Aktualitet

E vërteta dhe pasojat virale

Shkruar nga Liberale
E vërteta dhe pasojat virale

Mbikëqyrja e duhur e kërcënimeve potenciale katastrofike të shëndetit publik kërkon njohuri dhe transparencë, si brenda dhe ndërmjet vendeve. Siç tregoi  edhe njëherë pandemia vdekjeprurëse COVID-19, se të thuash të vërtetën shpëton jetë.

Nga të gjitha sfidat me të cilat njerëzit janë përballur në mijëvjeçarë, sëmundja ka qenë gjithmonë një armik veçanërisht brutal dhe i shkathët.

Ndikimi i sëmundjes i ka dhënë formë historinë. Indianët e Amerikës u shkatërruan nga sëmundjet që pushtuesit spanjollë sollën në Meksikë dhe Amerikën e Jugut; “Kortezi i fuqishëm” i poezisë së John Keats u shoqërua me sëmundje vrasëse si, lija, fruthi, gripi dhe tifoja.

Në dallim nga europianët, popullsia vendase në Botën e Re nuk kishte kaluar disa mijëra vjet duke u zhvilluar me kafshët dhe sëmundjet e tyre. Si rezultat, popullsia indigjene e Amerikës u zvogëlua me rreth 90% në shekujt XVI dhe XVII.

Në Europë, nga ana tjetër, luftimi i sëmundjes ishte një element formues në rritjen e autoritetit politik dhe qeverisjes së shtetit në Mesjetën e vonë dhe periudhën e hershme të Rilindjes. Epidemi vdekjeprurëse si Vdekja e Zezë i drejtuan autoritetet e qyteteve italiane dhe gjetkë të luftonin përsëri me higjienën publike të detyruar dhe karantinat. Anglia  e Henrit VIII dhe shtetet e tjera europiane krijuan spitale izolimi. Më vonë, Shtetet e Bashkuara zhvilluan shërbime të shëndetit publik pjesërisht për të luftuar ethet e verdha dhe epidemitë e tjera.

Fushatat ushtarake gjithashtu shoqëroheshin me sëmundje. Gjenerali udhëheqës i Napoleonit, Marshal Ney, shkroi se “Gjeneral Uria dhe Gjeneral Dimri” mpaku ushtrinë franceze që marshoi dhe më pas u tërhoq nga  Moska, më 1812-n. Por “Gjeneral Tifoja dhe Gjeneral Turbekulozi” luajtën gjithashtu rolet e tyre.

Sëmundja mund të jetë dinake dhe e paepur. Megjithë përpjekjet e njerëzimit, pandemitë e gripit kanë përfshirë botën mesatarisht tri herë në shekull, për 500 vitet e fundit. Më vdekjeprurësja  nga këto ishte  pandemia e emërtuar gabimisht si Gripi Spanjoll i vitit 1918, rasti i parë i të cilit u regjistrua në Kansas, të ShBA-së. Kjo pandemi mund të ketë vrarë mbi 50 milion njerëz në të gjithë botën, më shumë se numri i atyre që vdiqën  në Luftën e Parë Botërore.

Në fakt, fëmijët në atë kohë përsëritnin një strofë  kur hidheshin me  litar:

“Unë kisha një zog të vogël,

 E kish emrin Enza.

 Hapa dritaren

 Dhe mora influ-Enza”

 

Pra, me koronavirusin e ri COVID-19 që sulmon tani botën, çfarë mundemi të mësojmë nga përvoja e kaluar?

Mbi të gjitha, e dimë se problemet globale kërkojnë zgjidhje globale. Kjo nënkupton koordinimin e hulumtimit shëndetësor dhe vënien në dispozicion të burimeve për vendet e varfra që të zhvillojnë sistemet e tyre shëndetësore , një qasje që tashmë ka rezultuar e efektshme në trajtimin e malaries. Për më tepër, Organizata Botërore e Shëndetit duhet të luajë rol kryesor për të na mbrojtur nga sëmundja epidemike, veçanërisht duke u përqendruar, së bashku me qeveritë kombëtare, në mbikëqyrjen e sëmundjeve dhe lëshimin e paralajmërimeve.

Në të vërtetë, kërkimi i kujdesshëm shkencor është thelbësor për “qeverisjen e mikrobeve” - ​​siç ishte, për shembull, në luftën kundër kolerës në mes të shekullit të nëntëmbëdhjetë, në Londër. Në atë kohë, një mjek i quajtur John Snow endej nëpër qytet duke kataloguar rastet e sëmundjes. Duke përdorur gjeografinë dhe statistikat, Snow ndihmoi nxitjen e një zhvendosjeje nga përqendrimi thjesht në shëndetin e trupit individual dhe trajtimin e simptomave  tek njohja e rëndësisë së shëndetit dhe sjelljes më të gjerë të popullatave të tëra.

Në mënyrë thelbësore, Snow zbatoi fjalën e urtë  kineze, për të mësuar të vërtetën nga faktet. Po kështu, luftimi i pandemisë COVID-19 kërkon jo vetëm ndryshimin e modeleve të sjelljes shoqërore përmes masave të tilla si izolimi dhe kufizimet e përkohshme të udhëtimit, por edhe t’i tregohet  publikut e vërteta. Njerëzit duhet të dinë në kohën e duhur se çfarë po ndodh dhe çfarë duhet të bëjnë.

Kjo është arsyeja pse ne duhet të jemi shumë mirënjohës për përkushtimin heroik të kaq shumë mjekëve dhe punonjësve kinezë të shëndetit në luftën kundër këtij virusi të ri vrasës. Lufta e tyre e guximshme është luftuar për të gjithë ne.

Drejtuesit komunistë të Kinës, nga ana tjetër, tani duhet të përballen me disa pyetje serioze.

Kur një varietet i pneumonisë së quajtur SARS –sindromë e rëndë akute e frymëmarrjes - shpërtheu në Kinën Jugore në nëntor 2002, autoritetet qendrore në Pekin e mbuluan atë me muaj. Jo rastësisht, mbase, një udhëheqës i ri kinez, Hu Jintao, po instalohej në pranverën e vitit 2003. Shtypja e  Partisë Komuniste të  Kinës ndaj  raportimit për shpërthimin dhe vonesa e saj në informimin e OBSh-së, mund të ketë pasqyruar vendosmërinë e saj në shmangien e marrjes së shkëlqimit të lartësisë së Hu-së.

Me atë rast, kallëzuesi trim kinez Jiang Yanyong ndihmoi t’i jepte fund mbulimit. Aksioni ndërkombëtar i konstatuar më vonë pengoi që epidemia e SARS të shndërrohej në një pandemi. Sikur të mos ndodhte kjo, do të kishte shumë më tepër raste dhe fatalitete në të gjithë botën.

Por kur koronavirusi i ri u shfaq në fund të vitit të kaluar, udhëheqësit komunistë të Kinës për fat të keq duket se nuk kishin mësuar asgjë nga ai episod i mëparshëm. Një tjetër mjek i guximshëm, Li Wenliang dhe disa nga kolegët e tij u përpoqën të paralajmëronin për virusin e ri në Wuhan, dhjetorin e kaluar. (Disa raportime, për shembull në “South Morning Post” të Kinës Jugore, sugjeronin se  kishte shqetësime në rritje për zbulimin e tij, edhe më herët.) Por Li dhe bashkëpunëtorët e tij u heshtën nga policia dhe u kërcënuan me ndëshkim nëse nuk e mbanin gojën mbyllur.

Jeta në Wuhan vazhdoi kështu normalisht, ndërsa epidemia u përhap. Miliona u larguan nga qyteti dhe  në krahinat përreth për festimet e Vitit të Ri Kinez,  festime që përfunduan me shumë funerale, përfshirë atë të Li-së. Hulumtimet nga Universiteti Southampton, ende jo peer-review, sugjerojnë që veprimet e hershme nga autoritetet kineze do të kishin ulur në mënyrë dramatike shkallën e infeksioneve.

Sëmundja është një vrasës. Po njësoj është edhe  fshehtësia e një regjimi totalitar, siç është ai i kryesuar nga Presidenti Kinez Xi Jinping, i cili censuroi dhe mbylli mediat sociale kur ata raportuan se çfarë po ndodhte në të vërtetë,  në Wuhan.

Mbikëqyrja e duhur e kërcënimeve potenciale katastrofike të shëndetit publik kërkon njohuri dhe transparencë, brenda dhe ndërmjet shteteve. Siç tregon edhe njëherë pandemia vdekjeprurëse COVID-19, të tregosh të vërtetën shpëton jetë.

Chris Patten, Project Syndicate/ Liberale.al

 

 

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH