
Ilir ISLAMI, PhD Kandidat
Sevdie KADRIU PhD Kandidate
Siguria njerëzore në aspektin e sigurisë për jetë, shëndet, liri Kur flasim për sigurinë individuale (njerëzore) ajo nënkupton sigurinë për jetë, shëndet, status, liri etj. Elementet e cekura janë shumë të rëndësishme, dhe shumë prej tyre nuk mund të zëvendësohen në rast se humbin. Për këtë arsye mund të thuhet se siguria njerëzore ka dy aspekte kyçe: Aspekti i parë përfaqëson mbrojtjen nga kërcënimet kronike siç mund të jenë uria, sëmundja dhe represioni, kurse, aspekti i dytë nënkupton mbrojtjen nga çrregullimet e papritura dhe të dhimbshme të cilat e përcjellin jetesën e përditshme pavarësisht se a ndodhin në shtëpi, në punë apo edhe në vende të tjera. Ky përkufizim natyrisht shumë i gjerë dhe i pa precizuar në mënyrë të mjaftueshme, ka shkaktuar që siguria njerëzore të shihet si një fushë e papërcaktuar qartë.
Vështirësi shtesë në studimin e këtij koncepti vjen nga fakti se, ende nuk ekziston një term i përgjithshëm dhe i pranueshëm nga të gjithë mbi sigurinë njerëzore. Megjithatë shumica e përkufizimeve e trajtojnë si diçka të dobishme për njerëzit e zakonshëm. Siguria njerëzore, siç thekson Kofi Anan, në kuptimin e gjerë përfshin, të drejtat njerëzore, qeverisjen e mirë, mbrojtje shëndetësore si dhe krijimin e kushteve që secili individ ka rastin dhe zgjedhjen të arrijë potencialin e vet. Çdo hap në këtë drejtim është një hap drejtë zvogëlimit të varfërisë, rritjes ekonomike dhe tejkalimit të konflikteve. Edhe pse shumë shkurtimisht, kjo pikëpamje e ish Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së është e rëndësisë së veçantë sepse ngërthen në vete dy aspekte të rëndësishme të sigurisë njerëzore: heqjen e lirisë dhe heqjen e frikës. Ideja e heqjes së lirisë si përkufizim i sigurisë njerëzore niset nga fakti se në konfliktet e armatosura brenda vitit vriten shumë më pak njerëz sesa ishte rasti me humbjet që shkaktohen si pasojë e mungesës së ujit dhe ushqimit, varfërisë, papunësisë, sëmundjeve të ndryshme, nga mos animi i katastrofave në rast të fatkeqësive natyrore etj. Prandaj ajo nga e cila njeriu është i privuar në shkallën më të madhe në jetën e tij, nuk janë kërcënimet ushtarake por janë pikërisht faktorët e përmendur më lartë. Kur flasim për këtë problematikë, mund të themi se koncepti i sigurisë njerëzore, dallohet nga të tjerat nga koncepti i sigurisë nacionale për faktin se objekt referimi këtu nuk është shteti por individi. Sipas hulumtimeve të ndryshme të bëra mos suksesi më i madh i sigurisë shtetërore lidhet me faktin se shteti nuk ka arritur qëllimin e vet kryesor, e kjo është mbrojtja e plotë e individit. Në këtë mënyrë siguria nacionale gjegjësisht siguria shtetërore nuk ka arritur që ta përmbush këtë pjesë të përgjegjësisë ndaj shoqërisë. Në këtë kuadër siguria njerëzore përfshin edhe bashkësitë e ndryshme shoqërore, por edhe kombet në përgjithësi. Megjithatë, individët janë objekt më i rëndësishëm i referimit kur flasim për sigurinë njerëzore sepse me sigurinë e tyre arrihet edhe siguria e subjekteve të tjera. Në këtë aspekt, individi nuk është më vetëm mjet për arritjen e sigurisë nacionale, por bëhet koncept themelor i sigurisë. Prandaj nuk është për tu çuditur Raporti për zhvillimin njerëzor i UNDP-se i vitit 1994, i cili pas të tjerash konstaton se lista e kërcënimeve të sigurisë njerëzore është relativisht e gjatë, por shumica e këtyre mund të grupohen në disa kategori si në vijim: Siguria ekonomike, ballafaqohet nga kërcënimet që vijnë nga papunësia, nga mos siguria në vendet e punës, nga kushtet e vështira të punës, nga pabarazia në hyrjet që realizojnë, inflacioni, nga mungesa e sigurimeve shëndetësore dhe nga faktorë të tjerë.
Siguria në aspektin e ushqimit arrihet me zgjidhjen e problemeve që lidhen me sjelljen fizike dhe ekonomike në ushqim. Njerëzit janë të uritur, jo nga arsyeja se nuk ka ushqim, por nga fakti se nuk kanë mundësi që ta sigurojnë atë. Siguria shëndetësore, ka të bëjë me kërcënimet ndaj sigurisë së jetës dhe shëndetit të njerëzve të shkaktuar nga sëmundjet e ndryshme infektive dhe nga parazit të ndryshëm, nga virusi HIV, sëmundjet e shkaktuara nga ajri i ndotur dhe uji, si dhe nga sjellje jo adekuate në shërbimet shëndetësore. Siguria personale merret me luftimin e kërcënimeve të cilat mund të shfaqen në forma të ndryshme: kërcënimet nga ana e shtetit (dhuna fizike), kërcënimet që mund të vijnë nga shtete të tjera (luftërat e ndryshme), kërcënimet nga grupe të ndryshme ndër etnike (tensionet e ndryshme ndërmjet komuniteteve), kërcënimet që mund të vijnë nga grupe të ndryshme kriminale (format e ndryshme të kriminalitetit), kërcënimet që janë të drejtuara nga femrat (dhunimet e ndryshme dhe dhuna në familje), kërcënimet e drejtuara ndaj të miturve (keqtrajtimi i tyre në forma të ndryshme) dhe në fund kërcënimet të cilat janë të drejtuara kundër vetvetes (vetëvrasjet, përdorimi i substancave narkotike) etj. Siguria ekologjike, merret me pengimin e degradimeve në ekosistemet lokale dhe globale, situatat e mungesave të ujit, menaxhimin e situatave të vërshimeve dhe katastrofave të ndryshme natyrore, shpyllëzimeve të panevojshme, ndotjeve të ajrit, tokës dhe ujit etj. Siguria politike përfaqëson njërin nga aspektet më të rëndësishme të sigurisë njerëzore, dhe nënkupton jetën në një shoqëri të caktuar në të cilën respektohen te drejtat themelore të njeriut ku dhe nuk zbatohet aparati i dhunës shtetërore. Sot shteti duhet të jetë instrument funksional, sepse ai duhet që individit si objekt referimi t’i ofrojë siguri, jetë të sigurtë dhe të qetë, pa skamje, pa uri dhe pa sëmundje. Mirëpo, nëse kjo nuk është duke ndodhur, atëherë fjala është për shtet i cili përfaqëson burim problemesh apo edhe kërcënim për sigurinë e qytetarëve të vet. Në këtë rast vetvetiu do të lind pyetja: cili shtet do t’ju ofronte siguri këtyre njerëzve nëse një gjë të tillë nuk do t’ua bëjë shteti i tyre. Në rastet e tilla paraqiten organizatat e ndryshme ndërkombëtare të cilat do të bëjnë përpjekje që së paku për të sensibilizuar opinionin publik se çfarë në realitet është duke ndodhur. Në këtë mënyrë hapen dyert për zbatim të politikave të ndërhyrjes së bashkësisë ndërkombëtare dhe shpeshherë vihen deri tek keqpërdorimi i konceptit në kuptim të shkatërrimit të sovranitetit dhe sistemit politik të këtyre shteteve, edhe pse koncepti i sigurisë njerëzore është i përfshirë në kuadër të Kombeve të Bashkuara, disa prej shteteve janë treguar jo të gatshme që një koncept të këtillë ta zbatojnë në praktik. Në deceniet e fundit si në rrafshin politik ashtu edhe në atë akademik është zhvilluar përkufizimi rreth domenit të sigurisë njerëzore me qëllim të operimit më të lehtë si në kuptimin praktik-politik ashtu edhe në kuptimin teorik-akademik. Një iniciative e këtillë vlen të përmendet ajo e Qeverisë së Kanadasë, e cila sigurinë njerëzore e kupton si: liri nga kërcënimet të cilat rrezikojnë të drejtat njerëzore, sigurinë apo jetën e njerëzve, dhe në këtë kuptim ajo ka përcaktuar pesë prioritete të politikës së jashtme në kontest të avancimit të sigurisë njerëzore: • Mbrojtja e popullatës civile- duke forcuar vullnetin e bashkësisë ndërkombëtare, normat dhe kapacitetet me qëllim të zvogëlimit të humbjeve njerëzore në konfliktet e armatosura. • Operacionet në përkrahje të paqes- përmes rolit më aktiv të saj në misionet paqësore të Kombeve të Bashkuara. • Qeverisja dhe përgjegjësia- nënkupton avancimin e përgjegjësisë të sektorit publik dhe atij privat në kuptim të zhvillimit të parimeve demokratike dhe të drejtave njerëzore. • Tejkalimin e konflikteve- përmes kapaciteteve të bashkësisë ndërkombëtare, si dhe përmes zhvillimit të kapaciteteve autonome lokale, me qëllim të tejkalimit të konflikteve përmes marrëveshjeve. • Siguria publike- nënkupton zhvillimin e ekspertizave ndërkombëtare, kapaciteteve dhe instrumenteve me qëllim për t’ju përgjigjur organizatave të ndryshme transnacionale të krimit te organizuar. Në vitin 2000, është themeluar po ashtu Komisioni Ndërkombëtar për Intervenim dhe Sovranitet Shtetëror. Qëllimi i këtij Komisioni ka qenë të ofrojë zgjidhje praktike në rastet kur ka shkelje elementare të të drejtave të njeriut, dhe mekanizmat efikase për mbrojtjen e popullates në rastet kur ka shkelje të këtilla. Në vitin 2001, ky komision doli me raportin e ashtuquajtur: “Përgjegjësia për të Mbrojtur” sipas të cilit raport ndërhyrja ushtarake me qëllim të mbrojtës së njerëzve arsyetohet në dy raste: së pari me qëllim të parandalimit ose ndaljes së humbjeve të mëdha të njerëzve i drejtuar me qëllime gjenocidi dhe i cili është rezultat i veprimtarisë së qëllimshme shtetërore dhe së dyti për shkak të “spastrimit etnik” pavarësisht a bëhet fjalë për vrasjen, deportimin me dhunë, terrorit apo dhunimeve. Nëse është plotësuar njëri nga këto kushte apo të dyja, qëndrimi i këtij komisioni është se vendimi për ndërhyrje është plotësisht i drejtë. Prandaj është me rëndësi këtu të theksohet çka në fakt këto dy kushte përfshijnë në vetvete dhe çka ato përjashtojnë. “Qëndrimi i Komisionit Ndërkombëtar për Intervenim dhe shtetet sovrane” është se këto dy kushte përfshijnë rastet si në vijim: • Ato veprime të cilat janë të definuar me Konventën e vitit 1948, për gjykimin dhe dënimin e krimineleve të gjenocidit dhe të cilat paraqesin kërcënime serioze apo shkaktojnë humbje të mëdha në jetët e njerëzve. • Kërcënime serioze apo humbje të mëdha në njerëz, pavarësisht se a janë si produkt i gjenocidit të paramenduar dhe pavarësisht a përfshihen aksionet nga shteti apo jo.
Format e ndryshme të “spastrimeve etnike” • Krimet kundër njerëzimit dhe shkelja e ligjeve të luftës, në atë mënyrë siç janë të përcaktuara me Konventat e Gjenevës dhe akteve te tjera, ku nënkuptohet numër i madh i vrasjeve dhe “spastrimeve etnike”. • Uria masive e banorëve apo lufta qytetare si pasojë e paralizimit të shtetit. • Katastrofa të ndryshme natyrore dhe ekologjike me të cilat shtetet nuk dëshirojnë apo nuk janë në gjendje të ofrojnë apo të kërkojnë ndihmë, apo në fakt bëhet fjalë për një numër te madh humbjesh në njerëz dhe në objekte. Megjithatë, pothuajse të gjitha këto situata apo kërcënime janë të përfshira në rendin juridik ndërkombëtar. Krimet kundër paqes, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit së pari herë janë përfshirë në Statutin e Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare të Nynbergut . Me vonë janë përfshirë edhe në Statutin e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte të ish Jugosllavisë, Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ruandën dhe përfundimisht me Statutin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare të Romës. Në këtë aspekt, objektivi i doktrinës së raportit “Përgjegjësia për tu mbrojtur’’ është pikërisht mbrojtja e njeriut kur ekzistenca e tij është e rrezikuar, në situatat kur shteti nuk dëshiron apo nuk mundet t’i ofrojë sigurinë, prandaj edhe zhvillohen mekanizmat e ndryshëm për zbatimin e intervenimeve multilaterale me të vetmin qëllim mbrojtjen e tyre në cilindo vend në botë. Po ashtu, e drejta e intervenimit të bashkësisë ndërkombëtare në raste të: rrezikimit të paqes, cenimit të saj apo akteve agresore është e definuar shumë qartë me Deklaratën e Kombeve te Bashkuara. Veprimet e specializuara, në pajtim me Deklaratën e Kombeve të Bashkuara, si kundërpërgjigje në kërcënimet ndaj sigurisë janë sanksionet politike dhe ekonomike që zbatohen ndaj vendeve të cilat me të vërtetë e rrezikojnë sigurinë e qytetarëve të vet. Megjithatë shpeshherë këto masa kanë edhe efekte të kundërta ngaqë edhe ashtu vështirësojnë edhe më shumë jetën e këtyre banorëve. Prandaj, raporti në fjalë aksentin e vendos pikërisht tek intervenimet ushtarake. Që siguria njerëzore si koncept themelor i sigurisë të mund realisht të zbatohet në praktikë, është e domosdoshme që ata kufijtë e “mjegullt” lidhur me të, të definohen qartë. Testi kryesor mbi rëndësinë e çdo koncepti, është mundësia e zbatimit praktik të saj. Që një koncept i caktuar të mund të zbatohet në praktikë ai domosdo duhet të operacionalizohet. Kjo është shumë e vështirë posaçërisht kur kemi të bëjmë me konceptin mbi sigurinë njerëzore, ngaqë në rrugën e zbatimit të sigurisë njerëzore ballafaqohemi me disa sfida.
Pajtueshmëri e plotë rreth definicionit të sigurisë njerëzore nuk ekziston, dhe pa një definicion të qartë, mundësia e zbatimit adekuat të saj në praktikë themi se është shume e vogël.
Së dyti, ngjarjet që kanë ndodhur me 11 shtator 2001, nga aspekti i sigurisë njerëzore kanë shkaktuar një tronditje te jashtëzakonshme dhe pasoja të paparashikueshme. Pikërisht ngjarja e tillë ka ndikuar edhe në ndryshimin e koncepteve mbi sigurinë në përgjithësi dhe për sigurinë njerëzore në veçanti. Së treti, dhe ndoshta sfida më e rëndësishme për operacionalizimin e këtij koncepti është pyetja, kush është përgjegjës për ofrimin e sigurisë njerëzore? Siguria njerëzore është paramenduar si siguri në të cilën njerëzit do të ofronin mbrojtje për njeriun, mirëpo një sistem i menduar nën konstelacionin e tillë të forcave në nivel lokal, shtetëror dhe ndërkombëtar paraqet një ide shumë të vështirë për tu implementuar. Pavarësisht objektit që i referohemi (individ, bashkësia shoqërore, shteti apo sistemi ndërkombëtar) shteti, prapseprap mbetet si kujdestari kryesor i sigurisë njerëzore. Megjithatë nuk janë të gjitha shtetet të njëjta në pikëpamje politike, ekonomike dhe ushtarake. Ekzistojnë disa shtete të cilat janë aq të fuqishme që munden jo vetëm të përkujdesen për sigurinë njerëzore brenda shtetit të vet por edhe për të siguruar mbrojtjen e njerëzve përmes mekanizmave të ndryshëm ndërkombëtar dhe në shtetet e tjera. Pikërisht për këtë arsye lidhur me konceptin e sigurisë njerëzore lidhen disa kontraverza të caktuara. Megjithatë, pa marrë parasysh se në rolin e titullarit të kësaj forme të sigurisë shfaqen shtetet apo bashkësia ndërkombëtare, se a do të zbatohet siguria njerëzore në kuadër të konceptit të zgjeruar mbi sigurinë nacionale apo do të realizohet përmes ndërhyrjeve qoftë në aspektin ekonomik apo edhe në atë ushtarak nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, padyshim një kontribut pozitiv do të mund të arrihej nëse në bisedimet e ndryshme që zhvillohen mbi sigurinë t’i kushtohet një vëmendje e posaçme njerëzve dhe qytetarëve të thjeshtë. Prandaj, nga ky aspekt duhet të shikohet kontributi që jep koncepti mbi sigurinë njerëzore. /Liberale.al