(Në vend të një parathënieje)
Një libër i vështirë dhe një “ëndërr e prerë”, për nënën time të jashtëzakonshme, paska qenë ky libër; përmbledhje kujtimesh të miqve dhe jo miqve, të dashamirësve, por edhe ata më pak dashamirës, të të njohurve zemërgjerë dhe largpamës, por edhe të atyre më individualistë e pragmatistë.
Dritëroi i vëzhguar nga shumë sy, zemra dhe mendje, në epoka thuajse të ndryshme, në etapa të ndryshme të jetës së tij. Përherë një nxitje, shkëndijë, krijon premisa për t’u përfshirë në nisma, të cilave fillimisht ua di veçse misionin dhe argumentimin e dobishmërisë.
Rrugëtimi ka të papritura, dhe shpesh, ndodh që situatat në të cilat mund të gjendesh në mes apo përfundim të rrugëtimit, mundet të krijojnë pikëpyetje të mëdha, sa i takon finales së dëshiruar.
Kështu më ndodhi me librin “Ky është Dritëroi im”. Pas ndarjes nga jeta të babait tim, bisedat më të shpeshta me nënën time, Sadijen, përqëndroheshin rreth tij. Kujtime, shfletime dorëshkrimesh, detaje jetësore, sistemim fotografish, biseda për planet botuese...
E ndieja që mami nuk e kishte pranuar “vdekjen” e babit. E ndjeja që ajo përsëri e thërriste zgjuar dhe në gjumë, në ëndrra dhe kur muzgu binte.
E ndërsa në mëngjes dilnin rrezet e para të diellit, kujtohej kur Dritëroi i thoshte:
“Hape pak perden, të hyjë drita dhe rrezet e diellit, se do më mungojnë shumë në jetën pa frymë”.
Shihte të ulur në stolat e lulishtes të moshuar dhe mërmëriste: “Ja, po të ishte edhe Dritëroi, ndryshe do të ishte jeta ime”.
Megjithatë, ideja e botimit të serisë së librave të kujtimeve, e intrigoi që ditën që ia shpreha si dëshirë.
Me një adhurim deri-deri si ndaj “zotave”, me një hipnotizim ndaj figurës së Dritëroit, nëna ime u përfshi e gjitha në “ethet” e përgatitjes, pa humbur asnjë minutë kohë, të librit ku siç thoshte ajo vetë “Dritëroi do të dalë - Njeri e Mbinjeri”. Dhe kjo është ajo më e vlerësuara në këtë kohë të çoroditur. - përsëriste shpesh.
Përgjatë dy muajve, dita e nënës sime niste me telefonatat e miqve, shënimet në listat emërore, të
hartuara me komente dhe afate, entuziazmi shoqëronte telefonatat, diku-diku të ngjyrosura nga malli dhe kujtimet e kohëve te shkuara. Dukej që tashmë kishte një motiv të fortë për të jetuar. Kur nga filli i telefonit dëgjonte zëra entuziastë dhe konfirmues të propozimit për të shkruar kujtimet për Dritëroin, njeriun e saj të zemrës dhe të mendjes, gëzimi i saj ishte i papërshkruar. Më telefononte e ngazëllyer duke përsëritur fjalët e miqve: Uu, sa iu bë qejfi Preçit. “Posi jo, tha, kam aq kujtime me Dritëroin. Do t’i shkruaj dhe do ia çoj me email Elonës”, - ja kështu më tha”.
Thuajse pas çdo telefonate, kishte nga një kumtim dhe gëzim për të ndarë me mua.
Por kur nata binte dhe vetmia e kaplonte, atëherë niste “jeta e vërtetë” me Dritëroin...
“Nuk më kishte shkuar ndër mend që Dritëroin nuk do ta kishim në krye të vendit në kolltukun e tij. Fillonte dhe mbaronte dita duke dëgjuar zërin e tij kumbues, më së shumti me humor, që na zgjonte nga përgjumja e natës, duke na dhënë gjallëri, kurajë dhe forcë për t’i kaluar ditët, javët, muajt dhe vitet pa ndjerë vështirësitë e jetës bashkëshortore. Ai i vuri shpatullat shtëpisë me seriozitet dhe përgjegjësi. Mua më trajtonte edhe si grua edhe si vajzë, sidomos në vitet e para, pasi kishim diferencë moshe 11 vjet.”
Këto rrëfime, nën zë dhe me zë, përsëriteshin hera-herës kur mjaftonte një frazë e lexuar, një stilolaps e letër sipër tavolinës, një trokitje në derë e mikut që sillte gazetën, për t’u futur në rrjedhën e kujtimeve.
“I gjalli jeton me dashurinë për të dashurën e tij të vdekur. Ky është një nga dështimet e mëdha të vdekjes,” - citonte aforizmin e Dritëroit.
Përmbledhja e kujtimeve “Ky është Dritëroi im”, nuk do të mund të realizohej pa këmbënguljen, pasionin, devotshmërinë dhe mendimet e mençura të Sadijes, qetësinë e gjykimeve, dashurinë me te cilën ngjyroste ditët me dhe për Dritëroin.
Për krijimtarinë e Dritëro Agollit ka plot studime, shënime kritike, kritika letrare, nga studiues shqiptarë por edhe të huaj. Disa herë, ato çka nuk trajtoheshin, qoftë për hir të kufizimeve dhe shtrëngimeve si pasojë e mungesave të lirisë së mendimit e fjalës (në kohën e socializmit real), qoftë për arsye të kufizimeve në këndvështrimin shkencor, studiues të huaj i kanë analizuar në mënyrë mjaft origjinale, dhe jo vetëm veprën më të përkthyer “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, por edhe prozën me temën e Luftës Nacionalçlirimtare, siç është “Njeriu me top”.
Faktet biografike të Dritëro Agollit, rrëfime mbi ndodhi, kujtime të vetë autorit apo të miqve për të, janë botuar herë pas here në shtypin e përditshëm apo dhe atë letrar, në përmbledhje e libra autorësh që kanë dëshmuar dëshirën e mirë për të bërë të njohur për
lexuesin, fakte e kuriozitete të jetës si dhe ndikimit të këtyre fakteve në kontributin tërësor që ky personalitet ka dhënë jo vetëm përmes artit të tij të madh, por edhe në përparimin e civilizimin e shoqërisë shqiptare.
Libri “Ky është Dritëroi im”, synon të jetë botimi më i plotë i cili i kushtohet figurës shumë komplekse të Dritëro Agollit. Përmes episodeve, ngjarjeve ku protagonist ose i pranishëm ka qenë shkrimtari dhe autori i rrëfimit apo kujtimit, zbulohet shumë natyrshëm ana njerëzore, marrëdhëniet shpirtërore, tiparet komunikative, “arkitektura” e ndërtimit të raporteve njerëzore, tipare të karakterit të shkrimtarit të madh. Shkrimet, duke i prekur tri epokat e jetuara nga Dritëro Agolli, Luftën Nacionalçlirimtare, Socializmin dhe periudhën e demokracisë, zbulojnë veçantitë, tipare, dhunti, shije, preferenca, virtyte apo ndonjë mangësi që do të mund të quhej “ves” për disa e virtyt për të tjerët. Mendimet e shkrimtarit për jetën, vdekjen, fenë, mendimin filozofik të tij, ironinë e mprehtë (tipar i natyrshëm i tij), ndjeshmërinë ndaj problemeve shoqërore, raportin e tij me ideologjinë dhe të majtën në politikë, mendimet për poezinë dhe artin në përgjithësi, tërthorazi, përmes kujtimeve të ngjarjeve përcillen gjerësisht tek lexuesi.
Ky libër do të përbëjë një ndihmesë të madhe për biografët, monografët, studiuesit e historisë së letërsisë shqipe. Në mungesë të një autobiografie të shkruar nga vetë shkrimtari, biografët do ta ndërtonin më lehtë strukturën e monografisë, duke u mbështetur sa në këto botime kujtimesh, aq edhe në vetë veprën e pasur të Dritëro Agollit, publicistikën e tij, por edhe ato shënime autobiografike të lëna në mes nga autori.
“Në përgjithësi poetët nuk mbajnë ditar, prandaj kur shkruajnë biografitë e tyre ata flasin vetëm për jetën që i ka rrethuar dhe për atë që kanë bërë për jetën. Unë kohët e fundit kam lexuar një libër të Pablo Nerudës, poetit të madh të Kilit, libër që jo vetëm më ka nxitur të shkruaj kujtimet e mia, por më ka ndihmuar për të ndërtuar një arkitekturë të librit që kam në mend të shkruaj. Poeti i shquar kilian thotë se memuarët e memuaristëve nuk janë si memuarët e poetëve. Memuaristët, thotë Pablo Neruda, kanë një përparësi se na bëjnë që t’u besojmë nga fotografimi i detajeve, kurse poetët në memuaret e tyre, domethënë në kujtimet, na japin një galeri fantazmash të ndjekura nga zjarri dhe hijet e epokës së tyre.
Unë që shkruaj jetën time pyes veten: “Jetën time e kam bërë brenda trupit tim, apo brenda trupit të të tjerëve?”. Dhe në të njëjtën kohë jap përgjigje: “Jetën unë e kam bërë brenda qenies së të tjerëve, prandaj e kam bërë edhe brenda vetes”. Kështu shkruan Dritëroi në shënimet e tij për kujtimet.Librat e këtij zhanri zgjojnë një interes të madh edhe për lexuesit dhe dashamirësit e letërsisë. Njohja e shkrimtarit të zemrës, të pathënat mbi jetën private të tij, ngjarje e raporte ndërpersonale, ngaherë ngacmojnë imagjinatën e lexuesit të apasionuar.
Dhuntitë narrative të autorëve të kujtimeve në më të shumtën e rasteve krijojnë përjetime të pashlyeshme gjatë leximit.
Libri Ky është Dritëroi im, do të renditet në sërën e veprave që dëshmojnë më së miri atë që njëri nga autorët e këtyre kujtimeve shkruan: “Dritëroi është shembulli që ilustron të vërtetën e vjetër se jo çdo njeri zemërbardhë është poet, por nuk mund të ketë poet të madh pa zemër të madhe”.