Globi

Covid-19, BE mund të mos i hapë kufijtë pas 1 korrikut

Shkruar nga Liberale
Covid-19, BE mund të mos i hapë kufijtë pas 1 korrikut

Kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian mund të mbeten të mbyllur për shtetasit shqiptarë dhe pjesën tjetër të rajonit edhe përtej 1 korrikut. Komisioni Evropian rekomandoi 2 javë më parë rihapjen graduale të kufijve me Ballkanin perëndimor nga 1 korriku, nën arsyetimin e situatës së mirë epidemiologjike, e cila siç tha komisionerja për çështjen e brendshme, Ilva Johanson, ishte e ngjashme ose më e mirë sesa në vendet e tjera të BE-së.

Por, prej atëherë situata në rajon është përkeqësuar, me rritjen e shpejtë të numrit të të infektuarve me koronavirus. Kjo ka bërë që disa shtete të BE-së të marrin masa individuale dhe që të vihet në pikëpyetje heqja e kufizimeve për shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Zëdhënësi për çështje të migrimit në Komisionin Evropian, Adalbert Jahns, tha se u takon vendeve anëtare të vendosin për hapjen ose jo të kufijve me rajonin.

“Rekomandimi nuk ishte vetëm për shkak të situatës epidemiologjike, por edhe për shkak të raporteve të BE-së me rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sa i përket situatës, ne jemi duke e ndjekur me shumë kujdes. Diskutimet në Këshill janë në vazhdim e sipër dhe në ato diskutime merret parasysh edhe situata aktuale epidemiologjike”, tha Adalbert Jahns.

Disa prej vendeve anëtare po i shtojnë masat e kufizimit për shtetasit e Ballkanit Perëndimor, të tilla si Sllovenia dhe Kroacia.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH