Aktualitet

Hashim Thaçi, nga UÇK tek Pavarësia e Kosovës

Shkruar nga Liberale
Hashim Thaçi, nga UÇK tek Pavarësia e Kosovës

Prof. Dr. Ferit Duka*

Zoti Hashim Thaçi është një nga personalitetet politike më të spikatura të Kosovës dhe të mbarë botës shqiptare, njeriu i cili që në rini jetën dhe fatet e veta i lidhi ngushtësisht me fatet e popullit të Kosovës. Kontributi i z. Thaçi në dobi të kësaj kauze të madhe dhe fisnike është shumëplanësh. Pikërisht atëherë kur Kosova u përball me një nga shfaqjet më brutale të shtypjes e dhunimit të të drejtave dhe lirive politike e civile, kur pushteti gjakatar i Millosheviçit bllokoi dhe eliminoi në mënyrë arbitrare institucionet e vetëqeverisjes dhe filloi fushatën e spastrimit etnik dhe të genocidit kundër bashkëatdhetarëve tanë të atjeshëm, ishte z. Thaçi bashkë me veprimtarë të tjerë të spikatur nga Kosova, të cilët me përkushtim, vetëmohim e guxim të admirueshëm, të inspiruar fort edhe nga tradita, qëndresa dhe luftërat shekullore të të parëve të tyre për dinjitet e mbijetesë, përgatitën terrenin politik dhe ushtarak për organizimin e luftës për Kosovën e lirë dhe demokratike.

Në funksion të këtij misioni të lartë u krijua Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në të cilën roli dhe kontributi i zotit Hashim Thaçi kanë qenë të një rëndësie të veçantë. Ai ka qenë jo vetëm një ndër themeluesit kryesorë, por edhe udhëheqësi politik i kësaj strukture të madhe e të mirëorganizuar të luftës për çlirimin e Kosovës. Nën udhëheqjen politike të z. Thaçi, UÇK-ja shënoi suksese të njëpasnjëshme në luftën heroike kundër ushtrisë pushtuese serbe, duke i shkaktuar kësaj të fundit humbje serioze në njerëz e armatime dhe duke lartësuar kështu përditë dinjitetin dhe prestigjin e saj jo vetëm në sytë e shqiptarëve të Kosovës, për të cilët u kthye në simbol të shpresës dhe të lirisë, por edhe të mbarë botës së qytetëruar që ishte në anën e kauzës së tyre.

Roli dhe kontributi i zotit Thaçi ka spikatur jo vetëm gjatë luftës për lirinë e Kosovës, por edhe në betejat po aq të vështira për ndërtimin e Kosovës së re paqësore e demokratike, për ndërtimin dhe fuqizimin e institucioneve të shtetit të ri të Kosovës. Përpjekjet e bëra në këtë drejtim me ndihmën dhe bashkëpunimin e ngushtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Europian dhe aleatëve të tjerë ndërkombëtarë, çuan në ngjarjen e madhe të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, datë e cila së bashku me 12 qershorin e vitit 1999, dita e çlirimit të Kosovës, janë dy piketa shumë të rëndësishme të historisë kombëtare të shqiptarëve.

Në të gjitha këto zhvillime si dhe në tërë procesin e vështirë të konsolidimit e të modernizimit të shtetit të pavarur të Kosovës në fushat politike, ekonomike e kulturore, të fuqizimit të pozitës ndërkombëtare të tij, zoti Hashim Thaçi ka një vend qëndror. Si bartës i përgjegjësive të larta politike e shtetërore, duke qenë herë në pozicionin e kryeministrit, herë në atë të ministrit të punëve të jashtëme e, tani së fundi, në postin e Presidentit të Republikës së Kosovës, ai ka manifestuar mençuri, urtësi e largpamësi prej shtetari të vërtetë.

Mendoj se në personalitetin e zotit Thaçi janë bashkuar e harmonizuar si duhet luftëtari i lirisë me njeriun e paqës, udhëheqësi i luftës me drejtuesin shtetëror. Për këtë mjafton të vemë në dukje se zoti Hashim Thaçi ka përfaqësuar me dinjitet Kosovën si kryenegociator i saj në tryeza bisedimesh të vështira e marrëveshje të rëndësishme për vendin e tij, duke filluar nga Rambujeja në shkurt të vitit 1999 e deri në bisedimet e sotme me Serbinë. Si politikan dhe shtetar i përgjegjshëm, ai nuk ka munguar të jetë i vendosur e i prerë në mbrojtje të interesave të popullit të tij, por edhe të pranojë kompromise qofshin këto edhe të vështira, mjaft që këto të bëheshin po në emër të interesave të larta të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj.

Më lejoni të theksoj gjithashtu se në se sot Republika e Kosovës është kthyer në një faktor paqeje e stabiliteti në Ballkan, në se ajo po përparon në mënyrë domethënëse në kryerjen e reformave europianizuese, e në se shteti më i ri i Europës po përfshihet gjithnjë e më shumë në rrjedhat integruese dhe po afirmohet gjithnjë e më shumë në skenën ndërkombëtare, një meritë të veçantë këtu ka Presidenti Hashim Thaçi, i cili tregon angazhim e përkushtim maksimal për të nxitur e përshpejtuar këto zhvillime pozitive si dhe për të eliminuar pengesat që dalin në rrugën e këtyre zhvillimeve.

Gjithshka u parashtrua shkurtimisht më lart, më jep të drejtën për t’i rekomanduar Senatit të Universitetit Europian të Tiranës që t’i akordojë Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi titullin “DOCTOR HONORIS CAUSA”. Jam i bindur se një gjë e tillë do të ishte nder i veçantë për universitetin si dhe shenjë nderimi e respekti për popullin dhe shtetin e Kosovës.

Fjala në ceremoninë e titullit “Honoris Causa” për presidentin Hashim Thaçi në Universitetin Europian të Tiranës. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH