Aktualitet

Françeskani ndërmjet botës dhe lutjes

Shkruar nga Liberale

Vladimir Myrtezai

– Profesor, – më tha një ditë – je françeskan i mirë, për atë Zot!

Ngrita supet disi i çuditur, pasi as unë vetë nuk e dija se çfarë isha në përfaqësim. Nuk më kishte vajtur ndërmend se mund të ndihesha ngusht nga përkatësia. Më dallonin si piktor, letrar e nganjëherë si nuancë ekstravagance. Por, ja që për një moment, nga dëshira për të përsëritur besimtari besimtarin, si kërkesë vëllazërie, u gjenda në zgjedhjen e ngushtë e në dëshirën e madhe të një katoliku françeskan.

Jeta është një çudi më vete, me një breshëri shtrëngesash, ku herë pas here nuk di të jesh në ngjitje të një gjëje krejt përfaqësuese, dhe papritur të vjen një krah besimi me një këndvështrim që nuk e ke menduar.

Është një djalosh rreth tridhjetepesë vjeç, eshtak, me një trup të hajthëm mesatar në nuanca që të kujtojnë fasha filmash romantikë. Miklohet me detaje të kontrolluara të një shijeje kopsitur nga marka të mira veshjesh. Një njeri që duket në ngutje për të shijuar jetën në një lëvizje të përhershme. Dukej si një natyre që vuante nga optimizmi, sepse e kishte me tepri. Të jepte përshtypjen në njollë të parë të zbulimit, sikur vinte nga një kulturë e mirë gjuhësore. Përpiqej të përshtatej në një bisedë formale, që në fakt e padiste nga nuancat e fshehura të dialektit që i buronin nga trevat e veriut.

E pata njohur gjatë një projekti për artin urban, një ngjarje ndërhyrëse që bëra me studentët në Sheshin Skëndërbej, ku na ndodhi diçka për të mos u harruar. Tema ishte Nata e Vitit të Ri, dhe një grupim piramidë në ndarje rolesh na çoi drejt një ndërhyrjeje ku sende të ndryshme që riciklohen ndërtonim imazhin simbolik të pemës së Vitit të Ri.

Skema e organizimit ishte zbuluese, qoftë për të angazhuar kuratorë të rinj, qoftë në cilësinë apo befasinë e figurshme për të ndërtuar një simbolikë festive. Qe një sipërmarrje e lodhshme, por mjaft kreative, me një gëzim e përplasje egosh në grup që e ktheu projektin në një ndërhyrje mjaft tërheqëse.

Angazhimi i energjive të reja e bëri mjaft të freskët e origjinale ndërhyrjen në shesh, si një pikëndarje e gëzueshme e marrëdhënies së qytetarit me veprën e artit.

E gjithë struktura ndërhyrëse kishte si bazë skelerinë si një objekt provizor e konstruktiv, për të lartësuar kështu volume të ndryshëm, kështu që kishim nevojë për një duzinë skelash. Kështu u njohja me Nard Martinin, duke qenë se merrej me skela, lyerje e shërbime të tjera.

Ajo që ndodhi qe skandaloze, kjo edhe për shkak të temperaturve disi të larta, gjë e pazakontë në një muaj si dhjetori. Kisha porositur si material ndihmës nja dy kamionë me polisterol, meqë është një material mbi të cilin ndërhyhet lehtësisht e të jep shumë mundësi. Polisterolin e vendosëm si një volum të konsiderueshëm diku në qendër të sheshit, rrethuar me shirita e sinjalistikë që të mos afrohej njeri. Ndërkohë që e gjithë ndërhyrja instalative ndodhte në barkoren e pasme, në lulishten pas ekuestrës së Skënderbeut.

Qe një ditë plot diell dhe e thatë, me një vezullim marramendës. Pasi kisha mirërenduar punët, shkova për drekë në festën e fund vitit me kolegët e fakultetit, që më thanë se nuk duhet të mungosh, pasi sot do kërcejmë e do gëzojmë me vallëzime në stil.

Më kujtohet që kisha në krah një pianiste. Ndërkohë kishin nisur lëvizjet në pistën e vallëzimit, një motiv i hershëm e i pafat për t’u takuar rrallë e për mall. Në një cep të largët pluskonte drita e një televizori që jepte lajmet. Në kulmin e një lodrimi të hareshëm pikasa si pa dashje një lajm qendror të cilin nuk po e shquaja dot nga larg. Arrita të lexoj: “Sheshi Skënderbej përfshihet nga flakët”! – O Zot, – thashë me veten. Për një moment u shtanga. Gjëja e parë që më shkoi në mendje ishin studentët që kisha lënë në shesh. E gjithë çfarë kish ndodhur qe një shkëndijë zjarri: një rom i vogël, nga pakujdesia kish hedhur një cigare të ndezur pranë polisterolit, dhe kështu ky i fundit ishte përfshirë nga flakët. Sheshi u mbush në flakë e tym, një pamje tronditëse. E paimagjinueshme se si në pak çaste sheshi u shndërrua në një arenë absurde mes atyre që mërxenin forcat e policisë dhe alarmit se po digjej Sheshi Skënderbej. Të dukej si një simulim i një skenë filmi aksion. Çdo gjë ndodhi rrufe. Forca të shumta policore bënë të mundur që të shuhej shumë shpejt zjarri. Por, ishte radha edhe e procedurave përkatëse: kërkonin kreun e grupit, që ishte përgjegjës për projektin që po zbatohej në zemër të kryeqytetit. Për fat, një nga menaxheret e projektit ia doli të jepte shpjegimet e duhura për këtë aksident të frikshëm e po aq fantastik.

Projekti po zhvillohej diku më larg se materiali i grumbulluar. Puna vijoi me tone të larta derisa u realizua mjaft mirë e me një impakt të konsiderueshëm në atë gjallëri të fundvitit.

Bernardi ishte nga të shumtët që më rrinte afër e kujdesej për materialet, që më duheshin në logjikën e tregut me shumicë për të përfunduar këtë ndërhyrje urbane.

I detyrohesha një shumë të vogël për materialet. Ishte një ndihmë e madhe nga ana e tij dhe po e kërkoja me ngulm që ta shlyeja këtë detyrim. Vura re se kishte një shpërfillje të lehtë na raport me vlerën monetare, ndaj dhe ma shtynte duke më thënë një herë tjetër, një herë tjetër. Me sa dukej, për të ishte diçka jo e madhe, por unë kisha merakun e të qenit korrekt me të, kështu që e pyeta ku ta derdh pagesën, se nuk dua të mendoj më për këtë punë. Dikush e kish thënë si nën zë që të kishte kujdes, se njeriu me të cilin po punon është i rëndësishëm dhe ka njohje të zgjeruara.

Më vonë bëra edhe disa projekte mbi fasada e punë të vogla private, ku sërish më ndihmonte me një bujari të çuditshme.

Gjatë drekave e punëve të përbashkëta kuptova se nuk kisha të bëja thjesht me një tregtar apo biznesmen të rëndomtë. Ishte diçka krejt ndryshe nga sa kisha përfytyruar për këtë racë njerëzish, që në të shumtë janë të paragjykuar, të ftohtë e racionalë, por edhe arrogantë e shpërfillës. Por, ndodh të hasesh edhe me ndjeshmëri të një tjetër lloji, që janë të papërtueshëm, të gatshëm për të të ndihmuar në vepra që, në fakt, janë kolektive dhe ushqejnë publikun me ngjarje, që ndikojnë në psikologjinë e grupit, në fizionominë e kostumet e shprehive zakonore të një kryeqyteti që kërkonte frymëmarrje.

Bernard Martini ishte në palën entuziaste, i angazhuar edhe për shkak të moshës së re, por edhe me një intuitë të fshehur për të moderrnizuar gjendje e hapësira të mundshme; me një dëshirë për t’u ndierë i përfshirë me njerëz të një soji që nuk i kishte shijuar sa duhet në udhëtimin e tij.

Historia e tij, ashtu si e shumë biznesmenëve dhe sipërmarrësve është shumë interesante dhe e ngjashme me ata që për shkak të punës dhe talentit të tyre, jo rastësisht janë në majat e këtij përfytyrimi të ri, ku suksesin e kishin të krahasueshëm në sloganin e tokës së premtuar amerikane.

Por, si gjithë të tjerët, çdokush ka fatin dhe erën e vet në favor, punën e investuar apo lojën me rrezik dështimi.

Një nga manitë e tij, që e ngjyron veç, lidhej me të qenit katolik. Ai e ndiqte Papën kudo ku mund të shfaqej fizikisht, duke bërë çmos që ta takonte e ta prekte në kërkimit të hirit. Një mani e veçuar dhe e rrallë, që e kisha hasur te shumë pak njerëz.

Natyra ime kurioze më plekste edhe me natyra ekstreme e të çmendura, nga më të zhvendosurat ndër skuta të errëta e deri tek ato me shumë dritë. Një prirje në ngasje për të udhëtuar natyra të ndryshme, për të kuptuar bazamentet e tyre, kulmin e gjakftohtësisë për të qenë njësh me suksesin apo krimin, ose me një gjest publik që shkon kundër rrymës. Ishte në zgjedhjen time të ushqehesha pa asnjë teklif e të isha nën lëkurën e çdo të marri që paraqiste interes tej atij të zakonishmit. Notoja ngadalë, me vetinë e zbuluesit, duke shijuar me dritë e hije e duke rrëmuar në thelbe. Natyra të tilla vetëshprehen pasi është tejkaluar pragu i parasë si petk etiketues që mban ngjyrosja e një epiteti me të cilin përballen në sipërmarrjen e tyre. Figura informale, që së shumti ke se çfarë të shijosh e të nxjerrësh nga pema njerëzore; se pse jepen të gjithë pas kësaj cipe që përbën opinionin e stërmadh në sy të publikut.

Kisha hasur lloj-lloj, të shërbyer e vetëshërbyer tavolinash në gjendje karakteriale, plot ngjyra e dobësi, por edhe me aftësi të rralla dhe ngutje për të dominuar nën rolin e njerëzve të ndjekur nga fama. Secili në hallin e vet për t’u kryer nga egot e larta, që nga ata më finët e në nuanca të stërholluara, deri te agresivët e sipërfaqshëm. Secili me heronjtë e vet të fshehtë për të ushqyer këtë agresion ndikues mbi egon e shfrenuar.

Nardi nuk ishte nga këto natyra, ndaj dhe çuditesha se si ia bënte në një botë kaq të egër që luhej në një pyll të errët të cilit nuk i dihej dalja. Gjithsesi më tërhiqte për shumë gjëra që mua me ndërsenin në ndërgjegje, pasi e përfytyroja veten në një moshë relativisht të re, si e tija, bashkë me udhëtimin e tij realizues. Ishte një kureshtje ku e shkëpusja veten nga gjendjet e mia pellguese dhe e jetoja realitetin si një film plot me karaktere të diskutueshëm.

Tirana e kontradiktës në një tjetër status zhvillimi, për shkak të rrokopujës dhe zhvillimeve të reja demografike, por edhe si një shesh i zgjatur kurioziteti masiv në një prurje të pakontrollueshme që sjell zhvillimi i shpejtë e traumatik.

Një ditë po shkonim drejt një agjencie për të bërë kartonin jeshil për makinën time. Ecnim në këmbë. Përgjatë rrugës shtjellej një mori shitësish informalë me stoqet e tyre të vakët e nën hije, siç ndodh në çdo qytet të madh ku ka një lëvizje të zgjeruar e makth shitblerjesh.

– A i sheh këta në rrugë? – më pyeti.

–  Po, i thashë. Çfarë kanë të veçantë?

– Kështu e kam filluar, profesor, në rrugë, çdo ditë, duke bërë çdo punë të mundshme. Kështu nisa ta kuptoj botën e të komunikoja me njerëzit në një rritje të mundimshme. Më pas emigrova. I kam bërë të gjitha nga a-ja te zh-ja, në kuptimin e shërbimeve dhe të punës. Si shumë emigrantë, kam fjetur në një çadër personale, nga ato të udhëtimit në mal, që të mos shpenzoja për qira. Paratë i lidhja në trup që të mos m’i merrte njeri. Isha fare i ri, me energji; doja një jetë më të mirë, për t’u sprovuar në këtë botë me të drejtën e ekzistencës si besimtar e si shqiptar.

E dëgjoja dhe më bënte përshtypje, se ashtu si çdo histori e jetuar me minuta e sekonda kishte së brendshmi aventurën, rrezikun dhe një vuajtje të shtrirë që më dukej një rrëfim më vete për t’u hedhë në letër.

Kemi lexuar se si u bë Amerika nga emigrantët dhe si u lartësua territori përmes shumë shkaqesh që përmban natyra njerëzore. Njoh me qindra histori mbijetese dhe shkëlqimi pingul përgjatë një jete, por të gjitha nëpër filma dhe libra.

Gjithsesi më bënte përshtypje se si luftonte ditë pas dite duke ofruar leksione të gjalla jete.

Në botën e biznesit, ashtu si në çdo fushë tjetër ka hierarki e nivele të ndryshme sipas fuqisë së parasë që zotërohet, dhe ky diferencim është një garë sa imagjinare e sa reale dhe e lehtë që rrjedh nga formulat kombinuese të shkëmbimit të gjërave me vlerë. Është si një fushë e minuar nga rreziku i humbjes, por edhe me lehtësi për të shumëfishuar përmes ideve përshtatëse fitime të konsiderueshme ose marramendëse.

Ka një mekanizëm kyç e gati si të marrë me mend që hidhet në fushën e interesit masiv: nëse merr jetë je i kryer, nëse nuk mbin falimenton. Kjo në të gjitha gjasat dhe shfaqjet, që nga shitja e ajrit, trafiku për territore që pjellin zhvillim e deri te shitjet dhe zbulimet e dijes.

Një botë e rrotulluar si në një sferë bixhozi, ku parashikimi dhe idetë riprodhojnë investimin e duhur në momentin e duhur. Një sistem që nuk krijon fjetore që prodhojnë politika meskine, por një vizion për kapitalet lëvizës në vatra premtuese. Pikërisht në këtë ëndërr të lartë u shkundën e u përplasën shumë veta që përpiqen me intuitë e talent të jenë pjesëtarë aktivë të kësaj strukture që vë në lëvizje çdo gjë. Por, mua nuk më intereson vetëm kjo, por mbi të gjitha metamorfoza e personazheve, dekompozimi veçmas, apo se si nga një bazament pluhur ndërtonin një kullë të xhamtë e të shkëputur nga kontaktet e gjalla, duke u shndërruar në konvencione të mirëmenaxhuara në hapësira kënaqësish.

Njerëzit duhet të zbulojnë thelbin e tyre përmes kësaj metamorfoze, duke mos humbur lëngun njerëzor. Shumë syresh arrijnë të kryejnë ciklin e katarsisit të urive të pakryera dhe më pas kthehen në normalitet, në një indiferencë të matur karshi materies. Të tjerët nuk e gjejnë dot këtë raport, sepse ushqehen me intuitë në themele të traditës njerëzore dhe si ngjitje e shumëpostuar karakteresh e përvojash për mbijetesë.

Bernardi është një personazh intuitiv që orientohet nga besimi dhe lutjet, por edhe nga kjo traditë: të qenit në lidhje me natyrën njerëzore në një rregullsi të çuditshme.

Një ditë po ktheheshim nga Shkodra dhe ndaloi pranë një baseni me peshk Bune dhe bleu gati nja dhjetë kile. Thashë me vete epo..., çfarë i duhet gjithë ai volum, sikur kishte restorant. Diku pranë Mamurrasit ndaloi dhe ua dhuroi motrave, siç i quante ai, në një qendër kujdesi për njerëzit me aftësi të kufizuara. U la edhe disa të holla, po ashtu edhe unë, pasi u preka nga nje realitet që nuk e njihja. Nardi është një lloj natyre që është përherë pranë një bote që ai beson se ripërtërihet përmes mëshirës së njerëzve, një lloj solidariteti që e ushqen duke kujtuar të shkuarën e tij të mundimshme, por jo vetëm kaq: ai ka një ndjeshmëri për materien njerëzore si një edukatë e fshehtë e besimit, se sado pak dhe me mëshirë bota mund të marrë një ekuilibër edhe më njerëzor.

Për shkak të intuitës, ai i ndan njerëzit në të mirë e në të këqij, në kuptimin që ka aftësinë të zbulojë edhe përmes gjuhës së biznesit uritë shtazarake dhe karakteret e dyshimtë që hyjnë në një lojë me rregulla të pashkruar.

Një ditë i thashë si rastësisht: – Nard, më gjej tre-katër disqe me folk verior. Më duhen, se do udhëtoj. Më pa në sy si me dyshim. – Me të vërtetë, profesor!? – Po, – iu përgjigja – pse çuditesh? U ndie i provokuar nga distancat që provonte në bisedat tona.

– Je burrë mali! – më tha dhe u skuq. Në fakt, unë ushqehesha në një sistem të kundërt vlerash, ku herazi doja të dilja në origjinë sipas shijes dhe midesë, me idenë e mosnënshtrimit ndaj gjërave të përpunuara e të ofruara si ushqim “elitar”. Ndiqja udhëtimin përkundërt, atë burimorin, të pakualifikuarin. Një lloj teknikaliteti zbulues për të qenë në zëra të parë trevash të virgjëra e në bimë të egra, jashtë zbukurimit harmonik; një ndjesi që ma diktonin ligjësitë rikthyese të një jete anarkike në bazamente krejt të kundërt. Ishte një gjë që nuk ia shpjegoja dot, por thellë-thellë barazpeshonim e për pasojë lundroja në zgjedhjet e tij të fëmijërisë, apo në kujtimet e largëta, ku ndodhnin takime si përputhje të nëndheshme, një shkarkesë emocionale ripërtëritëse.

Si përfundim i gjeti disqet e m’i dhuroi. Si në mëdyshje, heshtur arrita të kuptoj se gjatë gjithë kohës ndihej si i provokuar nga liritë e mia të hapura. Nuk ia rrokte mendja që një njeri si unë të ishte aq i ekspozuar ndaj folkut, një ndjesi që të jepte përshtypjen se të vjetronte e të zbriste në opinionin e tij të distancuar, nën ndikimin e një aureole nga ato që përjashtojnë gjithçka në emër të modernitetit. Filloi të mësohej disi me qëndrimet e mia dhe nuk çuditej më me qetësinë time, se si një burrë në mundësi e influencë emrash të njohur të ishte kaq pranë gjërave të stërdëgjuara. Nuk më pëlqente që të ndiehej në të tilla tonalitete, por kisha interes, sepse nga ai perceptoja gjëra në fillesë, që i ngjanin  ëndërrimit të marrë të artistëve që mbillen në kohë si pa kuptim.

Arratitë e tij drejt besimit e kalonin kufirin real të një njeriu në interesa krejt të ndryshme nga ato që predikonte besimi që kishte zgjedhur. Një kontradiktë fantastike që kisha frikë se do e zmbrapste thjesht në një admirues të përhershëm të së ashtuquajturës “tokë e premtuar amerikane”. Për shkak të një shpirti altruist që kishte dhe të një jetë të ëndërruar si njeri i suksesshëm në qëllimet e të qenurit në radhët e larta në lojën e madhe të pokerit të kohës ku bënte pjesë, ndieja keqardhje, pikërisht ngaqë ëndërrimin e kishte shumë të fortë por e tradhtonte shpirti i butë e i kuruar prej besimtari. Karrierat e suksesshme ndilleshin nga disiplinat e larta dhe nuhatja e padiskutueshme. Ky fluturim i tij fëminor nuk ishte një gjë që shkëlqente nga lutjet, por gjithsesi ishte një tjetër shtysë dhe adrenalinë për të besuar te mrekullia që ai ushqente vazhdimisht.

Si gjithnjë, përkundër kisha në mendje shumë njerëz, nga ata të kamurit, që pasi arrinin kulmin e mirëqenies zhvendoseshin në një udhëtim të kundërt me gjithçka, ndërtuar si dhuratë nga trashëgimia kundër, apo thjesht ndaj kultit të të qenurit i kamur. Një udhëtim relevant djemsh të rinj, që gjithë sa kishin trashëguar e quanin një kurth të jetës, ose vegjetim sentimental i transmetuar. Kështu arratiseshin në të kundërt, në territore lirie, duke braktisur çdo gjë e duke u përqendruar totalisht në një shtrirje bazike njerëzore, deri edhe në punë krahu.

Në erërat e virgjëra e në një jetë zbukuruese në raport me natyrën, për të bërë këtë “korrigjim” Nardit i duhej edhe një jetë tjetër me trajektore nga “lart-poshtë”, në kërkim të një identiteti të ri për zgjedhjen e bërë si një stimë në garë me jetët e të tjerëve. Është një argument që shoqëritë e kryejnë mbas ciklit të ngopjes, pasi e kanë tejkaluar këtë kurth të fshehtë që ofrojnë sistemet garuese e eksperimentale, ku fillimisht njeriut i duhet t’i kryejë këto procese e më pas të rikthehet në zanafillë. Ende jemi në një uri të pakthim për të provuar atë që na mungon. Menjëherë pas kësaj kalese parakalojnë të gjitha zgjedhjet njerëzore në emër të të qenit i lirë e përjasht mekanizmit të detyruar të parasë. Në tavolinat tona ende mbijetojnë të përfolur në krahasime nofka nga më të çuditshmet për pushtetarët e djeshëm e të sotëm, që si shpërndarës pushteti janë të shumtë që shfaqen si shenja të fantazisë e qendër e mjaftueshme interesi; si afrodiziakë me emra kafshësh: Tigri, Elefanti, Skifteri, Kunadhja, Mamuthi e lloj-lloj ngjyrimesh nën maskë që vizatojnë pushtetet në ardhje e në ikje. Këto janë çështjet e menusë së ditës, ku liria ende gjendet e shpërfillur, sepse nuk i duhet askujt përderi sa ka uri për të kryer këtë cak të ëndërruar për pasuri.

Bernard Martini është një dashnor i jetës në një ikje të vazhdueshme për të takuar atin e shenjtë, Papa Françeskun, një dëshirë që e motivon për të kapur shenjën e tij të lartë, më e lartë se gjithçka tjetër që beson se është një mekanizëm mbijetese.

Një françeskan i mirë që përshkon ferrin e mbijetesës me hov e optimizëm, krejt i hapur e i pambrojtur në besimin e tij; i bardhë në mënyrën se si e ushqen lumturinë e përkufizuar nga ky orientim. Një dele në grigjën e madhe të besimit, nga ato që përbëjnë ritmin e pasurisë njerëzore dhe e përsërisin atë nën një model me hir.

“Lëvdue Krishti!” – i them shpesh e shpesh, si një njeri që përdor një slogan çelës për të përshëndetur afër.

“Gjithmonë e jetës!” – vjen përgjigjja në një rreshtim ritual të pandryshueshëm.

Amen! /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH