Aktualitet

Kryemadhi: Ne nuk kemi qenë kurrë kundër dialogut

Shkruar nga Liberale
Kryemadhi: Ne nuk kemi qenë kurrë kundër dialogut

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e ftuar në një intervistë në Report Tv tha se opozita nuk ka qenë kurrë kundër dialogut me mazhorancën dhe se prania në tryezën e reformës zgjedhore e tregon më së miri këtë.

Pyetje: Duke u ndalur tek tryeza e reformës zgjedhore, ju si opozitë jeni paraqitur në tryezë vetëm nivelin teknik, a do të ketë mundësi që të merrni pjesë në nivelin politik, apo do të mbetet kushti për largimin e Damian Gjiknurit?

Përgjigje: Damiani dhe shefat e Damianit duhet të dalin përpara drejtësisë. E dyta, ne nuk i kemi thënë kurrë jo dialogut për reformën zgjedhore edhe para se të digjnim mandatet. Po kanë qenë disa kushte të domosdoshme. Në momentin që ne do të shkonim drejt miratimit të reformës zgjedhore në fund të vitit 2018, doli skandali i famshëm i dosjes 339. Dhe si mund të shkojmë ne të miratojmë një reformë zgjedhore kur kishte një dosje 339 që kishte dy vite që mbahej e fshehur në prokurorinë e shtetit. Kur më pas doli 184, që në 2016 bënte xhiro bulevardit nga njëra zyrë e prokurorisë në zyrën tjetër dhe ndërkohë po përsëri tregonte skemën e deformimit, manipulimit, blerjes, kërcënimit dhe intimidimit të njerëzve për votën e tyre. Pra, reforma zgjedhore është një nga kushtet që ka opozita dhe nuk bëhet fjalë për atë që shkruhet e zeza mbi të bardhë, për ligjin për kodin zgjedhor apo për shumë procese të tjera që ne mund t’i diskutojmë në një tryezë. Problemi është, si mund të garantohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Sepse Shqipëria asnjëherë nuk ka pasur ligje të gabuara, ligjet e Shqipërisë janë shumë të mira. Por problemi qëndron tek funksionimi i strukturave të shtetit në zbatimin e ligjit. Ne nuk u paraqitëm në nivel teknikësh. Ishte një nivel teknik dhe politik. Po për të dhënë një sinjal që ne nuk jemi kundër dialogut dhe zgjidhjes së krizës politike në Shqipëri. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH