Pogradeci është qyteti i radhës ku do të promovohet vëllimi i dytë i biografisë së Fan Nolit, me autor studiuesin Ilir Ikonomi. Nën kujdesin e Komisionit Organizator dhe shtëpisë botuese UETPRESS, Ikonomi do të zhvillojë një bashkëbisedim me lexues, figura të historisë dhe letërsisë së qytetit, duke ndarë më shumë mbi gjithë procesin e kërkimit dhe përzgjedhjes së dokumenteve arkivore, për të sjellë të gjitha dritë-hijet e një figure shumëdimensionale.
Takimi do të zhvillohet ditën e shtunë, datë 5 prill, ora 11:00 në sallën e katit të dytë të Hotel Hymeti's Palace, Pogradec.
Viti 2025-të shënon 60-vjetorin e ndarjes nga jeta të Fan Nolit, një figurë e rëndësishme për shqiptarët, një intelektual, politikan, përkthyes, veprimtar. Librat e Ilir Ikonomit nxjerrin më qartë këto dimensione, të vendosura në kontekstin e asaj kohe aspak të lehtë, dhe të dokumentuara përmes shkrimeve të gazetave të kohës, letrave, shkëmbimeve etj.
Gazetari dhe studiuesi Ilir Ikonomi, i njohur për sjelljen e biografive të disa personazheve të historisë së Shqipërisë me shtëpinë botuese UETPRESS, botoi në 2023-in biografinë e parë për Fan Nolin me titullin “Apostulli”.
Në të ai ttrajton 11 vitet e jetës së Nolit pas mbërritjes në SHBA, vështirësitë që hasi, edukimin që ndoqi, mbështetjen që mori, si një i ri plot ëndrra dhe ambicie.
“Në këtë vëllim të parë të jetëshkrimit, lexuesi do të ketë rast ta njohë Nolin me pasionet, ambiciet, egon, rrëmbimin, oratorinë, inatet dhe cilësitë e tjera që kanë ose nuk kanë vdekatarët e kësaj bote. Jam përpjekur të dokumentoj me saktësi çdo akt, fjalim, shkrim dhe gjithçka tjetër që lidhet me Nolin e me epokën e tij, në mënyrë që të shuhen dyshimet për subjektivizëm dhe që filmi të jetë i plotë e i paprerë”, shkruan autori në parathënien e “Apostullit”, botim që u nderua në 2024-ën më Çmimin “Lumo Skëndo”.
Vëllimi i dytë “Rebeli” përqendrohet në vitet 1920-1924, lëvizjet e tij deri në atë që njihet si Revolucioni i Qershorit, idetë, qëllimet dhe ambiciet politike, të emigrantit që u bë diplomat, më pas deputet dhe e mbylli karrierën politike si kryeministër.
Autori ka premtuar të sjellë edhe një vëllim të tretë për veprimtarinë dhe aktivitetin e intelektualit, fill pas dështimit të ëndrrës së tij për Shqipërinë, për ta mbyllur jetën në SHBA.