Aktualitet

Lushnjë/ Dy vite më parë Hidës i vranë nipin, tritol edhe në makinë

Shkruar nga Liberale
Lushnjë/ Dy vite më parë Hidës i vranë nipin, tritol

Një ngjarje e rëndë tronditi mëngjesin e sotëm qytetin e vogël të Lushnjës. Rreth orës 8 e pak minuta, në lagjen ‘Skënder Libohova’, në një lokal në kat të dytë që i përkiste të afërmve të tij, Besmir Hida, 35 vjeç ishte duke pirë kafe i vetëm. Një person i maskuar u ngjit sipër dhe ka qëlluar me breshëri kallashnikovi në drejtim të 35-vjeçarit, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas ai është larguar me të shpejtë nëpër rrugicat e lagjes, pasi poshtë e priste një makinë, drejtuar nga një person tjetër, po ashtu i maskuar. Policia po heton ngjarjen dhe ka ngritur postblloqe në qytet si dhe në akset Lushnjë-Berat dhe Lushnjë-Fier.

Ndërkohë që ende nuk dihet shkaku i vërtetë i vrasjes apo autori i saj, janë ngritur pikëpyetjet dhe dyshimet e para. Mendohet se e gjitha kjo është për shkak të konkurencës, pasi Hida ishte biznesmen. Ai posedonte një pikë grumbullimi makinash të përdorura dhe gjithashtu në zonën e “Morrit” kishte një dyqan pjesësh këmbimi për makinat.

Po të kthehemi pas në kohë, zbulojmë detaje të tjera në lidhje me ekzekutimin e sotëm të Besmir Hidës, i njohur nga miqtë si Besi. Burime për Mapo bëjnë me dije se personi në fjalë, Besmiri, është daja i Zamir Latifit, të riut që mbeti i vrarë së bashku me bashkëmoshatarin e tij Jurgen Hoxha nga një atentat në mes të Lushnjës në 12 tetor të vitit 2017, ndërsa u plagosën Marius Xhepexhiu, pronar i lokalit ku ndodheshin dy viktimat si dhe një kalimtar. Atentati kishte lidhje me ngjarjen e datës 25.09.2016 ku është tentuar të vritet me armë zjarri nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti.

Gjithashtu, pak kohë më parë Hidës i hodhën në erë makinën e tij tip ‘Volvo’. Një sasi prej 200 gramësh tritol shpërtheu në automjetin e tij ndërkohë që ishte i parkuar. Nuk pati njerëz të lënduar. Familjarët e Hidës ishin në gjumë kur ndodhi shpërthimi. Asokohe, i marrë në pyetje nga policia, Besmir Hida deklaroi se nuk kishte konflikte me askënd.

Njoftimi i policisë

“Sot rreth orës 08:15, në një lokal në lagjen “Skënder Libohova” Lushnjë, dy persona ende të paidentifikuar, kanë qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të shtetasit B.H, 35 vjeç, i cili ka ndërruar jetë. Autorët janë larguar nga vendngjarja me një automjet ku në ndjekje të tyre janë vënë shërbimet e Policisë Lushnjë

Policia ka ngritur pika të shumta kontrolli në hyrje-dalje të qytetit , në aksin rrugor Lushnjë Tiranë, Lushnjë Fier dhe Lushnjë Berat.

Për zbardhjen e ngjarjes menjëherë është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Lushnjë.

Një grup specialistësh nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit është nisur për t’i ardhur në ndihmë grupit hetimor me qëllim zbardhjen sa më shpejtë të ngjarjes”.

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH