Letërsi

"kur këndonin gjelat e tretë", një libër me zërat e pengjeve

Shkruar nga Liberale

Lëndë e këtij libri janë zërat e pengjeve të atyre fëmijëve, adoleshentëve, pleqve e burrave në kampet mortore të internimit me tela me gjemba, në qelitë e paraburgimit apo të hetuesive, sikundërse në burgjet e kamp-burgjet e Shqipërisë komuniste. Kjo “zhaurimë e përtejvarrit” përbën polifoninë e vajtimit prej vdekjesh të dhunshme të kainiadës sonë me dramën e vëllavrasjes e gjenocidit brendashqiptar, edhe pse në kohë paqeje.

Agron Tufa

Prozat e këtij libri nuk kanë të bëjnë me përkufizimet teoriko-akademike apo shkollareske mbi zhanret (kufitare apo jokufitare). Ato janë autorrëfime, përshkrime, skena e situata, monologje në çastet kritike të minutës fatale para fytyrës së vdekjes. Qëllimi im ka qenë t’u jap zë këtyre hijeve tragjike, të cilat mbushën skenat mortore përgjatë ritualit satanik të flisë në “meshat e zeza” që bënte diktatura komuniste me adeptët dhe xhelatët e saj të përzgjedhur.

Kështu, lëndë e këtij libri janë zërat e pengjeve të atyre fëmijëve, adoleshentëve, pleqve e burrave në kampet mortore të internimit me tela me gjemba, në qelitë e paraburgimit apo të hetuesive, sikundërse në burgjet e kamp-burgjet e Shqipërisë komuniste. Kjo “zhaurimë e përtejvarrit” përbën polifoninë e vajtimit prej vdekjesh të dhunshme të kainiadës sonë me dramën e vëllavrasjes e gjenocidit brendashqiptar, edhe pse në kohë paqeje.

Historitë e rrëfyera këtu janë një kompromis mes trillit (fiction) dhe faktografisë së vërtetë, të marra nga ngjarje reale përmes videoregjistrimeve me të mbijetuarit, por edhe nga veprat memuaristike të autorëve të ndryshëm. Prerjet e episodeve kritike për jetën e personazheve brenda një kornize situative artistike, janë mbushur me “përjetime intensive”, njësoj sikur të ishim ne në vend të tyre. Një pjesë e vogël e teksteve të rrëfimeve kanë referenca të drejtpërdrejta nga vepra të caktuara memuaristike, dhe përcillen në fund të librit me përmendjen e burimeve.

Referenca nga ngjarjet reale ka qenë dhe kushti, që kur nisën të shkruheshin këto histori të pikëlluara e tragjike. Në shumicën e rasteve, për rikrijimin e tablove ka shërbyer thjesht një fakt i përmendur nga rrëfimet, një fjali e madje, vetëm një togfjalësh.

Zanafillë për shkrimin e tyre ka qenë projekti “Memo” me videotregime të shkurtra, që nisëm dhe provuam një vit më parë me aktoren e njohur Ema Andrea dhe arkitektin e talentuar Gjon Radovani. Projekti “Memo” me performancat e videotregimeve pati përhapje të gjerë dhe përfshiu shumë interpretues, kryesisht, figura të njohura publike, shqiptarë e të huaj. Shkak i fortë për ta nisur këtë projekt (e më vonë, për ta vazhduar më tej me shkrimin e këtyre historive), u bë debati i gjatë e i tensionuar mbi të vërtetat rrënqethëse të kampeve të internimit me tela me gjemba, veçanërisht kampi mortor i Tepelenës, ku gjetën vdekjen nga uria, sëmundjet dhe epidemitë mbi 300 foshnja e fëmijë.

Trashëgimtarët ideologjikë të enverizmit u ngutën ta paraqesin si “kamp pushimi” këtë kamp vdekjeje e në ndonjë rast tjetër, përmes “emisarëve” të tyre në SHBA, arritën madje të “rekrutojnë” edhe senatorin amerikan J. Dioguardi të shkruajë ekskluzivisht për shtypin shqiptar, që kampi mortor i Tepelenës as që paskësh ekzistuar(!). Por ne që kishim regjistruar ndër vite në Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, disa qindra orë videodëshmi me të mbijetuarit e atij kampi e kampe të tjera vdekjeje, të ndodhur para kësaj pafytyrësie të re të nostalgjikëve të enverizmit dhe moshave të tjera nostalgjikë të këtyre realeve, nuk kishim rrugë tjetër kundërpërgjigjeje, përpos çlirimit të këtyre zërave tragjikë nga zgavrat më të thella të hadit tonë komunist.

Sot apologjetët dhe simahorët e diktaturës janë shtuar shumë. Ata ndjejnë hapur mbështetje e nxitje politike të shpërthejnë në histeri, përderisa qën-drimi shtetëror ndaj krimeve të komunizmit është indiferenca e plotë dhe mungesa e çdo lloj ligji është në fakt, miratimi në heshtje, që autorët e këtyre krimeve, xhelatët e vrasësit t’i paraqesin si heronj, ndërsa bëmat e tyre makabre të konsiderohen të lavdishme. Kur shteti, kur organet ligjzbatuese, kur elitat politike dhe indiferenca shoqërore me topitjen e përgjithshme të vetëdijes sonë nuk qëndrojnë as në shkallaren minimale të ndërgjegjes dhe nuk kihet, së paku, keqardhje e mëshirë për mijëra të ekzekutuar të pagjetur ende, që të prehen në një varr e të ndizet një qiri, puna e dëshmisë me format e larmishme të saj, është rezistenca e vetme në këto kushte, për të mos u njëjtësuar të gjithë me krimin e pandëshkuar.

Shi për këtë situatë të turpshme e ka fjalën Shekspiri kur thotë: “O turp, o turp, ku e ke skuqjen!”./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH