
Zef Ndreka*
Në Shqipëri ndodhin çudira. Pothuaj çdo ditë, ose dalin skandale në përgjime ku përfshihen të përzgjedhur të politikës si qeveritarë, ish ministra, ministra, deputetë e ish deputet, drejtorë e ish drejtorë, kriminelë me pushtet ose të arratisur, banda të organizuara e të veçuara si nga pozita dhe opozita.
Vendi ynë të jep pamjet e mirëfillta të një prej lagjeve më kriminale. Mjafton të shikosh kronikat televizive, emisionet që drejtohen nga bandat rivale dhe oligarkët e tyre, përdorimin e opinionistëve për të çoroditur shikuesit. Gara e bandave për përfitime përmes korrupsionit, përmes krimit ka shumë vite që Shqipërinë e ka kthyer në një horror të vërtetë.
Por po ashtu, një formë tjetër e korrupsionit për të mbajtur të përçarë opozitën ka aplikuar Edi Rama dhe Erion Velia. Është misioni i tyre me i suksesshëm në shkatërrimin e opozitës dhe konkretisht PD-së.
Stimulimi i vazhdimësinë së korrupsionit edhe me blerjen e opozitës foltoriste faktohet lehtësisht më favorizimet e paligjshme në dhënien e hapësirave publike për të ndërtuar kulla në mesin e Tiranës, si rasti i fundit, shih foton.
Trekëndëshi po vazhdon lojën, po ecën i qetë në misionin për ruajtën e statusquosë oligarkike brenda tyre.
Dhe shqiptarët vetëm shohin dhe heshtin! Dhe demokratëve vazhdojnë t'iu errësohen më tej sytë nga "ndjeshmëria" për legjendën e tyre të cilin edhe pse e shohin dhe besojnë se është kufomë politike dhe nuk kanë asnjë shpresë, e ndjekin pas verbërisht.
Beneficet e politikës në favor të lëvizjes së foltores me dhënje lejesh ndërtimi, tregojnë qartë kush është i kapur dhe i shitur tek Rama.
Është Lulzim Basha i shitur që bën denoncimin e këtyre aferave, apo Berisha që është përfituesi direkt i tyre?!
SPAK-u le ti hetojë.
Çmenduritë e Ramës dhe Berishës nuk kanë fund. Janë në hall tani të investojnë paratë e korrupsionit 32-vjeçare. Përpara se të hetohen nga drejtësia. Përpara se të bllokohen apo të sekuestrohen.
Shqipëria tashmë është e mbushur me bomba që presin të pëlcasin. Apo me saktë me mina me sahat që çelësin e tyre e ka në dorë SPAK-u.
Sa më parë të kurdisen minat prej tyre, aq më frymëmarrje krijohet për opozitën, për demokracinë e kapur e të kontrolluar, për Shqipërinë.
Opozita e vërtetë e ka detyrën kryesore denoncimin për t'ia kaluar topin drejtësisë.
*Zef Ndreka ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës në vitin 1986, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike-Elektrike. Ai është angazhuar rregullisht në shtypin e shkruar, ka qenë drejtor i gazetave “Dita” dhe “Ballkan”, si dhe themelues dhe drejtor i gazetës “Panorama”. Në vitin 2005 ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i Platformës Satelitore Sat+ me 28 kanale televizive.