Suplementi “Leteratura” i dedikohet letërsisë shqipe, ku nëpërmjet rubrikave të ndryshme vijnë shkrimtarë, rrëfime, kritika, dhe çdo e re rreth autorëve shqiptarë.
Kjo e hënë letrare hapet me shkrimin e Loer Kume, "Si të “gatuajmë” një letërsi të mirë?
"Po një shkrimtar duhet të ketë orientim shumë të mirë në klasikët e lashtë greko-romakë, baza e qytetërimit Perëndimor, por akoma dhe më, klasikët orientalë. Të tëra këto prekin ca qendra obsolete në tru, e stimulojnë fantazinë dhe nivelin abstragues, duke u nisur nga rrënja, nga fillesat, nga niveli arkaik, duke e ushqyer këtë të fundit pavetëdijshëm", shkruan Kume.
Më tej do të lexoni në rubrikën “Kritikë”, vjen shkrimi i Ballsor Hoxhës, "Tejshkuar nga trishtimi", mmbi poezinë e Rudolf Markut në “Rrathë të brendashkruar”.
"Poezia e Rudolf Markut është një kafaz paradoksi, brenda dhe jashtë mbrujtur me trishtimin. Dhe ky kafaz nuk është si të tjerët, është i lirë i hapur dhe i tejpërshkuar nga trishtimi, dhe pikërisht kjo e bën të kotë, qoftë lirinë, qoftë kafazin", shkruan autori.
Vijojmë sërish me një kritikë tjetër, nga Teuta Dhima me titull "Në përthyerjen e bardhë", mbi romanin “Gjumi mbi borë”, të shkrimtarit Ridvan Dibra.
"Romanin 'Gjumi mbi borë' e kam lexuar, për rastësi, menjëherë pas romanit Në kërkim të fëmijës së humbur. M’u krijua përshtypja e vazhdimësisë pasi, në romanin Në kërkim të fëmijës së humbur, autori Ridvan Dibra kthehet në fëmijërinë e tij, ndërsa tek Gjumi mbi borë, ai përshkruan atë periudhë të jetës, kur ishte i sapoemëruar mësues në fshat", shkruan Dhima.
Për më tepër, lexoni suplementin “Leteratura” të Gazetës Liberale, print ose online.