Aktualitet

FTESË NË REDAKSI/ Eugjen Merlika, nipi i Mustafa Krujës: I huaj dhe i vuajtur në vendin tim, 46 vite në rrathët e pafund të ferrit më të zi

Shkruar nga Liberale
FTESË NË REDAKSI/ Eugjen Merlika, nipi i Mustafa Krujës: I huaj

Interviston Reldar Dedaj 

Eugjen Merlika ndodhej në Tiranë, kishte ardhur nga Italia, ku jeton prej fillim viteve ’90. Sojli. E vetmja fjalë që më erdhi në mendje kur e takova për të biseduar rreth kësaj interviste. Jeta e tij 47-vjeçare, deri në ditën kur u largua drejt vendit fqinj, ishte shënjuar nga absurdi. Pa mbushur plotësisht tre vjeç, ishte shpallur i huaj në vendin e tij, i dënuar pa faj. Si një i mbijetuar që përpiqet të zbardhë atë çfarë ndodhi në diktaturën komuniste, vetë jeta e tij është kthyer në një dëshmi që zbuloi atë që ngjante e pazbulueshme: krimin, absurdin, tmerrin dhe vrasjen e ndërgjegjes.

1.Një intervistë me Eugjen Merlikën? Më së fundi do të kuptojmë diçka! Kështu më kanë thënë disa kur i kam lajmëruar se do të bëj këtë bisedë me ju. Në fillim do të kisha shumë dëshirë të kuptoja, nisur edhe nga fëmijëria e juaj, se ç’do të thotë "të jesh i huaj në vendin tënd", apo edhe "një i dënuar pa faj"?

Së pari, dua të falënderoj Gazetën Liberale, në pagëzimin e së cilës mund të them se kam marrë pjesë me një shkrim për kulturën liberale, në përgjithësi, e veçanërisht për ndikimin e saj në ekonomi dhe në politikë, në numrin e saj të parë, për këtë intervistë.

Edhe se nuk jam një amator i zjarrtë i intervistave (gjatë gjithë jetës sime publiçistike, që ka filluar në vitet Nëntëdhjetë, me tjetërsimin e sistemit politik në Shqipëri, si pasojë e dështimit të komunizmit n’Evropën Lindore, nuk kam dhënë më shumë se 5-6 intervista), do të mundohem t’i përgjigjem me sinqeritet pyetjeve të kryeredaktorit, Reldar Dedaj.

Po filloj me shuarjen e kërshërisë së intervistuesit, në lidhje me një frazë të marrë nga libri im i parë, që titullohet "Një jetë në Diktaturë", e që është kjo: "T’a ndjesh veten të huaj në Vëndin tënd, pa i bërë të keqe askujt, është një gjendje që nuk ia uroj askujt në botë. Kjo ishte gjëndja e jonë që zvarritej kështu me dhjetëra vite, me flukse e reflukse, si mbas tekave të Zeusit të madh…."   

Nga kjo frazë gazetarja e talentuar znj.Suadela Balliu nxori titullin e një shkrimi në Gazetën Liberale, me rastin e paraqitjes së librit tim "Rravgime të lira në shtigjet e historisë shqiptare". Ajo e titulloi shkrimin e saj "I huaji", duke prekur e përimtuar disa nga çastet më prekëse të jetës sime, për të cilat i shpreh edhe këtu mirënjohjen time të sinqertë.

Të jesh i huaj në Vendin tënd do të thotë të jetosh si peshku pa ujë, si një bimë e gjelbër në një shkretëtirë, të mbash mbi shpinë që në lindje nofkën "armik i klasës", të jesh i veçuar, të mos flasësh, të ruash largësinë e detyruar nga shokët, miqtë, të njohurit, të bashkëjetosh me dhimbjen e thellë të fëmijës që është e sëmurë e Shteti të të ndalojë t’a çosh për një vizitë tek mjeku specialist për një vit e gjysmë, në vitet Tetëdhjetë, e si pasojë t’asaj mizorie të pashëmbullt të luftës së klasave, të zbatuar nga organet e tij të Sigurimit, edhe mbas dyzet vitesh të vazhdosh t’a shohësh atë fëmijë sot grua në moshë, të vuajë ende nga pasojat fatale të humbjes së funksionit të veshkave, si rrjedhojë e mos kurimit të tyre n’atë vit e gjysmë të fëmijërisë së saj të parë, kur ajo pati fatin e keq të ishte bijë e një çifti t’internuarish në Grabianin e Lushnjës. E si të mos e quash veten të huaj ne Vendin tënd, kur ai vënd, nëpërmjet drejtuesve të tij, jep urdhra të tilla që dënojnë fëmijën tënd, një njomishte të sëmurë, që të mos ketë mundësi të shkojë për vizitë mjekësore, për muaj të tërë, duke kaluar netë pa gjumë në krahët e prindërve. Kjo luftë kriminale ndaj një fëmije ndjehet edhe sot kur ajo fëmijë, mbasi ka kaluar kalvarin e dializës e të trapiantit, vazhdon të ketë probleme shëndetësore, në një Vënd me sistem shëndetësor të përparuar si Italia. Ndoshta asnjë i huaj nuk do t’a kishte ushtruar urrejtjen deri në atë pikë si ata bashkatdhetarë komunistë, që më lanë të gjymtuar vajzën time, e cila megjithatë e dashuron përsëri Vëndin e saj, por plaga në zemrën time mbetet ende e pashëruar.

Të jesh i huaj në Vëndin tënd, do të thotë të ndjehesh një qenie e kategorisë së tretë, pa të drejta, pa mbrojtje të ligjit, të jetosh me ankthin e arrestimit vite me radhë (1975-1980), të përshëndesësh çdo mëngjes kur del nga shtëpia për të shkuar në punë familjarët, në pasigurinë se mbrëmja mund të të gjejë në ndonjë qeli burgu, të falënderosh çdo mbrëmje Perëndinë që u ktheve në shtëpi, e të nesërmen të fillosh nga e para ditën e zakonshme, nën vështrimin tinzar e vigjilues të fqinjit, të kolegut të punës edhe në punët më të lodhshme, të njohësh Shtetin tënd vetëm nëpërmjet uniformës blu të një polici që, në forma të ndryshme të bëhet bashkudhëtar i përhershëm i ditëve të tua, deri sa një ditë të përpiqesh me të dhe ai, me një qëndrim prej ngadhënjimtari të kumton vendimin e Shtetit të tij me shprehjen: "N’emër të popullit je i arrestuar". Pastaj vjen faza e kalimit në "një të dënuar pa faj", sepse faji i vetëm është se ke lindur me një farë mbiemri e se nuk ke pranuar të bësh atë që të kanë thënë hienat e Sigurimit, të vihesh në shërbim të tyre, për të dënuar të tjerë njerëz pa faj, me padira të rreme.....

Kjo është vetëm maja e ajsbergut e shumë jetëve njerëzore që si unë kanë jetuar për rreth 46 vite në rrathët e pafund të ferrit më të zi të historisë shqiptare.....

  1. Besoj se asnjë tjetër nuk i kupton më mirë këto dy koncepte si dikush që ka arritur t’i mbijetojë kampit të Tepelenës. A keni kujtime nga ajo kohë?

Kanë kaluar 70 vite nga ajo kohë për të cilën më flisni e, megjithëse isha i vogël, në kujtesë kanë mbetur episode rrëqethëse, që herë-herë më vijnë në mëndje.

Mjafton të kujtoj urinë e përditshme, të cilën gjyshja ime e dashur mundohej ta shmangte duke më dhënë një pjesë të racionit prej 400 gramësh që ajo merrte nga komanda, nënën time të ngarkuar me dru në shpinë, që çdo ditë i sillte nga mali. Kujtoj netët pa gjumë deri në mesnatë duke pritur nënën të kthehej n’ato orë të vona të natës, sepse mbas punës së saj të përditshme detyrohej të merrte të përpjetën e Tepelenës, bashkë me dy apo tre shoqe të saj, për t’u shpënë ata dru familjeve t ‘oficerëve, gratë e të cilëve mëtonin që ato t’i copëtonin për sobat e tyre, edhe se forcat e tyre ishin shteruar nga më shumë se 16 orë pune të pandërprerë nën syrin e pashmangshëm të policit të radhës që i shoqëronte për në kazermën me pesëqind banorë, afër mesnatës.

Ishin vite tmerri të vërtetë, më shumë për të rriturit se sa për ne fëmijët që gjenin kohën e tyre për të luajtur me njëri-tjetrin, duke larguar shkujdesjen e moshës. Ndoshta vlen të tregoj këtu se në moshën tetë vjeçare provova vetminë e qelisë në një frikë rrëqethëse, që shprehej në thirrjet e mija të dëshpëruara gjyshes sime për ndihmë, sepse polici më kishte parë t’i hidhnja një gur derrave të komandës, të cilët kullosnin të qetë jashtë telave rrethues të kampit. Kam ende në veshë fjalët e gjyshes që qëndronte pranë birucës e më jepte kurajë se nuk e linte ajo gogolin të vinte tek unë, se ajo ishte aty. Dola nga qelia mbas mesnatës kur u ndërrua polici dhe ai që erdhi më la të lirë....

  1. Ju jeni nipi i Mustafa Krujës, i konsideruar si armik nga regjimi komunist, por nga ana tjetër edhe jeni rritur në një shkollë të atij regjimi, çfarë kuptimi kishte për ju ky fakt në atë kohë?

Nuk kishte ndonjë kuptim të veçantë, mbasi isha mësuar me faktin. Sigurisht ishte diçka që më vinte në vështirësi kur përmendej, por mësuesit e mi asnjëherë nuk kanë vepruar në mënyrë që emri i gjyshit tim të më rëndonte në orët e mësimit. Kur ishte rasti e kalonin pa i mëshuar argumentit.

  1. Mustafa Kruja ishte një nga figurat më të goditura në komunizëm, fatkeqësisht edhe në ditët e sotme rreth figurës së tij ka shumë dritëhije. A mund të më tregoni, ju lutem, aq sa mund të tregohet në një bisedë të tillë se kush ishte Mustafa Kruja?

Mustafa Kruja (1887-1958) ka qenë njëri ndër rilindësit e vonë në historinë shqiptare. Veprimtaria e tij në sendërtimin e idealeve atdhetare ka filluar herët, që në bankat e universitetit Mülkiyé-i-Sehahané të Stambollit, duke shkruar për problemet e atdheut në fletoret otomane të kohës. Ndër ata shkrime vlen të përmendet një replikë me Sulejman Nazifin, një nga shkrimtarët më të njohur të perandorisë, i cili në një gazetë të kryeqytetit otoman kishte filluar të botonte një cikël artikujsh kritikë kundrejt shqiptarëve. Mustafai i shkruan shkrimtarit kurd dhe për habi të nesërmen e pa të botuar letrën e tij në të njëjtën gazetë me "një shënim përkëdhelës: e botonte për vlerën letrare që çmonte në te". Por që të nesërmen ndërpreu botimin e shkrimeve për shqiptarët.

Ajo veprimtari e studentit të ri krutan përqendrohej në betejat për shkronjat latine në alfabetin shqiptar, për mësimin e gjuhës shqipe në shkollat e pakta shqiptare e ndër dokumente të tjerë të studentëve shqiptarë të Stambollit, të nxitur prej tij, në dobi të kërkesave shqiptare.

Në vitin 1910, mbasi mbaroi studimet Mustafa Kruja u kthye në Shqipëri, ku u emërua mësues i matematikës në gjimnazin e Durrsit. Atje ai hyri në lidhje me qarqet atdhetare të atij qyteti e të gjithë Shqipërisë së mesme, nëpërmjet miqësive me Dom Nikoll Kaçorrin dhe Abdi bej Toptanin, deri në funksione drejtuese në kryengritjen shqiptare të vitit 1912, që çoi më pas në Shpalljen e Mëvehtësisë shqiptare në Vlorë, ku ndër më të rinjtë, vetëm 25 vjeç, nënëshkroi dokumentin përkatës, duke u shpallur "At i Kombit".

Ju thoni se edhe në ditët e sotme, rreth figurës së tij ka shumë dritëhije. Do të thosha se ka më shumë dritë se hije në jetën e tij, aq më tepër se janë botuar rreth 15 vëllime nga veprat e tij në këta vite. Hijet janë pasojat e diktaturës komuniste në historiografi, të cilat fatkeqësisht mbeten ende të fuqishme në jetën intelektuale të kombit e lidhen me 13 muaj qeverisje nën pushtimin italian.

I nënshkruari është duke përgatitur një libër të mbështetur në shkrime e dokumente, në të cilët përimtohen pothuajse të gjithë çastet vendimtarë të jetës së tij. Besoj se kur të dalë në shtyp ai vëllim do të jetë një sqarim i gjithë atyre "dritëhijeve". Në këtë intervistë mund të them vetëm pak fjalë: Mustafa Kruja ka qenë një atdhetar i madh, një politikan largpamës, një intelektual i rrallë, një gjuhëtar i shkallës së parë, një historian i shkëlqyer. Në të gjithë këto fusha të veprimtarisë së tij ai i ka shërbyer me zell e ngulmim të veçantë vetëm një synimi: interesit të Shqipërisë e lartësimit të vazhdueshëm të emrit të saj kudo e kurdoherë.

Tani, nëpërmjet pohimeve të disave prej intelektualëve bashkëkohës së tij, por edhe më të rinjve, deri në ditët tona, dalin në pah vlerat e tij atdhetare, politike, historike, shkencore, intelektuale. Janë një rinfreskim i kujtesës kombëtare për personazhin. U lutem lexuesve t’i rilexojnë e të ndalen për pak çaste në përsiatjen dhe përimtimin e tyre.

Shkruante Ernest Koliqi më 1973:

"Mustafa shquhej për karakter burrnuer, për idé të qarta e të préme së cilave u rrinte besnik pa marrë në dorë interesin vetiak. Urrente kompromiset. Shkurt, ishte njerí nji copet: pohen po e johen jo. I ndershëm tejet, ishte i matun e i drejtë në pleqnime. U a njihte edhe kundërshtarvet zotsín e vlerën. Në karakter të tij sintetizoheshin lumnisht burrnija e fisit shqiptar me nji dituní organike..."[1]  

"Ai, po të shqyrtohen hollë shfaqjet veprimtare të personalitetit të tij, nuk vûni kurr përgatitjen e rrallë kulturore në shërbim të politikës qi ndiqte, por u rrek qi politikën e vet t’a vênte në shërbim të kulturës. Kishte shpirt apostulli. Për tê problemi kryesor ishte naltësimi shpirtnuer  i gjindes shqiptare e këtê e pritte vetëm e vetëm nga përhapja e ditunís....".[2]

"Mustafa, bashkë me disá mâ mendendritunit personalitete të kohës, u bind se përkundrazi duhej shkue kadalë në shkëputjen prej Orientit dhe n’ecjen kah Oksidenti. Nevoja kryekrejet qindronte në ngujim të dokeve të shëndoshta gojdhânore, d.m.th.m’u përmbledhë sa mâ tepër në rreth të zakoneve mâ gjenuine shqiptare...."

"Shkurt: mendimi i Mustafës, qi u pasqyrue si në shfaqje të jetës ashtu në shkrime të tija, qindron në kult të vlerave shqiptare, natyrisht të përtrîme e të spastrueme në frymën mâ të kulluet të qytetnimit. Ishte njerí i rendit dhe i disiplinës, i ligjës e i kanunit, urrente privilegjet, demagogjít, besonte ngultas se vetëm meritokracija mund të mbëkâmbte nji shtet e nji shoqní shqiptare të dênjë m’u rrjeshtue në rradhë të shteteve të qytetnueme...."[3]

"Dijti të flîjojë n’altar të Shqipnís të mirat mâ të shtrêjta njerzore dhe shqiptare: nâmin dhe personalitetin. Potera e prozhmuesve nuk i a mbuloi kurr zânin e ndërgjegjes  qi e shtŷnte me marrë qëndrime shpesh në kundërshtim me andjen e turmave. Deshti mâ fort Shqipnín se popullaritetin e vet. E ky shêmbull âsht i rrallë si në Shqipní ashtu edhe në botë"[4]

Shkruante At Zef Valentini  në rastin e vdekjes së Mustafa Krujës ndërmjet të tjerash:

"Mendoj se për një si un, që ka patur fatin të ketë njohur jashtzakonisht shumë njerëz të letrave e shkencëtarë të kombësive të ndryshme, kulturash e vlerash, mundësia për të njohur nga kaq afër një si Mustafa Kruja, ka qënë një fat i pakrahasueshëm.

Të tjerë kam njohur si letrarë më të talentuar; të tjerë më të shërbyer, për meritë të tyre apo jo, nga një formim i rregullt i metodës shkencore; asnjërin që të ketë arritur në një rendiment të barabartë me të tijin në raport me mundësitë që jeta i ka lejuar....

Duhet të arrij në përfundimin se ai, i pajisur me një mëndjemprehtësi të jashtzakonshme e një kujtesë të fuqishme, ishte nxitur nga një dashuri gjithmonë e gjallë për kulturën, por akoma më tepër nga një pasion i vërtetë, jo nga një pasion i thjeshtë punonjësi, por nga një pasion i madh.

Mund të mos pranoheshin përftimet apo metodat e tij politike, por është absolutisht e pamundur, jo vetëm të mohohet, por as të dyshohet se pasioni më i madh, madje i vetmi rreth të cilit bashkërendoheshin ose rradhiteshin të gjithë të tjerët e të gjithë veprimtarít e tij, ishte dashuria për atdheun; një dashuri aspak retorike por e gjitha faktike, që lëviste ndërmjet dy poleve të ruajtjes ose rivendosjes së vlerave të vërteta të kombit dhe lartësimit të prestigjit të tij, mbi të gjitha moral e kulturor."[5]

Në po të njëjtin numur të revistës "Shêjzat" studjuesi e shkrimtari Tahir Kolgjini shkrojti artikullin : "Mustafa Kruja Perëndoi mâ i ndritëshmi Hyllë i Nacjonalizmës shqiptare". Ja pak fragmente nga ky artikull:

"Mustafa Kruja, nuk ka qênë nji harár, ku futen shumë plaçka grumbull, por, ka qênë – me gjithë kuptimin e fjalës – nji thesár i vlefshëm. Nji thesar i madh i ndamë në shum sysekë të ndryshëm. Dhe secili prej këtyne sysekëve, ishte i mbushun pilas me gjâna të çmueshme, si fv.: me kulturë të gjânë, me moral të pastër, me edukatë të kulluet, me besë të fortë, me energjí të pashoqe, me gjykim të shëndoshë, me vendim të premë dhe me burrënín mâ të rrusmueme et. et. Mbi të gjitha këto vetina, mu si një gur i çmueshëm i shkëlqente ndiesija e thellë e nji dashuníje të flakët për Komb e për Atëdhé...."[6]

"Or i dashun! Artikujt qi m’i dërgove , më kanë pëlqyem fort, por për turqishten, italishten, gjermanishten, e tjera, ka kush punon. Ne kemi nevojë me punuem për gjuhën tonë, për shqipen. Nuk janë tue n’a ndihmuem gjâ ato veprat e shkëlqyeshme, qi kanë bâmë shqiptarët për vende të hueja. Pra, përmblidhu, bre burrë, e puno pak edhe për shqipen!"

Ku dhêmb dhâmbi shkon edhe gjuha. A mund të rrinte pá e bâmë kët porosí qortuese, kryemjeshtri i shqipes, qi ishte shkrumuem qysh në riní të vet me flakën e dashunís për Kombin dhe gjuhën e vet, së cilës ia kushtoi mundimin deri në minutën e fundit?..." [7]

Shkruante Dom Lazër Shantoja në 19 dhjetor 1941 në gazetën "Tomori":

"Kryeministri i soçëm i Shqipnís Fashiste as nuk âsht nji shênjt, as nuk âsht nji mrekullbas! Me thânë se âsht nji patriot, âsht tepër pak. Na prej atyne qi do të na përfaqësojnë para kombit e para botës kërkojmë diçka mâ tepër se sa stolín e nji vërtyti qi tjetër s’âsht veç se detyra qi duhet të jetë e përgjithshme për të gjithë ata qi kanë lindun prej nji babe e nji nane shqiptare.

Mustafa Kruja âsht diçka ma tepër. Ai âsht nji filiz i asaj dege nacjonaliste qi rrâjtë e veta i ka thellë në shtrojet mâ të pastra e ma të paprishuna të racës. Mustafa Kruja i stolisun me nji mende të hollë, me nji kulturë të gjânë e të shëndoshtë evropiane, me nji vullnet çeliku, me nji ndjenjë të spikatun për nderë e drejtësí, me nji dashuní të veçantë për brezet e reja, me nji shtrëngesë spartane vërtytesh shtëpijake – âsht fytyra politike mâ tipike e Shqipnisë së ré, fytyrë e ngjeshun me at brumë me të cilin fati i Shqipnís desh të gjeshi fytyrën e shpirtin e Luigj Gurakuqit e të shokvet të tij dëshmorë...." [8]

Profesor Karl Gurakuqi kështu shprehte përdhimtimin e tij në rastin e vdekjes së mikut të tij, Mustafa Kruja:

"Qanë miqtë e dashamirët, qanë farefisi, qanë të gjithë shqiptarët e mirë, pse Shqipnija ka bjerrë nji bir të çmueshëm e të vlefshëm; qanë shkrimtarët e letrarët pse sot  e mbrapa ká për t’u mungue penda e bukur qi aq mirë dinte me e përdorë gjuhën, së cilës i ndiemi i kishte kushtue krejt jetën e vet. Qanë të gjithë sa kanë pasë rasë me e afrue dhe me e njoftë: i pajisun me cilsí fisnike e bujare, me nji karakter burrnuer, me pastërtí virtytesh, me sjellje të nji Shqiptari të thjeshtë, me nji kulturë të shumanshme, ka lánë gjithkund e gjithkah përshtypje të paharrueshme nderimi, çmimi e dashunije...."

Mbreti Ahmet Zogu, në tetorin e vitit 1948, në një periudhë që bisedohej për krijimin e një Komiteti të mërguarish që duhej të përfaqësonte kombin shqiptar në botën e lirë, në një bisedë të tij me Mustafa Krujën është shprehur kështu:

"Ti, në t’u mbushtë mêndja nisu e shko vetë n’Italí, bisedo me Kapidanin e me ke të duesh tjetër. Ty mêndja as dija as eksperienca s’të mungojnë. Për burrní e atdhetarí Shqipnija s’ka asnji përmbi ju të dy. Besimin t’em e keni të plotë. Po ju a preu mêndja se mund të bâhet gjâ e mirë, ashtu si e lyp interesa e Atdheut, bânie se keni me pasë gjithë përkrahjen t’eme."[9]

Në serinë e librave që mbajnë titullin "Kuvend letrash me miqtë" e që përmbajnë letër këmbimet e Mustafa Krujës me shumë personalitete të kulturës shqiptare të Mërgatës mbas luftës së Dytë botërore gjinden edhe mjaft vlerësime të këtyre bashkëbiseduesve për figurën e personalitetin e tij. Po sjell këtu edhe disa prej tyre:

"Un ju shtrëngoj dorën për përpjekjet dhe punimet t’uaja në lëmin e kulturës shqiptare"

Prof. Stavro Skëndi  31- 1 – 1954 [10]

"Por dua edhe t’Ju siguroj se kurrë s’ka mehur nga ana ime as çëmimi, as admirimi dhe – më lejoni ta quaj kështu – as miqësija që kam ndjerë me kohë për Shkëlqesën tuaj".

                                                                             Prof. Namik Resuli  23 – 11 – 1954 [11]

"Prandej me sinqeritetin mâ të madh u them se rinija e andejshme u don pse ke ju ka diktue ndershmënín n’idealin kombtar, pse flijimet tueja për kët ideal e sidomos dijen e juej pse talentet e lindun për intriga né na çojnë të vjelltë."

                                                                               Prof. Martin Camaj 15 – 3 – 1957 [12]

            "E dijmë se ky âsht qëllim krenar, por na shpresojmë me i dalun në skaj për hir të përkrahjes morale e landore të Shkëlqesës s’Uej qi aq shërbime i keni sjellun deri tashti Shqipnís e shqiptarizmit në lamije kulturore. Dëshirojmë qi emni i Juej t’i zdrisi e nderojë sa mâ shpesh shtyllat e së përkohshmes s’onë."

Prof. Ernest Koliqi e prof. Martin Camaj 25 – 9 – 1957 [13]

"Kemi nevojë për tý, pse na ke zbardhë faqen me ndershmënín qi të ka dallue gjith herë e në çdo rasë, me punën t’ânde të pareshtun në dobí të popullit, me jetën t’ânde të panjollë e me shkrimet e tua të matuna, të studjueme e me kompetencë, qi kanë nji jeh në qarqte letrare e do të lanë nji vragë të dukshme në letërsín t’onë."

                                                                             Prof. Karl Gurakuqi 10 – 4 – 1958 [14]

            "Shkëlqesi,

            Morëm vesh se keni festue 70-vjetorin e lindjes suej. Mbreti dhe unë ju dërgojmë urimet mâ të mira për shëndet të plotë, që të mund të vazhdoni të punoni mâ së miri për Atdheun. Âsht e rândë kur festohen ditlindjet tue i bâ ballë nji realiteti t’ashpër të gjatësisë së mërgimit tonë e të ndamjes së pafund prej të dashunve tonë qi nuk i shohim. Por, faleminderit Zotit, Zoti i Madh na jep gjithmonë mbështetjen e moralit e të shpirtit njerëzor: Shpresën. Mbreti mbetet gjithmonë optimist, Zoti plotësoftë dëshirat!

Me mendimet tona mâ të mira dhe urimet tona mâ të ngrohta."

                                                                        Geraldine 25 – 11 – 1957 [15]

            "Me gjith këtë, besomëni, nuk kalon ditë pa ju përmëndur; jo vetëm për kujtimet e përbashkët që na lidhin, por edhe për çmimin e lartë që u japim."

                                                                        Ekrem bej Vlora 9 – 7 – 1953 [16]

            "Na ndajnë shumë gjëra e, njëkohësisht të gjitha na bashkojnë. Na ndan temperamenti e na bashkon ideali; na ndajnë, ndofta, pikpamje politike e kulturore, e na bashkon dashuria për fatin e atdheut, për mirqënien e popullit, për tokën e për malet tona. 28 – Nëndorin je i vetmi që e përfaqëson në Botën e re, për sa di unë. E përfaqësofsh me faqe të bardhë, e për shumë vjet gëzuar, por sa më parë n’atdhè, se vetëm atje ndjehet gëzimi i 28 – Nëndorit."

                                                                                    Dhimitër Beratti  18 – nëndor – 1956[17]

            ".... mbas dekës të të pashoqit Luigj Gurakuqi, të kam pasë cilsue depozitarin e idealeve të tija, e si të tillë të kam ndjekë. Fataliteti i historisë, që rrethanat ndërkombëtare suellën, nuk të lanë mundësinë, me bâ aq sa e di qi zemra të ka dishrue për të mirën e Kombit...."

                                                                                    Kolë Bib Mirakaj 30 – 3 – 1958 [18]

            "Prandaj un q’i njof për s’afërmi njerzit dhe ngjarjet e ktyne tridhetë vjetve të fundit do të dëshirojshem shumë me dijtë se kush âsht ai burrë shqiptar, ndër të gjallët, qi mundet m’u matë me juve në vuejtje, në përpjekje dhe në sakrifica për atë copë tokë të shkretë që na e quejmë atdhé."

                                                                                    Tahir Zajmi 7 – 3 – 1952 [19]

            "Keni ma të madhen simpati e nderim jo vetëm prej meje, por edhe te të gjithë intelektualët e rinj shqiptarë në Jugosllavi që njofin pak a shum historín e kombit tash pesëdhetë vjet e këndej."

                                                                                    Prof. Martin Camaj 17 – 9 – 1956 [20]

            "Premto, o Zot, qi atdhetari i panjollë e veterani i liris së Shqipnís, Mustafa Kruja, të mundet edhe për shum vjet tjera të gjata me i shërbye e me i vjeftë atdheut t’onë me të njajtën energji, sikurse e pat kur i u donte me u ra posht e përpjetë krepave e thepave të rîm me gjak e djersë të luftarvet të palodhshëm të lirís."

                                                                                    At Paulin Margjokaj 8 – 1 – 1948 [21]

            "Po, kam qenë gjithmonë e gjithmonë do të mbetem mik i Atdheut Tuaj (Shqipërìsë së bukur që shpresoj t’a shoh të lirë para se të vdes) dhe në veçantí i Juaji, dhuntitë e mëndjes e të zemrës të të cilit i kam adhuruar gjithnji...."

                                                                                    Prof Angelo Leotti 21 – 2 – 1953 [22]

 "Inteligjenca e juej e naltë, thellësia, realizmi dhe ndershmënia e mendimeve të jueja janë për mue nji shkak shprese të përherëshme dhe paraqesin për sytë e mij të vetmen dritë shpëtimi në natën e zezë që mbulon vëndin t’onë."

                                                            Prof. Fiqret Juka 22 – 10 – 1954 [23]

"E qe pohimi i jem: i vetmi njeri, gjatë këtyre dhjet vjetve, e pse jo edhe i tanë jetës s’ime, i cili ka nji influencë deciduese, e të cili i ndjeki këshillat deri në pikën e fundit, jeni Ju. Jam krenar për veten t’ime që munda të zbuloj ma në fund nji Njeri që më flet pa asnji interes t’afërt ose të largët, e që më këshillon falas."

                                                            Dr. Hamdi Oruçi 7 – 3 – 1954 [24]

"Miqsija qi ndjej për ju nuk asht okazionale, nuk asht si pupla qi lkundet prej frymës; i ka rranjët e thella, të shëndosha dhe gjen ushqim në dashunín e njajtë dhe në pikpamjet e përbashkta për nji Shqipní etnike në të cilën na, shqiptarët, të gjejmë hapsinën t’onë naturale për me mundë me jetue me dinjitet....."

                                                            Prof. Miftar Spahija 12 – 7 – 1955 [25]

"Ne nuk bëmë veçse detyrën tonë karshi një mikut tonë, një miku të ngushtë të gjyshallarëve tonë e të shtëpive tona, një Kruetani të shquar, që ka bashkëpunuar që me Ismail Qemalin e teje e tëhu, duke marrë pjesë në të gjithë historinë tragjike të Shqipërisë e më së fundi duke u sakrifikuar për hir të saj."

                                                            Reshat Agaj 7 – 5– 1957 [26]

Mbas këtyre fragmenteve të nxjerra nga vëllimet "Kuvend letrash me miqtë", të shohim edhe disa gjykime e vlerësime për Mustafa Krujën  nga përfaqësues të inteligjencës shqiptare të ditëve tona, shumica të shprehur në Konferencën shkencore përkujtimore të mbajtur në Tiranë më 27 dhjetor 2008, me rastin e 50-vjetorit të ndërrimit jetë të tij e të botuar në vëllimin "Rishkrimi i historisë dhe figura e Mustafa Krujës  nën  kujdesin e Prof. Ardian Ndrecës:

"Besojmë se punimet e kësaj konference kushtue Mustafa Merlikës, do të ndihmojnë shumëkend, nemos tjetër me fillue me dyshue se historia dogmatike dhe historianët që e kanë prodhue gjatë kohës së komunizmit dhe ma vonë, nuk kanë thanë gjithçka për Mustafa Merlikën, se ka mbetë diçka pozitive, prej veprimtarisë dhe personalitetit të tij, pa u njohtë prej shumicës së shqiptarëve." Kështu shkruan prof. Ardian Ndreca në një ndajtëhyme të librit të cituar më sipër e të titulluar "Dy fjalë lexuesit".

Prof. Kolec Topalli në kumtesën "Një studim analitik për Fjalorin e Bardhit, i dalë në dritë pas një gjysmë shekulli", ndërmjet të tjerave shpreh këta mendime:

"Dhe në çdo fletë të këtij studimi shfaqet figura e eruditit me dije të gjëra në fushë të gjuhës, me njohje të thella në lëmë të historisë, përdoruesi i mirë i disa gjuhëve të reja e të vjetra, analisti i hollë i materialit gjuhësor, intelektuali me horizont e kulturë të gjërë. Të gjitha këto cilësi, që shfaqen në këtë studim analitik të veprës së Bardhit, e rradhisin autorin si njërin nga historianët e gjuhës dhe filologët më të mirë të kohës duke marrë parasysh se kur u hartua vepra, para 53 vjetësh, nuk kishte dalë në dritë ende transkriptimi dhe trasliterimi i "Mesharit" të Gjon Buzukut, as nga Namik Resuli dhe as nga Eqrem Çabej...."[27]  

Në përfundim të kumtesës i ndjeri prof. Kolec Topalli e përfundon kështu kumteswn e tij shkencore:

"Së fundi për etnogjenezën e popullit tonë ka rëndësi vërejtja e tij në polemikë me Selman Rizën se emrin shqip nuk e ka përdorur Bardhi në Fjalorin e tij, një përfundim në të cilin kemi arritur edhe pas një hulumtimi me kërkimet e sotme kompjuterike.

Me këtë studim Mustafa Kruja është në hulli të traditave më të mira të shqipes kur kërkon pasurimin e saj me leksema të reja, me kuptime dhe stilema plotësuese, kur kërkon vendosjen dhe respektimin e rregullave të strukturës gramatikore, kur kërkon normëzimin e gjuhës letrare dhe përzgjedhjen e formave ndërmjet trajtave të shumta dialektore. Në shumë raste ai bën krahasime të qëlluara me Buzukun, Budin, Bogdanin, me fjalorin e Kristoforidhit, të Shoqnisë Bashkimi, të Stjuart Mannit e Cordignanos, me Meyerin e Weigandin, si edhe me të folme dialektore të Veriut e të Jugut, të Kosovës e të  Çamërisë, me ato të vendlindjes  dhe të diasporës, një parim që është ndjekur edhe më vonë në studimet e kësaj natyre.

Kemi bindjen se, në qoftë se ky studim do të ishte botuar në kohën kur u shkrua, para 50 vjetësh, filologjia e asaj kohe dhe e viteve të mëvonshme do të kishte përfituar shumë prej saj. Dhe meqënëse ajo e pa dritën e botimit një gjysmëshekulli më vonë, le t’i japim asaj bashkë me autorin vendin që meriton." [28]

"Mustafa Kruja dhe rishkrimi i historisë sonë kombtare" titullohet kumtesa e prof. Ardian Ndrecës nga e cila po shkëpusim dy fragmente:

"Na mendojmë se historia nuk asht nji rastisje e fatit dhe as nji prodhim i natyrës, ajo ruen mbrenda vedit nji fill logjik e shpirtnor, i cili ka nji logjikë edhe atëherë kur nuk kapet prej mendjes sonë, mbasi ekonomia universale e gjanave përfshin dhe i jep kuptim edhe marrisë së njerzve. Nuk asht nji rastisje e fatit që në shekullin XX kemi pasë nji Luigj Gurakuqi e nji Mustafa Krujë, nji Haxhi Qamil e nji Enver Hoxhë.

Të dyja palët janë fryt i shpirtit të nji pjese të caktueme të shoqnisë shqiptare të kohës dhe paraqesin kandvështrime dhe interesa të caktueme të saj." [29]

Shtjellimi i kumtesës mbyllet me nji pyetje dhe një pohim:

"A kemi të drejtë sot me kërkue që aktiviteti i tij prej ma se pesë dekadash të mos reduktohet në 13 muej të gjykuem ngutshëm e tue u nisë prej nji ideologjie politike që ishte anmike e çdo lirije themelore?

Kemi nevojë për të vërtetën, pse ajo na ban me jetue si njerëz të lirë, dhe vetëm ajo lind njerëz të lirë që mendojnë e veprojnë si të tillë përgjatë historisë."

Kumtesa "Trinija metodike e Krujës" e gjuhëtares prof. Ledi Shamku-Shkreli i kushtohet punës së saj për përgatitjen për botim të Fjaluerit kritik të shqipes, që i ishte besuar asaj nga familja e autorit. Në mbarim të leximit të dorëshkrimit të një të dhjetës së një vepre, së cilës ajo, më shumë se kushdo tjetër, jo e lëndës, kuptonte rëndësinë e asaj që kishte në dorë duke shfryrë në vetminë e studjos së saj keqardhjen për një mungesë të madhe që duhej të përfshinte jo vetëm një shkencëtare gjuhe, por gjithë bashkësinë shqipfolëse, për nga përmasat e vlerës e të rëndësisë:

"Përplasa grushtin për tryezë kur mbarova së lexuari fjalësin e dy gërmave të vetme që na kanë mbërritë nga Fjalueri kritik i Mustafa Krujës. "O Zot, - thashë me vete, - ku janë gjithë gërmat e tjera?".

Kemi sot vetëm ngjyrimin e një produkti leksikografik të cilin shqipes i duhej ta kishte këtu e gjashtëdhjetë vjet të shkuara. Mustafa Kruja ja ofroi shì në kohën kur asaj i duhej, por Shqipja nuk e mori kurrë atë fjalor, e as një të ngjashëm me të. Sot, në shek. XXI, për gjuhën tonë po botohet për herë të parë një vepër leksikografike e tipit kritik, nga e cila mjerisht kemi vetëm dy gërma. Kaq mundi të rindërtojë hartuesi i atij fjalori të plotë, terratisja e të cilit vijon të jetë një mister për shumëkënd."[30]

"Ngulmi për të dhënë ç’të mundte edhe në kushtet që u krijuan për të nga Paslufta, na shtyn të kuptojmë se Kruja, më fort se kushdo në elitën e diasporës së re arbërore, kish parandjerë se gjuhës shqipe i kanoseshin rreziqe të mëdha; shqipja, sikurse pesë shekuj më parë, aty në momentin e rënies së Arbërisë në zgjedhën osmane, ndodhej në një kapërcyell të cilin Gorge Orwell e përshkroi  aq realisht e ngjethshëm në Apendiksin e Tetëdhjetëkatrës  së tij. E përshkroi tamam kur Kruja vendosi rishkrimin.

Nuk kemi nga Fjalueri , kurrgjë tjetër pos bocave të avancuara të gërmave A dhe B, por vlera e tij sot shpalohet e plotë, ngado që t’a marrësh, si për nga lënda që ofron, e në mënyrë të veçantë për nga kumti shkencor (krejt i ri për ne) dhe njiherit aktual edhe në botë. Te kjo e dyta vlerë do të ndalojmë më imtisht në vijim.

Kësisoj duket se dy gërmat që po paraqesim këtu, janë testamenti i mbramë i Mustafa Merlikës, burrit nga Kruja që shenjoi historinë e re të Shqipërisë, dhe tek e mbramja u shenjua dhe ai vetë duke u flijuar në naltoren e ndeshtrashave të atmes së tij."

Mbas një përimtimi të thukët shkencor autorja e mbyll kumtesën e saj me një përftim të ri që shpreh për autorin e veprës që ka marrë në shqyrtim:

"Mundime të tilla nuk kanë çmim dhe shpërblesa e tyre shkon në fakt in re ipsa, pra shkon në vetë rendin e filozofisë mbi shqipen e përbashkët. Sot trashëgojmë filozofinë gjuhësore të Krujës jo thjesht si dije, por si dorëzanì, si dritë e si shtysë për t’i kthyer gjuhës aktuale njomshtinë që i mungon. Kjo dorëzanì vlen më shumë se çdo lëvdatë dhe lyp mirënjohjen tonë. Nuk e kam fjalën thjesht për mirënjohjen e një rrethi të ngushtë gjuhëtarësh a letrarësh, por për atë ndiesi të thellë që duhet të ruajë në zemër për Mustafa Krujën çdo individ i bashkësisë shqipfolëse, e madje dhe ata që sot ende s’kanë lindur."

Ish Kryeministri e studjuesi i thellë i pasurisë kulturore kombëtare të shqiptarëve, Aleksandër Meksi, erdhi në atë Konferencë me kumtesën "Kontributi i Mustafa – Merlika – Kruja në historiografinë shqiptare". Po sjell këtu ndonjë paragraf të këtij përimtimi të rëndësishëm:

"Ky emigrant i përjetshëm, kundërshtar si i mbretërisë së Zogut, me të cilin pajtohet në Egjypt në vitin 1948, ashtu dhe i diktaturës sllavo-komuniste që erdhi më pas, nuk e shkoi kohën kot në mërgim, por punoi nëpër arkiva dhe biblioteka, krijoi dhe punoi, në kushte të vështira jetese, ndërkohë që të dashurit e zemrës së tij lëngonin kampeve të fashistëve të kuq, punoi me përkushtim dhe piksynime të qarta; për t’i lënë atdheut një trashëgimi të pasur. Është ndër të pakët qeveritarë të këtij vendi, që edhe pas politikës, shkëlqyen në fushën e letrave dhe të shkencës...."[31]

"Për të zgjidhja e çështjes kombëtare dhe shmangia e rrezikut sllav e atij komunist ishin terreni mbi të cilin ai punonte. Spjegimin më të mirë mbi jetën dhe aktivitetin e tij politik, vetëkuptohet dhe për kredon e tij politike, ai e jep në kërkesën që u paraqiti autoriteteve amerikane për t’u vendosur me banim në Shtetet e Bashkuara, kërkesë e cila iu pranua."[32]

Kontributi i Mustafa Merlika Kruja, i këtij albanologu të madh,krijuesit dhe drejtuesit të Institutit të Studimeve Shqiptare, në fushën e Historisë së vendit tonë, ishte sigurisht i ndryshëm nga ai në fushën e gjuhësisë , ku shquhej tej çdo vlerësimi. Ai është dhe historiani i përgjithshëm dhe hartues tekstesh, por njëherazi, çka është më e rëndësishme, është kronist i asaj ku ka qënë dëshmitar dhe e ka përjetuar si protagonist, ku shquhet si atdhetar i flakët dhe si dëshmues serioz dhe i saktë, sepse siç na shënon "Shejzat"në shkrimin për vdekjen e tij "Deshti ma fort Shqipnín se popularitetin e vet."[33]

Profesoresha e Historisë në Universitetin shtetëror të Tiranës mori pjesë në Konferencën me një syzim mjaft objektiv e të argumentuar, dëshmi e një kërkimi të thukët, shkencor e të paindroktinuar me titull "Një histori e rishkruar. Sfidimi i subjektivizmit historik mbi mendimin politik të Mustafa Merlika Krujës 1910 – 1944." Është ndoshta studimi më i plotë mbi jetën politike të Mustafa Krujës, i kryer nga një studjuese e brezit të ri të historianëve shqiptarë mbas komunistë. Si i tillë meriton një lexim tejet të kujdesëshëm, për risitë që i sjell historiografisë shqiptare. Ndonjë fragment i shkurtër, i sjellë në këtë intervistë, mund të japë një ide nxitëse për leximin e tij:

"..... Interesant është fakti se Mustafa Merlika Kruja futet në rradhën e asaj elite që, mendimet e veta politike i mbrojti si me penë, ashtu edhe me armë. Aktiviteti i tij politik shtrihet në fushën e botimit në favor të çështjes kombëtare ku, një theks të veçantë marrin notat mbrojtëse të lëvrimit të gjuhës shqipe me alfabetin latin..."[34]

"...Gjithësesi, interesant është fakti se, në disa prej notave drejtuar Konferencës së Paqes së Parisit, M. Merlika e L. Gurakuqi, kishin si subjekt të tyre kundështitë e palës qeverisëse shqiptare ndaj ndonjë mandati të mundshëm ndërkombëtar të Italisë mbi Shqipërinë (XIII. Protestë kundra mandatit italian mbi Shqipnín, 1.6.1919) apo kundërshtimi i propozimit të presidentit Willson, për t’i dhënë po Italisë qytetin e Vlorës (XII. Notë e posaçme Wilsonit kundra proponimit të tij me i dhânë Italís Vlonën për Fiumen qi donte me i a dhânë Jugoslavís, 8. 5. 1919) Një notë ishte drejtuar edhe kundra Traktatit të Londrës së 1915, ku Italisë, ndër të tjera i jepej Shqipëria e Mesme, në formë protektorati, ndërsa pjesët jugore dhe veriore, ndaheshin respektivisht midis Greqisë dhe Sërbisë (Protestë kundra Traktatit të Londrës në 1915, 17.3.1919)" [35]   

"Konarja nuk ishte një grup politik homogjen. Në të mbisundonin dy rryma, ajo majtiste e kryesuar nga Noli dhe ndjekësit e tij. Ndërsa e dyta ishte ajo e djathtë e kryesuar nga Mustafa Merlika Kruja, që nuk ishte në një mëndje me orientimin filosovjetik në luftën antizogiste...."[36]

"Prej 1939 deri në dhjetor të 1941 nuk u angazhua politikisht, por kryesisht u muar me studime shkencore dhe me hartimin e Fjalorit të Gjuhës Shqipe. Në vitin 1940, që prej krijimit të tij (12 prill 1940), kryeson Institutin e Studimeve Shqiptare, të parën tentativë për krijimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në të cilën aderonin disa nga studjuesit dhe albanologët (shqiptarë dhe italianë) më me emër të kohës."[37]

"Më 4 dhjetor 1941 u krye ndërrimi i qeverisë shqiptare, e cila u propagandua në media si "kabineti i parë kombëtar i Shqipërisë së Madhe"....

"Kabineti Merlika Kruja qeverisi vendin për afro 13 muaj, 4 dhjetor 1941 – 13 janar 1943....

"Pas vrasjes në Vlorë të Qazim Koculit dhe prefektit Lele Koçi dhe mosdënimit prej italianëve të vrasësve të tyre, Kruja i prerë në besë dhe i ndjerë fajtor për vrasjen e Koculit, mikut të tij prej më se 26 viteve, i paraqiti Jakomonit dorëheqjen e parevokueshme...."[38]

"Mendoj ta përmbyll këtë artikull disi të gjatë duke përmendur se një politikan duhet analizuar në kompleksitetin e veprimtarisë së tij politike. Personalisht Mustafa Kruja nuk ka përfituar asgjë nga shërbimi që mendoi t’i bënte atdheut të vet, përkundrazi humbi gjithçka, familjen, miqtë, pronat, arkivin dhe shkrimet private, "famën" dhe i mbylli sytë si i mërguari i përhershëm larg tij....

"Rishkrimi i historisë është domosdoshmëri dhe imperativ i kohës, jo për të qënë "political correct", por për t’u munduar

të tregojmë historinë sa më pranë asaj që ka qënë!".[39]

Profesoresha Evalda Paci solli në Konferencë kumtesën "Dy fjalë për Qukrrimet e Mustafa Krujës në revistën Shpirti shqiptar 1954 – 1955.

"Në Qukrrimet e botuara në revistën "Shpirti shqiptar", revistë drejtue prej të nderuemit dijetar të letrave shqipe, profesor Namik Ressulit, gjurmohet personaliteti i një sudjuesi të formuar në fushë të dijes e patriotizmës, që e ka shumë për zemër jo vetëm kompetencën shkencore dhe dijen gjuhësore, por edhe çështjen e gjuhës sonë kombëtare....

Studjues të ndryshëm, mbi të gjitha bashkëkohës të Mustafa Krujës, dallojnë në personën e tij dy prirje të rëndësishme që jetojnë paralel e që mbeten prioritare për vetë Mustafa Krujën: ndiesinë e veçantë prej atdhedashësi dhe pasionin e veçantë për dijen gjuhësore dhe filologjinë, sidomos në drejtim të ndriçimit të disa çështjeve themelore të gjuhësisë shqiptare...."[40]   

"Me rastin e 50 vjetorit të ndërrimit jetë të Mustafa Merlika Krujës" titullohet kumtesa e lexuar në Konferencë, por e shkruar nga publiçisti i mirënjohur dhe studjuesi i zellshëm i historisë shqiptare, kryesisht asaj të kohës së luftës së Dytë botërore, ing. Mërgim Korça. N’atë kumtesë autori rreh mendimet me historiografinë e gjysmës së shekullit komunist që ka pasur gjithmonë në tehun e shpatës së saj figurën e ish Kryeministrit të Shqipërisë gjatë pushtimit italian. Ja disa pasazhe të fjalës së tij:

"Nuk ka as më të voglin dyshim që e ndjej veten tejet të emocionuar të flas para jush, të nderuar pjesëmarrës të këtij tubimi, me rastin e përkujtimit të njërës prej figurave nga më madhuret që ka nxjerrë vëndi i ynë, të ndjerit Atdhetarit të skajshëm, gjuhëtarit të pashoq si dhe politikanit shumë largpamës (por fatkeqësisht aq të pakuptuar edhe deri më sot), të nderuarit Mustafa Merlika Kruja."[41]

"Rikthehemi tashti tek Mustafa Kruja, emri i të cilit që nga fundi i vitit 1944 e deri kur u shkëmoq sistemi diktatorial i Shqipërisë, u trumbetua nga historianët e paprincip si sinonim me fashist, tradhëtar i Atdheut e kriminel, njeri i kompromisit dhe kuisling. Por nga ana tjetër asnjë vlerë, qoft’edhe një e vetme e Tija, ajo kurrë nuk i u vu në dukje, qoft’edhe shkarazi."[42]

"Ai pranoi të formonte një qeveri të përbërë prej atdhetarësh të shquar e të sprovuar, e që mbi të gjitha ishin edhe antiitalianë, që punët në Shqipërinë Etnike  (Shqipëria e bashkuar me Kosovën) t’i lidhnin e t’i zgjidhnin shqiptarët e sa më pak t’u lihej hapësirë italianëve!...." [43]   

"Vlerësimi i qëndrimeve të Mustafa Krujës ndaj problemit kosovar, është materializuar me faktin që kur Kosova ishte në pragun e shpalljes  së pavarësisë, udhëheqësit e saj nuk u stepën se mos komprometoheshin, por njërës prej rrugëve kryesore të Prishtinës, pikërisht asaj para Parlamentit, i a vunë emrin Mustafa Kruja!"

"Kush qe krimineli i cili për 40 vite u rrethua  me bashkëpuntorë kriminelë, armiq e tradhëtarë e pastaj i vetëm mbet hero?" [44]  

"Sa i takon akuzës kundra Mustafa Krujës si kuisling, ndërsa Vidkun Quislingu  nënshkroi deportimin e 1300 hebrenjve në kampet e asgjësimit, Mustafa Kruja i solli nga Kosova dhe u a shpëtoi jetët 320 familjeve hebreje.... Në vazhdim sot e kësaj dite e me të drejtë, ne shqiptarët mburremi për shpëtimin e tyre, (pa e ditur atë që historianët e dijnë por nuk e thonë), se qe Mustafa Kruja që i shpëtoi ata hebrenj!" [45]   

"Ja pra pse është e trishtë situata: Bota, edhe në mos paçin personalitete, mbledhin thërrime mbas thërrimesh dhe i krijojnë heronjt’ e tyr. Kurse historianët tanë akoma sot, për të mbrojtur veten si të inkriminuar me botime pseudo veprash mbushur me paragjykimet komuniste të së kaluarës, vazhdojnë e mohojnë një kollos si Mustafa Kruja!" [46]                                                                                                                                                                                                                             

Drejtoresha e Arkivit Qëndror Shtetëror, historiania e studjuesja e njohur, znj. Nevila Nika, mbajti kumtesën "Mustafa Merlika Kruja në Arkivin Qëndror Shtetëror", në të cilën trajtoi mjaft probleme të trashëgimisë historike të dokumentave të institucionit, duke vënë theksin veçanërisht mbi atë të Mustafa Krujës.

"Krijimi i Institutit të Studimeve Shqiptare, në 1939-1944 shënon një arritje të padiskutueshme për shkencën e kulturën kombëtare. Mund të themi pa frikë se pikërisht në ata vite fillojnë të hidhen hapat e para të grumbullimit të pasurisë dokumentare shqiptare ose thënë ndryshe të krijimit të arkivit shqiptar. E gjithë kjo veprimtari e ethëshme, e zhvilluar nga ky institucion, jo vetëm duhej t’i shërbente maksimalisht shkencave albanologjike, por mbi të gjitha duhej t’i shërbente çështjes sonë kombëtare ende të pazgjidhur. Pikërisht për këtë arsye mendoj se nuk ishte aspak një rastësi që në krye të tij të qëndronte i mirënjohuri, jo vetëm në qarqet patriotike por edhe shkencore, Mustafa Kruja."[47] 

"Fondi vetijak i Mustafa Asim Merlikës ose Kruja është krijuar në fillim të viteve 60. Sasia e dokumenteve ka qënë dhe mbetet ende sot nuk është ajo që ne do të dëshironim të ishte dhe ajo që ai e meriton. Është krijuar me dokumente të gjetura lart e poshtë, që do të thotë të sjella në Arkivin Qëndror të Shtetit nga organet e Sigurimit të Shtetit si pasojë e persekutimit të familjes Merlika, por edhe të bashkëkohësve të tjerë që pësuan të njëjtin fat.

Por kjo nuk është gjithshka që arkivi shqiptar ka për këtë personalitet mjaft interesant e të rëndësishëm të historisë sonë." [48]

"Mjaft interes paraqesin proçes verbalet e mbledhjeve të Qeverisë së Durrësit, të cilat për hir të së vërtetës janë këshilluar shumë pak ose aspak nga studjuesit e kësaj periudhe historike. Prania e Mustafait në përbërje të administratës të kësaj qeverie dëshmon për një angazhim të tij në jetën politike e shoqërore të atyre viteve...

Mbajtja e postit të kryeministrit në fillim të viteve 40 bën që në fondin dokumentar të këtij institucioni të gjënden mjaft dokumente të krijuara, ose të nënshkruara prej tij në kryerjen e këtij funksioni të rëndësishëm....

Gjithsesi në morinë e madhe të dokumenteve të vetë Mustafait, apo që bëjnë fjalë për të, mendoj se ja vlen të veçojmë përmbledhjen "Rivendikimet shqiptare". Materialet dokumentare që i kanë shërbyer Mustafait dhe kolegëve të tij (Dhimitër Beratti, Fejzi Alizoti, Tahir Shtylla) për të arritur në arsyetime mjaft bindëse për zgjidhjen e çështjes tonë kombëtare, tregojnë një njohje të thellë të problemit të pazgjidhur shqiptar në Ballkan.

Të qënit në krye të Institutit të Studimeve Shqiptare i jep një dimension tjetër këtij personaliteti. Është e padiskutueshme se ky institucion shënon një arritje të jashtëzakonshme për shkencat albanologjike shqiptare, artin e kulturën në përgjithësi, por mbi të gjitha është një dëshmi e vyer për të gjithë ne se kur mbi bindjet politike e ideologjike vihet atdheu e fatet e tij mundet të arrihen bashkëpunime e të ketë arritje të lavdërueshme.".[49]

Në vazhdën e mendimeve të bashkëkohësve mbas komunistë mbi Mustafa Krujën po sjell edhe parathënien e librit të tij "Gjysmë shekulli me pendë në dorë" OMSCA-1,  Tiranë 2015, një vëllim që përmbledh publiçistikën e tij, për aq sa kemi patur mundësi të mbledhim. Autori i asaj parathënie është publiçisti e shkrimtari i mirënjohur z. Ilir Ikonomi. Po citoj pak fragmente t’asaj parathënieje:

".... Por historia shqiptare e njeh Merlikën edhe për shumë vepra të tjera. Ai ka qënë një gjuhëtar i dorës së parë, një studjues i hollë e i lëvruar i shqipes. Ka kryer studime me vlerë për historinë e Shqipërisë dhe na ka lënë përkthime prej mjeshtri...

Për hir të këtij patriotizmi Mustafa Merlika u tregoi shqiptarëve të vërtetën, edhe kur ajo nuk ishte fort e ëmbël. U foli për dobësinë e tyre kryesore, dasitë dhe përçarjet që ua errësojnë pamjen. I këshilloi se "para se me u zânë për karrika e zyra të Shtetit, duhet t’a bâjmë Shtetin", fjalë me vend edhe sot e kësaj dite.

Në fund të vitit 1941, kur Shqipëria ishte e pushtuar nga fashizmi, Mustafa Kruja pranoi postin e kryeministrit. Mund të debatojmë sa të duam nëse ky ishte një gabim apo një veprim i mënçur në atë kohë kur nuk kishte zgjedhje të lehta. Por, gjatë pak më shumë se një viti në krye të qeverisë, ai tregoi me vepra se, në mendimin e tij, ideologjitë nuk ishin veçse sende kalimtare dhe se atdheu ishte rrapi madhështor që i pështillte të gjitha nën hijen e vet."[50]

"Çdo studjues i ndershëm instiktivisht priret të pijë ujë te burimi sa herë që etja i kërkon të hulumtojë mbi të kaluarën. Shkrimet e Mustafa Merlikës janë një i tillë burim." [51]

Publiçisti Roland Qafoku, në veprën e tij mjaft objektive "Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë", trajton edhe atë të Mustafa Krujës, i 16-ti i tillë në historinë shqiptare. Ja dy pjesë të shkëputura nga kapitulli kushtuar atij:

"Paria aristokrate e kishte në majë të gjuhës shprehjen "kemi për kryeministër djalin e shërbëtorit". Po a kishte rëndësi kjo për njeriun që kishte hedhur firmën në Aktin e Shpalljes së Pavarësisë, atë 28 nëntor 1912, kishte qënë sekretar në qeverinë e Ismail Qemal Vlorës dhe sot cilësohet si një nga njerëzit më të mprehtë të dijes dhe mendimit shqiptar? Julian Amery, një penë e hollë e kohës, oficer i shërbimit sekret anglez, më pas ministër i Aviacionit në qeverinë e Winston Churchill, përpos tallazeve që e përshkonin qeverisjen e Mustafa Krujës, e cilëson atë shqiptarin më të zgjuar të kohës së vet. Dhe të ishe i tillë në vitin 1941-42, 1943, duke qënë edhe kryeministër në një Shqipëri të pushtuar, nuk ishte pak." [52]

"Shqipëria ka pasur një kryeministër që e ka intervistuar gazetari i cilësuar më i miri i të gjitha kohëve në Itali dhe një nga më të mirët në botë. Është gati njësoj sikur sot Edi Ramën ta intervistojë Cristian Amanpour e CNN. Indro Montaneli më 21 maj 1942 botoi në gazetën "Corriere della Sera" një intervistë me kryeministrin e Shqipërisë. Një intervistë nga e cila nuk ka mbetur historian shqiptar dhe i huaj pa i marrë fraza dhe mendime që ka dhënë aty. Por mbi të gjitha vlen të veçojmë këtë pasazh:

"Ma mirë nji Shqipní gjysmë e pavarun, por me Kosovën  se sa nji Shqipní krejt e pavarun, por pa Kosovën". [53]

Dhe së fundi, në sesionin e V të veçantë shkencor, të Shoqatës panshqiptare "Trojet e Arbërit", që u mbajt në Prizren më 12 qershor 2022 me temën "Personaliteti shumëplanësh i Mustafa Merlika Krujës dhe ndihmesa e tij themelore në jetën kulturore e politike të kombit shqiptar, me rastin e 135-vjetorit të lindjes (1887 – 2022), ndërmjet disa kumtesave të mbajtura nga studjues të Shqipërisë, të Kosovës e Maqedonisë, profesor Nexhmedin Spahiu e titulloi kështu atë të tij: "Mustafa Kruja – figura më e ndritur intelektuale dhe figura më e pjekur politike shqiptare e shekullit XX."

Besoj se mjaftojnë të gjitha këto dëshmi se në Shqipëri e ndërmjet shqiptarëve, në kohë të ndryshme, mbi figurën e Mustafa Krujës ka ekzistuar edhe një mendim tjetër, veç atij zyrtarit të regjimit komunist e që është pasqyruar shkurtimisht në disa faqe të rradhitura më sipër.

  1. Jeni autor i disa veprave, keni shkruar shumë kujtime dhe shumë analiza, por ajo çfarë mua më intereson për t’ju pyetur është se për t’u kuptuar, duhet të kesh nocione jo vetëm të filozofisë, por edhe të psikanalizës, të historisë dhe të letërsisë?

Në të gjitha shkrimet e ndryshme mund të hasen patjetër koncepte t’atyre lëndëve që përmendni ju. Diku janë më të theksuara e diku më pak. Por në shkrimet e mija publicistike besoj se hasen më shpesh përftimet historike e letrare, kur trajtoj temat e komenteve mbi librat e ndryshëm, kryesisht të autorëve të "Panteonit të nëndheshëm", siç i pëlqen Visar Zhitit, shkrimtarit më të shquar t’asaj plejade shkrimtarësh të përvojave të burgjeve e internimeve, t’i përcaktojë. Besoj se në librat e mij mbizotëron tema historike në krahasim me të tjerat. Kjo është më e theksuar në librin e fundit që titullohet:  "Rravgime të lira në shtigjet e historisë shqiptare". Shpresoj se lexuesit e librave të mij, sado të pakët që të jenë, të mos hasin vështirësi në të kuptuarit e atyre mendimeve që kam dashur të shpreh.

  1. Shpëtimi tek veçimi, a s’është njëlloj si të shpëtosh prej fatit? Prej fatit tuaj të shkrimtarit, p.sh.?

"Ndrydhje shpirtërore, një tërheqje e mbyllje në vetvete, që është sinonim i termit "veçim", nuk është një zgjedhje e vullnetshme në jetën e njeriut. Nëse gjurmët e kësaj dukurie dalin në disa shkrime të mija, duhet thënë se nuk përbëjnë natyrën time, por janë shfaqje të natyrës së dytë, të cilën diktatura, nëpërmjet ligjeve të saj të pashkruara, por më shumë udhëzimeve që dilnin nga ndërtesa e Komitetit Qendror të partisë, e detyronte qytetarin shqiptar për gjysmë shekulli, të fshihej mbas një maske për të shmangur pasojat e goditjeve të jetës së përditshme.

Ku nuk ka liri, ku ekziston një nen i kodit penal që dënon nënshtetasin "për agjitacion e propagandë", pra për vetëm një mendim të shprehur qoftë edhe vetëm një njeriu, nuk mund të ketë mendim të lirë, nuk mund të ketë as sinqeritet mendimi, aq më pak shprehjeje. Në të tilla kushte bëhet parësore vetëmbrojtja, që shërben, për aq sa mundet si një mburojë për të pritur rreziqet e kthehet në natyrë të dytë. Ky ka qenë fati dramatik i një pjese të mirë të shqiptarëve në regjimin komunist e është paradoksal fakti që edhe mbas tridhjetedy vitesh të tjetërsimit t ’atij regjimi ka ende shqiptarë që nuk arrijnë të kuptojnë humnerën në të cilën kanë jetuar dy breza njerëzish, por e evokojnë atë...

Ndërsa shprehja "të shpëtosh prej fatit", si mbas bindjes sime të fituar nga përvoja e jetës, ka diçka që nuk shkon , sepse njeriu, me gjithë vullnetin e zotimin e tij, nuk është në gjendje gjithmonë  të farkëtojë fatin e tij, mbasi për një tërësi rrethanash është i detyruar të shkelë në një rrugë të papërcaktuar nga ai vetë. Mbaj mënd një tregim të shkrimtarit amerikan O’ Henri, të lexuar në rininë e parë, në të cilin autori përshkruan tre rrugë që ishin përpara personazhit, e përshkimi i të cilave kishte të njëjtin përfundim, vdekjen e tij. Tregimi titullohej "Rrugët e fatit" e gjatë kam pyetur veten se si i kishte shpëtuar çensurës së regjimit botimi i tij.

Edhe "fati im i shkrimtarit" nuk do të ekzistonte sikur regjimi komunist të vazhdonte, sepse nuk kishte asnjë gjasë që un të shkruaja e të gjeja mundësi botimi t’atyre shkrimeve.

  1. A keni kujtime prej frikës?

Të jetuarit për 47 vite me radhë, duke mbajtur mbi shpinë "mërinë e Akilit" që, në rastin tim, ishte qëndrimi i Shtetit, i cili më kishte vulosur që në moshën tre vjeçare me nofkën "armik i popullit", me të gjitha pasojat e saj rrënuese për jetën time, është e pamundur që një element i psikikës njerëzore si frika të mund të përjashtohet nga personaliteti i njeriut. Frika, si ndjesi përbërëse e natyrës njerëzore, bëhet tejet e pranishme në formimin shpirtëror të individit, në përballje me diktatura që kanë si parim kryesor "luftën e klasave "të ngritur në motor lëvizjeje të shoqërisë njerëzore.

Diktatura shqiptare, në veçanti nga të gjitha simotrat e saj të Lindjes evropiane, duke përjashtuar stalinizmin në Bashkimin Sovjetik, që patën periudhat e tyre të zbutjes së dukurisë, mbeti gjithmonë në pozitat e saj tejet të ngurta, dogmatike deri në krim, duke vërtetuar gjatë gjysmë shekulli një të vërtetë të shpallur që herët nga mendimi liberal, se "revolucioni i han bijtë e tij"

Fundi i pothuaj të gjithë bashkëpunëtoreve të Enver Hoxhës, përfshirë këtu edhe ata të Mehmet Shehut e Kadi Hazbiut, janë një dëshmi e qartë e atmosferës zotëruese në Shqipërinë komuniste deri në fundin e saj, të vonuar në krahasim me Vendet e tjera, si pasojë e pikërisht saj vije kriminale të saj.

Frika ishte bashkudhëtarja e përditshme e gjysmë shekullit komunist për popullin shqiptar, në një Vend në të cilin terrori shtetëror nuk njihte asnjë lloj kufizimi. Si e tillë ajo ka lënë edhe tek un gjurmët e saj në vite, por nuk më ka kushtëzuar kurrë në parimet morale dhe as në bindjet e mija etike e politike. Në një shoqëri të këtillë shumica dërmuese e popullsisë jetonte me ankthin e saj e besoj se kanë qenë shumë të pakët ata që mund të jenë shmangur nga një psikozë e tillë. Për sa më përket mua, ndjehem shumë i qetë në ndërgjegjen time sepse dhuna e Shtetit, nëpërmjet të gjitha formave të ushtruara prej saj, nuk arriti të më detyronte të merrja vendime që shkonin kundër ndërgjegjes, moralit e besimit tim e në ujdi me dëmtimin e njerëzve të tjerë të afërt apo të largët.    

  1. Po, cili duhet të jetë qëndrimi i një intelektuali në marrëdhënie me veprimin politik?

Në secilën shoqëri njerëzore roli i intelektualëve është shumë i rëndësishëm, sepse, për vetë përgatitjen e tyre mendore, për aftësitë e tyre në fushat e ndryshme të dijes, sidomos në lëmin e shkencave politike, ekonomike e shoqërore, ata duhet të jenë të paracaktuar të drejtojnë organizmat shtetërore të gjithë niveleve, që nga ata më të lartat, kryesitë e shteteve, parlamentet, qeveritë, organet tejet të vlefshme të kontrollit e të ligjshmërisë, të mbrojtjes e të sigurisë e deri tek autoritetet vendore, që nga qytetet e mëdha deri tek fshatrat më të thella.

I gjithë ky organizim i stërmadh, nëse dëshirojmë që të funksionojë e të japë përfundime të kënaqshme, duhet të ketë në vendet kyçe njerëz kompetentë, të aftë për të përballuar e zgjidhur problemet e ndryshme me të cilët ballafaqohen bashkësitë. Prandaj në Vende ku meritokracia është në synimin e parë të mbarëvajtjes së tyre, zhvillohen konkurse me pjesëmarrje të gjëra kandidatësh dhe kriteri i vlerësimit është i paprekur nga dyshimet se mund të ketë ndonjë ndërhyrje për të përcaktuar përfundimet.

Problemi vihet në shoqëritë në të cilat meritokracia është vetëm një fasadë, "një pasqyrë për laureshat", e manovrueshme nga klanet e pushtetit apo grupet e interesave të ndryshme. N’ato shoqëri roli i intelektualëve vështirësohet, sepse ata me integritetin e tyre intelektual dhe moral duhet të krijojnë një ledh të fuqishëm të aftë të kryejë rolin e tij në kundërshtimin e paudhësive, në luftën kundër korrupsionit e në rivendosjen e vlerave të vërteta morale e shoqërore, respektimi i të cilave përbën një nga themelet më të shëndosha për ecjen përpara të një kombi e të një shoqërie. Nuk është aspak e lehtë, sepse intelektualët përballen në misionin e tyre pararojë me muret e pushtetit autoritar apo interesave të ndryshme që mbrojnë paligjshmërinë e mungesën e ndershmërisë   në shoqëri e në institucione. Por detyrë e tyre mbetet gjithmonë lufta kundër atyre shtrembërimeve, nëpërmjet paditjes së dukurive johenike, aq më tepër në rolin e shkrimtarit apo të publiçistit, luftë që herë-herë kërkon edhe flijimet e veta

  1. Cilët janë shkrimtarët që vozisni më shpesh në jetën tuaj?

Shijet e mija letrare kanë mbetur të lidhura me shkrimtarët që kanë formuar fizionominë time që nga rinia. Në ballë të tyre mbeten dy nga më të mëdhenjtë e letërsisë botërore, Shekspiri dhe Dostojevski. Pranë tyre qëndrojnë Dikensi, Tolstoi, Turgenjevi, Çehovi, Balzaku, Stendali, Hygoi, Mopasani, Shileri, Gëteja, Cvajgu, Sollzhenicini, Shollohovi, Lajosh Zilahi, Ferenc Kërmendi, Ain Rand, e plot të tjerë.

Nga letërsia shqipe më pëlqen shumë proza e Ernest Koliqit e poezia e At Gjergj Fishtës, e Dom Ndre Mjedës dhe e Migjenit e Lazgush Poradecit, disa nga veprat e Ismail Kadaresë e nga letërsia tranzicionit mbas komunist, poezitë dhe romanet e Visar Zhitit, të Makensen Bungos e të At Zef Pllumit.

Këta ishin disa nga emrat që kanë shoqëruar rritjen time në një jetë të kaluar kryesisht në vite pune fizike të rënda.

  1. Te shumë autorë ekziston ideja se shpesh herë ata i kap një farë "krize", në lidhje me punët e tyre, ju personalisht, jeni gjendur në të tillë ndjesie dhe kjo aksh gjë, mos ju ka bërë të ktheheni kundër vetë materialit tuaj si dhe të urreni punën që keni bërë. A ka gjithmonë ndonjë krizë për çdo vepër?

Deri tani nuk kam hasur në veten time dukuri të tilla. Nuk kam njohur kriza dhe nuk kam urryer kurrë veten për ato që kam shkruar. Madje ndonjëherë i kthehem leximit të shkrimeve të mija, duke u rifutur me mëndje në mjediset e në çastet e shkrimit të tyre. Me kalimin e viteve mund të ndryshojë disi këndvështrimi i gjërave, por pa shkaktuar asnjë lloj "krize" apo keqardhje të çfarëdo lloji.

  1. Një autor origjinal është produkt i një vetëdije të re shoqërore-filozofike, apo thjesht produkt i një vetëdije gjuhësore? Si në rastin tuaj?

 Mendoj se përgjigja duhet të jetë në pjesën e parë të pyetjes, sepse vetëdija gjuhësore vlen në studimin e gjuhës, që është mjeti i shprehjes së mendimeve.

 Duke përsiatur në vetvete pyetjen tuaj më vijnë në kujtesë një mësim i Shekspirit mbi artin e të shkruarit dhe një përcaktim mjaft interesant e origjinal i kritikut e poetit gjerman August Wilhelm Schlegel (1767 – 1845), që ka një veçanti konceptimi mjaft të spikatur.

Hamleti në bisedën e tij me aktorët e shfaqjes që do të jepej para Mbretit thotë:

"Qëllimi i artit në të gjitha kohët ka qenë të jetë pasqyrë e natyrës, t’i tregojë fytyrën e tij virtytit, pikturën e vet poshtërsisë, dhe çdo etape e specifike të shekullit formën dhe vulën e tij."

Ndërsa Schlegeli shprehej kështu:

"Profesioni i shkrimtarit është sipas ushtrimit, një poshtërsi, një shëtitje, një zanat, një art, një shkencë e një virtyt."

Do të më pëlqente të mos jap vlerësime unë vetë për librat e mi, por t’u a linja lexuesve, në dritën e atij përcaktimi të thelluar, se në cilën kategori do të gjenin strehë shkrimet e mija.

  1. Në librat tuaj ka heronj, që janë gjithmonë në transformim. Ju si e shihni veten në krahasim me këta. Si mund të përshkruani vetveten?

 Un nuk mund t’a quaj veten në trasformim, mbasi afër të tetëdhjetave njeriu është plotësisht i formuar e nuk ka vend më për ndryshime thelbësore apo transformime. 

____________________________________________

[1] Ernest Koliqi – Zef Valentini: "Mustafa Kruja si njerí kulture e si gjuhëtar", Faqe 4

[2] Po aty: Faqe 5-6

[3] Po aty:  Faqe 6-7

[4] Ernest Koliqi: "Nji trashigim shpirtnuer" "Shêjzat" N. 1-2  viti 1959  Faqe 2

[5] "Shêjzat": N. 1-2 viti 1959 Faqe 3-4  "Mustafa Kruja si studjues"

[6] Po aty: Faqe 6

[7] "Shêjzat" N.1-2  Viti 1959 Faqe 10

8 Lazër Shantoja : "Vepra" Botime Françeskane  Shkodër, 2005 Faqe 516

[9] "Kuvend letrash me miqtë" OMSCA-1 Tiranë 2012  Vëllimi I Faqe 54-55

[10] "Kuvend letrash me miqtë" OMSCA 1 Tiranë 2013 Vëllimi II Faqe 457

[11] Po aty: Faqe 342

[12] "Kuvend letrash me miqtë" OMSCA-1 Tranë 2013 Vëllimi II Faqe 307

[13] Po aty: Faqe 77-78

[14] Po aty: Faqe 239

[15] "Kuvend letrash me miqtë" OMSCA-1 Tiranë 2013  Vëllimi III Faqe 40

[16] Po aty Faqe 74

[17] Po aty Faqe 100

[18] "Kuvend letrash me miqtë" OMSCA -1 Tiranë 2013 Vëllimi III  Faqe 451

[19] Po aty Faqe 407

[20] "Kuvend letrash me miqtë" OMSCA -1 Tiranë 2013 Vëllimi II Faqe 304

[21] "Kuvend letrash me miqtë" OMSCA-1 Tiranë 2014  Vëllimi IV Faqe 39

[22] "Kuvend letrash me miqtë" OMSCA-1 Tiranë 2017  Vëllimi  V Faqe 397

[23] Po aty Faqe 303

[24] Po aty Faqe 210

[25] Po aty Faqe 129

[26] "Kuvend letrash me miqtë" OMSCA-1 Tiranë 2017 Vëllimi V Faqe 369

[27] "Rishkrimi i historisë dhe figura e Mustafa Krujës (1887-1958)" Botime Françeskane Shkodër, 2011 Faqe15

[28] "Rishkrimi i historisë dhe figura e Mustafa Krujës (1887-1958)" Botime Françeskane Shkodër, 2011 Faqe 19-20

[29] Po aty Faqe 23

[30] Po aty Faqe 27

[31] "Rishkrimi i historisë dhe figura e Mustafa Krujës (1887 – 1958) Botime Françeskane Shkodër, 2011 Faqe 52

[32] Po aty, Faqe 53

[33] "Rishkrimi i historisë dhe figura e Mustafa Krujës (1887-1958)" Botime Françeskane, Shkodër 2011 Faqe 54

[34] Po aty Faqe 59

[35] Po aty Faqe 64

[36] Po aty Faqe 71

[37] "Rishkrimi i historisë dhe figura e Mustafa Krujës (1887 – 1958)" Botime Françeskane Shkodër, 2011 Faqe 75

[38] "Rishkrimi i historisë dhe figura e Mustafa Krujës (1887-1958)" Botime Françeskane Shkodër, 2011  Faqe 76-78

[39] Po aty Faqe 88-89

[40] Po aty Faqe 93

[41] Po aty  Faqe 102

[42] "Rishkrimi i historisë dhe figura e Mustafa Krujës (1887-1958)" Faqe 103

[43] Po aty Faqe 104

[44] Po aty Faqe 105

[45] Po aty Faqe 106

 

[46] Po aty Faqe 107

[47] Po aty  Faqe133

[48] "Rishkrimi i historisë dhe figura e Mustafa Krujës (1887-1958) "Botime Françeskane Shkodër, 2011  Faqe 134

[49] Po aty Faqe 135-136

[50] Mustafa Merlika Kruja : "Gjysmë shekulli me pendë në dorë" OMSCA-1 Tiranë 2015 Faqe 7-8

[51] Po aty Faqe 9

[52] Roland Qafoku: "Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë" ONUFRI  Faqe 155

[53] Po aty Faqe 158

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH