Gjatë viteve 1968-1973, në Shqipëri kemi një periudhë liberalizimi në jetën artistike dhe politike në përgjithësi, fenomen që u ndje edhe në ekspozitat kombëtare të arteve figurative, të kohës në Tiranë.
Në këto vite, Skënder Kamberi realizoi tablonë ‘Demostrata e bukës' e realizuar në vitin 1971 ku ndjehet qartë prirja e tij ekspresioniste.
Liberale.al zgjodhi sot pikturën më lart të mjeshtrit Kamberi, me rastin e 86-vjetorit të lindjes së tij, duke theksuar se liria artistike e shprehur në këtë vepër u censurua, u ndalua dhe u dënua me forcë nga udhëheqja komuniste shqiptare – nga Enver Hoxha në Pleniumin e IV të PPSH (qershor 1973).
Skënder Kamberi u afirmua si një nga piktorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX, si një piktor që po sillte risi në pikturën shqiptare edhe pse i kufizuar dhe brenda rregullave të rrepta të “realizmit socialist”.
Ai lindi më 2 Shkurt 1939 në Lagjen e Re të qytetit bregdetar të Vlorës, ku mori edhe mësimet e para në Shkollën 7 Vjeçare “Naim Frashëri”.
Gjatë viteve 1955-1960 kreu Liceun Artistik ”Jordan Misja”. Mësuesit e ti të parë të tij ishin piktorët me të shquar të kohës: Nexhmedin Zajmi, Sadik Kaceli, Kel Kodheli dhe Guri Madhi, etj.
Gjatë viteve 1960-1965 në vazhdim kreu studimet në Institutin e Arteve, në Tiranë. Në vitin e dytë të studimeve në kursin e tyre ju bashkëngjitën dhe studentët që i kishin ndërprerë studimet në Leningrad (ish BRSS) dhe Pragë (ish Çekosllovaki): Llambi Blido, Kujtim Buza, Andon Lakuriqi e Bajram Mata, dhe Llazar Myzeqari.
Ai u personalizua që gjatë periudhës studimore, por u dallua sidomos, sa filloi punën si piktor në qytetin e tij të lindjes, duke inspiruar dhe tërhequr pas vetes edhe të tjerë piktorë vlonjat të talentuar, deri aty sa u formua dhe u shpall ai institucion popullor, ajo që u quajt “Shkolla e Piktorëve Vlonjatë” e nisur më herët nga piktori Vasil Talo.
Personaliteti, talenti dhe karakteri i tij ekspresiv e i drejtpërdrejtë, u bë qendër e artit dhe e kulturës për Vlorën dhe në njëjtën kohë, duke u mbështetur fort te shokët e tij të talentuar, e çau rrethimin e ngurtësimin kohor.