Aktualitet

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Ta kthejmë debatin politik nga global në lokal

Shkruar nga Liberale
EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Ta kthejmë debatin politik nga global në

Ervis Iljazaj

Në mënyrë absurde dhe qesharake debatin politik shqiptar të kohëve të fundit e ka mbizotëruar temat të cilat mund të konsiderohen problematika globale. Shumica e mediumeve politike dhe aktorët që merren me të diskutojnë për çështje të interesit ndërkombëtar si gjyqet e FBI-së, çështjet gjeopolitike dhe rolin e  Amerikës në to, ndikimi i Sorosit në politikën amerikane dhe si ai ndikon në demokracitë botërore duke prishur rendin e tij dhe duke korruptuar qeveri të tëra. Parodia shkon deri aty, sa disa prej tyre merren dhe shqetësohen për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe si ajo mund të korruptohet nga politikanë shqiptarë. Ka një tentativë qesharake për t’i bërë gjyqin institucioneve të Amerikës dhe se si ato funksionojnë. Harrojnë që po flasin për shtetin i cili garanton sigurinë botërore ka rolin kryesor në gjeopolitikën e saj.

Mirëpo, komedia vazhdon duke bërë thirrje nga Shqipëria se si duhet të operojnë institucionet ndërkombëtare dhe ato të SHBA-së, madje  shpesh herë i bëjnë dhe thirrje se si dhe çfarë ligjesh duhet të aprovojë. E gjitha kjo histori është kthyer padyshim në një histori groteske dhe pa asnjë interes publik për shqiptarët.

Ndërkohë që zgjedhjet lokale po afrojnë, askush nuk merret me problematikat dhe sfidat që mbart ky proces. Debatet publike duhet të zienin mbi idetë dhe problematikat e qyteteve shqiptare, e zhvillimit të territorit, turizmit e bujqësisë. Deri më tani askush nuk interesohet se përse qytet shqiptare janë boshatisur, se përse shumica e tyre janë kthyer në qytete fantazma, se koncepti i ekonomisë territoriale nuk artikulohet nga asnjë prej forcave politike.

Ndërkohë që debati duhet të fokusohej të reforma territoriale dhe ligji për pushtetin lokal e cila në pjesën më të madhe të saj ka dështuar, politika dhe media shqiptare është e zënë në konfliktet botërore dhe funksionimin e institucioneve të Shteteve të Bashkuara. Deri më tani, sidomos nga ana e opozitës nuk kemi parë asnjë ide dhe asnjë vizion se si do të adresohen këto problematika. Kandidatë të saj janë të zënë në protesta duke kritikuar dhe akuzuar ambasadorë dhe shtete si të korruptuara. Madje, shumë prej tyre ende nuk e kanë filluar fushatën elektorale. Një fushatë e cila është thelbësore për opozitën, për qytetarët dhe demokracinë në tërësi.

Në mënyrë të pakuptimtë, të gjitha energjitë janë fokusuar në çështje të cilat as nuk i kemi ne në dorë as nuk përbëjnë interes për qytetarët shqiptarë.

Shpesh herë qytetarët shqiptarë akuzohen si një popull i cili nuk reagon, apo si një shoqëri apatike që nuk del në protesta. Ky është një keqkuptim i madh. Intuita e popullit e kupton kur protestat dhe debatet politike janë në interes të tyre apo në interes të klasës politike. Prandaj në shumicën e rasteve i bojkoton thirrjet e tyre. Shumica e protestave që organizohen zhvillohen për hallet e politikës dhe jo për hallet e shoqërisë.

Retorika politike është totalisht larg interesave të publikut, dhe ajo çfarë ka ndodhur në muajt e fundit e tregon më së mirë këtë gjë. Ekziston një hap i madh midis interesave dhe problematikave të qytetarëve dhe diskursit politik. Një hap i cili duhet mbushur me ndryshimin e fokusit. Është e çuditshme se si debati publik politik fokusohet te çdo absurditet dhe jo te problemet reale.

Në momentin kur pushteti lokal në Shqipëri është në ditë të hallit, në momentin që në shumicën e qyteteve shqiptare njerëzit thjesht vrasin kohën pasi mungon punësimi, arsimi, zhvillimi ekonomik apo ai kulturor e social, politika shqiptare është e zënë me analizën e çështjeve botërore.

Nuk kuptohet nëse ky tipar vjen nga mungesa e aftësisë, nga mungesa e interesit për problemet reale apo nga mentaliteti provincial, i cili shpesh herë është delirant. Me shumë mundësi është kjo e fundit. Ka njerëz publik dhe politikanë të cilët janë të gatshëm të flasin për luftën në Ukrainë dhe konfliktet gjeopolitike, por po ti pyesësh  se  përse qytetet shqiptare janë katandisur  si mos më keq, nuk duan dhe as nuk munden të japin asnjë përgjigje./Liberale.al/

Liberale Newsroom

A ishin zgjedhjet e 11 majit 2025 një farsë elektorale, siç pretendon opozita?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH