikuan mënyrat në të cilat konstrukte të tilla mitesh, shpesh shërbenin për të shkëputur vëmendjen nga interesat e pushtetit të politikanëve kryesorë dhe korrupsioni i rrënjosur thelle. Si vëzhgues dhe analist kritik, Kelmendi ndoqi njëkohësisht edhe përpjekjet e Komunitetit Ndërkombëtar për të rithemeluar një shtet, komunitet dhe shoqëri pas luftës.
Shumica e shkrimeve të zgjedhura janë marrë nga Gazeta Java, një gazetë javore e shtypur në gegnisht, të cilën Kelmendi e themeloi në 1 dhjetor 2001, që tani e tutje shërben si kryeredaktor i saj (deri në kalimin në Rrokum TV në 2008, televizioni i parë që transmeton në gegnisht në Kosovë). Gazeta Java synoi të sigurojë një platformë liberale, të hapur për perspektiva dhe narrativa të ndryshme, duke u dhënë zë kontribuuesve nga i gjithë spektri politik. Në vitin 2006, ‘Reporterët pa Kufij’ i dha gazetës së tij Çmimin e Lirisë së Shtypit – Sinjali për Europën, duke njohur kështu guximin intelektual dhe civil për nisjen e siparit të debateve sfiduese.
Publikimet e Kelmendit parashikonin një identitet kombëtar qytetar në një kohë kur kjo ishte ende e paimagjinueshme brenda vendit. Ai ngriti dy debate që më parë ishin tabu: së pari, ai pyeti “kush është Kosovari?”, duke vënë kështu përballë përkufizimin etnik shqiptar dhe serb me konceptualizimin qytetar të Komunitetit Ndërkombëtar; dhe, së dyti, duke botuar Gazetën Java - si gazetën e parë në dialektin vendas atë geg - ai theu standardin etno-kombëtar shqiptar të vitit 1972, duke sfiduar kështu solidaritetin etno-nacionalist shqiptar dhe duke kontribuar në idenë e një identitet të dallueshëm kombëtar gjuhësor kosovar.
Gjatë dhe shumë kohë pas luftës, ai rrezikoi të cilësohej si “armik publik”. Seria e tij e reflektimeve të pasluftës mbi procesin e shtetndërtimit dhe identitetin e shtetit të ri shtroi pyetje të rëndësishme për shoqërinë përpara se të vinte koha për ato çështje. Për shembull, Kelmendi parashikoi normalizimin e qasjes ndaj flamurit të ri të Kosovës për simbolikën e tij europiane që nënkupton një shtet qytetar, në një kohë kur zëvendësimi i besnikërisë ndaj flamurit etno-kombëtar shqiptar dukej si tradhti dhe ende denoncohej gjerësisht si një imponim ndërkombëtar, por megjithatë kjo qasje është tejkaluar dhe i përket një normaliteti të ri prej kohësh tashmë. Pas ngjarjeve të marsit 2004, kur thashethemet e rreme për mbytjen e tre djemve shqiptarë çuan në dhunë etnike dhe dëbime kundër pjesëtarëve të komunitetit serb, figurat publike të Kosovës mbetën kryesisht të heshtur. ‘Java’, me frymën editoriale të Kelmendit, ishte e vetmja media që mbajti qëndrim, duke mbrojtur një shtet qytetar jo të bazuar në dallimet etnike dhe ku të drejtat janë njësoj për të gjithë.
Megjithatë, Kelmendi nuk e lë as komunitetin ndërkombëtar jashtë kritikës. Shkrimet e tij të hershme e të çmuara, të pasluftës përfshijnë kritika të tilla se si paraqitja statistikore e viktimizimit si pasoje e luftës në mediat ndërkombëtare e bënte më të pranueshme dhe nuk i jepte zë përvojës dhe traumës së luftës lokale.
Megjithatë, kryesisht, shkrimet e mbledhura këtu ofrojnë një thesar të depërtimit kritik nga brenda betejave për ndërtimin e shtetit dhe identitetit pas luftës së 1999-ës. Kontrasti ideologjik midis një shteti-komb qytetar (ose laik) dhe një shteti-komb etnik (ose të shenjtë), natyrisht, qëndron në zemër të skenarëve konfliktualë për rrugët më të mira drejt njohjes, përparimit dhe stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë të Kosovës. Kelmendi mban qëndrim të qartë (dhe, deri më sot, parashikimet e shkrimeve të tij të mëparshme kryesisht janë realizuar): vetëm shteti qytetar është e ardhmja, pasi “Kosova është një fjalë tjetër për Europën”.
Shkrimet e tij zbulojnë betejat për atë që Lemay-Hébert e përshkroi si një ‘dyshim’ midis një procesi shtet-ndërtimi dhe një procesi të ndërtimit të kombit – me të parën të udhëhequr nga master narrativa bashkëkohore europiane e një shteti qytetar, multietnik dhe të dytën nga politika e brendshme nacionaliste. Rëndësia e shkrimeve të Kelmendit në këtë mënyrë tejkalon rastin studimor të Kosovarit dhe dikush do të shpresonte që ato të mund të viheshin në dispozicion në një moment të caktuar, të përkthyera në anglisht, një publiku më të gjerë. Për sa kohë që shtetet-komb mbeten parimi kryesor organizativ i botës bashkëkohore, betejat për ekuilibrin e duhur midis këtyre dy fijeve, ideve qytetare dhe ‘fetare’ për kohezionin kombëtar, do të vazhdojnë kudo.
*Profesore e Asociuar e Antropologjisë së Aplikuar
Universiteti Bournemouth, MB