Më 28 janar të vitit 1936 lindi Ismail Kadare, nga përfaqësuesit më të shquar të letërsisë shqiptare. Sot, Kadare do të kishte mbushur 89 vjet.
Nga Shtetet e Bashkuara ku jeton, Bashkim Ahmeti solli dhjetëra krijime në pikturë. Ajo çka i bashkon me njëra-tjetrën, veprat të hedhura në telaje në kohë të ndryshme, është figura e Ismail Kadaresë.
Nëse peneli i Bashkim Ahmetit do të kishte zë, ai do ta përshkruante kështu portretin e shkrimtarit.
Pikturën që autori e titullon gjyqi, e veçon nga të tjerat. Ajo është rezultati i forcës së imagjinatës ndikuar nga personazhet, librat e bisedat me Ismail Kadarenë.
Mik prej vitesh me shkrimtarin, kjo është dhurata e Bashkimit për të, e cila u ekspozua në shtëpinë – muze të Ismail Kadaresë në Gjirokastër dhe më pas në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
Piktori Bashkim Ahmeti, i pyetur se pse e sheh Kadarenë vetëm me pardesy u shpreh se “Ashtu më ka ngelur në imagjinatën time. Në një intervistë më herët ai tha se ishte nxënës në Liceun Artistik kur Kadare ishte i famshëm.
Ishte botuar ndërkohë “Gjenerali” dhe e njihnin të gjithë, romani ishte botuar në shumë vende të Europës. Më ka ngelur në atë imazh në kokë, ndaj mes shumë vizatimeve mendova se ajo do më ndihmonte për ta vënë atë në lëvizje të ngrirë”.
Kujtojmë që Kolosi i letërsisë shqiptare, Ismail Kadare, u nda nga jeta më 01 Korrik 2024.