RUBRIKA DITORE E LIBRIT E PËRZGJEDHUR NGA LIBERALE.AL
Titulli: Arratia e Ballit Kombëtar
Origjinali: Arratia e Ballit Kombëtar
Kategoria: Histori
Autori: Ylli Polovina
Botues: Arte-Graphic
Viti: 2024
Pjesë nga libri
Kapedani i Mirditës, Gjon Marka Gjoni, i cili pati qenë e emëruar prej Romës nën qeverisjen fashiste si senator dhe prej 12 shkurtit deri në 28 prill 1944 pati shërbyer si ministër i Mbrojtjes i kabinetit të Maliq bej Bushatit, qe tepër i bindur se të paktën anglezët, për shkak të interesave jetike që kishin në Ballkan, do të zbarkonin patjetër në Shqipëri. Pasi angloamerikanët e kishin vënë nën kontroll më tepër se gjysmën e Italisë, shpjegonte ai sikur t’u fliste malësorëve të tij që jetonin larg e larg nëpër kulla, kërcimi më i lehtë dhe më i shkurtër i trupave ushtarake qe vendi i tyre, pastaj Jugosllavia. Ai e përfytyronte Shqipërinë si një Normandi me zbarkimin kolosal të D-Day, të 6 qershorit të atij viti. Sipas tij, Ballkani në nëntor do të kishte D-Day-in e vet.
Pak a shumë në një mënyrë të tillë shprehej edhe Abas Kupi, i cili edhe ai, i zhvendosur në Malësinë e Mirditës, sepse zona e Dibrës dhe në krahinat përreth saj kishin hyrë partizanët, qe i mbështetur prej një misioni të posaçëm britanik me në krye Xhulian Emerin. Edhe ky i fundit i pati lënë të nënkuptonte herë pas here se diçka do të ndodhte në gadishull dhe Ushtrisë së Kuqe do t’i prapsej vrulli. Në të kundërt të këtij optimizmi shumë të dukshëm Mit’hat Frashëri qe më i vetëpërmbajtur dhe më i ftohtë. Ai shpresonte, madje shumë në një D-Day ballkanike, por nuk besonte.
Ndërkohë e kishte të paqetësuar kurrë edhe një dyshim: mos anglezët, prej të cilëve në parim pritej që me ardhjen e tyre të favorizonin kundërkomunistët dhe kështu të vendosnin në pushtet të djathtët, për shkak të marrëveshjeve dhe ndarjes së interesave mes tre pjesëtarëve kryesorë të Aleancës Antifashiste SHBA-BRSS-Britani, në Ballkan, të paktën në Shqipëri, do t’u jepnin dorën komunistëve.
Pak nga jeta e autorit:
Ylli Polovina ka lindur në Berat në Republikën e Shqipërisë. Në vitin 1970 i përfundoi studimet në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Ka punuar si pedagog në shkolla fillore dhe të mesme, si drejtor teatri, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë.
Gjithashtu, ka punuar edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Nga dhjetori 1997 deri në mars 2002 ishte i angazhuar në shërbimin diplomatik të Republikës së Shqipërisë në Itali.