Aktualitet

INSTAT: Inflacioni për muajin mars është rritur në 2.1%

Shkruar nga Liberale
INSTAT: Inflacioni për muajin mars është rritur në 2.1%

Instituti i Statistikave publikoi raportin mbi indeksin e çmimeve të konsumit, sipas të cilit rritja vjetore e çmimeve në muajin mars është ndikuar kryesisht nga grupi “ushqime dhe pije joalkoolike” me 1.72%, pasuar nga grupi “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.34%.

“Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin mars 2020 është 2.1%. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1.1%. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin mars 2020, krahasuar me shkurt 2020, është 0.6%”, thuhet në raport.

Për herë të parë që nga gushti i vitit 2018 inflacioni qëndron mbi nivelin e poshtëm të objektivit të vendosur nga Banka Qendrore.

Rritja e inflacionit gjatë muajit mars është ndikuar nga masat shtrënguese të vendosura nga qeveria për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.

Disa subjekte tregtare, ushqimore dhe farmaci rritën çmimet e produkteve, por me ndërhyrjen e autoriteteve çmimet u kthyen në vlerat normale.

Gjatë muajit mars administrata tatimore ushtroi një sërë kontrollesh, duke vendosur gjoba ndaj disa subjekteve që abuzuan me çmimet.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH