Letërsi

DORËSHKRIM/ “Intervistë me armikun”, botim i UET-Press, shkrimtari serb: Pushteti në Serbi mbijeton falë budallallepsjes së qytetarëve

Shkruar nga Liberale
DORËSHKRIM/ “Intervistë me armikun”, botim i UET-Press,

Shkrimtari Virgjil Muçi në librin e tij më të fundit “Intervistë me armikun”, një botim i shtëpisë botuese më prestigjioze në vend UET-PRESS, risjellë për lexuesin shqiptar një qasje nga brenda të Serbisë dhe Serbëve.

Ky libër me intervista, i nisur në kohën kur Muçi ishte diplomat në Beograd, si humus të tij, ka personazhe që përbëjnë elemente kyçe në shoqëri, duke përjashtuar politikanët që, sipas tij, priren të fshehin më shumë se të thonë.

Ata janë shkrimtarë, botues, gazetarë, publicistë, të cilët, dëshmojnë Serbinë e tyre, me problemet që i dhembin, nga propaganda te korrupsioni, duke kuptuar më në fund se ngjashmëritë mes dy vendeve janë të panumërta.

_____________________

Dragan Velikić

 Shkrimtar

BEOGRADI ËSHTË QYTET ME ENERGJI TË JASHTËZAKONSHME

Dragan Velikiç u lind në Beograd më 1953. Është autor i një sërë romaneve të përkthyera e të botuara edhe në disa gjuhë të huaja. Shtëpia botuese “Koha” e Prishtinës ka sjellë në shqip romanin e tij “Dritarja ruse”. Kohët e fundit dy libra të tij janë botuar edhe në Tiranë, duke e afruar gjithnjë e më shumë me lexuesin shqiptar. Fitues dy herë i çmimit NIN, më prestigjiozit për letrat serbe. Ka qenë ambasador i Serbisë në Vjenë. Shkruan rregullisht në organet e shtypit të përditshëm dhe atij periodik.

Virgjil Muçi Në kohën kur ju kontaktova dhe kërkova të bënim një intervistë më thatë se ishit i zënë, duke i dhënë dorën e fundit romanit që kishit në duar. Ja ku po flasim pas një muaji dhe ju, sigurisht, e keni mbaruar romanin, ndaj është e natyrshme që biseda jonë të niste duke zënë fill prej tij. A mund të na thoni, përse bën fjalë romani juaj i fundit?

Dragan Velikiç – Qyteti si hapësirë është i pranishëm në romanet e mi qysh nga i pari “Via Pule” deri te ky më i fundit “Adresa”. Përveç Beogradit dhe Pulës janë të pranishëm edhe Vjena e Budapesti. Janë të gjitha vende ku kam jetuar, ndaj dhe nuk ka gjë më të logjikshme për heronjtë e mi që të lëvizin në hapësira që i njoh më së miri.

“Adresa” është nga kreu deri në fund roman për Beogradin. Ideja ime ishte të jepja jetën e qytetit, ekzistencën e tij në vite, por edhe jetën e një njeriu të thjeshtë në këtë qytet në kohë paralele – atë të ekzistencës së vet dhe atë të ekzistencës së qytetit – ja pra, këtë kam dashur të rrok. Kaq shumë ka kaluar Beogradi, kaq popuj, ushtri, një shumësi të panumërt jetësh të ndryshme, çka duhet të ketë lënë gjurmët e veta. Kështu që njëra linjë e romanit ndjek jetën e qytetit nga kohët romane deri më sot. Heroi kryesor është kurator në muzeun e postës. Kësisoj kam përcaktuar vizionin e tij që u shndërrua edhe në vizionin tim dhe, kësodore, jam marrë me sistemet e mëdha, siç janë posta dhe hekurudhat. Teksa romani përparon, vjen e bëhet gjithnjë e më e rëndësishme ajo linjë që ndjek ngjarjet e Anno Domini 2018.

Këtu gjen Beogradin e ditëpërditshëm të sotshëm, koha e banditizmit qeveritar që ushtrohet nga kreu i partisë në pushtet. Ndaj nuk është aspak e tepërt të thuhet që Beogradi është nën okupacion. Këtu njerëzit vuajnë nga uria, vrasin realisht veten, ngase nuk janë në gjendje të paguajnë faturat e energjisë elektrike. Prandaj dhe për këtë gjë Serbia është shndërruar në një lunapark. Ja pse sheh bredhat, plakushët e Krishtlindjeve, rrëshqitëset dhe drerët në rrugët e tregjet e Beogradit, pemët dhe zbukurimet e Vitit të Ri, duke nisur nga tetori deri në mars, e gjithë ajo atmosferë e rrejshme përrallore – shtëpia e shtrigës për Ivicën e Maricën (versioni serb i përrallës së Vëllezërve Grimm Hansi e Greteli – shën. i përkthyesit), reality show në ekranet e televizioneve me frekuenca kombëtare, në mënyrë që qytetarët e mjerë dhe të poshtëruar të mos shohin se ku jetojnë. Serbia është një vend nën anestezi.

E megjithatë Beogradi është qytet me një energji të pabesueshme, ndaj dhe i habitur e pyes veten se nga i buron ky shpirt, ky humor, kjo krijimtari. Në romanin “Adresa” jam përpjekur të jap një kuadër gjithëpërfshirës të këtij qyteti.

V.M. – Jo më kot e nisëm këtë bisedë me letërsinë. Ju jeni shkrimtar i njohur si brenda ashtu edhe jashtë Serbisë. Nga një shkrimtar që jeton nën një regjim diktatorial ose autokratik kërkohet që ai të jetë zëri i ndërgjegjes kritike e të moskonformimit me pushtetin dhe mekanizmat e tij. Cili mendoni se duhet të jetë roli i një shkrimtari sot, le të themi në një shoqëri demokratike, ku ka një sistem shumëpartiak e një shoqëri civile aktive, pra të lirë ose pjesërisht të lirë, po të paktën ku mendimi i shprehur pa doreza nuk ndëshkohet, si dikur, me burg ose me syrgjynosje jashtë vendit?

D.V. – Roli i shkrimtarit sot? Të mos heqë dorë nga parimet e veta me çfarëdolloj çmimi, të refuzojë të jetojë sikur etika nuk ekziston. Ndoshta jam naiv, por ajo çka unë e konsideroj si detyrë është që tekstet e mia t‘i spastroj nga gënjeshtrat që na përmbytin mediat. Të çmontoj stereotipet, si puna e atij që ‘patriotët’ serbë e kanë fort për zemër se Perëndimi nuk na do. Ashtu është, Perëndimi nuk na do. Tekefundit, pse u dashka të na dojë dikush? Çdo pushtet në Serbi mbijeton falë punës së vazhdueshme që konsiston në budallallepsjen e qytetarëve. Sa qindra e mijëra gjedhe fundërrinash shpirtërore që i gjen të shpërndara në të gjitha partitë politike gjallojnë si parazitë në kaosin që prej një çerek shekulli induktohet në jetën tonë të përditshme? Si përherë shërbimet serbe të sigurisë punojnë për mbajtjen më këmbë të regjimit, në ruajtjen e pacenuar të mendësisë që ngërthen pushteti autokratik. Nuk ekziston protektorat i huaj nën të cilin për ne kishte për të qenë zi e më zi nga ç’është nën pushtetin e atij mentaliteti të kultivuar e të mbështetur nga ana e të ashtuquajturave qendra të imponuara të pushtetit. Gjithsesi askush këtu nuk u imponua, ashtu siç edhe gjatë luftrave në Jugosllavi në asnjërën prej palëve ndërluftuese nuk ka pasur formacione paraushtarake. Gjithçka ishte e organizuar më së miri dhe nën syrin vigjilent të shërbimeve të ndryshme të fshehta.

V.M. – Kohët e fundit në Danas, një prej gazetave të pakta që mbajnë qëndrim opozitar ndaj partisë në pushtet, ju u shprehët se mënyra e vetme për të rrëzuar një regjim është duke dalë në rrugë. Cili është vlerësimi juaj për situatën aktuale politike në Serbi?

D.V. – Kur qytetari zhvishet nga institucionet nuk i mbetet gjë tjetër veçse rruga për të luftuar për të drejtat themelore. Edhe pse këto të drejta garantohen nga kushtetuta, ajo është thjesht një copë letër. I pari që e shkel kushtetutën është presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić. E bën çdo ditë. Këto protesta që zgjasin prej tri muajsh në Serbi për herë të parë kanë kërkesa që nuk janë vetëm ndaj pushtetit që prej shtatë vjetësh po e plaçkit Serbinë, por këto protesta paralajmërojnë edhe ata që një ditë do të vijnë në pushtet; domethënë detyra kryesore është vendosja e shtetit të së drejtës. Dhe kjo gjë nuk mund të realizohet pa zgjedhje të lira. Nuk ka për të qenë e lehtë, ky është proces i gjatë, por në qoftë se punët do të shkojnë kështu atëherë Serbia do të zhduket. Nuk e ekzagjeroj aspak, duke qenë se jam i ndërgjegjshëm kur shoh se sa të rinj e njerëz të shkolluar largohen çdo ditë nga Serbia.

V.M. – Ajo që aktualisht të bie në sy në skenën politike në Serbi është mungesa e një opozite të mirorganizuar, pavarësisht disa përpjekjeve të kohëve të fundit. Kjo gjë u vu re sidomos në zgjedhjet e fundit presidenciale dhe në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme para dy vjetësh. Në këtë pikë ngjan sikur presidentin aktual, Vuçiç, nuk ka kundërshtar ta sfidojë si brenda forcës së tij politike, ashtu edhe nga kampi opozitar. Mendoni që pushteti i tij është i pasfidueshëm për një periudhë kohe relativisht të gjatë?

D.V. – Partia Përparimtare Serbe u krijua nga një grup anëtarësh të reformuar dalë nga gjiri i Partisë Radikale Serbe, të cilët bënë të tyren politikën pro europiane të Partisë Demokratike si e si të bënin për vete BE-në dhe SHBA-në, të cilët panë tek ata opsionin politik që mund të shpinte në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. I premtuan Perëndimit se do të zgjidhnin çështjen e Kosovës etj., se do t’i normalizonin marrëdhëniet. Prej shtatë vjetësh BE-ja dhe SHBA-ja e bëjnë sehir Vuçiçin teksa shkatërron institucionet, asfikson mediat, ndërkohë që kuadrot e tij aspak kompetente vjedhin si në qendër ashtu dhe në rrethe. Protestat e qytetarëve që zgjasin prej tri muajsh në Beograd dhe në 60 qytete të tjera në mbarë Serbinë, nuk janë në faqet e para të mediave perëndimore. Për to flitet me pikatore, duke qenë se Europës nuk i interesojnë të drejtat e njeriut në Serbi ose në Bosnjë. Edhe diçka tjetër, Vuçiç me shokë po shesin resurset e Serbisë në këmbim të mbështetjes nga Perëndimi dhe të ndenjurit në pushtet. Por këto protesta e kanë tronditur Vuçiçin. Asgjë nuk do të jetë më siç ka qenë shtatë vitet e kaluara. Me fjalë tjera, afati i mbështetjes së Vuçiçit nga ana e Perëndimit dalëngadalë po skadon.

V.M. – A mendoni se shkrimtarët, ashtu si edhe pjesa tjetër e shoqërisë civile, njerëz të artit, kulturës ose shkencës, duhet të rreshtohen politikisht në njërin ose tjetrin krah të politikës?

D.V. – Edhe mund të angazhohen, por duke mbajtur një pozicion të pavarur. Unë jam i angazhuar në mbështetjen e një opsioni të caktuar politik, i cili besoj se mund të sjellë mirëqenie. Jam i angazhuar, duke qenë se prej tri dhjetëvjeçarësh shkruaj rregullisht artikuj dhe ese, me anë të të cilave analizoj në mënyrë kritike realitetin e vendit tim. Nuk jam ekspert, por përpiqem të paraqes një shoqëri të lënë pas dore e të zhytur në korrupsion dhe në kriminalitet.

V.M. – Si njeri aktiv në shtypin e përditshëm ose atë periodik, natyrshëm ndjeshmëria juaj ndaj lirisë së shprehjes është më e madhe se e shumëkujt tjetër. A mund të na thoni se sa është e kërcënuar realisht liria e medias sot në Serbi? Kemi parasysh një sërë ngjarjesh të kohëve të fundit që lidhen drejtpërdrejt me gazetarë të veçantë, organe të medias së shtypur ose elektronike dhe shoqata e gazetarësh që ndjehen të kërcënuar.

D.V. – Gjendja në mediat serbe mund të përkufizohet me nocionin e kaosit – aty gjen gjithçka, çka është më e keqe dhe më e ndyrë. Censura që mbizotëron dhe e cila është e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me autocensurën, në trajtën e oktapodit me gjymtyrë të panumërta asfikson çdo mundësi që mediat më me peshë (Politika, Večernje Novosti, Televizioni i Serbisë... ), të shfaqet çfarëdolloj informacioni që mund ta dëmtojë Vuçiçin ose politikanët në pushtet. Këtu hyn – le të themi – edhe embargoja e plotë e informacioneve e lidhur me shqiptarët në Kosovë, me përjashtim të rasteve kur bëhet fjalë për aksionet e tyre kundër serbëve. Pse? Ngase shqiptarët e Kosovës janë xhokeri i nxehtë i politikanëve në pushtet – nga koha e Millosheviçit deri në ditët e sotme – me anë të së cilit pushtetarët largojnë vëmendjen e njerëzve nga ato gjëra që atyre nuk u vjen për mbarë. Krahas atyre që përmendëm kemi edhe një qerre mediash obskurantiste, përcjellës interesash nga më të errtat, pronësish aspak transparente, të cilët për një grusht para janë gati t’i helmojnë njerëzit. Në kuadër të këtyre plehrave radioaktive të cilave qytetari i thjeshtë nuk ka shans t’iu shpëtojë gjatë gjithë jetës së tij - vetëm titujt që e mësyjnë gjithandej, madje edhe atëherë kur ecën rrugës, janë poshtërues e dërrmues – gjenden ca ishuj, oaze të arsyes së shëndoshë: Danas, NIN, Vreme, Nedeljnik, Peščanik, programi kulturor i Radio Beogradit në një pjesë të mirë të programeve të veta... Dhe sigurisht – rrjetet shoqërore, falë të cilave është pothuajse e pamundur ta fshehësh të vërtetën, pavarësisht mercenarëve mediatikë të Vuçiçit që kanë marrë fund prej kohësh.

V.M. – Po më gjerë në botën e sotme ku jetojmë? Kemi parasysh edhe një sërë dukurish bashkëkohore, si rrjetet sociale, fake news, pra bota postmoderne në krejt kompleksitetin e ditëve të sotme.

D.V. – Përgjithësisht jemi dëshmitarë manipulimesh të pabesueshme që janë të pranishme në media. Mediat prodhojnë ngjarje. Është e jashtëzakonshme dhe shumë e rrezikshme sasia e gënjeshtrave dhe e hipokrizisë me anë të cilave formohet sot opinioni publik. Sasia e atyre që i mbulon heshtja. Gjithë ç’thashë lidhur me gjendjen e mediave në Serbi vlen edhe për botën. Politika e Brukselit ka divizionin e vet mediatik dhe e vërteta jashtë lajmit zyrtar mund të gjendet vetëm te një numër i vogël mediash të pavarura. Për fat të keq, “84” e Oruellit, të cilën e lidhnim me bllokun e Lindjes, sot është fenomen global.

V.M. – Dhe dulcis in fundo siç thonë latinët. Sot çështja e Kosovës nuk duket të jetë më tabu për askënd në Serbi, madje për të flitet e diskutohet lirisht në media dhe në forume të shoqërisë civile ose zyrtare. Në opinionin publik diskutohen opsione të ndryshme lidhur me të dhe, ç’është më e rëndësishme, rreth asaj që shumëkush, duke përfshirë edhe ndërkombëtarët, e përkufizojnë normalizim të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Cili është komenti juaj për ecurinë dhe dinamikat e këtij debati dhe, a mendoni se palët do të arrijnë në një zgjidhje afatgjatë e të qëndrueshme?

D.V. – Siç e thashë më lart, shqiptarët normalë me problemet dhe karakteristikat e veta janë përzënë prej mediave serbe. Kjo gjë zgjat prej dhjetëvjeçarësh dhe mendoj se kjo gjendje është edhe te mediat shqiptare në Kosovë. Kjo trysni ushtrohet me sukses mbi shumicën – njerëzit as që e vënë re se ka diçka që nuk shkon, që kjo situatë nuk është aspak normale. Dhe pastaj falë kulturës ose iniciativave private të njerëzve kurajozë ndodhin takime dhe befasohen nga të dy krahët – e sheh, këta shqiptarët/serbët nuk janë përbindësha, paska edhe njerëz të mirë. E kështu këto kontakte të rralla kultivohen me përkujdes të veçantë, si diçka e çmuar dhe e rrallë. Gjithë çfarë kam thënë lidhet e ka të bëjë me Serbinë. Por edhe në Kosovë është shumë e vështirë – kam qenë disa herë – ngase mafia serbe dhe ajo shqiptare funksion në mënyrë të përkryer. Ata nuk i kanë ndërprerë asnjëherë marrëdhëniet mjaft të mira dhe miqësore. Ka shumë të ngjarë se pikërisht ata ndikojnë mbi politikanët që kjo gjendje të mos ndryshojë, duke bërë që Kosova të jetë vrima e zezë e Europës, ku çdo makinacion dhe kriminalitet është i mundshëm. Vëzhguesit dhe kontrollorët europianë nuk kanë mundur ose nuk kanë dashur ta ndryshojnë këtë gjendje.

V.M. – Për ta mbyllur këtë bisedë, a mendoni se të dy popujt, shqiptarët dhe serbët, janë në gjendje të jetojnë në paqe dhe harmoni në të ardhmen apo janë të mallkuar të vazhdojnë kështu për shkak të mëkateve të paraardhësve?

D.V. – Kjo varet nga vetë ne – nëse do të pranojmë edhe më tej manipulimin perfid të grupeve të interesit që pasurohen në mënyrë jo normale në këtë kaos, ose dëshirojmë të bëhemi burra dhe të luftojmë për të bashkëjetuar normalisht.

2018

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH