Arte

"Letërsia e sirtarëve" të një prifti

Shkruar nga Liberale
"Letërsia e sirtarëve" të një prifti

Ernest Marku

Letërsia e Dom Jak Zekajt, është përfaqësuesja më eminente e asaj që profesor Primo Shllaku, e ka quajtur “Nji letërsi tjetër” dhe që për shumkënd është “letërsi e sirtarëve”. Nuk e di se ç’forcë të brendshme duhet të ketë një njeri që të shkruajë e të shkruajë pa pushim, në dengje të tëra me fletore shkollore, pa shpresuar se ndonjë ditë të largët, diçka prej tyre do të mund të shohë dritën e botimit?! Ndoshta, të shkruarit dhe poeti, ishin kthyer në një binom të pazbërthyeshëm, ku njëri nuk jetonte dot pa tjetrin dhe marrëdhënia me fletoren dhe stilolapsin, ishte e vetmja lidhje me realitetin e këtij prifti katolik, që pas vitit 1967, nuk e linin as të ushtronte detyrën  e tij. Duhej diçka që ta mbante gjallë shpirtin e Dom-it, një shkëndijë shprese sado të vakët, një mendim fluturak, se do të vinte një kohë dhe do të lindtte një lexues që do t’i shijonte veprat e tij dhe do të ndante me të, si dhimbjen e fatkeqit ashtu dhe ngallnimin e të drejtit.

Pikërisht, nën dritën e kësaj shprese të poetit, mësuesi dhe studiuesi Fran Palushi, e ka parë realizimin e kësaj monografie si një mision apo si realizimin e një amaneti, nga koha në kohë. Botimi i “Vandakut të ferrave” para 26 vitesh, ishte vetëm dallëndyshja e parë që lajmëronte daljen në dritë të kësaj vepre voluminoze, që për vite të tëra flinte sirtareve. Kjo vepër studimore që po promovojmë sot, është e dyta dhe patjetër që nuk do të jetë e fundit, pasi poezia e Dom-it këlthet sirtareve dhe magjeps mjaft lexues e dashamirës të letërsisë dhe si e tillë, do të kapërcejë me patjetër mjegullën e harresës, në një rrugë ose në një tjetër.

Në këtë libër, autori Palushi, pasi na prezanton me Baqlin, pozicionin gjeografik dhe njerëzit më të shquar të tij, të shekullit XX por edhe më përpara; na përshkruan ardhjen në jetë dhe fëmijërinë e atij që do të bëhej poeti Dom Jak Zekaj. Jeta e vështirë e jetimit prej nanës, por edhe me mungesën e shpeshtë të të atit, i bashkangjitet jetës së mbyllur të Seminarit Papnuer në Shkodër. Interesante janë kujtimet e Dom-it për Patër Gjergj Fishtën, të cilat autori i sjell me një autencitet historik edhe gjuhësor. Shungurimi si meshtar, në vitin 1932, siç ishte zakon në të gjithë Zadrimën, organizohet si një ceremoni darsme për priftin e ri.

Vitet e shërbimet në Pukë, i kanë lënë gjurmë të thella poetit, i cili e kishte përfunduar tashmë librin e parë “Andrrat e Rinisë”; gjurmë këto që kanë të bëjnë pukjanët besimtarë, mikpritës e të zgjuar, por edhe me ngjarje e kërkime etnokulturore, apo edhe histori me Fulvio Kordignianon, i cili lëvizte në ato anë me interasa etnografike, folkloristike, por edhe botanike. Këtu në Pukë, Dom Jaku nis të shkruajë, ndoshta vëllimin e tij poetik më të mirë, që do ta titullonte “Varrët e Zemrës”, por edhe disa nga veprat e tij më të rëndësishme në gjininë e satirës.

Natyrisht që ndryshimet politike të fund-vitit 1944, nuk mund të sillnin asgjë pozitive për një prift katolik, burgu ishte i pashmangshëm edhe për të. Fran Palushi, përveç asaj që kujton nga bisedat e tij personale me Dom-in, ka hulumtuar edhe në rrugë burimore apo në autorë të tjerë që trajtojnë këtë periudhë historike, siç ishin kujtimet e At Zef Pllumit. Interesante janë kujtimet për klerikët e tjerë, bashkëfshatarë të Dom Jakut, si Dom Lek Dredha dhe At Aleks Baqli.

Pas daljes nga burgu, Dom Jak Zekaj kthehet të shërbejë në Zardimë. Fran Palushi, në këtë pjesë të monografisë së tij, përpiqet të japë një panoramë sa më të qartë të asaj kohe, dhe këtë e bën nëpërmjet kujtimeve e bisedave me Dom-in, apo dhe deri te anekdodat apo barsoletat domëthënse. Pas mbylljes së kishave, prifti poet mbyllet në kuvlinë e vet dhe pothuajse nuk ka kontakt me realitetin. Të vetmit që e trazojnë vetminë e tij, janë besimtarët e guxishmëm, kryesisht gra, të cilat nuk reshtin së kërkuari sakramente prej tij, ndonëse një gjë e tillë ishte pothuajse e pamundur; por edhe intelektualë të interesuar për erudicionin e tij, njohjen e gjuhëve të huaja, apo edhe filozofë gjysëm apo krejt ateistë, që kërkojnë prej tij argument teologjike. Mprehtësia dhe intiligjenca e Dom Jakut, del në pah nëpërmjet historive jetësore që na sjell autori i kësaj monografie. Madje, edhe fuksionarë të diktaturës, që kishin ardhë te Dom-i pas ndonjë denoncimi të bërë kundër tij, dalin prej takimit me të, të befasuar dhe të mahnitur me dijet e gjëra që  zotëronte dhe zgjuarsinë me të cilën ai u dredhonte kutheve retorike. Të trishton fati i keq i atyre dy qerreve me libra që solli nga Hajmeli dhe sidomos gjashtë volumet e Enciklopedisë Botërore dhe një botimi të vjetër të “Kangëve të Milosaos” të De Radës, për të cilat i qante zemra më fort.

Pas rënies së diktaturës, Dom Jaku iu kthye sërish jetës meshtare, duke iu ngjallur në të njëjtën kohë edhe shpresat për botimin e veprave të veta letrare, po shpejt do të zhgënjehej. Nuk kishte dhe ndoshta nuk ka ardhur as sot, koha për të vlerësuar si duhet njerëzit e vlertë të shoqërisë sonë. Ndarja e tij nga jeta, në dhjetorin e vitit 1995, mbylli ciklin fizik të ekzistencës së tij, por kurrsesi të veprës së tij. Dhënia e titullit “Qytetar Nderi” nga Komunat e Blinishtit dhe Hajmelit, vendosja e bustit të tij në Baqël, apo emërtimi i rrugës dhe sheshit; janë disa ogurë të mirë për fillimin e vlerësimit të këtij personaliteti dhe të amanetit të tij, veprës letrare.

Në pjesën e dytë, autori Palushi na ka dhënë një pasqyrëz të krejt veprës letrare të Dom Jak Zekajt, që nga poezitë e ndjera, bukuliket tingëlluese e satirat therëse, dhe deri te tentativat në prozë, ditaret, kujtimet apo edhe përkthimet dhe kërkimet studimore, gjuhësore apo historike. Puna e Fran Palushit duhet vlerësuar, sidomos po të kesh parasysh vështirësinë e përpunimit të dorëshkrimeve, qoftë për ndikimin e kohës në to, qoftë edhe për problemet gjuhësore që lidhen me gegnishten letrare të përdorur nga autori. Çka i shton vlerë trajtimit të veprës letrare, është përfshirja në këtë botim e komenteve profesionale të professor Tefë Topallit, të prezantuara te “Zadrima Letrare”. Topalli është prezent në këtë botim, edhe me këshillat e tij të vyera, punën korrektuese e radaktuese, por edhe me kujtimet e tij personale. Dua të veçoj dy ekstrakte nga vepra e Dom Jakut, që autori Palushi i ka përfshirë në këtë botim. I pari ka të bëjë me një autoportret letrar, që Dom Jaku na ka lënë, duke na përshkruar jo vetëm dukjen dhe portretin e tij fizik, por edhe shumë anë të karakterit, cilësi apo cene, dëshira, vullnete apo dhe veprimtari të tij. E dyta është një ditar i gjetur në arkivat e Austro-Hungarisë, të diplomatit të saj në Stamboll, i përkthyer prej Dom Jak Zekës. Në ditarin e ambasadorit Gehpart Hohenhole, dalin mjaft fakte interesante në lidhje me Rilindjen tonë Kombëtare dhe veprimtarët e shqiptarizmës në Stamboll, në vitet e para të shekullit XX, ku spikasin veçanërisht Vëllezërit Frashëri.

Duke e përgëzuar Fran Palushin, për realizimin profesional të kësaj vepre, më shumë se monografike, uroj që ta ketë marrë kambën zvarrë për botime të tjera për Jak Zekajn.

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH