Në konferencën me gazetarët, ish-Presidenti Ilir Meta tha se Autoriteti i Dosjeve do të mbajë përgjegjësi ligjore për shkeljet sa i përket dokumentit që dërgoi në Kuvendin e Shqipërisë për politikanin në dosjen e Sigurimit të Shtetit.
Meta u shpreh se është 1 milion % i pastër dhe se interesi i kësaj rrëmuje ishte manipulimi i opinionit publik për shkak se “lindi një forcë e re politike”.
“Do mbajnë përgjegjësi ligjore dhe është ngritur grup pune. Jam 1 milionë për qind i pastër, e di mirë burimin e kësaj intrige dhe interesin për të manipuluar opinionin dhe për të bërë gjithë këtë rrëmujë, sepse ka lindur një forcë e re politike. Nuk ka më opozitë që shet ndeshjen 5 vite para, është një opozitë e vërtetë që do rrëzojë këtë regjim të kalbur, ata përdhe ishin, por kishin atë opozitë. Do mbajnë përgjegjësi për këto grabitje, shkelje të ligjeve, të manipulimeve falsifikimeve.
Nëse duan të hapin të gjitha dokumentet që kur isha në çerdhe. Kudo në të gjithë kohët dhe të gjitha periudhat. Isha student i dhjetorit, nëse do isha ashtu kishte vazhduar me PD s’do kishte parë punën e vet. Ky palaço u gjuante me gurë socialistët, Ilir Meta vajti u dha zemër i ndihmoi që të reformoheshin të bëheshin parti më shqiptare, por u kthyen prapë në ’41. Tani krijojmë Partinë e Lirisë”.
Sipas tij, e gjitha po bëhet për shkak të krijimit të një force të re politike, ndërsa shtoi se “është 10 hapa para të gjithëve”.