Sadik Bejko
Poezisë së mirë duhet t’i mjaftojë vetvetja, pra, ajo duhet të jetë poezi estetikisht e bukur. Vetëm kaq. Por ka mendime se prej poezisë së mirë mund të mëtohet edhe diçka tjetër. Çfarë? Kërkohet dhe që poezia të jetë një meditim, një pyetje mbi jetën, një kërkim mbi kuptimin e saj. Cila nga këto dy pikëpamje qëndron? Ka ndonjë libër teorik që e ka shterrur atë se çfarë duhet të jetë poezia? Jo se nuk ka libra dhe teori mbi poezinë. Por poezia e mirë ka bërë përpara si praktikë, ka ecur më tej në punë të vet e për qejf të vet, është krijuar e rikrijuar pa pyetur shumë për teoritë mbi poezinë. Poezia kështu është rilindur dhe kështu do të vazhdojë të ripërtërihet edhe sot e gjithtë ditën, te çdo autor i ri dhe te çdo libër i ri me vlerë. Libri i fundit me poezi i Alisa Velajt mund të jetë poezi me plot gojën, domethënë një vetëshprehje e bukur, një zbrazje në vargje e në struktura poetike i atyre situatave kur ekzistenca jonë, si avulli në enën në vlim, del përtej nesh, prek përjetësinë e natyrës e mbase rroket me të, rroket aty në eter, kur fantazmat tona përpëlitëse kthehen në qëndrueshmëri fjalësh, pra në pëlhurë të endur prej fjalësh poetike. Të realizosh këtë, të vetëshprehesh bukur, pa pretenduar më shumë sesa të bësh “letërsinë si e tillë”, është arritje për cilindo nga ata që ushtrojnë artin e të shkruarit. Por pyetja që bëmë më lart ishte: A mjafton kaq? Poetët ndonjëherë nuk kënaqen thjesht me të shkruarit bukur. Këtë e dëshmon poezia e këtij libri që është jo vetëm shkrimi me cilësi të shënuar i poezisë, por dhe një meditim mbi jetën. Meditim me mjete të poezisë, jo me kategori të mendimit. Poetja ka arritur një shkallë të merituar të pjekurisë poetike dhe ka shënuar arritje që nuk janë vetëm brenda vazhdimësisë së saj krijuese. Ky libër për cilësinë e shkrimit të poezisë sjell realizime që i takojnë jo më asaj vetëjakisht, po gjithë poezisë sonë më të mirë, dhe asaj që shkruhet sot në gjuhën shqipe. I dhashë këto konsiderata që në krye të këtij shkrimi si rrjedhojë e ndjekjes së librave të saj dhe si një lexues i vëmendshëm i këtij libri. Më poshtë do të sjell argumente mbi çfarë thashë të sintetizuar deri tani.
Libri është konceptuar si një udhëtim, shtegtim në kërkim të vetvetes, a të të tjerëve që mund të ngjajnë ty. Në një shtegtim ku të ndjekin pas fantazmat e ekzistencës. Njëra nga këto hije është fantazma me tiparet e një burri. Se ky shtegtim është ikje për të gjetur dashurinë e humbur, ikje jo vetëm për ta gjetur atë, por edhe për ta filluar dhe rifilluar dashurinë, për ta fituar jetën. Dy janë trevat ku ngrihen fantazitë e poetes: e para ̶ toka e zjarrit, e diellit, e tramundanave; e dyta ̶ trevat nordike (Hollandë, Danimarkë, Suedi), vende ku mbizotëron bora, acari, akulli. Ndoshta udhëtimi në vendet nordike është kërkesa për realizim individual, për qëndrueshmëri. Sot shumë individë kanë humbur kontrollin mbi veten, mbi fatet e tyre, nuk marrin dot vendime të pavarura për veten, nuk mund të zgjedhin çfarë ata vërtet duan të jenë (Zygmund Bauman). Shumë poezi të këtij libri mbajnë datat dhe vendet ku janë shkruar. Më të shumtat janë shkruar shpejt si në rrebesh, në rreth një a dy vjet. Janë poezi të dy viteve të fundit, kur në Shqipërinë tonë, dhe jo vetëm, në krejt botën mesdhetare, afrikanë, sirianë, aziatikë… si në tërmet, po shpërngulen nga vendet e tyre drejt Europës Veriore. Por ndoshta konteksti historiko-social do parë në prapaskenë, në sfondin kohor kur u mbrujt ky libër. Efektet direkte të momenteve kohore që jetojmë janë të filtruara sa nuk duken fare. As të shkojnë ndër mend. Poetja Alisa Velaj sikur u rri larg temave sociale, mesa duket ngaqë realiteti individual-social ofron jo pak zymti e zhgënjime në nivelin intelektual-human. Për më tepër, dy terrenet në themel të këtij libri poetik janë shpirtërore, aspak sociale.
Në tokën e tramudanave mbizotërojnë zjarret, thyerjet e rënda dramatike, lëkundje me amplitudë nga tragjikja te lozonjarja, te e përkohshmja e realiteteve ekzistenciale. Në tokën e borës dhe të të ftohtit jetohet, po më shumë meditohet mbi jetën. Vetmia, njerëzit me ekuilibër shpirtëror, stoikë, humanë, të hapur ndaj dhimbjes, deri dhe ndaj mendimit të vdekjes, të ndjeshëm ndaj përkohësisë së ekzistencës…i fashitin në thellësi zjarret. Këtu apostrofimet e dhimbjes shkëmbehen dhe në ironi. Nëse në tokën e zjarreve përzhitet nga emocionet një grua vitale në moshë të re, në tokën e akujve e të vjeshtës gdhenden portretet e plota të disa mesograve në sfondin e pyjeve të zhveshur prej gjetheve, apo të liqeneve ngrirë në akull. Kështu, të ndodhur ballë skajeve, si ndaj dashurisë apo dhe ndaj sëmundjeve, ndaj vetmisë, akullimit, ne si qenie zbërthehemi më mirë, vihemi në situata të përjetësisë që e humbim çdo ditë (lumturia, dashuria), apo në ajrin e përkohësisë që ta ofron vdekja, e kështu shtangur, lemeritur prej dhimbjes, humbjes, mundësisë së vdekjes së afërt, bëhemi më njerëzorë. Një përmasë e pjekurisë, e përvojës, e meditimit merr formë, jep kumte përmes dilemave gjithmonë pa asnjë zgjidhje.
Topikët e Jugut janë deti, dielli, moli; topikët e Veriut janë akulli, bora, fjordi i akulluar, liqenet e pyjet nën akuj. Është një kalim, përballje kundërvëniesh të skajeve ekstreme. Në plan të parë, kjo u ngjan kontrasteve përjashtuese si në estetikën, si në poetikën romantike… ku ndonjëherë shfaqjet e së jashtmes përjashtuese të prijnë drejt thellësive. Por ngjashmëria është vetëm në plan të parë. Estetika romantike ishte artificiale, e stisur qëllimshëm, e kërkuar, ndaj shpesh dhe pa shije. Te poezia e Alisa Velajt antiteza e tragjikes është përvojë e jetuar. Është një kërkim për një kuptim nëpërmjet përvojës, jo nëpërmjet efekteve sipërfaqësore, të paramenduara. Kështu kjo pranëvënie antitezash, pranëvënie e dy terreneve shpirtërore në themel të kundërta, i shërben zbërthimit ekzistencial të jetës, të asaj që ne shpirtërisht përjetojmë sot, ashtu si vështrimi në pasqyrën e detit në verë, kur këmbehet me vështrimin në pasqyrën e mysët të liqenit krejt në akull, ka ç’të na tregojë për kuptime, për imazhe, për gjendje, apo për të ndierët e diçkaje krejt ndryshe. Ndryshe, por jo përjashtuese. Qenësisht e gjithmonë është e njëjta ndryshueshmëri e jona.
Poezia e këtij libri të rrëmben me strukturat poetike të ngritura me një frymë spontane, të rrjedhshme, me një frazë të lirshme që shkon me shpejtësi drejt kumteve që shpalosen dhe mbyllen pa asnjë sforcim. Ndjeshmëria, mendimi, struktura ngjizen bashkë natyrshëm në një poezi që ka kurajon të ta hapë zemrën, të t’i thotë me plot gojën dhe gjërat që shpesh i fshehim. Ndonjëherë duhet një zemër luftarake për të denoncuar një situatë të lëngatës shpirtërore, për t’i bërë të dukshme ndaj të tjerëve fantazmat tona… pa patur frikë edhe të themi se jetojmë me hijet tona: “Po askush s'e di praninë e burrit fantazmë në spektrin e dritës. Dëshira e shkencëtarëve për të prodhuar dritë të zezë e ka zanafillën veç këtu...” (Rrëfim për një burrë)Poezia shpesh fillon me një pyetje, e cila të çon drejt në thelbin e asaj që kumtohet prej së tërës. Më shpesh autorja dialogon, bisedon me subjektet e saj. Këtyre subjekteve të fantazuara autorja ua beson ato që në çast ndjen dhe mendon, u rrëfehet si dikujt, si një konfidenti në jetë. Kjo praktikë dialogu rrit intimitetin, thyen monotoninë, më shpesh të udhëheq drejt një mendimi. Më tepër se poezi e figurave, e fjalëve, e metaforave të bukura, është poezi e mendimit, e shprehjeve të figurshme të ngarkuara me mendim. Zhveshur, pa barok.
Ndonjëherë poezia mund të jetë një enigmë e bukur:
Boçe më boçe
Pishë më pishë të këtij pylli,
boçe më boçe rri e ndryrë
një arie e pakënduar.
Tinguj të fjetur dhomëzave të errëta,
si brenda një guri, guri në formë zemre.
Simfoni të sprovuara në poçe pikëllimi,
binjake të një vetmie të thellë sa oqeani,
mërguar prej dashurisë, dashurisë së paanë,
çdo ditë e natë më tepër durimplote,
trung me trung të pishnajës tënde!
Kjo poezi me dhjetë vargje sjell një njësi shpirtërore që mbetet e tillë përtej atij që e krijoi. Çfarë ia jep asaj një vlerë të tillë të patjetërsuar? Në bohçet e trungjet e pishave të një pylli janë ndryrë arie të pakënduara. Simfoni të një vetmie sa oqeani, simfoni të mërgimit prej dashurisë së paanë janë ndryrë durimplotë në trungjet e pishnajës. Çfarë do të thotë? Është një njeri që fsheh një përvojë pikëllimi, por një përvojë të madhe, të bukur? Është një kompozitor, një poet i pashprehur me një vepër të hatashme të ndryrë si në gur, si në dru? Është pylli që me buçimat e tij pret dimrin dhe erën që të shlirohet nga ariet dhe nga simfonitë që burgos? Pse diçkaja e tillë sublime duhet të fshihet, të burgoset? Secili mund të zgjedhë çdonjërën nga ç’thamë më lart. Ose asnjërën prej tyre dhe të sugjerojë tjetër gjë. Qyshse e lexova së pari, enigma e kësaj poezie ende vazhdon të më sugjestionojë. Poezi si “Sytë”, “Humbësi im i bukur”, “Toka e tramundanave”, “Sonte i dua tërë dashuritë e mia” etj, janë nga poezitë më të mira për dashurinë. Dashuria është nga temat më të rrahura në libër. Poezia “Sonte i dua tërë dashuritë e mia” sjell disa nga skenat e vargjet më të pikëlluara që mund të jenë shkruar për dashurinë e humbur. Poezia buçet: “Fillikat, fillikat më la dashuria”.
Tani tek endem mëngjeseve përmbi urë,
lumi Lethe hesht dhe s'më spërkat thuajse kurrë,
veç në mua ndez një dritë për çdo muzg,
një flakë si qiri për tërë të harruarat e mia...
Lumi Lethe, lumi i harrimit, i pëshpërit humbëses, se ajo është bija e tij…bijë e harrimit.
Në ciklet e poezive të Veriut, në poezitë me motive nga vendet nordike, vërehet se poetja që vjen nga mjedise mesdhetare, i ndien pamjet, i rrok mjediset e njerëzit, i shijon ndjesia e të qenit në prani të të ftohtit dimëror, te pyjet e ngrirë, te liqenet e detet nën akuj. Mbyllja në mjedise të ngrira, në shtëpi, brenda vetes, prin nga meditimi, prin kah kthimi tek elementet bazë, te toka, te uji, te zjarri… thelbe të filozofëve antikë, ose te përpëlitjet nga ankthi i palumturisë (te Hajdeger). Vetmia dhe dalja prej saj (një vetmi me dritë) vërehen brenda vetes dhe tek "Aspen", një liqen i ngrirë në Suedi:
A thua pas një vetmie aq të thellë, Aspen,
ti do të mundesh përnjëherë t'i dorëzohesh përtëritjes?
E di, ke dhimbje kurmit nga çarja e akujve,
por çdo largim nga vetmia nuk ndodh pa lënë vragë...
Ndryshimi i pamjeve të jashtme në aventurën e shtegëtimit tonë jetësor, nuk i ndryshojnë pyetjet e vjetra të njeriut mbi jetën. Në poezinë për Hamletin “Të jesh ag, apo mbret”, shkruar në Elsinor të Danimarkës, nuk ka asgjë nga vetëdija tragjike hamletiane. Përshkruhet peizazhi i një agimi të ftohtë, anijet, dallgët, kështjella. Cikli rrethor i përsëritjes së natyrës i shpërfill dilemat tona tragjike, i çdramatizon. Natyra nuk ka kujtesë, nuk ka pyetje. (“Ç'të bëjmë, ç'të bëjmë, Hamlet?”). Poezia mbyllet me pyetjen e titullit. Të jesh agim, natyrë që përsëritet, apo përkohësisht mbret? Një mbret që vdes.... e prapë, prapë, pyetjet hamletiane i lë këtu mbi tokë tek ne, nuk i merr me vete. Poezia “Të duket e paktë?” shtron pyetjen: cilët ndër ne janë më të shëndetshëm? Poetja në moshë të re simpatizon një grusht njerëzish të sëmurë që lënë shtëpitë a spitalet çdo fundjavë dhe mblidhen në dy dhoma që të krijojnë artificialisht pranverën. Ata janë në zonën e vdekjes, e dinë që janë sot për nesër, krejt të pasigurtë, por një herë në javë ata krijojnë pranverën. Afrimi me vdekjen u jep kuptimin e vlerën e jetës, më shumë sesa atyre që plot cinizëm shkelin e shkojnë tutje thjesht se janë të suksesshëm. Këta të shëndetshmit e robotizuar e kanë humbur jetën. “Dialog rreth të vërtetave të një stine”, kushtuar znj. Johana Elisabeth, sjell një bisedë midis dy grash mbi të përditshmen, mbi stinët, gjethet, lumenjtë, burrat. Kalimet nga plani konkret në atë meditativ bëhen natyrshëm, pa sforcim të frazës, të tonit. Ruhet situata, intimiteti. Personazhet janë gra që nuk u dihet mosha, gjuha, etnia. Ato plotësojnë njëra-tjetrën me replika meditative. Natyra hyn te heshtja e grave ashtu si vetmia e stinës, e lumit, e kopshtit që zhvishet; një ikje dhe vetmim shpirtëror, një rrjedhje jete si e lumit nën shpirtra gjethesh të thara.
Dëgjo, Johanna, i them në buzëmbrëmje:
a s'janë krejt heshtjet tona djerrina blerimesh,
ku prehet shpirti i një lumi të harruar?
Varet, më thotë ajo mbështetur pas një druri;
shpirti i një lumi zgjohet për çdo vjeshtë,
kur drejt tij shtegtojnë shpirtra gjethesh.
Poezia “Himn njerëzor për zonjën Inge” vizaton portretin e një rritëseje kuajsh. Një punë e trashëguar nga gjyshërit. Në borë e në ngricë ajo ushqen kuajt. Kjo grua stoike e ngulur në traditë është e plotë shpirtërisht. Me një shpirt të qëruar e të shëndetshëm. Ajo ka pranuar të jetë e mirë, atje mes një natyre jo dashamirëse.Me këto portrete grash si më lart, edhe në poezitë e tjera shkruar në Danimarkë a Suedi, nuk ka asgjë nga ai hedonizmi apo konsumizmi që lakmojnë jugorët në dyndjen e tyre drejt Veriut. Autorja i mëshon ashpërsisë së natyrës në dimër. Në këtë takim të autores me Nordin e ngrirë, Roskilde, një fjord i akullt i zhytur në det të akullt, është aq befasues, sa lartohet si një mit i lakuriqësisë ngjethëse:
Është ngricë si askurrë më parë
dhe ky fjord kokëfortë,
në gjithë këtë bukuri të shtangur,
e bën kaq të tejdukshme
ndjenjën e lakuriqësisë.
…(I vetmi që e pranon të ftohtin
Me plot kthjelltësi). (Roskilde)
Kjo botë e shtangur akujsh bëhet e bukur jo vetëm prej kësaj poezie, por prej disa poezive me këtë temë te ky libër. Në vazhdën e poezive të dashurisë ndihet prania mistike, fantazma përndjekëse e një burri. Në shtrat, në skaj, si nomad në horizont, tej mjegullës, mes tulipanëve. Ai është i padukshëm, (i fshehur), në spektrin e dritës, i aftë të prodhojë dhe dritë të zezë. Diku “burri është ai që nuk e njoh”, është “humbësi im i bukur”… Te poezia “Marri”: “Ky burrë me trup të mjegulluar duhet të më ikë pa kthim”. Këtë fantazmë obsesive, më së fundi, te poezia “Shfaqja” poetja e tall, e ngrin në pamjen e një burri prej bore, burrë bore i rrethuar nga tri gra të shterura që ëndërrojnë ta kenë në shtrat. Kjo është një nga poezitë më të bukura të librit. Një grotesk çlirues. Në vargjet e fundit bie një borë që të tilla “shfaqje” i varros krejt nën akujt skëterrë:
Ah tri gra si toka të djerra,
rreth e rrotull një burri të mjerë.
Është ftohtë, shumë ftohtë;
bora mbi karrotë ka nisur të bjerë.
(Pikërisht ajo lloj bore,
që nuk pushon asnjëherë...) (Shfaqja)
Në mjedise të tilla të deteve, të lumenjve, të liqeneve të ngrira thirren në ndihmë dy filozofët parasokratikë Talesi i Miletit dhe Herakliti. Këta filozofë mund mbase të japin një çelës për nga kuptimi, nga shndërrimi i këtyre imazheve të akujve ngjethëse në meditim poetik:
Pemët humbin e humbin gjethet
...Fjalët tona dhe pak do jenë stalaktite.
Trupat tanë vetvetiu do t'u dorëzohen bredhave,
se ne jemi të përkohshëm si qytetërimet,
ndaj endemi pa dashur nga një perandori në tjetrën.
Lëndorë prej uji dhe zjarri jemi.
As lahemi dot përherë në të njëjtin lumë,
as mundemi dot veçse prej bore,
as durojmë dot vetëm stinë zjarri...
Ne jemi dishepujt më ikanakë në kozmos;
orakuj të qiellit dhe të besimit tonë... (Prej akulli, prej zjarri)
Përjetime vetjake…? Po, të tilla janë. Autorja dëshmon fuqi vëzhguese, origjinalitet tematik dhe gjetje të saja të formulimit poetik. Mund të mos jesh dakord me përsiatjet e saj. Por pse duhet të jesh dakord? Duhet theksuar, se nuk jemi në fushën e mendimit, por në atë të përsiatjes, të meditimit. Të poezisë. Meditim sipas një gjase, sipas një fakti, sipas një ngjarjeje. Ngjarje, fakte a gjasa të cilat nuk janë me doemosdo të jetuara. (Edhe sikur të jenë, edhe sikur…?) Thellimet meditative të kësaj poezie, referimet te Talesi i Miletit, te Herakliti apo te të tjerë filozofë, refleksionet në shumë prej poezive në këtë libër janë pasuri e krijimtarisë së autores. Tashmë ndodhemi para një dukurije. Kemi një poete që “fluturon”, që do të arratiset në mistikë, në refleksione. Meditimet ashtu si gjeturitë, si akribitë e saj në poezi janë pjesë thelbësore e poetikës së saj. Dhe tendenca për reflektim mbi gjendjet, mbi situatat e ekstremitetit. Një endje, një stërmundim jashtëtokësor për të depërtuar në jetë dhe në realitetin e vetes, një zhytje në vetëlëndimin njerëzor ashtu si kredhja në ujë e, njëherësh, si kredhja në zjarr. Si djegia në plazhet e Mesdheut, apo si kyçja thellë nën akujt e Veriut të kontinentit. Duken sikur janë gjendje përjashtuese, por thellë-thellë ato janë tek ne, janë brenda nesh. Poetët, gjithmonë, ‘sëmundje’ të tilla, drithërimat nga ethet e zjarrit apo nga ngjethësia e akujve, dhe në mos qofshin në jetë, do t’i shpikin. /Gazeta Liberale