Vladimir Myrtezai
Miqtë janë të rëndësishëm, por bëhen edhe më të vyer kur janë në cilësi të lartë.
Me Gjelosh Gjokën jam takuar diku rreth vitit 1994, në Augzburg, një provincë afër Mynihut. Po ktheheshim nga një ekspozitë që kishim hapur në Berlin, dhe në kthim ishim të ftuarit e Gjeloshit. Ishte koha kur në hartën tonë kishte shumë pak njohje të thellë se çfarë mbruhej në Perëndim, ndaj dhe ishim të etur për t’u informuar e marrë kontakte me botën e artit perëndimor; por, edhe në uri për të takuar personalitete që nuk i njihnim, apo që i njihnim shumë pak, nga ata që kishin emigruar me kohë jashtë kufijve konvencionalë të atdheut.
Ishte koha ku arti i pikturës ishte çdo gjë, si një ëndërr e madhe dhe e pakryer në breza, e mbyllur ngushtësisht në një botë të vockël bërë sipas udhëzimeve zyrtare.
Të dilje jashtë shtetit në atë kohë ishte një privilegj, gjë që i dha liri një mashtabi shprehës në një uri të pamatë për të kapur kufij sa më të largët dhe sa më të panjohur, me qëllim shtimin e një game informacioni dhe kurioziteti të paimagjinueshëm. Harxhonim çdo gjë, me çdo kusht, vetëm që t’i kapnim këta kufij njohës, për t’i kthyer në të ardhmen e afërt në një burim të pashtershëm krahasimi me çfarë ndodhte brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Nuk mendonim për asgjë veçse për një ëndërr të ndrydhur, dhe në atë fazë naive na dukej se do shpërthenim; se do ta detyronim botën të përqendrohej në ulërimën tonë të gatshme e të akumuluar tashmë. Me këtë vetëbesim udhëtonim si pelegrinë nga një vend në tjetrin, me shpresën e mbjelljes së një energjie të cilën bota ende s’e kish pikasur. Qe një udhëtim i gjatë me makinë, nga Berlini në drejtim të Mynihut. Një autostradë gjarpëruese nëpër një peizazh të shtrirë, sikur nuk kish fund, shoqëruar me një lukuni të zgjatur pyjesh të lartë e plot forma nga më të thellat. Një mrekulli natyrore që për ne shkelësit e parë ngjallte një impresion të jashtëzakonshëm.
Mbërritëm në Augzburg vonë në mbrëmje. Kishin dalë për të na pritur në qendër të qytetit të vjetër, Gjelosh Gjokaj dhe një asistente e re e tij gjermane. Gjeloshi qe një mesoburrë shtathedhur te të pesëdhjetat, me do sy ngjitës, të ngjashëm e të varur si me qeska, që ngjashmërisht i shkonte të gjithë atyre që merreshin me artin e pikturës, që seç kishin në vështrim: një lloj mekjeje më të shtrirë në kohë se zakonisht, diç e zvargur në përshtypje, që nuk të shqitej nga vëmendja.
U përqafuam përzemërsisht dhe na tha se kishte prenotuar diku për të ngrënë diçka të shpejtë dhe më pas do akomodoheshim. Në fakt, takimet mes shqiptarëve aso kohe ishin emocionuese dhe të ngrohta, për shumë arsye që kish sjellë gjatë ndarja. Ishim gjithë kohën të kapur duke folur për shkollimet e ndryshme e strukturat formale e informale, nga ku kish rrjedhë arti figurativ, gjithnjë në një uri të fshehur për të bërë thagmë në të gjitha qëndrimet dhe aksionimet ideore.
Gjeloshi kish pamjen e njeriut të impresionuar, që mezi priste që të flisnim gjatë për shtigje dhe kalkulime të reja lëvizjesh, për të zhvendosur kështu hartën e rrëfimit mbi artin e pikturës, për ta bërë të lëvizshme atë gjë që nuk e kuptonim edhe aq për shkak të delirit të madhështisë dhe vetë reaksionit të lirisë së kryer.
Gjatë gjithë kohës e kishim mendjen te një ndikim sa më i shpejtë dhe pa shumë kushte. Në atë kohë ishte nën shoqërinë e një vajze relativisht të re, te të tridhjetat, që ishte edhe asistentja e tij. Po ashtu, ajo ishte edhe artiste që merrej me dizajn, me sa dukej nën tutorimin e Gjeloshit, si hapësirë analize e veprave që aplikonte. Ndihej menjëherë nga mënyra se si sillej, me një kujdes të përkorë ndaj tij. Lidhjen me Gjelosh Gjokajn e bëri të mundur Ardian Klosi, për shkak njohjesh me mikun e tij të ngushtë, Martin Camajn. Qe një lidhje e cila ndiehej se ishte e afërt, për shumë shkaqe, por edhe për projekte të përbashkëta kulturore dhe ndikimi, si nga një anë e veriut të Shqipërisë.
Ndihej një aleancë nga ato të rezervuarat në planin e ndikimit të artit, ngase të dy ishin simbiozë e një lloj kërkimi të përafërt mes pamores dhe fjalës së shkruar; madje dallohej edhe në strukturat antropologjike, si ato të portreteve që afronte Gjeloshi, një metafizikë si e ndaluar në hartën e poetëve modernë, me një fantazi e zgafllosje të ç’qendërzuar, që e bënte imazhin sa fluturues aq edhe të kufizuar e hapësinor.
Flitej gjatë për të dy sa herë mblidheshin nëpër tavolinat e asaj kohe. Gjeloshi ishte shumë tërheqës për mënyrën se si i perceptonte gjërat, me një mençuri të thellë e të afërt, si një aksident i bisedës, me shumë finesë e me shumë sqimë. Njerëzit e mëdhenj dallohen nga detajet dhe nga mënyra e pazakontë e personale e të vështruarit të gjërave. Ishte i vetmi që nuk reshti së më thirruri në mbiemrin bazë, Groshi. Nuk i pëlqente llagapi Myrtezai, s’e di pse e refuzonte. Gjithnjë më thoshte si me nënqeshje se Groshi tingëllon më mirë, nga pikëpamja e tingullit është më perendimor dhe ndihmon emrin, si dhe ka një shushurimë frankofone. Më vinte si çudi, pasi unë nuk e preferoja mbiemrin tim që nga femëria, më dukej i dyshimtë në shumë tregues. Por, ai nuk hezitoi deri në fund duke më thirrur po Groshi.
Në lidhje me mënyrën sesi i shikonte gjërat dhe sesi i shprehte, nuk do e harroj takimin tjetër me të në Shkodër: teksa vizitonte qytetin e vjetër të Shkodrës kapte mustaqet e nën zë më thoshte “sa bukur, more”. Në fakt, ne ishim në gjendjen fill pas nëntëdhjetës, dhe na kishin ardhë në majë të hundës gjërat e rrënuara, dhe mendonim se çdo lloj ndryshimi mjafton që t’i ngjante ndryshimit pa kthjelltësinë e vlerës apo të zgjedhjes.
Nuk e harroj çastin kur pa një shtëpi të vjetër, i ndritën sytë, duke më thënë që të mos i shkatërronim, se nuk vijnë më, janë dyqind-vjeçare. Ishim në një kohë pasqyrash, ku donim të dukeshim me patjetër, duke dhënë sinjale ndryshimi me çdo kusht. Por, Gjeloshi ishte një prerje e çuditshme inteligjence e rrahur që herët me erërat e ndryshimit, si dhe me sakrificën e të ndierit në territore të hapura e korrente të mëdha, gjë që dukej sheshit në mënyrën se si gjykonte e mbronte modelin apo pikturën si frymë.
Fakti që ishte nga Malësia e Madhe e bënte interesant në formim dhe në kulturën e shprehjes pamore. Ishte krejt kundër pritshmërive apo afrive karakteriale në grup. Shkollimin e kish kryer në Beograd, në një nga shkollat më të mira në atë kohë për arte, sidomos në gjininë e grafikës. Aty mori një formim të konsiderueshëm e profesional, që e radhiti në krijimtari me figura të plota të epokës së tij.
Ndihet menjëherë dallimi i shkollës në zgjedhjen e motiveve, nën një planimetri të mjaftueshme ekspresioni dhe shpërndarjeje të matur të hapësirave piktorike. Një gjuhë e sprovuar gjatë me teknika të ndryshme, me një pikturim të lirë, e ngjashme me stacione litografish dhe analizash të një vizatimi të kërcyer për nga konceptimi.
Meditimi dhe ëndërrimi përbëjnë boshtin e një kërkimi të zgjatur në shumën formale që ai përdori në pikturë. Të duket sikur transmeton një lloj tensioni të epokës së artë të abstraktimit poetik të figurës.
Ky udhëtim e bën veprën e tij shëtitëse të personalizuar me aromat e origjinës dhe gjurmët e një kulture të zgjedhur. Grija e famshme, si një neutral ku ndodhin të gjitha aksidentet e formës shtypëse të vizatimeve të tij, i jep karakter një imazherie që sublimon kujtesën. Mënyra se si e tregonte formën e krijimit është e ndërprerë, si regim surreal me kthina të harlisura.
Gjeloshi i mbante pikturat gjatë në kohë, duke e kthyer energjinë ne formë ditari, si një monolog që zhvillohet diku midis ndërtimit dhe shkatërimit të tablosë, derisa gjen një ekuilibër fundor. Vepra nuk kish një fund dhe fillim, apo një sinkron që vjen si pasojë e një analize; ajo shpërfaqej nga gjendjet shpirtërore nga të cilat ai pushtohej në udhëtimin e tij të ngjeshur mbi sipërfaqe.
Krijimet e Gjelosh Gjokajt kanë freskinë e çastit, saqë të ngjajnë si të pakryera, pikërisht për shkak të udhëtimit që përmendëm.
Augzburgu ishte një qytezë fluide, sidomos pjesa e vjetër, që të dukej se shijohej vetëm në mëngjeset e mugëta, në një gri të dendur skenografike që shkëmbehej rrallazi me të çarat e kaltra. Të tilla gjendje përsëriten në nënshtresat piktorike të Gjelosh Gjokajt.
Augzbburgun e mbaj mend si gjendje sythi, si nga përmbajtja ashtu dhe nga gjendjet fluide dhe entuziazmi që na përshkonte në këtë qytet. Pikërisht aty kishim organizuar nje takim me një kuratore serbe që kishte një galeri me peshë për artin modern, me influencë në zonën e Mynihut. Paraqitëm projektin e mirëmenduar A5. Pesë shqiptarë në një shfaqje të përbashkët punësh të zgjedhura; një ekspozitë ku përfshihej edhe Gjeloshi. Ajo galeri kishte koleksionuar vepra të Gjelosh Gjokës dhe përpiqej të bënte një çarje të re me autorë shqiptarë të sapodalë nga një sistem i mbyllur gati pesëdhjetë-vjeçar. Në rolin e marrëdhënies me publikun kishim Ardian Klosin dhe një grup shqiptarësh me banim në Gjermani, që merreshin me promovimin e vlerave shqiptare jashtë kufijve amë. Atmosfera ishte mjaft e përzemërt dhe e ngrohtë; rrinim të gjithë në grup, sy e veshë për të qenë interesantë dhe për të kuptuar ç’të mundnim nga kontaktet e krijuara.
Më kujtohet një natë në studion e Gjeloshit ku ai na gatoi një qengj të pjekur në saç, duke bërë një darkë tradicionale shqiptare, bashkë me Marionin, të dashurën e tij, krejt e thjeshtë dhe e pakrahasueshme.
Interesante ishin mëngjeset e punës, kur takoheshim me klientët/blerësit e Gjokës, në një zakon të shtruar mëngjesesh të gjata me biseda për artin. Vemendja ishte e përqendruar te Gjeloshi, që bënte prezantimin tonë shtruar, përmes diapozitivësh e komentesh të thjeshta.
Në studion e tij gjendeshin disa telajo në proces, duke qenë se punonte paralelisht, nga një gjendje në tjetrën. Fliste shumë pak për veten. I kishte pëlqyer një periudhë që kishte kaluar në Itali, disa eksperienca të veçanta në gjuhën e litografisë dhe artit të aplikuar. Thoshte se ishin në të njëjtën atelier shtypi me piktorë të mëdhenj të epokës, si Picasso, Miró, Braque etj., ku shtypej një numër i limituar krijimesh grafike. E quante si periudha e artë për nga eksperienca dhe kontaktet me artin e kohës.
Isha shumë kurioz se si i kishte marrëdhëniet në rrethin e ngushtë familjar. Takova edhe vajzën e tij, fëmija i dytë që kishte me gruan e parë, gjermane me origjinë. Vajza ishte dritë e bukur, me tipare si gjermanike, me sa duket kish marrë nga e ëma. Pata një bisedë të zgjatur me të për shijet, artin, zgjedhjet në jetë, format e të bashkëjetuarit, mbi monogaminë, poligaminë e shumë gjëra që për një vajzë të moshës së saj të linte pa gojë për lirshmërinë me të cilën fliste. E pyeta për përvojat dhe historitë, e më erdhi si diçka e rrallë, shumë e pavarur. Më kujtohet se ishte në një lidhje me një koreano-jugor; kishte një tërheqje çudi. Ndër të tjera më shpjegonte arsyet e një lidhjeje dhe zgjatjen e saj. M’u duk mjaft e pjekur.
Takimet e tjera me Gjeloshin ishin në Tiranë dhe sërish në Gjermani, në vende të ndryshme. Më kujtohet njëherë kur ishte i ftuar nderi me rastin e diplomave, në Universitetin e Arteve. Diskutimet ishin me ritëm, si nga pedagogu mbrojtës, studentët dhe oponentët, herë pas herë edhe nga pjesëmarrës të ndryshëm. Gjeloshi u ndie mirë, mbajti një fjalim të hapur e të sinqertë, mbi të gjitha si artist i lirë. Foli mjaft bukur përmes shembujsh konkretë, se si është jeta e artistit dhe sa e pangjashme është ajo kur del nga kufijtë shkollorë.
Në fakt, nuk prononcohej kurrë në publik për artistë të veçantë. Ishte i kursyer, shpesh kapte mustaqet dhe thoshte nën zë se “asht e vshtirë piktura, nuk asht aq e lehtë sa duket”, dhe qeshte.
Një bisedë interesante kemi bërë në një tavolinë miqsh, mes të cilëve ishte edhe një koleksionist shumë i pasur nga Gjermania, i cili gjuante gjithë kohës për vepra. Shpesh kërkonte këshilla, siç ndodh me koleksionistët, edhe prej Gjeloshit.
Dihet që artistët i falin vepra njëri-tjetrit në shenjë pëlqimi e miqësie. Në studiot e tyre gjen shpesh vepra të miqve. Gjeloshi ishte një ndër ta, që shkëmbente dhe falte punë krejt lirshëm. Nuk më kujtohet emri i koleksionistit në fjalë, por me sa mbaj mend merrej një biznes metalesh me vlerë. Dukej jashtëzakonisht i kamur. Por, dihet që pjesa më e madhe e kësaj kategorie zvogëlohen dhe përdorin skema e teknika që s’kanë të bëjnë me shpirtin, por thjeshtë me vlerën materiale në qarkullim, dhe si të tillë i bëjnë të akullta bisedat. Gjatë drekës koleksionisti foli për një vepër të Ibrahim Kodrës, që e kishte Gjeloshi, dhe po bënte çmos që ta nxirrte në shteg që t’i merrte një fjalë për ta taksur veprën e Kodrës. Gjeloshi i thoshte të kundërtën, se ai po e mbivlerësonte atë vepër, duke i thënë se ishte një gjë pa rëndësi, madje nuk kishte as çmim për të, sepse nuk e konsideronte. Unë vëzhgoja piruetat e koleksionistit, se si mundohej të gjente një mënyrë për t’ia marrë atë vepër, por Gjeloshi ia kthente me ironi, se atë vepër ia kam falë Groshit, si një qokë miqsh. Ai ngeli keq dhe po shihte drejt meje për të marrë një konfirmim nëse ishte e vërtetë ajo që tha Gjeloshi.
Gjeloshi e zhvendosi në atë mënyrë veprën në fjalë, saqë edhe ne na u duk se s’kishte vlerë. Qe një reagim artistësh, që bezdisen nga mitizimet dhe nga artificialiteti që imponon tregu i artit. Në fakt, u kënaqa, pasi për herë të parë nuk bëhej sikur, por u tha një opinion i thjeshtë mbi një gjë që stërhollohej e luhej si vlerë tregu. Ishte një mësim që nuk negociohej me artistët, ngaqë janë të pakontrollueshëm kur vjen puna te vlerësimet monetare.
Pas ekspozitës së fundit në Tiranë nuk u pamë më me Gjelosh Gjokën.
Më ka bërë shumë përshtypje se sa i kujdesshëm u tregua me fundin e tij. Jo gjithkush di të shkojë drejt fundit, sepse do kurajë, eksperiencë, karakter e mençuri. Duket si një gjë e zakontë, por fundi i një njeriu që jetonte vetëm, në një pavarësi të plotë e pa ndërvarje nga ato familjaret, është një gjë që duhet menaxhuar nga vetë artisti në lloj. Është disi e trishtë, por në zgjedhjen e tij për t’iu kushtuar tërësisht vokacionit të brendshëm, pikturës, e bën atë një mistik të llojit të vet.
Kemi shumë raste të ngjashme ikjesh nga pozicione vetmitare, që nuk e mirë menaxhojnë fundin, ngaqë nuk e kanë në kulturën e tyre të qenit gati për këtë kalim, në mënyrë që të ketë një vazhdimësi të dinjitetit të artistit edhe pas ikjes së tij.
Vdekja e papritur e Maks Velos, si një rast i ngjashëm që jetoi mbi gjithçka si rrjedhojë e përkushtimit artistik, la në harresë fundin e papritur, që ngjau si aksident. Pamë një varfëri në menaxhimin e fundit të tij, pa shumë të afërt në pemën e familjes, me një motër të sëmurë e kështu me radhë. Ndoshta edhe për shkak të pandemisë, mbase...
Vdejka e Gjelosh Gjokës qe e rrallë për nga mënyra se si e kish parashikuar largimin e tij. Kish lënë çdo gjë gati, si për nga ana materiale ashtu edhe për sa i takon vendit se ku do varrosej, si dhe llojin e ceremonisë së rastit. Çdo gjë e menduar, duke mos lënë asgjë mangët, që të ndihej mirë në tokën e shtëpisë së tij, në Tuz, pranë atelierit në vendlindje dhe afër njerëzve. Një fund dinjitoz, pa i lënë gjë në dorë askujt, i ormisur në lartësinë e burrit dhe të vetë qenies. Kish menduar paraprakisht çdo gjë e çdo detaj.
Ajo trevë qe e lakmuar nga emra të shquar si Lukë Kaçaj, Angjelin Prelocaj, Gjelosh Gjokaj etj., emra të mjaftueshëm për të ndërtuar një kunorë supreme njerëzish në tipologji e kulturë; por, edhe të shkueshëm e shenja të shquara në formën e personalizuar krahinore, për të qenë në respekt të memories së asaj treve të lartë.
Gjelosh Gjokaj është një histori e përveçme, e ngjashme me shumë pelegrinë të artit që u ndërtuan mbi lirinë e ëndërruar dhe në një ikje të vazhdueshme për të gjetur mundësitë e përmbushjes. Si i tillë tingëllon plot nerv, individualitet dhe ngjyrë karakteriale mbi një lëkure ndjekëse që nuk na ndahet derisa të largohemi nga kjo botë. /Gazeta Liberale