Aktualitet

Kundërshtuan me dhunë policinë, procedohen 6 anëtarë të kampit Ashraf

Shkruar nga Liberale
Kundërshtuan me dhunë policinë, procedohen 6 anëtarë

Gjashtë banorë të kampit Ashraf janë procedurat penalisht, pasi akuzohen se kundërshtuan me dhunë punonjësit e

Policisë së Shtetit dhe dëmtuan automjetet e tyre.

Incidentet në fjalë u regjistruan dje ku policia pas kontrolleve që ushtroi në kamp, u përball me rezistencën e banorëve. Këta persona akuzohen se penguan ekzekutimin e vendimit të GJKKO-së për të ushtruar kontrolle në vendqëndrimin e organizatës MEK.

NJOFTIMI I POLICISË

Kundërshtuan me dhunë punonjësit e Policisë së Shtetit dhe dëmtuan automjetet e Policisë, me qëllim pengimin e ekzekutimit të vendimit të GJKKO-së për të ushtruar kontrolle në vendqëndrimin e organizatës MEK, procedohen penalisht 6 shtetas, drejtues të organizatës MEK

Më datë 20.06.2023, shërbime të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bazë të planit operacional të hartuar me qëllim ekzekutimin e vendimit penal nr. 262, të datës 19.06.2023, të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kanë ushtruar kontrolle në ambientet e vendqëndrimit të organizatës MEK, në njësinë administrative Manzë, Durrës, për gjetjen dhe sekuestrimin e sendeve të kundërligjshme që mund të gjendeshin në ambientet e rezidencës.

Gjatë kryerjes së veprimeve procedurale konform ligjit, shërbimet e Policisë janë ndeshur me kundërshtimin e dhunshëm dhe të vazhdueshëm të shtetasve që strehoheshin në rezidencë, të cilët tentuan të pengonin shërbimet e Policisë për të vijuar kontrollet dhe për të sekuestruar provat materiale, objekt i vendimit të GJKKO-së. Si pasojë e kundërshtimeve të dhunshme dhe të vazhdueshme, janë dëmtuar 15 punonjës policie dhe automjete të Policisë së Shtetit. Pavarësisht dhunës së ushtruar ndaj tyre, punonjësit e Policisë janë vetëpërmbajtur deri në ekstrem, duke mos iu përgjigjur proporcionalisht dhunës që po ushtrohej ndaj tyre.

Në kuadër të veprimeve hetimore të kryera për këtë qëllim, si dhe pas konsultimit me prokurorin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” , “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”, për 6 shtetas iranianë, rezidentë në vendqëndrimin e organizatës MEK, konkretisht:

H.N., 73 vjeç; M.B., 72 vjeç; A.A., 72 vjeç; B.S., 63 vjeç; A.A., 61 vjeç dhe D.F., 70 vjeç. Strukturat hetimore të DVP Durrës dhe ato të Departamentit të Policisë Kriminale të DPPSH-së, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, vijojnë hetimet e thelluara për të dokumentuar me prova ligjore, veprimet e kundërligjshme të kryera nga shtetasit rezidentë në vendqëndrimin MEK, gjatë zhvillimit të operacionit të kryer nga Policia e Shtetit, në zbatim të vendimit të GJKKO-së, për kontrollin në ambientet e brendshme të rezidencës.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH