Letërsi

Historia aspak e zakontë/ Vajza e ish-hetuesit të Eugjen Merlikës: Kam nxjerrë prej tyre shumë mësime për forcën e lirisë

Shkruar nga Liberale

Historia aspak e zakontë/ Vajza e ish-hetuesit të Eugjen

“Unë jam Fjoralba Caka. Takimi i parë me z. Merlika ka ndodhur fill pas humbjes së jetës së tim ati. Ka qenë një ngjarje e papritur, kur për ngushëllim erdhi dikush që unë nuk e njihja, i cili tregoi se kishte qenë subjekt hetimi nga im atë gjatë komunizmit, kur ai punonte si hetues.”

Tërhoqën vëmendjen e shkaktuan jo pak habi këto fjalë në promovimin e librit të fundit të publicistit Eugjen Merlika, “Shqipëria në botën e mijëvjeçarit të tretë”, të premten (12 prill) në Universitetin Europian të Tiranës. Një vajzë në mesin e sallës, deri në atë moment e shkrirë me pjesën tjetër të miqve dhe dashamirësve të autorit, ‘trazoi’ e krijoi dhjetëra pikëpyetje me fjalët prezantuese kur u ftua për të marrë fjalën.

Përse një i hetuar i atij sistemi nderonte ish-hetuesin? Gjëja më e natyrshme që të vjen në mendje, është që ti ta urresh atë që të bën keq, që të pengon, që të bën padrejtësi, që të heq lirinë. Prezenca dhe fjalët e Fjoralbës treguan se kjo nuk ishte një nga ato historitë e zakonshme mes viktimës dhe xhelatit, mes sunduesit dhe të sunduarit. Ishte shpërfaqje e një dimensioni të ri njerëzor, i një historie pak të dëgjuar, i dy njerëzve që në pozita të ndryshme e dinin se çfarë është liria dhe dinjiteti i njeriut.

“Ju e kuptoni çfarë ndodh kur një person është duke pritur vizita ngushëllimi dhe dëgjon se ka ardhur një person që ishte futur në burg nga im atë. Por ai karakter i veçantë i zotit Merlika, ku me butësi ai do të thotë atë që është e drejtë, më ka bërë që të kem jo vetëm krenari për tim atë, por të nxjerr shumë mësime për forcën e lirisë në çdo sistem.”

Fjoralba tregoi se e ka mjaft përzemër një shkrim që Merlika e ka shkruar për babanë e saj në vitin 2018, ku rrëfen me realizëm historinë e njohjes së tyre në Lushnjë, fill pas arrestimit të autorit.

“Takimi i parë me të qe befasues për mua. “Ti nuk më njeh, por unë të njoh shumë mirë ty. Quhem Bashkim Caka, dëshira ime është të shkojmë mirë, pavarësisht roleve që kemi”, do t’i thoshte hetuesi, i cili do t’i qëndronte afër, do ta trajtonte si shok e do t’i organizonte takim me familjen si dhe me gjyshen që e pa për herë të fundit.

“Por nuk dua të vij këtu si personi që flet mirë për atë që foli mirë për babanë e saj”, u shpreh Fjoralba Caka, e cila ndoqi gjurmët e të atit, studioi drejtësi e sot punon si pedagoge në Fakultetin e Juridikut në Universitetin e Tiranës, ndërsa ka ndjekur trajnime ndërkombëtare, ka qenë pjesë e disa projekteve, si dhe ka mbajtur për më shumë se një vit postin e zv. ministres së Drejtësisë.

Ajo e cilësoi publicistin Eugjen Merlika një intelektual të zhveshur nga interesat, i cili replikon në distancë, në mënyrë virtuale, nëpërmjet shkrimit, bën debat me Alfred Lekën, Fatos Lubonjën, për ngjarje të përditshme për çfarë ndodh në politikën shqiptare, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO e në BE, për votat, sistemin zgjedhor, për drejtësinë etj.

“Unë besoj se ky është patrioti që na mungon sot. Shumë njerëz e kanë lënë Shqipërinë dhe shumë njerëz janë në Shqipëri, disave Zoti iu ka dhënë aftësinë e penës, mendimit, por ajo që ne na mungon dhe brezi im, më shumë se i juaji, është i etur të shikojë patriotë që nuk kanë interesa kur flasin dhe që flasin për të vërtetën. E bëjnë këtë në mënyrë të qetë, e bëjnë në mënyrë modeste, duke thënë atë që në bibël shkruhet “e vërteta me dashuri dhe për ndërtim”. Unë të falënderoj për atë që ti sjell.”

Fjoralba Caka e vlerësoi më tej autorin që bëhet zëri i historisë që mungon në Shqipëri, që ngre çështje të cilat mbyten nga zhurma e personazheve televizive, nga jeta e rrëmujshme e koha e vrulleve teknologjike.

Historia aspak e zakontë/ Vajza e ish-hetuesit të Eugjen

“Ju jeni i aftë”, iu drejtua ajo autorit, “që të ngrini kauza të mëdha, jo thjesht për të bërë pak zhurmë, jo thjesht për t’u dukur ndryshe, por për të sjellë ato të vërteta që në Shqipëri nuk thuhen”.

“Zoti Merlika, në shumë shkrime të tij thotë që nëse 27 janari është dita globale, ku ne kujtojmë vuajtjet e fashizmit, pse nuk kemi një ditë që ne të kujtojmë edhe vuajtjet në komunizëm, një ditë ndërkombëtare për të treguar që pavarësisht sistemit të egër, majtas apo djathtas të ideologjisë, forca e së keqes kur përshfaqet duhet të dënohet po njësoj.”

Në fund, Caka i kërkoi njeriut që i la kujtimin më të bukur për të atin, të mos e lëshojë penën e të sjellë historinë e vet personale, për brezin e saj dhe ata që do vijnë më pas.

“Uroj që me aq forcë sa ke treguar, si njeriu i mirë ka qëndruar dhe e ka ruajtur lirinë edhe në sistemin më të egër, këtë ta tregosh dhe në historinë tënde personale në një libër tjetër, ku më gjerë rrëfesh atë jetë sfidash dhe vuajtesh ku ti ke ecur, sepse brezi im dhe brezi që do të vijë ka nevojë për këto gjëra që unë përmenda.”

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH