Të gjithë fermerët që duan të përfitojnë subvencione, duhet të aplikojnë në e-albania deri më 11 prill. Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ka ftuar të gjithë femerët të aplikojnë për skemën e subvencioneve.
“Dhe duke i ftuar fermerët të aplikojnë nga sot e deri me 11 Prill për të përfituar nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në platformën e-Albania, ju uroj një javë të mbarë”, njoftoi Rama.
Procesi online i aplikimit të fermerëve nga portali e-Albania për përfitim nga skemat mbështetëse me zero dokumente, do të realizohet mbi bazën e vetëdeklarimit nga ana e aplikantit për të dhënat e kërkuara nga “Formulari i aplikimit”, si dhe të dhëna që identifikojnë fermerin që plotësohen automatikisht me ndërveprim nga regjistrat elektronikë nëpërmjet Platformës Qeveritare të Ndërveprimit.
Aplikanti mund të aplikojë vetëm një herë për të njëjtën masë. Më shumë informacion mund të marrë në faqen online azhbr.gov.al ose në udhëzimin e qeverisë datë 3 mars 2023.